2017-02-19

Safet Hasani: Historia tragjike e familjes Selatin Gërxhaliut

Nga Safet Hasani


Kur do të vije në vend drejtësia të arrestohen kriminelët që kryen krime kundër njerëzimit mbi familjet shqiptare

Do të ishte një punim i gjymtë të shkruash historinë dhe tragjedinë e shqiptarëve në Vushtrri, për dëshmorët, martirët, viktimat civile, për masakrat e shumta, e të mos përmendësh Selatin Gërxhaliun, Anateun e Shqipërisë Natyrale, qëndresën e pathyeshme, shtyllën e humanizmit duke furnizuar mijëra të zhvendosur, i cili nuk kurseu as jetën dhe familjen e tij për çështje kombëtare.....”

Safet Hasani
Sa herë afrohet maji i bekuar me natyrën gjallëruese dhe kur malet marrin frymë lirshëm, brezat shqiptar, kudo qofshin, përherë sjellin në kujtesë ato ditë gjëmimtare të vitit 1999. Ato janë ndër ngjarjet të paharruara në histori, kur populli shqiptar, 14 vjet më parë, u ballafaqua me një akt të pashembullt e të papërsëritshëm, çnjerëzisht të paparamenduar, makabritetin më të rënd që njehë historia e kohës së re. Viti 1999 respektivisht mëngjesi i 31 majit 1999 do të jetë një ditë, datë dhe vit i pashlyeshëm për vushtrriasit në veçanti dhe mbarë Kosovën popullin shqiptar në përgjithësi, meqë në një sulm të përgatitur nga forcat policore-paramilitare serbe kryen aktin më makabër duke masakruar tërë familjen 13 anëtarësh të Selatin dhe Nexhmedin Gërxhaliut në fshatin Studime të Vushtrrisë.
Vështrim i shkurtër i familje Gërxhaliu
Kush ishte Xhelil Gërxhaliu?
Familja Gërxhaliu shquhej për patriotizëm dhe humanizëm. Xhelil Gërxhaliu, ishte njeri i matur, trim dhe burrë i fjalës dhe besës. Që kur hordhitë serbe kishin mësy politikave raciste ndaj shqiptarëve në Drenicë, Çyqavicë, Shalë, Rrafshin e Kosovës e gjetiu, Xhelili ishte radhitur në forcat kryengritëse për t’i dal në ndihmë popullit dhe për ta mbrojtur vendin nga serbët çetnik të ardhur nga Serbia. Xhelili, në ato kohë të vështire që kalonte populli shqiptar kishte arritur të shkollohet dhe të ketë një përgatitje të lartë arsimi, dhe si i ri u inkuadrua në organizatat për çlirimin e vendit të cilën ia imponuan rrethanat dhe padrejtësitë e regjimeve pushtuese serbe. Para Luftës së Dytë Botëror, shpesh herë u konfrontua me xhandarë dhe ushtarak të regjimit së Jugosllavisë borgjeze. 
Me fillimin e LDB-re shumë njerëz, në mesin e tyre edhe shumë shqiptar, u bashkuan aradheve komuniste-partizane për të luftuar pushtuesin gjerman. Xhelili, komunizmin asnjëherë nuk e pranoi si ideologji që do të zgjidhte çështjen shqiptare, dhe kështu fillimisht ai rreshtohet në radhët e armatosura të Ballit Kombëtar. Në fundvitin 1943 shtoi aktivitetin e tij ushtarak dhe iu bashkua brigadës së Shaban Polluzhës deri në përfundimin e LDB-re. Mori pjesë në shumë luftëra dhe beteja që u zhvilluan anembanë trojeve shqiptare dhe më gjerë, si në; Drenicë, Llap, Çyqavicë, Shalë, Merdar gjerë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Me 22 shkurt 1945 kur shuhej brigada e Shaban Polluzhës, Xhelili me shumë shok tjerë kthehen në familje. Disa muaj qëndrojnë duke u strehuar nëpër male dhe pas një “amnistie” të dhënë nga regjimi i atëhershëm jugosllav, ata kthehen në shtëpitë e tyre për të filluar jetën normale. Por ajo amnisti ishte vetëm një mashtrim, atyre asnjëherë nuk iu ndalën torturat dhe presioni. Pas një kohe të shkurtër, pushteti i atëhershëm serbo-komunist e kishte arrestuar disa herë duke mbajtur në kazamatet serbe për një kohë të gjatë. Ndër ditët më të rënda në burgjet serbe i kishte kaluar në burgun e Mitrovicës dhe në Vushtrri, në stacionin e vjetër të policisë që ishte mbi kalanë e qytetit. Edhe se u torturua dhe u keqtrajtua në mënyrën më mizore, ai asnjëherë nuk i zbulojë shokët dhe bashkëluftëtarët e tij. Trimërinë dhe qëndrimin burrëror të Xhelilit e përshkruajnë shumë bashkëkohës të tij, dhe bashkëluftëtar që kishin shërbyer së bashku. Pas përfundimin e LDB-re familjen Gërxhaliu do të përcjellin ditë të vështira dhe shumë të rënda. Xhelili u martua, me Sala Aliun nga Pantina e Vushtrrisë ku patën shtatë fëmijë; Hasimën, Hafijën, Selatinin, Sytkijen, Sanijen, Salihen, Nexhmedinin dhe Gjylen.

Xhemajl Gerxhaliu

Historia patriotike e Xhelilit, bënë që Familja e Gërxhaliu të ishte në sy të armikut, ku vuajtjet dhe persekutimet do t’i përcjellin edhe pasardhësit tjerë, posaçërisht djalin e madh të Xhelilit Selatini, një burrë i shkathët dhe besnik.
Selatin Gërxhaliu
Selatin Gërxhaliu (djali i madh i Xhelilit), kryefamiljari i kësaj familje, jetoj dhe veproj në një periudhë sa të lavdishme aq edhe të hidhur. Për tërë qenësinë e tij patriotike dhe kombëtare tregojnë të bëmat humane, të cilit e gjallëruan në ndjenjat dhe krenarinë kombëtare. U lind në fshatin Studime të Vushtrrisë me 23 prill 1950 në një familje me traditë atdhetare. Selatini që në rininë e tij të hershme shquhej me një talent dhe dhunti të rrallë për gatishmëri dhe guxim në çdo detyrë që kërkohej ndaj atdheut. 
Selatini shkollën fillore e kreu në Vushtrri, gjerë sa të mesmen xehetarë-metalurgjik në Mitrovicë. Edhe se i përfundoj mësimet me sukses të shkëlqyer, ai asnjëherë nuk mundi të punësohej në punë shteti. Dhe kështu, duke qenë në vëzhgim në çdo lëvizje nga njerëz të regjimit të ndikuar nga UDB-ja, u detyrua të punoj punë të rënda fizike për të mbijetuar dhe mbajtur familjen, duke mos ia shtrij dorën askujt. Kriza e rënd që kishte kapluar vendin, dhe duke u mërzitur nga situata e krijuar nga përndjekjet e njëpasnjëshme, detyrohet, pa vullnetin e tij, të marr rrugën e mërgimit. Për një kohë të gjatë punoj në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, Austri, Gjermani, Itali dhe vende tjera të Evropës. Gjatë viteve 80-ta, kur situata në Kosovë filloj të rëndohej akoma më shumë, dhe se filluan të organizohen njerëz për lirin e popullit shqiptar, Selatini kthehet nga mërgimi dhe radhitet në ato rrjedha duke i dalë në ndihmë popullit shqiptar, dhe marr pjesë aktive në demonstratat e vitit 1981. Me 1982 martohet me Fixhirije Veselin nga Bajska e Vushtrrisë, ku do të lindin shtatë fëmijë; Shabanin, Shahinin, Muharremin, Mexhitin, Abdyrrahimin, Sebahudinin dhe vajzën e vetme Myberan.

Seladini i masakruar

Për Selatinin pushteti serbo-jugosllav që operonte mbi Kosovë ishte pushtet i huajë. Pas shembjes së komunizmit më 1989-90 dhe heqjes së autonomisë nga Serbia, filluan të organizoheshin lëvizje dhe grupe të ndryshme kombëtare që kundërshtonin politikat diktatoriale serbe. Duke qenë në vëzhgim të përhershëm nga regjimi serb, Nexhmedini (vëllai u Selatinit) detyrohet të mërgoj në Gjermani për tu kujdesur për familjen. 
Në pranverën e vitit 1998, pas vrasje së familjes së Adem Jasharit në Prekaz, Selatini radhitet në radhët e UÇK-së në territorin e rrethit të Vushtrrisë. Fillimisht, do të bashkohet me Ferki Aliun (Ferra), që ishin nip dhe dajë. Roli i tij ushtarak në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte caktuar në sektorin e logjistikës. Që për një kohë Selatini do të bëhet protagonisti kryesor në logjistikë dhe do t’i caktohej detyra për furnizim, si; me armatim, municion, barna, ushqim, veshmbathje, bartjen e të plagosurve, të sëmur, etj.., si për ushtarët e UÇK-së ashtu edhe për civilët e shpërngulur gjithandej. Ai shkriu tërë forcën e tij në veprimtarinë ushtarake dhe humane për të mbështetur luftën e shenjtë të UÇK-së dhe për t’iu ndihmuar popullatës civile. Fillimisht në pranverën e vitit 1998 Selatini shërbeu në brigadën 142, dhe pas betejës së shtatorit kalon në brigadën 141 “Meh Uka” në ZOSH-së. Gjatë tërë kohës së luftës Selatinin e gjejmë edhe në Zonat tjera të luftimeve, si në, Drenicë, Llap, Dukagjin, e gjetiu. Aktiviteti i tij kombëtar dhe patriotik bënë që prapë kjo familje të bije në sy të armikut dhe të jetë shënjestër e forcave serbe. Pushteti serbo-Jugosllav, kërkonte me çdo kusht ta fuste në dorë Selatin Gërxhaliun. Duke përcjell në çdo lëvizje veprimtarinë e tij në çështjen kombëtare, kjo bënë që forcat serbe të përqendrohen në likuidimin e tij fizik.
Vendosja e serbëve në fshatin Studime pas bombardimeve të NATO-s
Pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s, gjegjësisht datën 24 mars 1999, ushtarët, polic dhe paramilitar serb i dëbuan qytetarët shqiptar në lagjet e qytetit të Vushtrrisë dhe të Studime të Ulët duke u vendos nëpër shumë shtëpi të shqiptarëve gjithandej. Në Studime të Ulët, në lagjen Gërxhaliu, i dëbojnë të gjithë banorët dhe i detyrojnë të shkojnë tërë lagjja në Vushtrri “Te Varrezat e Qytetit”, ku ishin të mbledhur me mijëra njerëz. Selatini së bashku me familje largohet për një kohë nga shtëpia duke u strehuar në shtëpinë e kushëririt të tij Bel Gërxhaliut. Disa ditë qëndron në shtëpinë e kushëririt të tij, Belit. Serbët duke i dëbuar shqiptarët nga shtëpitë e tyre, shumë shtëpive, pasi i plaçkitnin i dogjën. Forcat serbe për çdo ditë plaçkitnin dhe digjnin shtëpi në fshatin Studime dhe në lagjet tjera të Vushtrrisë. Përsëri në mënyrë të organizuar, me datën 13 prill 1999, forcat të mëdha policore, ushtarake, paramilitare serbe i dëbuan tërë lagjen në Studime të Ulët, por kësaj radhe nuk i lejuan asnjë nga familjarët të shkonin në qytet, por i detyrojnë nën plumba të largoheshin lumit përpjetë. Lumi ishte i stërmbushur, si në çdo pranverë lumi ishte i stërmbushur. Qytetarët detyroheshin të kalonin nëpër lum që të bije deri në fyt, vetëm të shpëtojnë nga hordhitë serbe. E duke kaluar nëpër lumin me ujë, i granatonin popullatën lumit përpjetë nga pika serbe që ishin të pozicionuar te “Kodra e Rashicëve”. Serbët kur u dëbuan kësaj here dogjën 60% të shtëpive të shqiptarëve në Studime të ulët. Fillimisht kishin filluar në shtëpitë e disa familjeve Saraqi, duke u ngritur përpjetë. Gjithë lagja e Studimës së Ulët duhej të ecte vetëm nëpër lumë, pa guxuar të dalin as poshtë as lartë. Kishte gra fëmijë, pleq, të sëmur që duhej të kalonin nëpër lumë.
Vrasja e Shahin Gërxhaliut, djalit të Selatinit
Që nga data 24 marsi 1999, situata në vend ishte tejet e rënd dhe shumë e tensionuar. Lëvizjet e njerëzve ishin tejet të kufizuara. Me datë 28 mars 1999, ishte një ditë feste e bajramit. Shahini (djali i Selatin Gërxhaliut), kishte qenë në Vushtrri te halla e tij. Kishte marr gjësende për të shkuar tek familja e tij të festojnë këtë festë së bashku me familje. Me Shahinin ishte gruaja e mixhës, Sofija (gruaja e Nexhmedinit). Në duar mbante gjësende që kishin blerë për festën e Bajramit, dhe në krahun tjetër kishte çantën me libra në krah. Kur afrohen afër Urës së Hekurit, te Dallkajt në Vushtrri, në dy pjesët e rrugës ishin vendosur policët serb dhe kishin bllokuar rrugën dhe nuk kish kah të shkonin më. Njëri polic e thirr Shahinin, dhe posa afrohet, njëri nga policët e qëllon me armë dhe plagës për vdekje. Serbët që qëlluan Shahoinin ishin të Vushtrrisë. Plagët e tij ishin të thella dhe të rënda, menjëherë shkon në vendin e ngjarjes motra medicinale Ganimete Muli dhe ia jap ndihmën e parë, mundohet t’ia shpëton jetën por ishte e kot, plagët ishin shumë të rënda, dhe pas një orë e tridhjetë minuta luftë mes jetës dhe vdekjes, Shahini ndërron jetë. Vrasja e të birit, Selatinin nuk e largon nga rruga e tij e shenjtë për të kontribuar në çështjen kombëtare. Ishte një humbje e madhe për të, por ai dinte se ishte koha që duhej të përqendrohej në ndihmën e atyre njerëzve që nuk kishin mbështetje dhe ishin “refugjat në shtëpitë e veta!...”.

Djali i dytë i Selatinit

Sulmi me 1 maj 1999 mbi Selatin Gërxhaliun
Selatini vështronte me kujdes të veçantë situatën e rënduar në qytetin e Vushtrrisë. Popullata e zhvendosur gjithandej nëpër fshatra, kryesisht pjesës verilindore të Vushtrrisë, ishin të uritur, pa ngrënë dhe pa pi. Selatini për t’iu dal në ndihmë të zhvendosurve shqiptar së bashku me kushëririn e tij Belin, kishin mbushur qerren e kuajve me artikuj të ndryshëm, si, ushqim, medikamente për të plagosur, veshmbathje dhe elemente tjera të rëndësishme për jetë dhe i dërgonin për t’i shpërnda tek popullata e grumbulluar në fshatrat Sllakofc, Cecceli dhe Studime të Epërme. Në mesnatën e 30 prill dhe 1 maj Selatini kishte shpeshtuar lëvizjet e tij duke bartur pa ndërpre ushqim dhe mjete të nevojshme për njerëz të zhvendosur. Serbët nga vendi “Kodra e Rashicëve” e kishin nën vëzhgim dhe dinin veprimtarinë e Selatinin e gjuajnë me snajper dhe mitraloz për ta vrarën, por fatmirësisht shpëtojnë Selatini dhe Beli. Serbët që e gjuajnë atë natë ishin nga Gojbula dhe Miraqa. Nga gjuajtjet e serbëve Selatinit ia vrasin kalin e tij, që atë ditë kishte në karrocë ushqim dhe medikamente për të plagosurit. Duke ditur rrezik që i kanosej, dhe vështirësitë që përjetonin popullata e paarmatosur, gjendja e rënd e të plagosurve vendosi që me bartëse krahu t’i dërgojë ato medikamente në ambulancën në Studime të Epërme. 


Djali i Selatinit

Me 2 maj, në ditën fatzeze të popullit shqiptar në Vushtrri, Selatini nuk do t’iu bije në dorë serbëve, atyre që bënë vrasjen e mbi njëqind shqiptarëve civil të paarmatosur. Beli ishte plagosur në “natën e Bartolemeut” në Studime. Selatini nuk donte që Beli të mbetej vetëm në shtëpi. Me shkatërrimin e shumë shtëpive të fshatit në Studime, Selatini dhe Beli vendosin të kthehen në shtëpitë e veta. Ishte një pasiguri, pasi serbët ishin akoma në magazinat e Çyqavicës në Studime të Ulët në lagjen e Gërxhalive, por s’kishin ku t’i strehonin familjet.
Fshatarët nga fshati Studime e Epërme, rreth orës 0400 të mëngjesit të datës 31.05.1999, i kanë shqetësuar dhe frikësuar dy detonime jashtëzakonisht të fuqishme. Shpejt e kuptuan se ato ishin dy aero-bomba të NATO-s, të hedhura në kazermën e vjetër ushtarake të AJ-ve në Vushtrri. Menjëherë pas kësaj, forcat e artilerisë dhe të minahedhësve të Br. 37 Mtr., kanë filluar granatimin mbi banorët shqiptar, në ato pak familje që kishin mbetur pa u larguar. Forcat ushtarake policore serbe, që ishin të përqendruara në lagjen Rashica (Kodra e Rashicëve), dhe njësi tjera të ardhura nga MUP-i serb rrethuan shtëpinë e Selatin Gërxhaliut. Të mbledhur në një aksion të frikshëm, mbështetur nga njësiti ushtarak Br. 37. Mtr., polic të Vushtrrisë dhe serb civil nga Miraça dhe Gojbula të armatosur, që ishin nën komandën e Vuçina Janiçeviç, me disa ushtar të Br. 37 morën pjesë në aktin më makabër kundër shqiptarëve. Kështu në fshatin Studime prapë ndodh një tmerr, gjenocidi serb kreu aktin më makabër, ku vetëm në familjen Gërxhaliu vriten 13 anëtar të familjes. Ishin kryesisht serbët nga fshati Gojbule, së bashku me paramilitar e mercenar serb të tjerë, mësyn shtëpisë së Selajdin Gërxhaliut. Në mëngjesin e asaj dite të kobshme, Selatini ishte zgjuar herët si çdo ditë dhe kishte qenë në oborr të shtëpisë duke rregulluar gjë sende që ishin shkatërruar. Një grup policësh dhe paramilitarësh serb kishin marr rrugën e kobshme nëpër lagjet e Studimës. Duke qarkulluar nëpër rrugët e fshatit hyjnë në rrugën që të shpie në shtëpinë e Selatin Gërxhaliut. Kur afrohen te shtëpia shohin Selatinin në oborr të shtëpisë. Pasi i vëren nuk donë të largohej, nuk mund t’i lë familjarët vetëm. Serbët e detyrojnë që Selatini t’i ngrit duart lart dhe pastaj ia vendosin prangat. Xhemajl Gërxhaliu, kushëriri i tij, pasi i vëren serbët dhe sheh duke e lidhur Selatinin shkon në oborrin e Selatinit për të shikuar se çfarë po ndodh. Me tu afruar në oborrin e shtëpisë e arrestojnë edhe Xhemajlin, dhe e lidhin edhe atë. Të afërmit kushëri dhe fqinjët tjerë që ishin në shtëpitë e tyre përreth, kur shohin se serbët kishin hy në oborrin e Selatinit dhe se i kishin lidhur Selatinin dhe Xhemailin në oborrin e shtëpisë, fshihen dhe ikun nëpër rrugën anësore duke u larguar në drejtim të përroin prej ku nuk shiheshin nga policët serb. Të lidhur Selatini dhe Xhemajli i futin brenda në shtëpi në dhomën ku ishin fjetur grat dhe fëmijët. I marrin që të dy të lidhur këmbë e duar, për t’i shikuar të gjithë atë tmerr që kishin përgatitur ta bënin. Serbët pasi hyjnë brenda, në dhomën e fëmijëve, në prezencën e tyre, të Selajdinit dhe Xhemailit, i kishin vrarë dhe masakruar të gjithë fëmijët. Fillojnë t’ia ekzekutojnë familjen e Selatinit para syve të tij një nga një, duke filluar që nga fëmijët Safer Gërxhaliun (tetë vjeç) dhe Sebahudin Gërxhaliun (pesë vjeç). Ashtu të lidhur në këmbë e duar, duke mos mundur t’i dal në ndihmë fëmijëve të vet, duhej t’i shikonte se si i vriteshin tërë familja para syve. Fëmijët tjerë kur shikuan se do t’i vrasin të gjithë mundoheshin të fshiheshin pas anëtarëve tjerë të familjes duke menduar se do t’i dalin në ndihmë. Britma e tyre dëgjohej gjithandej, nuk kishte kush t’iu dal në ndihmë. Pasi i vranë dy fëmijët filluan t’i vrasin që të gjithë që ishin aty. Nënën e Selatinit ,Sala Gërxhaliu, 85 vjeç dhe të gjithë një nga një. Të gjithë i ekzekutuan në mënyrë mizore nuk kursyen as fëmijët. Pasi i vrasin tërë që ishin në dhomë për të zhdukur gjurmë dhe për të vënë amulli lidhur me vrasjen Selatinin, Xhemajlin dhe Shabanin i dërgojnë afër përroit dhe i vrasin që të tre.

Atë ditë u ekzekutua familja e tërë Gërxhaliu;
Sala Gërxhasliu (85 vjeçare),
Xhmajl Gërxhaliu (63 vjeçar),
Selatin Gërxhaliu (50 vjeçar),
Fexhrije Gerxhaliu (40 vjeçare),
Sofie Gërxhaliu (30 vjeçare),
Shaban S. Gërxhaliu (16 vjeçar),
Shahin Gërxhaliu (15 vjeçar), ishte vra me 28 mars 1999
Muharrem Gerxhaliu (13 vjeçar),
Mexhid Gerxhaliu (12 vjeçar),
Avdurrahman Gerxhaliu (9 vjeçar),
Mubera Gerxhaliu (6 vjeçar),
Safer Gerxhaliu (6 vjeçar) dhe
Sabahudin Gerxhaliu (5 vjeçar).

31 maj 1999, cak i ushtrisë serbe u bë familja e Selatin Gërxhaliut

Familja e tere e masakruar ne dhome.

Në mëngjesin e 31 majit 1999 krismat që u dëgjuan në oborrin e shtëpisë së Selatin Gërxhaliut tronditën banorët e lagjes Gërxhaliu. Familjet e kësaj lagje u larguan disa herë në lagjen më poshtë në drejtim të Vushtrrisë, për shkak situatës tejet të rënduar që mbretëronte ato ditë, dhe askush nuk dinte se çfarë po ndodh me ato krisma në atë mëngjes të hershëm. Por sa kishte dëgjuar britmave të fëmijëve u kishte shkuar në ndihmë djali i axhës së Selatinit, Xhemaijl Gërxhaliu, i cili në rastin kur kishte ndodhur krimi ishte qëlluar në oborrin e shtëpisë së tij. Për një kohë të shkurt krismat u ndalën. Familjet që ishin më poshtë shtëpisë së Selatinit, pasi dëgjuan krismat që vinin prej shtëpisë së Selatinit, pritnin që të vinin grat dhe fëmijët të strehoheshin tek ata!.. Lajmi i parë erdhi nga disa ushtar të UÇK-së, që kishin vërejtur përroin e përgjakur dhe kishin pa tri kufoma në përrua të fshatit dhe nuk dinin identitetin e tyre. “dini të kujt janë tri kufoma në përrua,.... një plak dhe dy të rinj”, ishin fjalët e ushtarëve që na u drejtuan. Menjëherë kuptuam se bëhej fjalë për Bacën Xhem dhe Selatinin (tregojnë Fatbardha, Salihu, dhe të pranishmit tjerë në këtë ngjarje). Salih Gërxhaliu, vëllai i Xhemailit dhe djali i axhës së Selatinit, me kunatën e vet Hyrën dhe Fixhirijen vajzën e Xhemës vendosën të shkojnë me qerre me kali tek përroi ku ishin kufomat për t’i identifikuar. Së bashku me ta shkon edhe Ismet Ademi nga fshati Skromë. Kur arritën te vendi i quajtur “Hambarët”, takuan disa ushtar të UÇK-së, të cilët i kishin tërhequr kufomat nga vendi i ngjarjes gjerë te Hambarët. Kur i identifikuan kuptojnë se ata ishin Xhemajl Gërxhaliu, Selatin Gërxhaliu dhe djali i madh i Selatinit, Shabani. Pasi i vendosin kufomat në qerre, i pyesin ushtarët “ku janë tjerët, fëmijët nëna Salë? Gjerë sa ushtarët ua kthejnë – “të gjithë ishin brenda në shtëpi?...

Djali i Selatinit i masakruar

I marrin kufomat me vete, të ngarkuara në karrocën me kali, dhe shkojnë në shtëpinë e Selatinit. Dyert e oborrit ishin të hapura, po ashtu edhe dyert e shtëpisë. Në oborrin e shtëpisë nuk dëgjohej asnjë zhurmë, Salih Gërxhaliu dhe Ismet Ademi zbresin nga karroca dhe hyn brenda për të shikuar se ku janë fëmijët që nuk dëgjohej asnjë zhurmë e vetme. Kur i shikojnë të vrarë dolën shpejt përjashta dhe iu drejtohen Hyrës dhe Fexhës “O Zot, të gjithë në një dhomë i paskan vra,...” ishte tmerr asnjë i mbijetuar, grat dhe fëmijët brenda në shtëpi, kurse Selatini, Shabani dhe Xhema në mes të fshatit në përroin e fshatit “Lumi i Gjakut”.

Djali i Selatinit

Ishte skenë tmerruese, tregojnë Gëzimja, Nexhmija dhe Sali Gërxhaliu. Dhoma ishte e thyer dhe e shkatërruar. Pasi dera ishte thyer (kishin hy me dhunë brenda) muri i dhomës brenda, ishte stërpikur me gjak, vetëm ta shikoje ishte tmerr. Fëmijët të përgjakur të mbetur mbi njëri tjetrin. Ua kishin grisur librat dhe fletoret që ishin shpërnda nëpër dhomë, e lodrat e tyre ishin copëtuar copë-copë. Trupi i tyre i njomë ishte grisur nga frika dhe tmerri sikur kishin munduar të shpëtonin. Dy fëmijët Muberaja dhe Saferi kishin mbetur të vrarë në skaj të dhomës të mbuluar me jorgan. Ishin përpjekur të iknin dhe të fshihen prej tyre atë trup të vogël. Ndërsa, në pjesën tjetër të dhomës, pran derës, i kishte mbuluar gjaku Muharremin dhe Mexhidin, pasi që të dy i kishin masakruar. Sabahudini i vogël duke kërkuar ndihmë, mbështetje, prej nënës së vet, iu kishte afruar pran saj e kishte shtrënguar me duar të njoma dhe të vogla nënën e vet, dhe ishte mbet i masakruar nën kraharorë. Tërë familja ishte vrarë dhe masakruar. Dera kishte mbetur hapur, të gjithë të mbledhur në një dhomë të shtrirë afër njëri tjetrit sikur kërkonin ndihmë nga njëri tjetri, grat të vdekura me fëmijët në gji, si nëna Fixhirija ashtu edhe Sofia (bashkëshortja e Nexhmedinit). Fëmijët duke kërkuar ndihmë nga nënat dhe duke u strehuar pas tyre.

Selatini me djal i masakruar

E para pranë derës së shtëpisë ishte nëna Salë, sikur kishte munduar t’iu dalë në ndihmë grave dhe fëmijëve që ishin brenda në dhomë kur kishin hy vrasësit serb. Fëmijët Muharremi dhe Mexhiti ishin të vrarë që kishin mbetur të mbathur me këpucë, kur kishin dëgjuar që kishin ky serbët në oborr kishin tentuar të largohen për të kërkuar ndihmë?... Myberaja dhe Abdurrahimi ishin vrarë në skajin e shtratit duke munduar të strehoheshin pranë nënës Fexhë. Të vegjlit Sabahuduni dhe Saferi kishin mbetur afër Sofijes duke munduar të kenë mburojë prej saj. Nuk ishte kursyer asnjë, kishin mbetur të shtrirë dhe përgjakur që të gjithë. Në të majtë të dhomës kishte mbetur stufa e ndezur, mbi të dy xhezve të mbushura me kafe, një enë mbushur me qumësht dhe ena me bukë të gatuar në mes të dhomës. Disa stoli ari nusërie kishin mbetur në mes të dhomës, ua kishin drejtuar vrasësve që t’i falnin së paku fëmijët, dhe t’i epej në shkëmbim jete. Por ishte e kotë vrasësit serb ishin të etur për gjak dhe të merrnin jetë jo ari dhe stoli.

Nëna dhe gruaja e Selatinit

Policët serb nuk u ndalën vetëm me kaq, ata pasi masakruan tërë familjen e Selatinit kishin marr me vete, të lidhur peng Selatinin, Shabanin (djalin e Selatinit) dhe Xhemajlin. Duke i tërhequr zvarrë, të lidhur këmbë e duar, për të humbur gjurmë, dhe për të pamundësuar identitetin e tyre kriminal, sepse këta kriminelë ishin të njohur, paramilitarë lokalë, të cilët gjatë kësaj periudhe kohore të luftës kishin vrarë, masakruar shumë shqiptarë të pafajshëm, i dërgojnë në kodrën e afërt, te “Hamari i Gumnishtes”. Aty pasi i maltretojnë, në fund i vrasin – tregon Gëzime Gërxhaliu. 
Tri kufomat e para i dërgojnë drejt tek varrezat e fshatit. Lajmi menjëherë u përhapë në tërë fshatin dhe menjëherë kishin vrapuar Fatbardha, Sabedini dhe Selvia për të siguruar një fotoaparat dhe e sollën menjëherë. Me shpejtësi i bënë fotot, pasi ishte edhe rrezik pasi ishte përhapë lajmi kudo edhe në qytetin e Vushtrrisë, dhe se policia serbe mund të vije në çdo moment. Fotografuan pa i lëvizur kufomat fare nga vendi që ishin vrarë, dhe pa prekur asgjë nga vendi i krimit. U fotografuan edhe tri kufomat tek përroi dhe filmin e fsheh Fatbardha në gji, ndërsa aparatin e hedh në ujë.

Shaban Gerxhaliu (djali i Selatinit)

Nuk voni shumë kohë dhe fshati u mbush me polic dhe ushtar serb. Kishin marr me vete mjek, ku njëra prej tyre e kishte emrin Natasha. I ngushëllonin për krimin që e kishin kryer vet ata serb. Vetëm në mbrëmje të asaj dite u lejua të bëhej varrimi nga policia serbe, u mblodhën ata fshatar që kishin mbetur dhe i varrosën familjen e tërë 12 anëtarësh të Selatin Gërxhaliut. Ishin grumbulluar të afërmit e familjes gra, fëmijë, pleq që kishin mbetur në fshat për t’i dhënë lamtumirën e fundit kësaj familje. Duke u varrosur kufomat, policët serb kishin rrethuar katër anët fshatin dhe vëzhgoheshin çdo lëvizje që të mos mbetet ndonjë dëshmi foto, filmim apo ndonjë gjësend tjetër që do ta mund të argumentonte krimin. 
Heshtja në fshatin Studime mbretëroj për disa ditë, gjerë sa forcat policore serbe, me në krye me Dragan Petroviçin, me 6 qershor 1999 në mëngjesin e hershëm hynë prapë në fshat në familjen e Muhedinit dhe marrin me dhunë Fatbardhën, Hyrën (nëna e Fatbardhës) dhe Selvijen (kushërirën e tyre) për t’i shoqëruar në vendin e krimit që kishte ndodhur me 31maj në familjen e Selatinit. Serbët kishin organizuar një skenar, kinse po e hulumtojnë rastin, a është kryer nga ushtria e vendosur në lagjen e “Rashicëve” apo nga policia e Vushtrrisë. Kur hyjnë në oborrin e shtëpisë së Selatinit, serbët mblodhën të gjitha gëzhojat e armëve që kishin mbetur gjatë vrasjes, për të mbetur ndonjë gjurmë në vendin e krimit. Pasi mblodhën të gjitha gëzhojat e municionit hymë brenda në dhomë. Era e gjakut ishte akoma e freskët dhe policët serb nga aroma jo e këndshme i mbyllnin hundët. Përball në dhomë mbi stufën për ngrohje kishte dy xhezve të mbushura me kafe kishin, buka e gatuar në enë që ishte gati për tu servuar, çdo gjë ishte ashtu siç ka ndodhur.

Sofije Gerxhaliu

Pasi përfunduan “Analizën hulumtuese”, i detyruan prapë dy vajzat dhe Hyrën e Moshuar të hipin prapë në xhip dhe të shkojnë së bashku më lartë në fshat të vendi ku ishin tri kufomat tjera, por që nga ajo natë, vendin te lumi e kishin vënë në kontroll forcat e UÇK-së por policët serb nuk e dinin. Xhipit të policisë serbe e shoqëronte një pizgauer ushtarak që vëzhgonte çdo pjesë të territorit. Kur afrohen afër lumit, pikërisht “te Hambarët” vërehen nga forcat e UÇK-së dhe goditen nga breshëri armësh. Policët serb të rebeluar shanin dhe bërtitnin dhe mezi e kthejnë veturën, gjerë sa pizgaueri mbeti në luftime në vendin te hambarët. Serbët të frikësuar i zbresin nga vetura Hyrën me dy vajzat duke i përplasur për tokë dhe largohen me vrap në drejtim të qytetit. 
Pas hyrjes së forcave të NATO-s shumë organizata ndërkombëtare për hulumtimin e krimeve të luftës shkuan në vendngjarje që panë vendngjarjen dhe gjurmët e krimit që bënë forcat serbe. Fotot që u fotografuan në vendngjarje iu dorëzuan gjyqit të Hagës si dëshmi për masakrën e familjes së Selatinit dhe Nexhmedinit. Gjenocid i kryer mbi fëmijë, gra dhe pleq. 
Për krime kundër njerëzimi që ndodhën në Kosovë dhe gjenocid tregon njëri nga eprorët e AJ-ve me emrin Drazhan, ku tregon se në Kosovë janë vra 800 fëmijë shqiptar nga AJ-ve. Ata nuk kursen as nxënësit e shkollave fillore, fëmijë dhe të mitur. Mesin e tyre edhe në familjen e Selatin Gërxhaliut u vranë mizorisht 8 nxënës të shkollës fillore nga forcat serbe. Vet fakti i vrasjes së 8 fëmijëve të moshës më të re tregon për një makabër të egër një mizori, krim ndaj njerëzimit duke përdorur dhunë të egër çnjerëzore.
Enigmë për një ngjarje që kërkon zbardhje?.....

Varrimi i familjes Gerxhaliu

Në njërën nga vrasjen mizore që kishte ndodhur në Studime me 24.03.1999 ku u vranë dhe masakruan 8 vajzat Gërguri dhe Krasniqi nga forcat serbe, sipas disa burime të siguruara gjatë hulumtimeve të bëra për këtë punim, kemi has se, Selatini kishte pa të gjithë ngjarjen e tmerrshme. Selatini pasi vëren forcat serbe që ishin aty, strehohet në një vend ku nuk vërehej nga vendi ku ishin serbët. Ishin forca të mëdha serbe, dhe ishte duar thatë, duke mos mundur t’iu dal në ndihmë atyre vajzave, i strehuar kishte vëzhguar tërë ngjarjen, i kishte njohur të gjithë ata serb që kryen atë krim, dhe pasi ishte larguar shënon të gjithë ngjarjen në ditarin e tij, për të gjithë pjesëmarrësit në këtë krim, me emër dhe mbiemër. 
Ku gjendet ditari i Selatin Gërxhaliut, nuk dimë?.... por me siguri është lexuar nga ndonjë i afërm i Selatinit që ishte gjatë asaj kohe!... Ditari i Selatinit ishte shumë me vlerë po të ishte sot në duart tona, shumë nga ngjarjet enigmatike do të zbuloheshin. Fatkeqësisht me vrasjen e tij ditari nuk u gjend më!... 
Gjatë bisedave me disa njerëz, ditëve të fundit para vrasjes së tij, Selatini kishte përmendur ngjarjen që kishte pa në vendin “te Hambarët e Gumnishtës”, vrasjen mizore të tetë vajzave shqiptare. Kishte përmendur me emër serbët që kishin kryer aktin makabër të atyre vajzave të reja. Bisedën me kë e bisedojë Selatini lidhur me këtë ngjarje e dinë vetëm ata që biseduan me të?... me sa duket edhe ditari i tij është marr nga njerëzit që dinin se çfarë shkruante në ditarë. Ditari i tij, sipas familjarëve, përmbante shumë ngjarje që kishin ndodhur që nga fillimi i luftës në qytetin e Vushtrrisë 1998. 
Për ditarin i tij, e dinë vetëm ata që e morën?.... 
Vrasja dhe masakrimi i familjes së Selatin Gërxhaliut janë ngjarje faktike të luftës për krim kundër njerëzimit, krim të shëmtuar të barbarisë serbe, kundër popullit shqiptar.

Safet J. Hasani, historian, ligjërues në Forcën e Sigurisë së Kosovës në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes

Prof. Safet J. Hasani lindi në Vushtrri më 20. 07. 1977. Shkollën e Lartë Pedagogjike e mbaroi në Prishtinë, në kushtet e jashtëzakonshme, gjatë viteve 1994 – 97. Studimet Universitare për Histori i mbaroi në Prishtinë më 2009. Përfundoj studimet pasuniversitare Master - Histori drejtimi “Koha e re” 2009 - 2012.

Me fillimin e Luftës së shenjtë të UÇK–së Safeti do të radhitet në njësitet e para të UÇK–së në Çyçavicë – Artakoll, që më vonë me 28 shtator 1998 do të transformohet në Zonën Operative të Shalës. Gjatë luftimeve plagoset më 09.09. 1998 dhe me 15.03. 1999. Pas përfundimit të Luftës, që nga 21.09.1999 do të shërbej në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, në Zonën e IV mbrojtëse.

Pas vitit 2004, fillon në Akademinë Mbrojtëse në Prishtinë “Hamëz Jashari”, në shkollën e Oficerëve dhe N/Oficerëve, me detyrë e Ligjëruesit.

Me 21 janar 2008 filloi punën në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në detyrën e Instruktorit në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, në Ferizaj.

Gjatë vitit 2007 u anëtarësua si shkrimtar në Biblioteken “Hyvzi Sylejmani”, në Prishtinë. Prej asaj kohe ka botuar disa shkrime politiko – shkencore, historike, kryesisht shkrime gjatë periudhës 1918 gjerë në luftën e fundit në Kosovë 1997/99. Ka shkruar për luftën 1941/45 luftërat në Artakoll.

Tituj të veprave

Pranvera e Lirisë, Prishtinë, Hyvzi Sylejmani, 2008;
Bukuria që vret, Prishtinë, 2008;
Çyqavica çerdhe trimash, Monografi, kushtuar dëshmorit të kombit Enver Tahirit, Hyvzi Sylejmani, Prishtinë, 2012
Shkrime dhe vepra të pabotuara
Artakolli gjatë LDB – re, 1941 – 1945
Rrugëtarët e rrugës së pafund, roman,
Heshtja e një krimi, Krimet serbe në komunën e Vushtrrisë, 1998/98.

Përgatiti :Flori Bruqi

No comments:

Post a Comment