2017-03-25

Dekretimi i ministrave dhe përballja Nishani-Zhiti



Nga Luan KURTI


Pas dekretimi të ministrave nga Presidenti Nishani reagimet kanë qenë të ndryshme, nga të gjitha palët dhe kampet. Vetë Presidenti u shpreh se ai nuk do donte ta dekretonte Xhafajn si ministër të Brendshëm, por nuk e lejonte Kushtetuta të sillej ndryshe. Interesant mbetet debati mediatik midis Nishanit dhe Zhitit, pra midis Presidentit të Republikës dhe Poetit të letrave shqipe. Debati në distancë është ndezur dhe ka degraduar në nëmatisje të rënda. Bën përshtypje e para, se i përkasin të njëjtit subjekt politik. Pa hyrë në hullinë e akuzave reciproke, më duhet të them se në këtë përballje i humburi i madh është vetë Presidenti i Republikës! Politika ka qenë dhe mbetet e destinuar të sfumohet përballë artit. Kjo është taksative dhe e provuar gjatë gjithë historisë njerëzore, në çdo lloj sistemi politik. Mundej që Zhiti të qe më i përmbajtur kundër Presidentit, të qëndronte larg këtij debati, por mesa duket e shkuara e dhimbshme në burgjet e diktaturës e ka shtuar dozën e emocionalitetit duke e kthyer në ofensiv.

Në respekt të kësaj dhimbjeje, do kishte qenë më fisnike nga ana e Presidentit që të heshtte dhe të tjerët ta bënin gjykimin. Faktet që po i përmenden të së shkuarës së tij si ithtar i komunizmit nuk përbëjnë risi. Por terreni ku zgjodhi të futet është tejet i rrëshqitshëm për të dhe e bën të duket fare mjeran. Në planin njerëzor, Visar Zhiti mund të ketë të metat dhe dobësitë e veta si çdokush, por ai nuk mund të gjykohet me masën e së zakonshmes. Ai është i martirizuar për fjalën e lirë dhe si poet ka bërë jo pak emër, gjë që i shton reputacionin duke i falur madhështi si pak të tjerë vendit të vetë. Unë vetë kam sugjeruar dikur se Zhiti do bënte mirë të mos pranonte pozicionin si ambasador në Vatikan, pasi i përkiste kampit tjetër politik, por ai zgjodhi t’i shmangej këtij handikapi dhe për këtë nuk mund të gjykohet.

Në një vend të shenjtë nuk mund të zgjidhej një kandidaturë më e mirë! E kam njohur Visarin para vendosjes së pluralizmit, gjatë kohës që punonim në fabrikë të Tullave në Lushnje, dhe mund të them pa hezitim se ishte një person për t’u marrë shembull. Një njeri i urtë që rrezatonte kulturë, që kur gjente kohë të lirë nuk e ndante librin nga dora as në vendin e punës dhe që gëzonte respektin e të gjithëve. Dhe Lushnja, ashtu si Shqipëria, padyshim krenohet për arritjet e tij. Nuk mund ta themi të njëjtën gjë për Nishanin- President, sepse roli i tij kushtetues shpesh ka qenë i dyzuar, jokushtetues dhe partiak.

Me gjasë ai shumë shpejt do të harrohet ndërsa Poeti Zhiti mbetet po aty, madje koha vetëm ia shton shkëlqimin. Por duke iu shmangur këtij debati shterpë, le të bëjmë një analizë të asaj që është cilësuar si “çudia e dekretimit” nga shumë analistë, politikanë dhe individë të së djathtës. Të gjithë qenë të bindur se kjo kandidaturë e ministrit të Brendshëm do të rrëzohej. Kjo doli paradhënie më herët në rrjetet sociale nga goja e liderit të AK-së, Kreshnik Spahiu, dhe vetë lideri Basha deklaroi euforik se “Xhafaj mund të kalonte vetëm mbi trupat e tyre!”. Por rezultoi e kundërta.

Një president që kishte qenë totalisht partiak, befas bën bllofin! Çfarë mund të ketë ndodhur?! Disa e kanë anatemuar (si komunist fanatik të pandreqshëm), gjë që është në modë në politikën shqiptare, kur favorizon “kundërshtarët”; disa e kanë quajtur paradoksal kur citon se në mënyrë të pavullnetshme ka dekretuar në respekt të Kushtetutës; dhe disa të tjerë e kanë para si strategjik këtë veprim, që t’ia lërë topin në derë Parlamentit, ku palët dhe individët të shprehin lirshëm dhe hapur pikëpamjet e tyre me rastin e Dekriminalizimit. Madje vetë lideri Basha ka kërkuar që të mos baltoset Presidenti. Ndërsa Berisha ka heshtur. Heshtja nënkupton miratim të sulmeve të të tjerëve. Po pse ky mosrakordim qëndrimesh midis liderit “de jure” dhe “de facto”?! Nishani u zgjodh President me bekimin e Berishës ashtu si Topi dikur dhe zgjodhi me vetëdije t’i shërbente atij me shumë fanatizëm. Duke marrë kosto publike dhe ndërkombëtare, si një njeri që asnjëherë nuk qe mbi palët.

Ai mesa duket që ditën e parë që u ul në karrigen e kreut të shtetit, mendoi vetëm të ardhmen e tij politike pas mbarimit të mandatit presidencial. Dhe për zellin e tij të spikatur përflitej edhe si një rival i Bashës në garën partiake, si një lider potencial i ardhshëm. Ja pra ku çedimi nga misioni i tij i paralajmëruar i jep një bonus Bashës, i cili duke e fshehur entuziazmin e kësaj theqafje të rivalit të mundshëm kërkon nga audienca pakt mossulmimi. Në këtë kontekst duhet bërë edhe analiza e të zbulohet shkaku i vërtetë, i dekretimit. Presidenti e kishte pasur të thjeshtë të mos ta dekretonte zotin Xhafaj po të donte, dhe këtë nuk ka Kushtetutë që ta hedh poshtë. Sepse kërkundi nuk parashikohet që të hedh firmën qorrazi, kur kandidatura nuk përmbush kriteret ligjore. Dhe tek e fundit edhe nëse kishte vakum ligjor juridik, akti publik i mosdekretimit kishte më tepër vlerë. Dhe i dorëheqjes, pse jo! Dhe në çdo rast e kishte të ardhmen PD-iste të garantuar.

Por i qartë që vendi ndodhet në krizë të thellë institucionale, në buzë të greminës nga një grevë e pakuptimtë që përtej fasadës bëhet për protagonizëm dhe për më tepër është kontestuar edhe nga faktori ndërkombëtar iu shmang në mënyrë gjysmake barrës së fajit të përbashkët, duke e portretizuar veten si një njeri në “vendimmarrje të detyruar!”. Ai nuk mund ta përdorte zotin Xhafaj si artific, si alibi e së shkuarës, sepse kjo do t’i kthehej si bumerang. Në kohën kur dosjet e së shkuarës ende nuk janë zbardhur dhe kur mëkatarët janë shpërndarë në gjithë spektrin politik, vështirë të konsiderosh si provë akuzat e ngritura me turravrap. Për këtë duhet hetim parlamentar dhe punë e institucioneve të specializuara. Por afërmendsh që mirëkuptimi nga të vetët nuk mund t’i vinte dhe tani paguan haraçin e militantizmit të verbër, që nuk pranon asnjë kompromis. Nga të djathtët, Presidenti shihet si delja e zezë që iu nda tufës dhe tani vegjeton në mëshirë të fatit në atë që nga fundi i mandatit normal, mund të shihet si fillimi mandatës, i perëndimit të tij politik. Nishani u zgjodh President me bekimin e Berishës ashtu si Topi dikur dhe zgjodhi me vetëdije t’i shërbente atij me shumë fanatizëm. Duke marrë kosto publike dhe ndërkombëtare, si një njeri që asnjëherë nuk qe mbi palët. Ai mesa duket që ditën e parë që u ul në karrigen e kreut të shtetit, mendoi vetëm të ardhmen e tij politike pas mbarimit të mandatit presidencial. Dhe për zellin e tij të spikatur përflitej edhe si një rival i Bashës në garën partiake, si një lider potencial i ardhshëm.



No comments:

Post a Comment