2017-03-23

Deutsche Bank mes institucioneve perëndimore që “pastruan” miliarda dollarë-cash përmes Letonisë


Deutsche Bank është një nga dhjetëra institucionet perëndimore që procesuan të paktën 20 miliardë dollarë – e madje më shumë – para me “origjinë kriminale” nga Rusia. Në një artikull të “The Guardian” banka gjermane që i dha hua 300 milionë dollarë Donald Trumpit ka luajtur një rol dominues në skandalin e pastrimit të parave që drejtohej nga kriminelë rusë me lidhje të forta me Kremlinin.

Skema, e mbiquajtur “Lavanderimati Global” ka operuar nga viti 2010 deri në vitin 2014.

Agjencitë e zbatimit të ligjit janë duke hetuar sesi një grup rusësh me lidhje të forta politike ishin në gjendje të përdornin kompani të regjistruara në Britaninë e Madhe për të pastruar miliarda dollarë në cash. Kompanitë kishin krijuar një huadhënie fiktive ndaj njëra-tjetrës, të nënshkruara edhe nga biznese ruse.

Kompanitë më pas falimentonin për shkak të këtyre “borxheve”. Gjykatësit në Moldavi, më pas, jepnin vendime që përforconin pozicionin kundër këtyre firmave. Kjo lejonte që llogari në bankat ruse të transferonin shuma gjigande drejt Moldavisë, në mënyrë të ligjshme. Nga atje, paratë shkonin në llogari në Letoni përmes Bankës “Trasta Komercbanka”.

Deutsche, huadhënësja më e madhe në Gjermani vepronte si një “bankë korresponduese” për Trasta deri në vitin 2015. Kjo do të thotë se Deutsche jepte shërbime të në dollarë ndaj klientëve rusë të Trasta, që nuk ishin banues në Letoni. Ky shërbim përdorej për të zhvendosur para nga Letonia drejt bankave në të gjithë botën.

Gjatë kësaj periudhe shumë banka të Wall Street u tërhoqën nga Letonia për shkak të shqetësimeve se vendi i vogël balltik ishte shndërruar në qendër të pastrimit ndërkombëtar të parave, sidomos nga fqinja e saj Rusia.

Nga viti 2014, vetëm dy huadhënës perëndimorë patën vullnetin për të pranuar transferta ndërkombëtare në dollarë nga bankat letoneze. Ato ishin bankat gjermane, Deutsche dhe Commerzbank. Deutsche u tërhoq më pas nga shërbimet korrespondente me bankën Trasta në shtator 2015.

Gjashtë muaj më vonë, rregullatorët letonezë mbyllën bankën. Ata dhanë si arsye shkeljet e përsëritura dhe thanë se banka kishte dështuar të menaxhonte rriskun për pastrimin e parave.

Zëvendësministrja e Financave të Letonisë, Maija Treija, tha se paratë e dërguara përmes Trasta-s ishin “ose të vjedhura ose me origjinë kriminale”.

Banka në fjalë ishte përdorur si mjet për të nxjerrë paratë jashtë ish-Bashkimit Sovjetik drejt e “në sistemin financiar të Bashkimit Europian”, shton ajo.

Deutsche tha se kishte forcuar në mënyrë domethënëse sistemet dhe kontrollet e veta. Banka shtoi se deri në fund të këtij viti do të ketë punësuar më shumë se 1 mijë persona staf të ri për të përmbushur rregullat e njësisë kundër krimit financiar.

Commerzbank tha se nuk mund të komentonte marrëdhëniet e saj me banka të tjera. Sipas saj, transaksionet e dyshimta u vërejtën gjatë monitorimit rutinë dhe u raportuan tek autoritetet.

Duket se Deutche Bank i dha fund marrëdhënieve të saj me Trasta-n shpejt pasi rregullatori i Letonisë lëshoi një paralajmërim. Në gusht 2015, komisioni i tregjeve financiare dhe kapitale ndaloi të gjitha transaksionet sipër 100 mijë dollarë.

Deutsche reduktoi marrëdhëniet me bankën tjetër kyçe të skemës Lavanderimati – Moldindconbank të Moldavisë, në vitin 2012.

Lidhjet me Rusinë janë një çështje e një ndjeshmërie akute për Deutsche. Në shkurt, doli se Deutsche, në mënyrë sekrete, kishte rishikuar disa hua për presidentin Trump nga divizioni i pasurive private për të parë nëse kishte lidhje me Rusinë. Trump i ka borxh bankës gjermane, Deutsche rreth 300 milionë dollarë.

No comments:

Post a Comment