2017-03-16

EMËRIMET E MINISTRAVE TË RINJ, NË DORË TË PRESIDENTIT SHQIPTAR BUJAR NISHANIT


Kreu i Shtetit iu ka kërkuar institucioneve ligjzbatuese informacion mbi 4 ministrat e propozuar nga Rama. Miratimi i ndryshimeve në Kuvend shtyhet për javën tjetër. Presidenti ka pretenduar më parë se ka të drejtë që të shqyrtojë kandidaturat jo vetëm formalisht

Përveç pakënaqësisë që ngjalli te ministrat që largoi nga kabineti, vendimi i kryeministrit Edi Rama për të bërë ndryshime në qeveri, për të marrë fuqi ligjore do duhet të kalojë të paktën edhe dy pengesa të tjera. E para është ajo që ka të bëjë me dekretimin e këtyre ndryshimeve nga ana e Presidentit të Republikës dhe e dyta ka të bëjë me votimin e dekreteve më pas në Kuvend. Ndërsa kalimi i pengesës së dytë varet nga marrëdhënia që kanë dy aleatët në qeverisje dhe pëlqimin apo rezervat që mund të ketë LSI ndaj ndonjë emri të veçantë, në rastin e pengesës së parë kemi të bëjmë me vijimin e një konflikti institucional mes Presidentit të Republikës së ekzekutivit. Kështu, burime nga Presidenca deklaruan dje se Presidenti i Republikës do të marrë kohën e duhur për të shqyrtuar kandidaturat e paraqitura jo vetëm në mënyrë formale, por edhe substanciale nëse ata plotësojnë ose kriteret ligjore formale dhe morale për të qenë në këto pozicione kaq të rëndësishme.




Dekretimi

Propozimet e kryeministrit për shkarkimin e 4 ministrave: Saimir Tahiri, Blendi Klosi, Ilir Beqaj dhe Blendi Çuçi dhe ato të emërimeve të Fatmir Xhafës, Ogerta Manastirliut, Olta Xhaçkës dhe Eduard Shalsit mësohet se kanë mbërritur në Presidencë të hënën pasdite. Por pavarësisht se ka pasur kohën e duhur për t’u shprehur mbi këto propozime, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka parë të arsyeshme që të mos nxitojë dhe të marrë të gjithë kohën ligjore prej një jave që i jep Kushtetuta për t’u shprehur me dekret. Megjithëse Kushtetuta nuk i njeh atij të drejtën për ta refuzuar një propozim të kryeministrit, Presidenti edhe kësaj here ka vendosur që të mos bëjë një dekretim thjesht formal mbi kandidaturat e propozuara, por të shqyrtojë të gjithë të shkuarën e tyre nëse ata i përmbushin kriteret formale ashtu edhe ato morale. Burime nga zyra e Presidentit të Republikës, pohuan dje për “Klan” se të katër kandidaturat e ministrave të rinj do t’i nënshtrohen një procesi verifikimi të figurës dhe personalitetit të secilit. Për këtë mësohet se Presidenti menjëherë sapo kanë mbërritur zyrtarisht këto propozime iu ka kërkuar institucioneve të zbatimit të ligjit përfshi ato inteligjente, informacion për të shkuarën apo lidhje të dyshimta që emrat e propozuar mund të kenë dhe që mund të cenojnë sigurinë ligjore por edhe morale të ministrave të rinj. Të njëjtat burime kanë theksuar se vetëm pasi të ketë marrë informacionin përkatës për secilin kandidat, Presidenti i Republikës do të vendosë nëse do t’i dekretojë apo jo si ministra, megjithëse Kushtetuta nuk ia njeh të drejtën e refuzimit të një propozimi për ministër. Por duhet theksuar se në formularët e dekriminalizimit asnjë prej 4 ministrave të propozuar nuk ka deklaruar se ka qenë i dënuar apo në ndonjë proces ligjor që mund të komprometonte figurën dhe emërimin e tyre. Por nuk përjashtohet mundësia që Presidenti Nishani të mund ta shfrytëzojë këtë kohë për të refuzuar ndoshta kandidaturën e Fatmir Xhafajt, i cili është akuzuar nga opozita si hetues i kohës së komunizmit, por pa paraqitur asnjë fakt për këtë. E vetmja provë mbi të cilën ajo ka mbështetur këto akuza është një foto që qarkullon në rrjetet sociale, ku Xhafaj në rininë e tij ka dalë bashkë me diktatorin Enver Hoxha.

Debati

Por kjo është vetëm njëra anë e debatit që Presidenti i Republikës ka me kreun e qeverisë sa i përket emërimit të ministrave. Edhe në një rast të mëparshëm ai ka refuzuar të dekretojë të paktën për një kohë të caktuar propozimet e Ramës për ndryshime në qeveri. Bëhet fjalë për rastin e dekretimit të ministrit të Financave, Arben Ahmetaj dhe asaj të Ekonomisë, Milva Ekonomi. Pothuajse një vit më parë, Presidenti refuzoi të nxjerrë në të njëjtën kohë dekretin e shkarkimit të ministrit me atë të emërimit të ministrit zëvendësues. Atëherë kreu i shtetit pretendoi se nëse ai i dekretonte të dyja në të njëjtën kohë ai në këtë mënyrë paragjykonte vendimmarrjen e Parlamentit dhe se mund të sillte një ngërç ligjor. Për këtë arsye, Presidenti i Republikës i dërgoi atëherë edhe një kërkesë Gjykatës Kushtetuese që të bënte interpretimin e Kushtetutës, sa i përket procesit të dekretimit të ministrave të shkarkuar dhe të emëruar. “Në kushtet që Kuvendi nuk ka shqyrtuar Dekretet e shkarkimit të Ministrave, Presidenti është i detyruar që për të respektuar Kushtetutën, me qëllim që të mos krijohet një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit dhe qeverisjen e vendit, të bëjë emërime formale, të dy ministrave të rinj”, –shprehej Nishani në atë kërkesë drejtuar Kushtetueses. Duke pretenduar se Kushtetuta është e paqartë në këtë drejtim, kreu i shtetit i kërkonte Gjykatës Kushtetuese që t’iu përgjigjej disa pyetjeve. “A mund të kërkohet në të njëjtën kohë nga ana e Kryeministrit, shkarkimi dhe emërimi i një ministri, ndërkohë që nevojitet një afat i caktuar kohor referuar Kushtetutës që të realizohet procedura e shkarkimit e një ministri? A mundet Presidenti i Republikës të emërojë një ministër të propozuar nga Kryeministri, ndërkohë që Kuvendi nuk i ka dhënë fuqi dekretit të shkarkimit të ministrit paraardhës? Çfarë natyre kanë dekretet e Presidentit të Republikës sa i takon shkarkimit dhe emërimit të ministrave? A quhet i rrëzuar apo i pranuar propozimi i Kryeministrit, për emërim apo shkarkim ministri, në rast se Presidenti nuk dekreton atë brenda afatit 7-ditor? Sa kohë që dekreti për emërimin e Ministrit është detyrim kushtetues për Presidentin, a ekziston mundësia që Presidenti të kërkojë verifikim të kandidatit të propozuar, nëse ky i fundit i plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore dhe nëse jo, a mund t’i kërkohet Kryeministrit rishikimi i kandidaturës?”, thuhej në kërkesën që Presidenti i drejtoi në atë kohë Gjykatës dhe për të cilin duket se nuk ka ende një interpretim nga kjo e fundit. Ndaj nuk dihet nëse edhe në këtë rast Presidenti do të veprojë njësojë si në rastin e dekreteve të Ahmetajt dhe Ekonomit, për të pretenduar që më parë Kuvendi të miratojë dekretin e shkarkimit dhe më pas atë të emërimit. Por duhet theksuar se Kushtetuta në Nenin 98 të saj i jep Presidentit vetëm 1 javë kohë, ndaj brenda të hënës tjetër ai duhet të ketë vendosur për vendimin që duhet të marrë. Por ky nen i cili është i vetmi që flet për dekretimin e ministrave, nuk i jep të drejtë Presidentit që të refuzojë dekretimin.





Kush janë katër ministrat e rinj

Kryeministri Edi Rama i ka propozuar Presidentit dekretimin e 4 ministrave: Fatmir Xhafaj në pozicionin e ministrit të Brendshëm, Ogerta Manastirliu në pozicionin e ministrit të Shëndetësisë, Olta Xhaçka në pozicionin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Eduard Shalsin si ministër i Pushtetit Vendor. Ndërsa Fatmir Xhafaj vjen nga brezi i nanoistëve, tre ministrat e katapultuar në kabinet janë prurje të epokës “Rama”. Dy ish-bashkëpunëtorë nga koha kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, Shalsi e Manastirliu, dhe Xhaçka, ish-aktiviste e lëvizjes “Mjaft”.

Fatmir Xhafaj emërohet për herë të tretë ministër në kohë të ndryshme të qeverisjes së PS-së. Në qeverisjen “Rama”, ai emërohet për herë të parë si ministër i Brendshëm, ndërsa karriera e tij në PS ka filluar kur Fatos Nano ishte kryeministër. Xhafaj ka gëzuar marrëdhënie të mira dhe asnjëherë problematike edhe me kryetarin aktual të partisë, Edi Rama. Ai kryesoi Reformën në Drejtësi, për të cilën demokratët kanë rezerva dhe kritika, e po aq edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Emërimi i dytë i rëndësishëm është ai në krye të ministrisë së Shëndetësisë. Ajo nuk ka profil politik dhe ka drejtuar deri dje Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ogerta Manastirliu nuk është pjesë e grupit parlamentar të PS-së, por një nga anëtaret e stafit të ngushtë të Edi Ramës në kohën kur ky i fundit drejtonte Bashkinë e Tiranës. Manastirliu ka mbajtur postin e drejtores së Shërbimit të Strehimit në Bashkinë e Tiranës dhe dha dorëheqjen kur Basha erdhi në krye të këtij institucioni.

Olta Xhaçka është kryetare e Forumit të Gruas Socialiste, dhe për çështje ditësh ajo do të jetë zyrtarisht në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Olta Xhaçka nuk ka mbajtur më parë një post ministror, megjithatë ajo është ndër të paktat politikane femra në PS që ka fituar pjekuri politike me kalimin e viteve. Shalsi është përfshirë në PS vonë. Më herët, ai ka qenë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të kryeministrit në kohën kur Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës. Shalsi, fillimisht (2004) ka mbajtur postin e Drejtorit të Kabinetit të Ramës dhe më pas nënkryetar i Bashkisë. Aktualisht ai është deputet i Partisë Socialiste dhe kryetar i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.


Ish-kryeministri  Prof.Dr. Sali Berisha ‘tallet’ me ministrat e rinj të  Edi Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar emërimet më të fundit në qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Përmes një postimi në profilin e tij në ‘Facebook’, Berisha i ka marrë më radhë ministrat e rinj të Ramës, duke i cilësuar si ministra të lidhur me krimin dhe të korruptuar.

Statusi i Berishës:

Emerimet e reja ne qeverine e Kanabistanit!

Te dashur miq, mediat njoftojne se: -Ministria e droges i besohet Fatmir Droges, qe me vellain e tij kryekspert, trafikant nderkombetar droge, Arianin te denuar ne Itali, Venezuele dhe Ekuador, do siguroje trafikun e drogave te forta ne Shqiperi. Vella Ariani kontrollon per llogari te familjes trafikun e droges ne Vlore,Fier!Fatmiri si minister drejtesie e lehtesoj para drejtesise italiane duke mashtruar dhe paraqitur vllaçkon si te infiltruarin e antidroges shqiptare!

-Shendetesia ju besua ndrikulles Manastirliu, asistentes me çizme ne te gjitha vjedhjet te famozit Beqaj.

-Ministria e meshires dhe perdellimit i besohet ndrikull Oltes, e cila thuajse eshte rritur ne strehen varfnore te humanistes se famshme Shemsie Kadrise por qe ngrihet ne pergjegjesi sepse mami Neta e ka si dy here çupen e saj!!

-Ministria e pushtetit vendor i besohet Shalsit, hajnit te betuar me ze dhe figure se ne pushtet do vjedhim me lezet. Per kujtese, Shalsi perjetoi nje depresoin te thelle, thuhet me tentativa suicidale sepse krushka e pare nuk i dha asnjerin nga 8 apartamentet qe Shalsi nenkryetar bashkie i kishte marre me lezet si dhurata por qe i kishte vendosur ne emra te krushkes dhe rrethit te saj. Shalsi eshte serioz, do te vjedhe me lezet! sb

No comments:

Post a Comment