2017-02-19

Rexhep Shahu:Letër speciale nga Tirana

Rexhep Shahu
Oratorët që munguan në protestën e 18 shkurtit të PD në Bulevardin e Mbretit
Aty në protestën e djeshme gjigante të 18 shkurtit 2017 nuk foli asnjë skllav modern i Shqipërisë së sotme. Asnjë i përbuzur, asnjë i tallur, asnjë i goditur, i shkatëruar nga kjo qeveri. Aty nuk foli asnjë i burgosur për faturë banale energjie elektrike, asnjë familjar i ndonjë të varuri apo të vdekuri në burg për megallomani qeveritare, asnjë i burgosur si kavie qeveritare, asnjë individ që i është hedhë në erë me tritol shtëpia për teka e pordhë qeverie, asnjë i dëbuar prej pune dhe i dënuar me uri, aty nuk foli asnjë intelektual i dhunuar e kërcënuar nga kjo qeveri, i poshtruar me shpërfillje, me heshtje, me lënie pa rrogë e bukë. Aty nuk foli asnjë prind plak i braktisur se qeveria jonë fenomenale i ka punësuar të rijtë shqiptarë si lypsa e kërkues mëshire nëpër Europë duke lënë prindërit të braktisur se nuk ka punë këtu në atdhe. Aty nuk foli asnjë skllave moderne fasonesh që paguhet me 100 euro dhe detyrohet të jetë mirënjohëse ndaj qeverisë edhe për këtë 100 euro. Asnjë kallcenterist që diploma universitare i vlen vetëm për këtë punë dhe duhet të jetë falenderues kësaj qeverie që lejon kallcentra në Shqipëri. Aty nuk foli asnjë fermer shqiptar që mbjell fidane për mollë e i dalin dardhë, që mbjell fara shalqini e i dalin kunguj, që mbjell fara domate a kastraveci edhe i mbin në arë koka e ministrit mashtrues. Aty nuk u thirr në skenë të fliste asnjë kryefamiljar që nuk gjen punë, që s’merr ndihmë ekonomike, që merr ndihmë ekonomike, që ka fëmijët në shkollë dhe nuk i mjaftojnë lekët as për bukën thatë. Aty nuk u thirr të tregonte odisenë e spitalit asnjë i sëmurë apo një që ka provuar spitalin, ndërsa llomotitet përditë me leje nga folës të shtirur për shendetësi falas  e koncensione shëndetësore. Aty nuk u thirr të fliste asnjë i sëmurë që është i shtruar dhe ka krevatin në koridore të spitalit. Aty nuk u thirr të fliste asnjë emigrant që ka bërë turizmin poshtrues të emigrantit që ka provuar endjet poshtruese nëpër Europë, kthimin zhgënjyes në atdhe dhe zgërdhirjen qeveritare. Aty nuk u thirr të rrëfente asnjë tifoz i fyer futbolli, të rrëfente se si kryeministri ynë kaçurrel ia shet ndeshjen e futbollit Serbisë. Aty nuk u thirr asnjë diplomat a politikan të fliste për turizmin patriotik tallava të Edi Ramës në Serbi si dalëzotës i paautorizuar i Kosovës.
E dimë tashmë të gjithë se është keq, po si i bëhet të delet prej kësaj të keqe, si të shpëtojmë. Nuk e dimë sa do të jetë rroga më e ulët, taksa më e lartë, sa do të kushtojë dinjiteti nuk e dimë.
Edhe ata që e sollën këtë të keqen e sotme, janë bindur se kjo e keqe është më e keqe se e deshën ata të kqijtë, është më e keqe se e keqja e djeshme dhe duan ta heqin, por nuk dinë se si.
Kush na prin drejt së mirës. Kujt ti besojmë. Kush na ofron besim e shpresë.
Sfiluesit e sfilueset e djeshme të protestës së 18 shkurtit që sfidonin njëri – tjetrin me veshje e parfume nuk ngjallin besimin e askujt përkundrazi  fitojnë neverinë e të gjithëve. Pse dalin të tillët në protesta, pse e shëmtojnë protestën, çfarë e dinë protestën.
Kur shoh në podiume e në krye të turmave, në ekrane si mentarë ata që vidhnin dje, vidhnin pak, por vidhnin, ata që na skapitnin me pështymë, ata që e kishin moto të jetës e punës së tyre që për 4 vjet në pushtet duhet të sigurosh të ardhurat minimalisht për 8 vjet në opozitë, që të mos kesh nevojë të punosh, ose duhet të vdesësh se nuk je i aftë as për veten as për shoqërinë... kur shoh të tillë që duan të na marrin për dore, të na drejtojnë nesër, të privatizojnë protestën sot, të shpallen liderë që sot, nuk të bëhet të jetosh asnjë sekondë këtu.
Fjalimet e djeshme të oratorëve në protestë nuk ishin për dje, nuk ishin për atë protestë, nuk ishin për ato njerëz që kishin mbushë sheshin.
Sejcili kalit të vet, kështu mu duk dje, sejcili dajres së vet, sejcili qejfit të vet, sejcili kërkesën e vet, kështu mu duk dje në protestën madhështore të thirrur nga Partia Demokratike.
Me aq shumë kuaj nuk garohet, aq shumë kuajve s’ka kush u rri mbi kurriz pa shalë. Me aq shumë kërkesa nuk arrihet asnjë, nëse ngulet këmbë në një kërkesë dhe nëse bëhet qëndresë plotësohet. Por nuk është koha të shpallë kush të dojë dëshirën e tij dhe ta artikulojë si kusht ndaj qeverisë.
Gara për spikatje nuk ka pse bëhet para atyre burrave e grave që u derdhën dje në shesh. Nuk është garë në studio te Adi Krasta kush reciton më bukur. Dhe nëse duhet thënë, e them, asnjë nuk recitoi bukur sipas mendjes e shijes time.
Fjalimet e djeshme veç fjalimit të Bashës që duhet domosdo të lexohet me diksionin e timbrin e Bashës, ishin fjalime inaugurale apo fjalime gare për poste qeveritare të neserme.
Fjalimet e djeshme të oratorëve në protestë nuk ishin për dje, nuk ishin për atë protestë, nuk ishin për ato njerëz që kishin mbushë sheshin.
Oratorët e djeshëm argatë të z. Basha nuk folën asgjë lidhur me opozitarizmin e 3 viteve të shkuara, me kauzat e humbura, me qëndresat e parealizuara. A ka patur opozitë këto tre vite, a ka bërë mëkate kjo qeveri. Veç talljes së Ramës me shqiptarët që patën deshirë të gënjehen e të mashtrohen dhe që janë të lirë të besojnë mashtrimet e Edi Ramës sa herë të duan, që kanë në dorë ta mbajnë në pushtet Edi Ramën sa Enver Hoxhën, a duhej të artikulohej aksioni opozitar i ndjekur, a duheshin artikuluar mëkatet e qeverisë.
Apo funksionon melodia e njohur, nuk është edhe aq keq kur je në opozitë dhe nuk i ke keq punët përsonale me qeverinë…
Në fjalimet e oratorëve përveç lutjeve e përgjërimeve për vëmendje dhe deshpërimit se nuk fituan vemendje, nuk u shfaq askund siguria se ata janë ministrirat e nesërm, se ata janë shefat e nesërm të shtetit të ri. Z. Basha duhet t’ua jepte këtë siguri e garanci e të mos detyroheshin ata të piskitnin.
Qytetarët që mbushën ding bulevardin dje filluan të binden se PD është tashmë dalëzotëse e tyre.

No comments:

Post a Comment