2017-03-18

Bashkim Shehu: “Krushqitë brenda Bllokut, pse s’u fejua Skënder Shehu me vajzën e Ramiz Alisë dhe mbesën e Nexhmije Hoxhës ?


Bashkim Shehu është një nga shkrimtarët shqiptarë më produktivë të ditëve tona. Që prej vitit 1993 e deri më sot ka botuar në mënyrë sistematike çdo vit e më shumë vepra të tij.

Prej vitit 1997 ai jeton në Barcelonë. Aktualisht punon si këshilltar për Europën Lindore në Qendrën e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës.

Disa prej librave të shkrimtarit Bashkim Shehu janë botuar në gjuhë të ndryshme të botës, si: Rrugëtimi i mbramë i Ago Ymerit (roman); Rrëfim ndanë një varri të zbrazët (roman autobiografik); Vjeshta e ankthit (roman); Gostia (roman) dhe dy përmbledhje me tregime.

- 1975-1979: Studime për Gjuhë-Letërsi Shqipe në Univesritetin e Tiranës.

- 1979-1981: Skenarist në Kinostudio.

- 1981-1991: Gjatë kësaj periudhe, kalova tetë vjet në burgjet e diktaturës dhe një vit e gjysmë në internim. U lirova nga burgu më 1991, në kohën e ndryshimeve demokratike.

- 1991-1992: Skenarist në Kinostudio.


- 1992-1995: Jetoj në Budapest. Përveç krijimtarisë, ndjek një kurs post-universitar për sociologji në Institutin e Shkencave Sociale e Politike pranë Universitetit të Budapestit.

- 1995-1997: Përsëri në Tiranë: krijimtari dhe përkthime.

- 1997: Gjatë trazirave të atij viti, përsëri largohem nga Shqipëria.

 Me ndihmën e Parlamentit Ndërkombëtar të Shkimtarëve, vendosem në Barcelonë, ku vazhdoj të jetoj. Qysh nga 2001-shi, punoj për Qendrën e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës.

Bashkim Shehu: Babai im ishte edhe viktimë, edhe diktator



Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit të diktaturës komuniste Mehmet Shehut, shprehet se “Diktatura është një minierë për letërsinë dhe duhet shkruar për të. Popujt që nuk shkruajnë për të kaluarën janë të detyruar ta rijetojnë atë”.

Në intervistën për “Shqiptarja.com”, shkrimtari rrëfen jetën e tij “të rilindur” mes lumturisë së dy vajzave binjake të ardhura paksa vonë në këtë botë, për shkak të rinisë që e kaloi në burgje.

Cilat janë arsyet që djali i Mehmet Shehut i rikthehet sa herë jetës së burgjeve dhe gjyqeve të diktaturës që i ngriti babai i tij me kryediktatorin Enver Hoxha.

Ai tregon se si është jeta e tyre në Barcelonë dhe marrëdhëniet që ka me lexuesin dhe median në Shqipëri.Cilat janë arsyet që djali i Mehmet Shehut i rikthehet sa herë jetës së burgjeve dhe gjyqeve të diktaturës që i ngriti babai i tij me kryediktatorin Enver Hoxha.

Bashkim Shehu flet pak për të kaluarën e tij, por atë e gjejmë tek reflektimet më të thella që vinë nëpërmjet letërsisë, ku flitet për të kaluarën tonë të përbashkët. Cilat janë arsyet që djali i Mehmet Shehut i rikthehet sa herë jetës së burgjeve dhe gjyqeve të diktaturës që i ngriti babai i tij me kryediktatorin Enver Hoxha. Çfarë trashëgoi ai vetë nga diktatura, përveç dhimbjes tragjike. Si e e gjykon personalitetin e babait të tij në majën e pushtetit diktatorial. Cili është qëllimi që Bashkim Shehu i vendos ngjarjet dhe vuajtjet reale në letërsi herë pas here. A e mohon sot ai që edhe babai i tij është një nga shkaktarët e këtyre vuajtjeve. Shkrimtari Bashkim Sheku, edhe pse me fraza shumë të kursyera shpreh hapur reagimin e tij ndaj opinioneve të rindezuar mediatike për viktimizimin ose krimet e Mehmet Shehut. Si ka mundur t’i jetojë dramës që pasoi viktimizimin e gjithë familjes së tij, pas vetëvrasjes së të atit dhe persekutimit të familjes nga Enver Hoxha. Duke folur për librin e ri me temë diktaturën, Bashkim Shehu na bën kurioz që pjesë të panjohura nga historia e saj t’i zhbirojmë përmes personazheve fiktivë letrarë, ku ai s’e mohon kurrë se vepra ka edhe nota autobiografike, ashtu sikurse nuk e ka mohon faktin se babai i tij ishte edhe viktimë edhe shkaktar i vuajtjeve në diktaturën e Enver Hoxhës.

Dallon qartë një shënim në posterin e promovimit të librit tuaj “i çorientuar në post-diktaturë”. Pse do ta ndiheshit i çorientuar në rastin tuaj?

Nuk është fjala për mua, është për personazhin Aleks Krasta, por konteksti më ka ardhur vetvetiu për arsye psikologjike. Nuk mund të përjashtohen as elementët biografikë që më kanë nxitur këtu, më kuptoni.

Mund të na flisni për veten dhe jetën tuaj në Barcelonë, për fëmijët, familjen?

Po. Kam dy vajza binjake. Ato jetojnë në Barcelonë, kanë lindur atje. Janë 9 vjeç, quhen njëra Johana dhe tjera Edith. Shkojnë në shkollë. Flasin tre gjuhë, shqipen, spanjishten dhe katalanisht. Shkruajnë, sidomos njëra prej tyre, thotë se “e kam vendosur, do bëhem shkrimtare dhe do të studiojë në universitetin e Jelit”. Tjetra thotë se “do merrem me shkencat e natyrës”. Janë vajza që lexojnë dhe nuk merren shumë me këto lojërat që janë bërë në modë për fëmijët sot, videogame. Merren pak dhe me to, por lexojnë mjaftueshëm dhe me kënaqësi dhe pa ndonjë imponim nga prindërit. Ato vijnë me shumë kënaqësi edhe në Shqipëri. Ne tashmë vijmë në Shqipëri ndoshta për hir të dy vajzave, sepse këtu ato kanë një rreth të gjerë familjar dhe kjo i kënaq. Ndërsa atje në Barcelonë na kanë vetëm dy prindërit, kurse shokët e tyre kanë edhe gjyshër, edhe dajallarë, xhaxhallarë dhe ato duan të ndihen në afërsi të njerëzve të tyre.

Ka ndryshime të mentalitetit në mënyrën e jetesës në Barcelonë, nga Shqipëria?

Ne jemi mesdhetarë dhe ka mentalitete të përbashkëta me katallanët. Më tepër ne kemi ngjashmëri me njerëzit më në jug të Katalanjës, por edhe me spanjollët në përgjithësi ne kemi të përbashkët mënyrën e komunikimit, jemi të hapur, të shpejtë, lidhet lehtë miqësi.

Kur ju kanë pyetur për cilën arsye shkruani letërsi dhe për ç’arsye përktheni, më bëri përshtypje përgjigjja juaj se letërsinë “e shkruani për pasion”, ndërsa me tej thoni se “punoj me përkthimet të fitoj jetën time”. Të jemi të sinqertë, në kohën e diktaturës ju përfytyronim si princat e “Bllokut”. Nuk keni trashëguar diçka, si është gjendja juaj ekonomike?

Mbas diktaturës unë nuk kisha as rroba. Kur kam dalë nga burgu më kanë veshur shokët e mi. Më kanë dhënë rrobat e tyre dhe para për të jetuar, gjersa fillova punën dhe nisa të përdorja rrogën. Edhe më përpara unë kam qenë skenarist në Kinostudio dhe nuk kam pasur asnjë post drejtues. Rroga ka qenë pasuria ime, por natyrisht jetoja në shtëpinë e prindërve dhe kisha një strehim. Kur e ke nisur jetën kështu, që të jetosh duhet të punosh dhe unë punoj gjithë ditën nga mëngjesi deri në darkë për të fituar jetën dhe në shtëpi bëj punën që më pëlqen, krijimtarinë. Kjo është e mira e punës. Kështu që unë shpesh punoj edhe të shtunën, edhe të dielën, përveçse kur kam detyrime familjare dhe jam i lodhur.

Ju e kini merak, që të shkruani herë pas here për të kaluarën. Të kuptohemi në Shqipëri ende nuk është sqaruar e kaluara komuniste. Përshkrimi i saj kalon mes përfoljeve e përgojimeve, më tepër si histori e kafeneve. Besoj e dini se kohëve të fundit mediat i janë kthyer sërish figurës së babait tuaj, duke e akuzuar për krime të ndryshme. Si e përjetoni ju këtë interes të ringjallur?
Mendoj se rikthimi tek figura e babait tim është një fryrje artificiale që i bëhet historisë nga media, që herë pas here në krye të disa muajve ose një viti përsëritet i njëjti refren…

Të dalim në një konkluzion, meqë flitet shpesh për vetëvrasjen e të ndjerit, ishte viktimë apo diktator babai juaj?

Të dyja. Edhe viktimë edhe diktator. Këto gjëra i kam thënë dhe s’dua të zgjatem më, sepse e kam thënë publikisht mendimin tim.

Vetëvrasja e tij, edhe njëherë si shpjegohet. Nëse ishte ai pikërisht diktatori, mund të vriste të tjerët, siç bëri “diktatori i madh”, por jo të vetëvritej?

Unë e kam shpjeguar disa herë që këtu ka një lloj tragjizmi.

Pak me tepër, ju lutem?

Vuajtja, dhimbja në përgjithësi është njerëzore. Unë nuk e përjashtoj qenien njerëzore nga vuajtja, sikurse shkaktimi i vuajtjes është dukuri njerëzore. Njeriu është i aftë për gjithçka. Ndryshe nga speciet që janë në planet, njeriu është i aftë për gjërat më të tmerrshme, pra edhe të shkaktojë vuajtje. Babai im shkaktoi vuajtje dhe vuajti.

Si e keni përballuar këtë dramë personale dhe familjare, duke pasur edhe brengën ‘pse babai juaj shkaktoi vuajtje’?

E kam përballuar me letërsi. Letërsia është nja motivet. E kam përballuar me miqtë e shumtë, me bashkëvuajtësit në burg, solidariteti me ata që vuajtën, të gjitha këto më kanë bërë mua të mbijetoj.

Pse keni reflektuar për dënimin që i ka bërë diktatura fesë? Ka lidhje kjo me veprën ndëshkuese ndaj fesë të babait tuaj, ish-kryeministrit Mehmet Shehu?

Është një ngacmim që m’u duk se kishte të bënte me një vepër të mirë letrare.

Që do të sillte mesazhin se…?

Liria fetare është zanafilla e shprehjes. Ashtu siç do të vlerësoja lirinë për të besuar apo për të mos besuar, sepse sikurse e dini unë nuk jam besimtar.

E keni njohur At Zef Pëllumbin nga afër?

Nuk e kam njohur, por kam ndjesinë se e kam njohur nga leximet. Kjo njohje lidhet edhe me faktin se kemi qenë në burg, të dënuar nga i njëjti sistem diktatorial, por përjetimet letrare nuk kanë ardhur në mënyrë të ndërgjegjshme.

At Zef Pëllumbi është sot në “Parajsë”. Çfarë do t’i thoshit atje ku është?

Siç ju thashë, unë nuk jam besimtar, jam agnostik, por do të kisha pasur qejf ta kisha mik dhe do të kisha biseduar me të.

Çfarë do t’i thoshit nëse do të bisedoje me të?

At Zef Pëllumbin doja ta takoja që ta dëgjoja duke “më tregue” (buzëqesh- aluzion për librin “Rrno për me tregue” të At Zef Pëllumbit.dh.h.)

Ndërkohë ju vetë i riktheheni së kaluarës, duke shkruar letërsi, a do të shkruani përsëri, duke iu rikthyer kësaj teme?

Sigurisht që do të shkruaj. Ky roman nuk ka për të qenë i fundit. Është njësoj si të mos shkruash për Holokaustin. Shumëkush, duke parë se në këtë roman ka dhimbje mendon se nuk është mirë të shkruash për dhimbjen. Historia ime është vërtetë e dhimbshme, por unë e shkruaj me qetësinë më të madhe. Diktatura është një minierë për letërsinë dhe duhet shkruar për të. Popujt që nuk shkruajnë për të kaluarën, janë të detyruar ta rijetojnë atë.

Sa autobiografik është libri juaj?



Libri ka një personazh fiktiv, por ajo që i jep nota autobiografike janë gjërat që kanë ndodhur, ngjarjet historike. Libri ka të bëjë me persekutimin e klerit. Subjekti më ka ardhur rastësisht, pasi unë lexova librin e At Zef Pëllumbit, kjo më bëri të reflektojë në lidhje me persekutimet që i kanë bërë At Zef Pëllumbit. Personazhi im Aleks Krasta dhe At Zef Pëllumbi kanë qenë të dy viktima të këtyre persekutimeve.

Libri ka një pluralitet leximesh dhe unë nuk kam menduar ta ndikojë lexuesin apo të jap opinione. Rëndësi ka që lexuesi vetë të ketë një pluralitet opinionesh. Personazhet e mi janë letrarë, fiktivë dhe ngjarjet janë të trilluara.

Vetëm një episod me At Zef Pëllumbin në gjyq është real, të gjitha të tjerat janë të trilluara. Por ka edhe ndonjë ngjarje reale nga persekutimet që m’i kanë treguar bashkëkohësit, siç është persekutimi i klerit dhe një episode i dhimbshëm që nxjerr sytë në gjyq babai i djalit që dënohet. Këto detaje janë vënë qëllimisht dhe janë pjesë të romanit. Të vërtetat historike janë në thelb të romanit, si tema. Autori ka të drejtë të vërë episode dhe të tjerat është më mirë të mos thuhen, por ta thotë lexuesi atë që ka për të thënë.



Bashkim Shehu: “Krushqitë brenda Bllokut, pse s’u fejua Skënder Shehu  me vajzën e Ramiz Alisë dhe mbesën e Nexhmije Hoxhës ?



Tashmë fejesa ishte prishur. Në shtëpinë e kryeministrit të vendit gjendja ishte e nderë.. “Tani jeta vazhdon normalisht!”, kishte thënë Skënder Shehu, si për të shtensionuar situatën, por i ati, Mehmet Shehu, vazhdonte të ishte i shqetësuar për të. Në rrëfimin e tij në librin “Vjeshta e ankthit”, të botuar në vitin 1994, pak kohë pas rënies së diktaturës dhe daljes së tij nga burgu, djali i ish-kryeministrit të (vetë)vrarë, Mehmet Shehut, Bashkim Shehu tregon se meraku i të atit ishte se mos Skënderi pas prishjes së fejesës me Silva Turdiun mund të vriste veten.

Shkrimtari Bashkim Shehu kthehet pas në kohë te porositë që u jepte i ati që të mos përziheshin me vajzat e “shokëve”, por ndoshta këtu ishte e gjithë kleçka. Të gjithë “shokët e partisë”, madje dhe vetë Enver Hoxha, e shpërfillën këtë parim dhe lidhën krushqi të nivelit të parë, të dytë e lëng pas lëngu, për të mbajtur pushtetin mes tyre. U krijua kështu një qerthull, jashtë të cilit kishte mbetur vetëm Mehmet Shehu. Në këto kushte, me Ramiz Alinë u përpoqën të rregullonin bashkë fëmijët e tyre, por për arsye që nuk dihen kjo krushqi nuk u bë.

Siç nuk u bë edhe një krushqi me një mbesë të Nexhmije Hoxhës. Vite më vonë, Skënderi, në qelitë e burgut të Burrelit, do t’i thoshte të vëllait, jo pa një ndjenjë faji, se po ta kishte ditur si ishin punët, do ta kishte pranuar atë mblesëri. Duke iu referuar pretendimeve se Mehmet Shehu ndihej superior ndaj Enver Hoxhës, Bashkim Shehu thotë se ai ishte një vartës i bindur i diktatorit. E po kështu, nuk ishte e vërtetë se Fiqreti e Nexhmija urreheshin. Gjatë internimit të shkurtër së bashku, Fiqreti do t’i shkruante në një copë letër të birit (ishin të bindur se përgjoheshin”, se “Shoqe kam vetëm Nexhmijen”… Për Bashkim Shehun nuk mund të ketë një shpjegim logjik për ta zgjidhur atë që ndodhi…

NGA BASHKIM SHEHU

Ndonëse Skënderi gjatë atyre ditëve të trazuara e kishte ruajtur sidokudo dhe deri diku ishte mbajtur mirë, babai ishte tejet i merakosur për të, sidomos natën e parë, mbasi kishin biseduar, mos ndoshta Skënderi kushedi edhe mund të vriste veten. Po edhe në ditët që pasuan ai vazhdonte të ishte i merakosur, ndoshta jo më për një vetëvrasje të mundshme, po gjithsesi për gjendjen shpirtërore të Skënderit.

Ndaj dhe mendoi të më dërgonte mua për njëfarë kohe në Suedi bashkë me të, që t’i rrija pranë. Po Skënderi çuditërisht nuk pranoi dhe parapëlqeu të merrte me vete adjutantin e babait. Dhe më mirë për mua që u bë kështu: po të kisha shkuar atëherë në Suedi patjetër që një vit më vonë, gjatë hetuesisë, do të ma kishin shtuar edhe një akuzë për ndërlidhje agjenturore në dobi të zbulimeve të huaja.

Në një nga ato ditë mbas prishjes së fejesës, Mehmeti dhe Fiqreti shkuan përsëri tek Enver Hoxha për vizitë.

-Nuk dimë si do t’ia shpërblejmë Partisë këtë gabim kaq të rëndë, – i thanë ata Enver Hoxhës.

-Një fejesë e gabuar është e pallogaritshme në krahasim me kontributin tuaj të paçmueshëm për të mirën e Partisë dhe të popullit, për dekada të tëra, – tha Enver Hoxha.

-Një jetë e tërë heroike! – tha Nexhmija.

Por vetëm pak kohë do të kalonte dhe Mehmet Shehut do t’i kërkohej të shpjegonte shkakun ose shkaqet pse e kishte lejuar një fejesë të tillë. Dhe pastaj, dora-dorës, kjo fejesë do të shndërrohej për Mehmet Shehun në një akuzë mjaft të rëndë, prej së cilës nuk do të shfajësohej dot, në akuzën e shkeljes së ndërgjegjshme të normave partiake mbi luftën e klasave dhe të vënies së vetvetes kësisoj mbi partinë, zhbirimi i shkaqeve do të mbështetej, pastaj, mbi bazën e kësaj akuze, për të ngritur tërthorazi, por gjithherë e më qartë një akuzë tjetër edhe më të rëndë, si veprim i ndërgjegjshëm për të zbutur luftën e klasave dhe, së këtejmi, një akuzë tjetër, e pashqipëruar, edhe më e rëndë, e kështu me radhë gjer sa të shkallmonin gjer në fund, si agjent i vjetër të zbulimeve të huaja, akuzë dhe njëkohësisht mallkim që do ta ndiqte me vite edhe pas vdekjes.

Nëse me fejesën e Skënderit zë fill gjithçka, kjo nuk do të thotë, në anën tjetër që edhe shkaku i kësaj gjithçkaje është fejesa. Ajo mund të ketë qenë thjesht preteksti, vjega ku është kapur Enver Hoxha që ta shembte Mehmet Shehun. I tillë është edhe opinioni më i përhapur, ngaqë edhe kjo mundësi e dytë duket dhe si më afër mendjes. Vërtet, si mund të shpallej armik numri 2 i regjimit vetëm për një fejesë?

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu


Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu


Dhe ndërtohen pastaj hamendje të ndryshme për ta gjetur shkakun tjetërkund. Dr. Elez Biberaj, për t’iu referuar kështu shembullit më të spikatur, në studimin e tij të hollësishëm mbi Shqipërinë e hamendëson këtë shkak, më së pari me disa kundërshtime të hapura të Mehmet Shehut ndaj Enver Hoxhës rreth vitit 1980, lidhur me politikën ekonomike, si dhe me frikën e këtij për fatin e gruas dhe të fëmijëve, po qe se, mbasi të vdiste vetë, pushtetin do ta merrte Mehmet Shehu, një frikë e përligjur kjo edhe nga marrëdhëniet e këqija dhe urrejtja e ndërsjellë midis grave të tyre.

Të gjitha këto, natyrisht, duken më të besueshme sesa shpjegimi i përkundërt. Mirëpo njerëzit shpeshherë harrojnë, apo nuk vënë re, apo nuk duan të besojnë që një ndodhi e rëndësishme të mund të shkaktohet nga diçka e parëndësishme, nga një vogëlimë rastësore, siç është lidhja ose moslidhja e një krushqie. Veç kësaj, nuk duhet harruar se nuk bëhet fjalë për një krushqi të ndonjë dikushi dosido, por për krushqinë e një njeriu të pushtetshëm dhe se nën një pushtet të gjithëpushtetshëm, krushqia e një njeriu të tillë patjetër do të shikohet si një veprim që ka të bëjë me pushtetin.

Kjo u duk qysh në fillimet e këtij pushteti kur filluan të lidheshin varg e varg, radhë-radhë krushqitë brenda tij. Kësisoj, që nga Enver Hoxha, që lidhi krushqi me Gogo Nushin, duke i dhënë të vëllait të këtij të fundit mbesën e vet, e pastaj te Hysni Kapo, gruaja e të cilit është motra e Alqi Kondit dhe e Pirro Kondit, i cili është baxhanak i Manush Myftiut, motra e të cilit është gruaja e Pilo Peristerit dhe po kështu motra e Ramiz Alisë u bë gruaja e Reiz Maliles, motra e të cilit është gruaja e Xhaferr Spahiut, kurse gruaja e Bilbil Klosit është motra e gruas së Ramiz Alisë, të gjithë këta anëtarë të Byrosë Politike ose të paktën të Komitetit Qendror, ose ministra, ose zëvendëskryeministra, disa duke qenë të tillë qysh përpara këtyre krushqive, disa duke u bërë të tillë mbas tyre.

Dhe nga martesat e njerëzve të pushtetshëm, sikurse më së shpeshti nga çdo martesë lindën fëmijë dhe këta fëmijë u rritën, dhe dikur u erdhi mosha edhe këtyre për t’u martuar. Dhe u përsërit e njëjta histori. Në fillim u duk se do të ishte ndryshe se Enver Hoxha tha njëherë që nuk duhet të lidhen krushqia brendapërbrenda. Kjo ndodhi atëherë kur i biri i Kadri Hazbiut shoqërohej ca si shumë me të bijën e Enver Hoxhës, i cili, si e mori vesh, e ndaloi të bijën të shoqërohej me atë djalë.

Duke i shkuar pas Enver Hoxhës edhe për këtë, Mehmet Shehu, babai, na tha atëherë ne të tre vëllezërve se nuk dëshironte që ne të merrnim ndonjë vajzë nga të shokëve të tij, si një nga kushtet që na vinte për martesën. Por këtë rregull e thyen jo më shumë se mbas ndonjë viti bija e Adil Çarçanit dhe i biri i Manush Myftiut, me kokë të tyre dhe jo të prindërve dhe prapëseprapë kjo nuk u pa me sy të mirë. Po kështu, thuajse njëkohësisht, u fejua i biri i Enver Hoxhës me të bijën e të vëllait të Ramiz Alisë, edhe ata me kokë të vet, por gjithë duke marrë edhe pëlqimin e Enverit, i cili jo si me Kadri Hazbiun, kësaj here e pranoi krushqinë brendapushtetore.

Po dhe Kadri Hazbiut, nga ana e tij, i doli fati të lidhej me krushqi me Enver Hoxhën kur të bijën e Enver Hoxhës e mori i vëllai i të shoqit të një mbese të gruas së Kadri Hazbiut. Ky do të lidhej gjithashtu më Ramiz Alinë nëpërmjet një mbese tjetër të gruas së vet dhe djalit të vëllait të gruas së Ramiz Alisë, çka ishte, nga ana tjetër, një lidhje më tepër nëpërmjet këtij të fundit dhe Enver Hoxhës, lidhje që, sidoqoftë, edhe kjo mund të kishte më shumë rëndësi për Kadri Hazbiun sesa për vetë Ramiz Alinë, që e kishte tashmë me Enverin një lidhje shumë më të afërt.

Kurse për Kadri Hazbiun, gjithsesi, këto lidhje ishin ca si të largëta, ca si tepër të tërthorta për t’ia shmangur zezonën që do t’i vinte prej Enver Hoxhës. Ndërkaq edhe Hysni Kapo vazhdonte të zgjeronte rrethin e tij të krushqive me pushtet, qoftë nëpërmjet ngritjes në përgjegjësi të burrit të motrës apo të burrit të motrës së gruas, qoftë nëpërmjet fejesës së djalit të motrës së gruas me vajzën e një ministri, që ishte vëllai i një anëtari të vjetër të Komitetit Qendror me ndikime të fuqishme në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në disa prej rretheve më të mëdha të vendit.

I vetmi nga sfera më e lartë kushtetore që kish mbetur jashtë valles së këtyre krushqive ishte Mehmet Shehu, duke iu përmbajtur, kësisoj, për një kohë të gjatë thënies së dikurshme të Enver Hoxhës. Mirëpo ngase kjo po shkelej nga të gjithë të tjerët dhe nga vetë Enver Hoxha, edhe Mehmeti me Fiqretin që t’i gjenin nuse Skënderit panë ç’panë dhe zunë të interesohen për të bijën e Ramiz Alisë, në marrëveshje dhe me këtë të fundit. Por, ose për mosdashje të Skënderit, ose të vajzës, ose të të dyve, kjo krushqi dështoi. Do të kalonin disa vjet dhe jo shumë kohë përpara se të ndodhte krushqia fatale me Turdinjtë, Mehmeti ia hedh fjalën Skënderit për një mbesë të Nexhmijes.

“Po të më kishte sqaruar babai se si qëndronte puna, unë do të pranoja, mjaft që të mos përfundonim kështu”, do të më thoshte Skënderi, vite të tëra më vonë, në burgun e Burrelit, i munduar nga një ndjenjë fajësie për çka krejt kishte ndodhur. Madje, tani ai ishte i bindur se kishte qenë Nexhmija që e kishte filluar përçapjen e kësaj krushqie. Kështu, mosbërja e saj dhe bërja pak më vonë e asaj tjetrës, nuk mund të mos ishin gjë e pakët për Enver Hoxhën, po të kemi parasysh në të njëjtën kohë përhapjen tashmë gjithëpërfshirëse të krushqive brendapërbrenda pushtetit.

Sa i takon shpjegimit politik të Dr. Biberajt, do të thosha se Mehmet Shehu askurrë nuk e ka kundërshtuar Enver Hoxhën. Ndaj Enver Hoxhës, ai ka qenë po njëlloj i përulur si dhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike. Me sa kam dëgjuar nga njerëz ish-të pushtetshëm që kanë qenë dikur, gjer nga fundi i viteve ’50 pranë të dyve, Mehmeti ndjente asokohe një epërsi ndaj Enverit, epërsi të intelektit, si dhe epërsi prestigji për të kaluarën, çka lidhej me krenarinë për luftën partizane dhe ca më shumë për Spanjën, epërsi që shkonte herë-herë deri në përçmim ndaj tjetrit.

Por më vonë, nga vitet ’70 e tutje, pra në kohën kur kam mundur ta vërej dhe ta njoh vetë më mirë babanë tim, nuk ka qenë asfare kështu. Qëndrimi i tij ndaj Enver Hoxhës ishte, tani, ai i një vartësi të bindur, një përulësi që, për të mos ia cenuar krenarinë, merrte trajtën e një përkushtimi adhurues tejet të sinqertë. Dhe në asnjë rast nuk ia ka bërë fjalën dy Enver Hoxhës.

Kurse, lidhur me atë frikë të Enver Hoxhës për fatin e familjes mbasi vetë të kishte vdekur, dihet se Mehmeti me familjet e pushtethumburve është treguar më i butë nga të gjithë shokët e tij, të paktën më i butë nga ata që vazhdonin të ishin në pushtet dhe aq më pak mund të ishte i egër me familjen e Enverit. Gjithashtu nuk është e vërtetë se Fiqreti e urrente Nexhmijen. Përkundrazi. E kishte të vetmen shoqe, siç do të shprehej dhe në internim, në ato pak ditë që ndenjëm së bashku të internuar derisa e arrestuan. Për disa gjëra merreshim vesh pa folur, me copa letre, ku i shkruanim pyetjet dhe përgjigjet që i drejtonim njëri-tjetrit duke iu ruajtur kësisoj mikrofonave të fshehtë që pas gjithë gjasave qenë vënë në banesën tonë. “Shoqe kam pasur vetëm Nexhmijen”, shkruante ajo, por duke shtuar: “Nexhmija karshi meje herë sillej si shoqe, herë sillej disi ftohtë, në mënyrë zyrtare”.

Me të gjitha këto nuk dua të përjashtoj krejtësisht mundësinë që fejesa e Skënderit të ketë qenë thjesht një pretekst i shfrytëzuar nga Enver Hoxha për të vënë në jetë diçka të vendosur qysh përpara. Për mua, të dyja mundësitë, edhe kjo, edhe tjetra, janë të pranueshme. Nuk mund të zgjedh prerazi, ose për njërën, ose për tjetrën, e kjo gjendje na kthen sërishmi te pyetja: “pse ndodhi?”. Por, tek e mbramja, a nuk mund të themi, duke mos e përjashtuar kësisoj asnjërën nga të dyja mundësitë e mësipërme se Enver Hoxha e rrëzoi Mehmet Shehun sikurse dhe të tjerë pasardhës të mundshëm, ngaqë nuk donte të linte fare pasardhës në pushtet dhe të sundonte vetë edhe pas vdekjes?

Përderisa çdo diktator kërkon të sundojë i pakufizuar nga njerëzit dhe sendet, përse të mos jetë i pakufizuar edhe nga koha? Monarku mesjetar kishte për pasardhës të birin, pse, megjithatë, mund të thoshte “mbas meje le të bëhet qameti”, ndërsa për tiranin e kohëve tona me sa duket nuk mund të ketë fare “mbas meje”. Vështirë t’i rrokë mendja këto trille…

No comments:

Post a Comment