2017-02-10

Zuzana Finger: Një gjermane për gjuhën shqipe

Zuana Finger

Zuana Finger

I njeh dhe i ka përkthyer në gjuhën gjermane disa prej poetëve dhe prozatorëve bashkëkohorë shqiptarë, këtej dhe andej kufirit. Me një shqipe të patëmetë dhe me seriozitetin e profesionit, përkthyesja gjermane Zuzana Finger rrëfen procesin e përkthimit, marrëdhënien me ata që i quan shkrimtarët e saj, reagimin e lexuesit gjermanishtfolës ndaj letërsisë shqipe që e njohin fare pak dhe me përvojën e saj disavjeçare flet mbi tendencat e fundit të poezisë shqipe



Nga Suadela Balliu

Me një shqipe të patëmetë, të kujdesshme , të pastër , të folur rrjedhshëm me një ritëm të shtruar, të duket e vështirë ta besosh se zonja elegante me flokë të gjatë e të zinj, e shoqëruar nga një buzëqeshje të pandashme prej portretit, nuk është prej trojeve tona.

Ka ardhur nga Gjermania për të qëndruar një muaj në Tiranë , si fituese e bursës së Rezidencës së Shkrimtarit dhe Përkthyesit Letrar , organizuar nga “Poeteka” dhe rrjeti Traduki dhe në njëzet e gjashtë vitet që i numëron tashmë në njohjen e shqipes, janë pikërisht këto periudha që e gëzojnë më shumë.

Jo vetëm që ka mundësi ta flasë më intensivisht dhe të njihet me zhvillimet e reja të gjuhës, por edhe të takohet përsëgjalli me ata që i quan shkrimtarët e saj. Autorët që Zuzana Finger i përkthen nga shqipja drejt gjermanishtes.

“Është mirë që kam mundësi të komunikoj me autorët kur kam ndonjë paqartësi. Gjuha evoluon shpejt dhe kjo kohë këtu në Tiranë është shumë e mirë, për t’i takuar autorët, për t’i pyetur nga afër, për të parë ku frymëzohen, për të kuptuar më shumë gjuhën që përdorin…” – rrëfen Zuzana, e ulur në kafenenë “Friend’s book house” .

Në javën e fundit të qëndrimit të saj në rezidencë, Tirana jo vetëm që nuk është më një qytet i panjohur dhe ajo jo vetëm që nuk ndihet e huaj, por ashtu si vendasit di të orientohet me emrat e rrugëve, por edhe toponimet e zonave apo lagjeve të vjetra dhe di ku janë stacionet urbane të autobusëve…

Nuk është hera e parë që ajo vjen në Tiranë, por është qëndrimi i saj më i gjatë këtu.

Ishte viti i largët 1988 kur e vizitoi kryeqytetin e një shteti asokohe ende nën regjimin diktatorial, edhe pse në grahmat e fundit.

Ishte studente e fakultetit të gjuhës e historisë në Berlinin Perëndimor kur së bashku me profesorin, ajo ishte pjesë e grupit të studentëve që erdhën në një ekskursion në Shqipëri.

Qëndrimi i parë zgjati një javë udhëtimi në disa prej qyteteve shqiptare.

Kjo do të ishte edhe grishja e parë ndaj gjuhës shqipe. Një vit më vonë aplikoi dhe fitoi për një bursë të Shërbimit Akademik gjerman për një kurs njëmujor të shqipes në Tiranë.

Do të kalonin disa vite, një përmbysje e sistemeve dhe shkrimi i një historie të re të Shqipërisë . “Kam qenë si vëzhguese zgjedhjesh më 1996. Kam qenë më shumë në jug… Vlorë Himarë, Sarandë “ –kujton Zuzana.

Tranzicionin e vendit të cilit ia njihte gjuhën dhe kulturën e ka ndjekur nga afër në vajtje-ardhjet e saj. Zbulon se në vitin 2000 punoi si lektore e gjuhës gjermane në Universitetin e Prishtinës dhe po atë vit erdhi për disa ditë në Tiranë për të organizuar provimet e gjuhës gjermane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. “Pastaj erdha sërish në vitin 2006 dhe tani kthehem pas dhjetë vitesh” – përfundon ajo itinerarin e vizitave në kohë, në vendin tonë.

“Tirana ka ndryshuar shumë. Është tashmë një metropol europian” –thotë njëmendi duke pasur më shumë sesa një përshtypje të parë, porse edhe imazhet që i kanë mbetur në kujtesë.

Prej vitit 2002 ajo përkthen rregullisht autorë shqiptarë në gjuhën gjermane, edhe pse disa përkthime për net leximi i ka bërë edhe shumë më herët, të disa teksteve të Natasha Lakos e Bardhyl Londos. Ishte Nevijana Dosti, një zonjë që punonte në ambasadën gjermane ,që në takimin e tyre të vitit 2000 e inkurajoi të përkthente letërsi. Do të përkthente për një lexim me autorë bashkëkohorë shqiptarë në gjuhën gjermane. E kujton ende drojën e parë për të përkthyer letërsi, por qysh atëherë ajo ka përkthyer thuajse të gjithë autorët bashkëkohore shqiptarë të Shqipërisë e të Kosovës. Autorët e parë ishin Arian Leka, Ledia Dushi, Luljeta Dano, Luljeta Lleshanaku. Pas një ndërprerjeje, bashkëpunimi nisi sërish.

Jeton Neziraj, Doruntina Basha, Xhevdet Bajraj, Ervina Halili, Arben Idrizi, Ballsor Hoxha, Halil Matoshi, Eqrem Basha, Shpetim Selmani, Arian Leka, Parid Teferiçi, Luljeta Lleshanaku janë disa prej autorëve që Zuzana ka transportuar drejt lexuesit gjerman.

Vitin e shkuar qëndroi një muaj në Kosovë, në rezidencën letrare “Prishtina nuk ka lumë” dhe një vit më vonë zgjodhi qytetin me lumë si Tirana.

Muaj frytdhënës për Zuzanën që në këtë mënyrë ka pasur mundësi të kuptojë dhe krahasojë letërsitë e të dy vendeve shqipfolëse.

Nëse poetët e rinj të Shqipërisë kanë ndikim të fortë nga Mitologjia apo priren kah elementët filozofikë, në Kosovë janë të ndikuar nga brezi i poetëve Beat . “Është një stil urban që duket se nuk ka asgjë poetike, por ata e poetizojnë jetën” –tregon Zuzana. Vitin e kaluar në Rezidencës e Prishtinës përktheu disa poezi të poetes Blerina Rugova Gaxha.

Rezidencat për të janë një periudhë e mirë për të folur me autorët, për t’u konsultuar, për t’u njohur me veprat e tyre më të reja dhe për t’u përditësuar me shqipen në një formë që as fjalori më i pasur nuk do të mund ta bënte.

Ka përkthyer tekste për panaire ndërkombëtarë të librave që zhvillohen në Gjermani, si ai i Frankfurtit apo Lajpcigut, por kryesisht rrëfen se përkthen poezi, të cilat janë botuar në një sërë revistash letrare dhe antologji në botën gjermanishtfolëse.

Në punën e saj si përkthyese e quan veten me fat se ka pranë dikë që ia lexon përkthimet dhe e sugjeron kur ato nuk tingëllojnë krejt gjermanisht.

Si e lindur në ish-Çekosllovaki, gjermanishtja nuk është gjuha e saj amtare, edhe pse më shumë se gjysmën e jetës e ka kaluar në Gjermani.

Është bashkëshorti i saj ai që lexon gjithë ç’përkthen Zuzana.

“Im shoq i lexon përkthimet si të ishin një vepër gjermane dhe kur ka diçka që nuk shkon më sugjeron si mund ta përktheja pak më ndryshe. Duhet që përkthimi të ketë një vlerë origjinale në gjuhën gjermane të mos vërehet që është përkthim. Im shoq më kritikon dhe ky është fat i mirë për mua. Shtëpitë botuese kanë lektorë, por disa shtëpi botuese e kanë kursyer, por lektorët janë të domosdoshëm për përthyesin. Është vlerësim nëse dikush me sens kritik e lexon. Edhe përkthyesi është njeri” – thotë ajo, duke pranuar se shpesh përfshihet nga teksti në shqip. “Por nganjëherë duhet më shumë distancë”- vijon.

Po sa interes tërheqin autorët dhe letërsia shqipe në një vend si Gjermania?

Zuzana rrëfen se revistat letrare të brezit të ri kanë kureshtje për letërsinë shqipe, e cila është fare pak e njohur për lexuesit atje. Por nuk është e njëjta panoramë kur vjen puna te botimet e librave, ku interesi është më i vogël dhe ende emri i Ismail Kadaresë mbetet më i njohur ndër autorët shqiptarë , vepra e të cilit është përkthyer dhe botuar në disa gjuhë.

“Për të rinjtë është pak më e vështirë. Kohëve të fundit po ndodh edhe një fenomen tjetër. Ka shumë autorë shqiptarë që nuk shkruajnë në gjuhë amtare, por zgjedhin një gjuhë të dytë për të shkuar direkt te lexuesi” – rrëfen Zuzana.

Pasionin për gjuhën shqipe, të cilin asaj ia injektoi profesori i saj Norbert Reiter , ajo ia përcjell studentëve të gjuhës në universitetin “Ludëig Maximilian në Mynih.

Si e lindur në Çekosllovaki ajo nuk e kishte fare të vështirë t’i kuptonte gjuhët sllave, të përafërta me gjuhën e saj amtare, ndaj edhe zgjodhi të studionte gjuhë sllave dhe Ballkanologjinë në Institutin e Europës Lindore , në Universitetin e Berlinit.

Ishte sfida me veten ku dëgjoi shqiptarë të Kosovës (asokohe pjesë e ish-Jugosllavisë) , të cilëve nuk ua kuptonte dot gjuhën, që e shtyu ta njihte dhe ta studionte më tej shqipen.

Por vendimtari qe profesor Norbert Reiter, njohës i disa gjuhëve sllave, polonishtes, rusishtes dhe shqipes që e çoi në radhët e studentëve të shqipes.

Sot si lektore e Albanologjisë ajo vëren se ka gjithnjë e më pak studentë që e zgjedhin gjuhën shqipe. Edhe ata janë kryesisht shqiptarë apo studentë gjermanë që studiojnë gjuhësi dhe interesohen për strukturat gjuhësore. “Gjuha shqipe është studiuar gjithmonë në kohë krizash, si në kohën e luftës së Kosovës, ku njerëzit e mësonin për të shkuar të punonin. Në kohë të tilla, edhe pse të trishta, janë krijuar vende të reja pune dhe ka lindur nevoja për njohuri të gjuhës dhe përthyes”. Edhe ajo vetë u njoh së pari me shqipen e Kosovës, ndërsa mënyra sesi profesor Reiter ua mësonte gjuhën studentëve e entuziazmoi edhe më shumë.

Sjell ndërmend duke buzëqeshur metodat e profesorit për t’ua mësuar shqipen.

“Kishte një metodë të çuditshme. Ne kemi lexuar Kështjellën e Kadaresë dhe disa kapituj i kemi mësuar përmendësh. Ai e kishte lexuar Kadarenë në gjermanisht dhe na detyroi ta përkthenim në gjuhën shqipe. Mënyra më e lehtë ishte ta mësonin përmendësh”, kujton ajo duke shtuar se përkthimi në gjermanisht kishte qenë aq i mirë sa edhe ripërkthimi në gjuhën shqipe qëndronte besnik me origjinalin.

Edhe ajo është me një mendje me profesorin e saj se praktika e të mësuarit përmendësh është e mirë kur bëhet fjalë për të mësuar një gjuhë të huaj. Periudhat kur komunikimi në shqip mungonte ishin ato kur e ndjente se diç ishte zbehur prej shqipes. “Në kohë të tilla e ndjej në komunikim…kur nuk më vijnë fjalët gjatë bisedës dhe pak më vonë them “Po këtë fjalë unë e dija!” – pranon duke qeshur, duke shtuar se tani e tutje nuk do të ketë ndërprerje aq të gjata me Shqipërinë dhe shqipen. Është e kënaqur me faktin se ka përkthyer autorë të ndryshëm. “Natyrisht që është mirë të kesh një autor dhe ta përkthesh ekskluzivisht, por për mua është sfidë të përkthej disa autorë e t’i bëj që në gjuhën gjermane të mos tingëllojnë njëlloj, por të kenë larmi”. Zuzana Finger e sheh letërsinë shqipe të ecë në një hap me atë çka shkruhet edhe në botë. “Mendoj se autorët bashkëkohorë shqiptarë janë shumë europianë në mënyrën e të shkruarit. Rezidencat letrare ndihmojnë shumë dhe autorët shqiptarë kanë qenë në aq shumë rezidenca në botën e huaj”- thotë ajo.

Deri më tani ka përkthyer prej shqipes dhe gjuhëve sllave drejt gjermanishtes, por ende jo prej gjermanishtes në shqip. “Ndoshta do ta provoj, por më duhet dikush këtu me të cilin të bashkëpunoj shumë ngushtë, me një shqiptar . Kam ndërmend një poet gjerman shumë të mirë…” .Kohën e kaluar në rezidencën e Tiranës e ka shpenzuar duke lexuar prozë shqipe, gjë që e ndihmon të kuptojë më mirë disa metafora në poezi, ndërsa jashtë shtëpisë i është gëzuar takimeve me shkrimtarët , që i quan të vetët për të diskutuar mbi projekte të reja përkthimore . Është ky rol që Zuzanën e bën një lloj ambasadoreje të letërsisë shqipe drejt lexuesit gjermanishtfolës.

No comments:

Post a Comment