2017-02-10

Romani Muza e errët nga Armin Ohri.

Diana Culi


Nga Diana Çuli



Shtëpia botuese DITURIA kohët e fundit ka nxjerrë në qarkullim një roman të shkrimtarit Armin Ohri, nga Lihtenshtajni, por që jeton në Zvicër. Romani titullohet Muza e errët (titulli origjinal: Die dunkle Musel), me të cilin autori fitoi dhe Çmimin Europian të Letërsisë, dy vjet më parë. Armin Ohri ka lindur në vitin 1978 dhe ka studiuar për histori, filozofi dhe letërsi e linguistikë gjermane. Prej vitit 2009 ai ka botuar një numër të konsiderueshëm tregimesh e romanesh në dy shtëpi botuese të njohura të gjuhës gjermane. Veprat e tij kryesisht e vendosin subjektin në një sfond historik dhe bazohen në mënyrën e të rrëfyerit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, veçanërisht të lidhura me zbulimet e krimeve, që në atë shekull patën lulëzim të veçantë. Siç shprehet vetë autori në intervistën e tij me rastin e Çmimit Europian të Letërsisë, ai zhvilloi një stil të tijin, origjinal, “thjesht duke lexuar letërsinë e shekullit të 19-të; të preferuarit e mi, Charles Dickens, Stevenson, Wilkie Collins, Balzaku e të tjerë…”. Ndoshta, vazhdon ai më tej, ky stil nuk u shkon romaneve me temë bashkëkohore, por për ata me temë nga një periudhë më e shkuar, tingëllon i përshtatshëm. Të gjithë librat e Armin Ohrit që trajtojnë ngjarje nga e shkuara, lidhen me njeri tjetrin nga një personazh gjysmë detektiv, Julian Benthaimi. Për shembull, romani Muza e errët, ku ngjarjet zhvillohen në vitin 1865, lidhet me romanin tjetër të Ohrit, Lidhja e okulistëve, ku ngjarjet zhvillohen në vitin 1866. Hetimi i krimit dhe historia e tij mbyllet, por vazhdon jeta e të riut Julian.

Muza e errët, është pra, pjesa e parë e një serie kronologjike romanesh të lidhur me njëri-tjetrin – një histori e ndërlikuar e krimit që përdor teknikën ose formulën, e zbritjes nga lart-poshtë. Që në faqet e para lexuesi mëson se vrasësi është një profesor i filozofisë, i cili me gjakftohtësi e me përllogaritje të menduara mirë vret një prostitutë. Lexuesi e ndjek në çdo hollësi të vrasjes, madje profesori troket te dera e fqinjit dhe e pohon krimin. Lexuesi, bashkë me hetuesit do të përpiqet të gjejë – dhe kjo është një mundësi që e jep vetë autori – përse profesori i njohur Boto Golc e vrau vajzën e re. Një sërë kapitujsh përshkruajnë sallën e gjyqit dhe procedurat ligjore të kohës së Bismarkut kundër profesor Golcit dhe tregojnë se si mendja e tij brilante i kthen në të kundërt akuzat ndaj tij, del i pafajshëm dhe ai që ekzekutohet është një i pafajshëm i vërtetë.

Gjysmë detektivi Jul Benthaim, i cili në të vërtetë e ndjek çështjen nga dëshira e tij për të gjetur të vërtetën, është një student i ri prusian, i cili për të përballuar studimet, skicon skenat e krimit. Përmes syve të protagonistit, lexuesi ndjek këtë histori të çuditshme nëpër rrugët dhe rruginat e Berlinit të shekullit të 19-të. Në romanin Muza e errët gjejmë edhe ngjarje të vërteta historike, po edhe personazhe historikë, si: Bismarku, Fontane, Moltke etj., që autori i vendos edhe për të krijuar një atmosferë të kohës. Ndihet në roman se sa dokumente dhe burime historike janë përdorur për të krijuar një tablo vërtet të gjallë edhe të vendit e të psikologjisë së njerëzve në kohën kur zhvillohet ngjarja. Dhe, meqë përmendëm psikologjinë, në këtë roman ajo luan një rol të veçantë, sepse të gjitha karakteret duken sikur janë të ngërthyera në një lojë psikologjike macja me miun me njëra-tjetrën.

Personazhi i Boto Golcit, i cili në fjalimin e tij, pasi i ka shpëtuar dënimit, shpreh kredon e një grupi gjermanësh, e cila shërbeu më vonë si bazë për ideologjinë naziste, të simbolizuar te Mein Kampf-i i Hitlerit. Golci mburret që pastroi nga faqja e dheut dy njerëz që nuk vlenin për asgjë, veçse e ndotnin shoqërinë me jetesën e tyre plot vese. Kjo filozofi e “pastrimit”, e cila më vonë u mishërua në kampet famëkeqe naziste dhe në pastrimin racial, nuk jepet në roman vetëm si një tekë dhe përsiatje mendore e një njeriu. Kuptohet, nga shumë detaje në libër, se Golci është një zëdhënës i një shtrese shoqërore, i një fryme, i një rryme brenda shoqërisë gjermane që sa vinte e rritej.

Sot, romanet thriller janë mjaft të përhapura dhe kulmuan para disa vjetësh me një shpërthim në botimet skandinave, përsa i përket Europës, por romani i Ohrit, nuk është thjesht një thriller. Ai është një roman mbi të vërtetën njerëzore, e cila është kaq e vështirë të mbijetojë në një shoqëri të korruptuar, ose të paaftë – qoftë edhe me ligjet e saj sado të përpunuara, ose hipokrite dhe individualiste.

Përmbi të gjitha, ky roman na vjen nga dora e mjeshtrit të përkthimit të gjuhës gjermane Afrim Koçi, i cili na sjell jo vetëm në mënyrë të përkryer një vepër të vështirë nga ana stilistikore, por kryesisht me shqipen e tij të pasur e të fuqishme për të përballuar forma të ndërlikuara sintaksore, të gjallë e të thellë në shumëkuptimësinë e saj.

No comments:

Post a Comment