2017-03-10

Bisedë me nxënësit dhe mësuesët e shkollës 9 vjeçare “Razip Sadikaj” Lubonjë

Imazh
26 tetor. Muaji i letërsisë duket tej i vakët!? Thua ta kenë harruar? Pse kjo gjendje apatie? Mos vallë kaq pak vëmendje i kushtohet letërsisë në qytetin tonë?! Oh,ç’ mëkat!
Gjithsesi pragvjeshta e pasme po galopon për t’ia lenë vendin stinës së mantelit të bardhë dhe për çudi koha është e mrekullueshme, si në pranverë. Isha ftuar nga drejtoria e shkollës së qytezës Lubonjë, e cila ndodhet gjatë rrugës që shkon për Armen –Selenicë. Gjendet vetëm 15 km larg nga qyteti i Vlorës. U nisëm për të qenë në kohën e duhur. Megjithë troshitjet e makinës nga rruga e plagosur prej kohëtranzicionit që kushedi se kur do të marrë fund, bashkëshorti im, Fitim Haxhiraj dhe unë ishim të emocionuar.
Mbrritëm...
Pozicioni gjeografik i Lubonjës duket si një vend strategjik, ku gjysma e kufirit të saj rrethohet nga kodra të gjelbëruara, kurse këmbët kjo qendër i ka shtrirë sa gjatë e gjerë në fushën aluvionale e mjaftë pjellore buzë lumit Shushicë, që bashkë me ujin sjellë copëza jete Labërie, të cilën e përshkon mespërmes. Herë e qetë, herë vjen gjithë tërsëllim sepse Shushica është lum malor, vetëm në rrjedhën e poshtme(në këtë zonë) kthehet në lum fushor. Pasi ndan fushën e Risilisë e të Llakatundit nga perëndimi me fushën e Armenit në lindje, që quhet Mesarak(arat mes lumenjve) pasi kjo fushë e pamatë ndodhet mes Lumit Vjosë e degës së tij, Shushicës që derdhet në veriperëndim të kësaj fushe. Duke rrjedhur mes këngësh dhe ligjërimesh, herë sjell ninullat e gjysheve, herë këngët e trimave, herë hakërrimën e maleve të rënduar nga pesha e borës , pse jo nuk sjell edhe hallvitet e njerëzve të lodhur. Pastaj për të qetësuar sjell polifoninë e bukur e të pakrahasueshme labe, që u këndon djemve që kanë marë rrugën e mërgimit.
Dikush me të drejtë mund të pyes se pse ishim të emocionuar ne si çift... ?
Shkolla “Razip Sadikaj”ku unë isha e ftuar me rastin e muajit të letërsisë, është çelur për herë të parë si shkollë verore në gushtin e vitit 1956 nga një djalë i ri nga Armeni, Fitim Haxhiraj, i cili sapo kishte mbaruar politeknikumin e Durrësit. Meqë kishte nevojë për mësues, të riun, si shumë të tjerë e trainuan në një kurs pedagogjik disa mujor dhe e emëruan mësuesin e parë të kësaj shkolle që nuk kishte as godinë, as banka dhe as mjete mësimore. Gjithsesi Fitim Haxhiraj pati mbështetjen e njerëzve që e donin arsimin, ndaj autoritetet përkatëse e ndihmuan dhe e përkrahën. Për t’i dhënë kurajo këtij djali pa arsimin përkatës dhe pa përvojë, erdhi dhe e prezantoi mësuesin e ri, Kryeinspektori i seksionit të Arsimit, Muhamet Golemi, një mësues dhe metodist model. Bashkë me të ishte dhe Leonidha Prifti, drejtor i grupshkollave (Armen, Lubonjë, Picar dhe Mesarak, me qendër në Armen), të cilët kanë krijuar atë plejadë mësuesish të sakrificës për arsimin.
Ai gjeti mbështetjen e Shefit të Sektorit të Fermës,Maliq Çino sepse Lubonja ishte sektor bujqësor e blegtoral që varej nga Ferma e Llakatundit. Jo më pak se të tjerët e ndihmoi Xhebro Gjika, përgjegjës i blegtorisë së fermës, së bashku me drejtorin e përgjithshëm të blegtorisë, Hasan Muço. Kurse bujaria e Imer Gjoligut i kaloi caqet, duke liruar një nga dhomat e shtëpisë së tij që e shndëruan në shkollë. Merita e ziles së parë të shkollës së parë në Lubonjë, i takon z.Fitim Haxhiraj që e kujton me nostalgji këtë ngjarje të bukur për t’u dhënë dije, të mësonin të shkruanin e të lexonin gjuhën e ëmbël shqipe fëmijët e rritësve të kopeve me bagëti që vinin nga zonat e ftohta të Korçës për të dimëruar në klimën e butë të Vlorës. Në pranverë edhe mësuesi i tyre migronte bashkë me familjet vllahe për të vazhduar procesin mësimor pa shkëputje si në Kulmak. Ishte punë e vështirë për të se punonte me 4 klasa kolektive duke alternuar klasën e parë me të tretën dhe të dytën me të katërtën, por ishte bukur kur dëgjonte që ata vocërrakë lëçisnin në gjuhën e mëmës, në gjuhën e vjetër shqipe. Pikërisht këto kujtime solli ndërmend Fitim Haxhiraj qysh kur nisëm rrugën për aty.
Krenaria është e drejta e tij legjitime, sepse është mësues i parë i Lubonjës, gjë të cilën e kanë harruar pa dashje apo është mohuar me vetëdije. Ndaj ai i kujton me nderim gjithë këta zotërinjë që e ndihmuan për mbarëvajtjen e punës, madje edhe prindërit që u kujdesën si për fëmijët e tyre edhe për mësuesin që rrugëtonte në shi e në të ftohtë, që të mos ngelej pa ngrënë. Si mund ta harrojë mësuesi i parë i kësaj shkolle prindin shembullor Naqe Xhavara?!Çdo shkollë apo institucion ka një ditë të parë fillestare. Ndaj shkruhen ngjarjet,datat në histori që ajo të mos shtrembërohet dhe të tjetërsohet.

Takimi me stafin pedagogjik të shkollës së Lubonjës

Drejtoresha e shkollës, znj. Fiqirete Sheremetaj, e vetmja që jeton me familjen dhe fëmijët në Lubonjë, na mirëpriti ashtu siç dinë të presin gratë labe dhe aq më tepër kur janë të arsimuara, respektin e kanë të dyfishtë. Bëri njohjen time me stafin pedagogjik prej 10 mësues dhe dy edukatore kopshti, që janë nën drejtimin e saj. Ky kolektiv me 13 mësuesë u japin mësim 125 nxënësve nga të cilët 32 janë parashkollorë dhe 93 nxënës që vazhdojnë programin mësimor në 9 klasa. Sipas bisedës me drejtoreshën mësova se ka rënie të numrit të nxënësve, krahasuar me vitet e kaluara. Kurse për vitin akademik në vazhdim 2016 -2017 me vitin e kaluar 2015-2016 nuk ka ndonjë ndryshim. “Ky fakt më kënaq si drejtuese se është një tregues që nuk do të kemi paksim të numrit të nxënësve. Kjo është edhe meritë e stafit pedagogjik që është i përgatitur, secili ka profilin e vet dhe kanë përvojë të gjatë në mësimdhënie.Gjithashtu u jam mirënjohëse pushtetit vendor që siç e shihni është i pranishëm në këtë takim letrar edhe administratori i komunës, anëtar i këshillit bashkiak të Bashkisë Selenicë, z.Haxhi Sulaj si dhe kryetar i bordit të prindërve z. Zaho Revaj, që jo vetëm na janë gjendur pranë në çdo situatë,por edhe na plotësojnë kërkesat për materialet që mësimi të kryhet normalisht. Siç e shihni numri i nxënësve është i vogël dhe mësuesit kanë krijuar marrëdhënie shumë të mira me ta, pasi edhe si kolektiv ne kemi harmoni. Natyrisht në kushte të tilla që varen nga ne si mësues, mësimi zhvillohet brenda të gjitha kritereve metodike dhe kërkesave bashkëkohore.Ka shumë mangësi që duhen plotësuar. Meqë disa nxënës banojnë jashtë Lubonjës vijnë në shkollë dhe kthehen në shtëpi me autobuzin e mësuesëve, të cilët banojnë të gjithë në Vlorë. Gjithë stafi pedagogjik është i angazhuar për aktivitete edukative konkurse historie, gjeografie, koncert për mbylljen e semestrit të parë dhe Krishtlindje. Psh: sot do të shpallim fituesit e konkursit letrar dhe vizatim”- përfundoi ajo dhe më ftoi në një sallë të madhe, ku më prisnin fëmijët e ciklit të lartë të shkollës dhe gjithë stafi pedagogjik. Takimin e drejtonte mësuesi i letërsisë Delo Aliaj, kurse kordinator i këtij takimi letrar ishte Fitim Haxhiraj, i cili përzgjodhi poezitë dhe parapërgatiti recituesit .

*Mes fëmijëve, atyre që do të jenë e nesërmja e kohës...

Ambienti ishte i këndshëm, fëmijët na pritën me duartrokitje dhe u çuan të gjithë në këmbë. Në tabelën e zezë kishin shkruajtur me shkronja të mëdha shtypi: “Takim Letrar me Shkrimtaren Vilhelme Vranari Haxhiraj” kurse në mur në një stendë ishin varur punimet e nxënësve në vizatim dhe pikturë., si dhe mjaftë thënie filozofgike për letësinë , për shkollën, librin...
Takimin e çeli mësuesi i letërsisë z. Delo Aliaj , i cili pasi më prezantoi para nxënësve ia dha fjalën Drejtoreshës.
Fjalën e saj znj. Fiqirete Sheremetaj e nisi me një urim mirëseardhjeje për autoren dhe përfaqësuesin e pushtetit vendor, z.Haxhi Sulaj, kryetarin e bordit të këshillit të prindërvez.Zaho Revaj, si dhe mësuesin e parë që hapi shkollën e parë në Lubonjë, z.Fitim Hxhiraj, që njëkohësisht është kordinator i takimit...
“E quaj nder për shkollën tonë që sot në këtë takim të muajit të letërsisë është e pranishme shkrimtarja më e vlerësuar në qarkun tonë, znj. Vilhelme Vranari Haxhiraj, e njohur si brenda edhe jashtë atdheut. Ajo sot do të bisedojë me ju për letërsinë që ju e pëlqeni si lëndë, pasi keni thurur poezi, keni krijuar tregime, përralla. Cila është shkrimtarja jonë , që kemi mysafire.” -Ajo foli për jetën, arsimimin, mohimin që i është bërë autores, veprimtarinë e saj shoqërore lidhur me emancipimin e gruas dhe të gjithë shoqërisë. Më pas kaloi në jetën letrare, një jetë e mbushur me botime dhe shumë e suksesshme. Ka botuar 40 libra në disa gjini, prozë e shkurtër: tregim, novelë, skicë: Prozë e gjatë: roman, ku përfshihen 20 të tillë, publicistikë, studim, letërsi për fëmijë dhe skenarë për të vegjëlit. Është përfshirë në mbi 20 antologji shqip, anglisht, italisht , rumanisht, greqisht,arbërisht etje.
Suksesin e saj e tregojnë një serë çmimesh letrare, që e kalojnë numrin 20, Ku mes tyre unë do të veçoja: Çmimin e Karrierës, Çmimin Internacional, Gj.K.Skënderbeu( Itali), Premio Internazionale di poesia(2010-2012-Itali),”Pena e Kristaltë” –Suedi, Çmime në Prizren, Bukuresht, Greqi, Çmim të parë në Mal të Zi, përsëri çmim të parë në Suedi, Personalitet i shquar i Labërisë, Personalitet i shquar i Qarkut Vlorë, Medalje Argjendi, Nga presidenti i Republikës ka marë Urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Penës”, shoqëruar me Medalje Ari etje... Është kënaqësi për mua që shkrimtarja të bisedojë me Ju”- dhe ma dha fjalën.

*Nga fjala e autores

Në rrëfimin tim unë u fola shkurt se si lindi shkrimi në botë, etapat e zhvillimit të letërsisë evropiane dhe asaj shqiptare.

“Të dashur fëmijë! Është kënaqësi që sot ndodhem mes jush. Në fshatin tuaj jam emëruar mësuese kur sa dola nga bangat e shkollës pedagogjike.Kjo godinë e shkollës suaj është e re. Më kujtohet se më16 gusht 1962 jam paraqitur në një godinë të vjetër dykatshe, nën rrugë. Pas 2-3 ditë regjistrimesh, më transferuan në ciklin e lartë të shkollës së Armenit.
Para se të merresha me krijime letrare, unë kam qenë mësuese e gjeografisë dhe edukatës qytetare, si profesori juaj. Kam filluar të shkruaj vonë në moshën 52 vjeçe. Rregullisht nisa të shkruaj në moshën 54 vjeçe dhe ende vazhdoj të botoj libra. Letërsia si shkencë është e bukur, të bënë për vete, sepse në faqet e librave njeh jetën dhe mëson prej tyre. Është lënda që të hapë portat e jetës. Në lashtësi njerëzit merreshin vesh mes tyre përmes figurave të vizatuara apo të gdhendura nëpër mure shpellash a faqe malesh e kodrash.
Jeta mbi tokë nisi me lindjen e njeriut. Më pas lindi fjala si mënyrë komunikimi. Ende nuk kishte lindur shkrimi, pasi mungonin shkronjat,letra, lapsi, boja. Filimisht u zhvillua letërsia gojore që transmetohej nga njeri tek tjetri, nga brezi në brez në formën e gojëdhënave. Ose këndohej nëpër rrugë si bejte apo rapsodi.
Shkrimi i parë që i takon shek XVIII pr.Kr.është gjetur në Lindjen e Mesme, në Babiloni (Mesopotami) që gjendej mes lumenjve Tigri dhe Eufrati, në veri të Indisë. Të shkruara mbi pllaka të mëdha guri më1900, arkelogët gjetën Ligjet e Hamurabit (mbret i Babilonisë)i cili vdiq rreth vitit 1750 pr.Kr, që njihen si të parat kode ligjore të shkruara në botë. Me lindjen e papirusit e me zbulimin e bojës në Kinë ( Lindjen e Largët) filloi shkrimi. Më vonë prodhimi i letrës bëri që të nisë botimi i veprave letrare. Letërsia nisi në Greqinë dhe Evropën antike. Autorët e parë ishin Homeri, Sokrati, Sofokliu, Platoni etje, ndërkohë mori hov letërsia latine me autorët: Virgjili, Horaci, Tibuli, Katuli, Dante, Petrarka, Karduçi Leopardi etje
Në Lindjen e Mesme, Omar Khajami shkruajti “Rubairat”; Saadiu shkruajti “Gjylistani” e “Bostani”, kurse në Afganistan u shqua poeti Rumiu.
Vlera e kësaj letërsie është po aq e madhe sa në lashtësi. Po veçoj vetëm tre autorë:
*Homeri në Greqinë e lashtë, me poemat “Iliada dhe Odisea”, të cilat erdhën si gojëdhënë nga shek VIII pr.Krishtit dhe u shkruan në shek VI pr.Kr sepse mungonte alfabeti.
*Omar Khajami lindi Nishapur të Babilonisë më 1048 dhe vdiq 1123 shkoi “Rubairat “- që u përkthyen në shqip nga Fan Noli dhe Hafiz Korça më 1924
*Dante Aligieri lindi në Firence, 1265 - vdiq më 14 shtator 1321), poeti më i madh i Italisë, që i takon fundit të mesjetës feudale dhe fillimit të epokës së re( Rilindjes Evropiane.) Vepra e tij, “Komedia Hyjnore”, që është quajtur si kryevepra e letërsisë së të gjithë kohërave. Këto tri vepra letrare janë të paktat që janë studiuar e studiohen në çdo kohë në shkollat tona.
Më pas u kalua në Rilindjen Evropiane dhe ajo e kohës moderne, ku u shquan shumë autorë si në Itali, Francë, Angli, Gjermani, Austri, Rusi etje...

Lindja dhe zhvillimi i letërsisë në Shqipëri.

Si vend i pushtuar ndër shekuj,tek ne letërsia u zhvillua pak më vonë,në shekujt XV-XVI. *Letërsia e vjetësr lindi si letërsi gojore si rapsoditë, gojëdhënat, bejtet me autorë: Muhamet Kyçyku, Nezim Berati.

*Shkrimi i parë në gjuhën shqipe është Formula e Pagëzimit që i përket vitit 1462, me shkronja latine në dialektin gegërisht: “Un t’pagzoj n’emn të atit, t’birit e shpirtit t’shejt!”,
*Më 1497 Arnold fon Harf ka shkruar në shqip pjesë nga ungjilli.
*Në vitet 1508-510 Marin Barleti shkroi “Historia e Skënderbeut”,libri i parë në gjuhë shqipe.
* Gjon Buzuku më 1555 shkroi “Meshari-n” që u botua pas1600.
*Të kësaj kohe janë veprat kushtuar jetës nga Pjetër Budi,Pjetër Bogdani dhe FrankBardhi.
*Rilindja shqiptare nisi me librin “Këngët e Milosaos” me autor Jeronim De Radën,të cilin e pasoi Naim Frashëri, rilindasi më i denjë që ndryshe quhet “Aligieri shqiptar”.Letërsia kryesisht u zhvillua në emigracion, kurse në vend, si qendra letrare u dalluan Elbasani, Shkodra, Gjirokastra,Janina dhe si qendër e veçantë ishte Voskopoja e viteve 1720-1770. Qyteti më i zhvilluar i Ballkanit jugëlindor, ku u ndërtua Akademia, Biblioteka dhe Shtypshkronja. Aty u shkruan veprat e para filozofike nga Anastas Kavalioti. Autor të kohës ishin Çajupi, Mihal Grameno, Asdreni, Ndre Mjeda etje. Kalabria u bë djepi i Rilindjes shqiptare me shumë autorë: Gavril Dara i Ri, Zef Serembe, Jul Variboba,Lek Matranga, Francesko Krispi, Dhimitër Kamarda, Zef Skiroi etje. Në vitet 1900 e në vazhdim shquhen Faik Konica, Gjergj Fishta, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, me të cilët nisi epoka moderne që u ndikua nga letërsia dhe filozofia perëndimore. Kjo u pasua nga autorët e viteve 1930 si: Migjeni, Zef Valentini, Tajar Zvalani, Pashko Gjeçi,Mehdi Frashëri, Haki Stërmilli,Petro Marko, Isuf Luzaj,Nebil Çika ( autor i revistës Minerva),Arshi Pipa, Kuderet Kokoshi, Anton Harapi, Nonda Bulka, Eqerem Çabej, Namik Resuli, Krist Maloki, Branko Merxhani e të tjerë. Pas viteve 1950 nisi një letërsi dogmatike e drejtuar, e orientuar nga politika., përballë së cilës u zhvillua letërsia e ndaluar ose e sirtarëve (që nuk lejoheshin të botoheshin). Këta të fundit ose dënoheshin me burgim, ose u ndalohej botimi dhe qarkullimi i veprave. Pas viteve 1990 letërsia mori hov, një letërsi bashkëkohore, e cila më shumë lëvrohet në emigracion. Por letërsia që të krijojë shtratin e saj, fizionominë e saj autentike shqiptare ka nevojë për kritikë të mirfilltë dhe të jetë e organizuar në mënyrë institucionale, që të shoshitet cila ka vlerë dhe cila vepër jo.Të dashur nxënës, ju këshilloj që të lexoni sa më shumë letërsi me vlera,sepse ajo ju hap horizonte të reja. Që nesër të jeni “Dikush” duhet të ndiqni këshillat e mësuesve tuaj, që janë prindër të dytë për ju, nuk u shkon mundi dëm prindërve tuaj dhe ju do të ndiheni krenar për veten . Ju faleminderit që më dëgjuat!

........

No comments:

Post a Comment