2017-03-26

BAJRAM CURRI SHTYLL’ E NACIONALIZMIT

Nga Fritz RADOVANI:
 Image result for bajram curri

BAJRAM CURRI
(1862 – 29 MARS 1925)
MARS 1925: SHQIPNIA NË ZI...
■Dhe, këte Shqipni, nuk e kam gjetë kund ma sakt se tek Don Lazer Shantoja.
... “Nji plakë dhe nji gocë kjajnë përditë në Shkoder... Nji Nanë dhe nji bijë!
Nana kjanë djalin ma të madh dhe bija baben ma të mirë të Shqipnisë së shkretë. Lotët e plakës shkodrane e të gocës kosovare janë lotët e të tanë Shqipnisë së sotme.
Edhe kjo e ndrydhun, e poshtnueme, e vorfnueme, e shitun, e coptueme dneson perditë per të vdekunit e mëdhaj qi humben dhe per të gjallët e mjerë qi po humbin. Populli asht në kulmin e deshprimit. I vetmi ngushllim qi i ka mbetë, në kjoftë se ngushllim mund të quhet, asht enè vaji: Lodja qi kje perherë shujta e idhët e Popullit Shqiptar.
Nder shpellat e largëta të bjeshkëve kreshnike të Krasniqes ky popull i mjerë pat nji Babë: Ia mbyten!
Nder korridoret e errta të diplomacisë së jashtme ky popull i vorfën pat nji Pris: Ia vranë!
Me humbjen e Bajram Currit e të Luigj Gurakuqit mbyllet nji epopè e madhnueshme e këputet pergjysë nji hymn i naltë! Epopènë e mbylli Plaku; hymnin do t’a vijojmë na!
... Na kjajmë si per njenin ashtu edhe per tjetrin. Ferku asht vetem ky: Lodja qi derdhim mbi emnin e Luigj Gurakuqit asht edhe lodja e deshprimit. Bajram Curri vdiq me të tana rrethanat e heroizmes: Lindi në mal, jetoj në mal, luftoj në mal e vdiq në mal.
Vdiq me armë në dorë, ndermjet të Shqipnisë së robnueme e të Shqipnisë së lirë.
Vdiq si meritonte të vdiste Bajram Curri!
Të kishte vdekun në sallen e ndoj klinikës europjane, jetës së Bajram Currit, i ishte hjekun kapitulli ma i bukur.  
Perkundrazi si vdes Luigj Gurakuqi? Vritet në dhe t’huej, vritet tinzisht mbas dere të nji hoteli, vritet prej nji krimineli vagabond... Bajram Curri nderohet edhe prej t’ huejvet, deri prej anmiqvet të tij të perjetshem...
Luigj Gurakuqi shnderohet jo vetë, por mbytet për së dyti shi prej asaj qeveri për të cilen, i shuemi, kje gjithmonë i akuzuem se ushqente ndjesina ma se miqësore.
■Gjyqi i Tranit – shembull klasik paturpësie cinike në gjyqet botnore – na difton sheshasit se diktatori i Romës desht me e krye vepren e diktatorit të Tiranës, të Zogut.
***
■Ky njeri nuk asht ma! Trupi i tij rrxohet i pergjakun tek dera e Hotel Cavour, dhe kur ndihet krisma katastrofale e armës së trathtisë e kur merret vesht se tre plumat e revolverit të tiranvet kishin shpue zemren e Luigj Gurakuqit, atje në shpellat e Krasniqes jehon nji gjamë. Plaku i Kosovës njynë pecen në voj me fshi për të mramen herë armët sa herë ngadhnjyese, del prej shpellet, ban sulmin e mramë e vdes!
■Në nji pallat të Tiranës Ahmet Zogu me nji të zgedhime satanik u qet me pi satelitvet  të gëzueshem tue u thanë: Tash nuk drue ma kend!”
***
■Po; n’ Dragobi
Plakun do t’ gjejmë tue kjamun per Shqipëni...
Me t’ gjallë ma fjalë nuk kemi: Asht kot me pritë:
Pleqt u faruen e s’ kan pse plaken t’ ritë!
Sot mbasi t’ gjallët nuk janë tue luejt per t’ gjallë
Lè t’ shkojmë na t’ vdekunit Shqiperin me ngjallë!..

■Këndojnë Zanat...

Vigajt vdiqen, mbaruen trimat,
Vdiqen t’ gjith burrat e dheut;
Sot n’ Shqipëni sundojnë kulimat
Mbi fron Shejt të Skanderbeut.

E patundun tiranija
Po mbretnon e kush s’ po lot;
Shqiptar ma nuk ka Shqipënija
Nuk ka Shqipja flamur sot.

Shkelë asht ndera e Shqipenis
N’ t’ tana viset si mos kurr:
Kjajë mbi bjeshkët e Dragobis
Kjajë, po, kjajë, o Bajram Curr!

■Shenim nga F.Radovani: Poezia asht marrë nga “Kuvendi i Deshmorvet”, tek libri
“Vepra” e Don Lazer Shantojës. Shkoder 2005.
Do t’ ishte mirë që ky liber të vendosej në Maozoleumin e Tiranës!
            Melbourne, 2017.







No comments:

Post a Comment