3.26.2017

GJURMUESI I VRASJEVE ENIGMATIKE(Arif Molliqi “Gruaja e vizatuar nudo”, roman. – Botoi “Faik Konica”.-Prishtinë 2008)


Image result for ali jasiqi



Ali D. Jasiqi *



Numri i punëtoreve tanë që punojnë në botën e jashtme, dhe të cilët pos punës se tyre të rëndomtë merren edhe me krijimtari artistike nuk është i vogël. Disa prej tyre janë afirmuar në lëmin e arteve figurative, të tjerët në ato skenike e të ngjashme. Ndërkaq, numri më madh i tyre kanë bërë emër në fushën e letërsisë, duke botuar vepra në të gjitha lëmit e krijimtarisë letrare: në poezi, prozë , në studime letrare apo edhe në dramë. Do theksuar se në të shumtën e rasteve krijimet e tyre sjellin risi në letrat shqipe, nga se ata, në kontakt me letërsitë e vendeve ku jetojnë thithin prej tyre nektarin e domosdoshëm për realizime letrare e artistike në një anë dhe në anën tjetër mallëngjimi apo dashuria për vendlindjen dhe njerëzit e saj, të përjetuara nga largësia është më e madhe se e atyre që jetojnë në fshatin apo qytetin e lindjes. E ky është edhe një nga faktorët që ndikojnë në ndjeshmërinë e krijuesve artistik, në zgjimin e ndjenjave suptile të domosdoshme për krijimtari artistike, veçmas në poezi. Përvoja e fituar nga leximi i veprave të shkrimtarëve të njohur në vendet në të cilat qëndrojnë ata u ndihmojnë ta përsosin shprehjen, ta begatojnë figuracionin dhe ta përsosin stilin. Në mesin e këtyre shkrimtarëve që krijojnë në diasporës, siç i quajmë ne, që me sukses e kultivojnë fjalën e bukur artistike padyshim se dallohet Arif Molliqi, i cili ka vite që e ndeshim në shtypin tonë. Derisa ishte student i gazetarisë në Prishtinë shkruante dhe botonte punim humoristike, herë me emër të plotë e më shumë me pseudonime të ndryshme: si Boksh Baruti, Topuz Bërryli, Prenk Sherri e tjerë. Këtë e bënte për arsye të ndryshme ndër të cilat duhet theksuar frikën nga pasojave që mund të kishte nga politika e ditës, që nuk ishte e favorshme për intelektualet. Në ndërkohë ai bëri emër edhe në letërsi. Pas botimit të disa përmbledhjeve të suksesshme me poezi, këto ditë botoi edhe romanin e tij të radhës me titull “Gruaja e vizatuar mudo”, vepër kjo që zgjon kërshërinë e lexueset jo vetëm me gjuhën e pasur dhe
të pastër shqipe, por edhe me temat, përkatësisht syzhetë në të cilat i vendos ai protagonistet e veprës se vet.
Romani në fjalë,që për kah forma e shtruarjes se lëndës ngjan në mënyrën e shkrimeve kaftane, për të mos thënë se në një mënyrë nga pak u përngjet veprave kriminalistike, trajton disa tema interesante dhe ka një syzhe mjaft tërheqëse që e bënë lexuesin për vete dhe nuk e lejon ta ndërpres leximin pa i ra në fund veprës, me një fjalë është roman që lexohet me një frymë. Të tillë e bëjnë atë edhe ngjarjet që përshkruhen, në një anë dhe rrjedhshmëria dhe lidhshmëria e tyre në anën tjetër, duke krijuar kështu një tërësi, një roman fabula e se cilit është vendos në ditët e sotme dhe në të kaluarën jo të largët,me protagonistë që si dje edhe sot veprojnë me të njëjtën mënyrë, me të njëjta metoda të sjelljeve, në një qytet të Kosovës, që për nga përshkrimi i ambienti dhe të lokaliteteve që zihen në gojë nuk është vështirë të përcaktohet se fjala është për qytetin buzë Erenikut, atë te Mëhallës se Hadumit ,“Kroi i Panxhalles” e lokalitete tjera të njohura, pra për Gjakovën, nga i cili qytet janë edhe protagonistet kryesor të veprës në shqyrtim.

Arif Molliqi: Kush po kërkon ta shkarkojë Rektorin e Universitetit ...

Arif Molliqi

Qe në prolog autori na njofton me protagonistet kryesor të romanit, me ata që e mbajnë barrën kryesore dhe në të njëjtën kohë paralajmëron situata të rrezikshme, absurde, që do të ndodhin në këtë qytet. Në ambientet e një hoteli të këtij qyteti janë varrmihësit, por edhe Lisi,vrasja e të cilit, përkatësisht përpjekja për të zbuluar vrasjen enigmatike të tij është në qendër të fabulës së veprës,me në fjalë është strumbullari i gjithë veprës. Aty janë edhe Selmani i Orosh Tushës, Loshi i Zi, Dush Rrapi e të tjerë, personalitete që i gjejnë me kapitujt vazhdues të romanit. Në këtë pjesë, pra në prolog, Arif Molliqi e njofton lexuesin edhe për vrasjen e tre studentëve në kufi, por edhe të Curr Bregut, gjëja se kanë tentuar ta kalojnë atë ilegalisht. Vrasja e tre nxënësve kishte ndodhë në realitet çka dëshmon se Arif Molliqi e ka shfrytëzuar me mjeshtri ngjarjen e vërtetë, përkatësisht i ka mishëruar artistikisht atë.
Rudina e Curr Bregut e lajmëron Sokolin për vrasjen e Lis Llukës dhe ky e lenë punën në Hamburg dhe kthehet në Kosovë për të gjurmuar vrasësit e shokut të tij të dikurshëm, piktorit të njohur. Sokoli në rrugëtimin e tij kalon nëpër peripeci të shumta dhe në fund në saje të dëshmive të Rudinës, të cilat kujtime kishte filluar t’i botonte një gazetë e mëson të vërtetën për vrasëset serike që kishin ndodhë në qytetin e lindjes si dhe për kurdisjet që u bëheshin njerëzve të ndershëm nga shpirtkëqijtë. Në kapitujt e parë të romanit autori përshkruan me mjeshtri udhëtimin e Sokolit, që ndeshet në gërmadhat e shtëpive të djegura,çka do të thotë se kemi të bëjmë me zhvillimin e disa ngjarjeve që ndodhin pas luftës së fundit. Protagonisti kryesor i romanit, përkatësisht rrëfimtari shëtit nëpër qytet, hyn në kafene duke e vërejtur atmosferën herë herë të pakëndshme e nganjëherë edhe të mirë varësisht nga njerëzit që i ndesh në këto ndeja. Në këtë vazhdë mësojmë edhe për shoqërinë që kishte ky me Lis Llukën dhe me Dush Rrapin dhe momentin kur merr vendimin që të shkojë në emigracion. Është ky një vendim i vështirë, por të thuash i pashmangshëm në rrethanat e krijuara.
Romani nderohesh ashtu që po thuajse krejt ngjarjen e rrëfen narratori, përkatësisht Sokoli, duke e shoqëruar nganjëherë edhe Rudina. Në realitet Molliqi në një formë ose tjetër e sjell në qendër të vëmendjes se lexuesit se romanit edhe Lis Llukën e Jakovës, piktorin që është edhe strumbullarin e ngjarjes, vrasja e të cilit kishte shkaktuar tronditje në mesin e bashkëvendasvet dhe ishte maskuar aq mirë sa që askush nuk mund ta zbulonte të vërtetën e këtij krimi monstruoz. Aty është edhe Rudina , kjo figurë sa tragjike aq edhe enigmatike, një femër që ndodhet në mes të personazhit sa mëkatare aq edhe e viktimizuar. Fundi i saj është tragjik. Asaj i është vrarë burri, Curr Bregu, i dënuar më parë dhe pas vuajtjes se dënimit në burgjet e ish Jugosllavisë vritet kush e di ku dhe i kurdiset se gjëja ka tentuar të kalojë ilegal të kufirit shqiptaro-shqiptar,përkatësisht kalimin e kufirit në mes të ish- Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe në të cilin humben jetën shumë njerëz. I është dhunuar dhe vrarë motra dhe pastaj i është vra edhe djali, i cili kishte qenë në betejën e Koshares dhe në fund vritet edhe vet me rrethana enigmatike. Në vrasjen e saj kanë dorë shumë njerëz, ata që të vrasin natën dhe të qajnë ditën, çfarë ishin Selmani i Orosh Tanushës, Dushi R. të cilët kishin kërkuar që ky i fundit ta lexonte lamtumirës për bashkëshorten e Curr Bregut, në vrasjen e të cilit kishin dorë edhe ata vetë. Këta i kurdisin vrasjen dhe i zhdukin gjurmët e tyre në forma të ndryshme. “Për të kaluarën mos ke frikë. Të gjitha dosjet e policisë që lidhen me Curr Bregun dhe me Lis Llukën, e ndonjë tjetër, ku lakohen emrat tonë kam arritur t’i asgjësoj. Isha në Nish, pagova një njeri dhe ato dosje janë djegur. Askush nuk e di se çfarë ka ndodhur atëherë. Fjalët që fliten Çarshisë mos i dëgjo. Ti bëhu i shurdhër...!” Ky citat nga bisedat e tyre e zbulon fytyrën e vërtetë kriminale të këtyre njerëzve të paskrupullte, që nuk kanë karakter. Kjo ndodh edhe me vrasësit të Rudinës,që është i ngjashëm me atë të Lis Llukës, sepse”Rudina kishte qitur në shitje tri piktura të një formati 80x100 cm, një gjerdan të kuq dhe dy tjerë prej floriri, një zinxhir prej ari me pesë lira të rrethuar,dy palë vath:njëra prej ari e tjetra prej argjendi. Në këtë publikim ( fjala është për shkrimin e një gazete – nënvizimi ynë A.D. J) thuhej se për shitje kishte edhe libra, dhe dy dorëshkrime...” Dhe këto do të ishin të mjaftueshme për vrasjen e saj, që të humbin gjurmët e dokumente të atyre dokumenteve që do të mund të ndihmonin zbulimin e vrasjeve të shumta dhe aktorët e tyre,që kishin ndodhur në qytet. Kufomën e saj e kishin gjetur në breg të Drinit dhe policia kishte thënë se “ vrasësit kishin pasur për qëllim tjetër përveç një plaçkitje që kishte ndodhur nga ca tipa të pasjellshëm e të paedukuar”.
Protagonistet e romanit në shqyrtim janë ose artist ose dashamirë të artit, qoftë të pikturës apo edhe të teatrit. Madje në pjesë bukur e mirë e ngjarjeve zhvillohet në këso ambientesh, si në atelienë e Col Gurit apo edhe në holin e teatrit, ku shkojnë edhe kriminelët gjëja si dashamirës të artit. Romani dallohet edhe për një cilësi të veçantë të shtruarjes se lëndës. Autori me mjeshtri zgjon kërshërinë e lexuesit duke krijuar situata të veçanta për të përcjellë rrëfimin me intriga të shumta, me dashuri, por edhe urrejtje, me paradokse, elemente groteske elemente këto që e bëjnë atë prozë të suksesshme. Kështu autori do të rrëfeje për “gomarin që fluturon”në Fushë Kosove,për ”gruan që bën dashuri me një të vdekur”, “për macen e zezë” e të ngjashme .
Të gjitha këto i japin një gjallëri fabulës qendrore të romanit, e largojnë monotoninë dhe e freskojnë lexuesin për të vazhduar me kërkimin e së vërtetës për vrasjet enigmatike, që nuk janë edhe të pakta dhe të cilat bëhen për qëllime të caktuara, në radhë të parë për zhdukjen e fakteve që do t’i zbulonin vrasësit. Si i këtillë ky roman hyn në grupin e veprave të realizuara, vepër që meriton të lexohet dhe rilexohet dhe të ruhet në bibliotekat tona. Sepse është një realizim i suksesshëm, një roman që shënon një realizim të suksesshëm të autorit dhe në të njëjtën kohë edhe një arritje cilësore në prozën tonë bashkëkohore shqipe.

(Arif Molliqi, lindi në vitin 1953, është shkrimtar shqiptar nga Kosova, i lindur në Llukë të Epërme afër Deçanit.

Me shkrime ka filluar nga viti i fundit të gjimnazit ( kohë kur filloi të botoi), edhe pse ka shkruar më herët. Në fillim nuk e ngacmonte aq shumë poezia, andaj filloi më humor dhe satirë, n´atë kohë nuk preferohei shumë satira, andaj për ti ikur „keqkuptimeve“ filloj të shkruaj edhe poezi.

Satiren e shkroi krejt padiktueshëm tek gazeta humoristike „ Thumb, duke botuar me pseudonime të ndryshme si; Boksh Baruti, Topuz Bërryli, Prenk Sherri etjera. Gjatë vitit 1977/78 bashkëpunoi në gazeten e studenteve „Bota e re“ ne faqen e kulturës, e sidomos në satirë dhe humor.Këtë bëri edhe më Radio televizionin e Prishtinës, shkroj disa pjesë humoristike që i dha televizioni.
Edhe në „Rilindje“ botoi shumë shkrime saterike gjersa një ditë, të shqetësuar miqët e tij e rekomandojnë; herë për herë ta le satirën sepse ishte gjini letrare e „vështirë“ për kohën. Pas kësaj „këshille“, Molliqi e vazhdoi me intenzivisht me poezi,prozë dhe dramaturgji. Eshtë shpërblye disa herë me vendin e parë dhe të dytë në konkurset letrare për poezi.

Veprat

Gjer tani Arif Molliqi ka botuar:
“Simfoni për darkën e qenve”, poezi, Prishtinë, 1994
“Në udhëkryq pa zhurmë”, (poezi), Toena, Tiranë, 1996
“Loja e Sarkofagut”, (dramë), Eurorilindja, Tiranë, 1998,
“Psherëtima e zareve”, (poezi), Panteoni, Tiranë, 1999
”Përplasje” (skica dhe mbresa), Fakti, Shkup, 2000
"Premiera e një pranvere”, (poezi), Rilindja, Prishtinë, 200
“Kafka e ujkut”, (roman), Toena, Tiranë, 2001
”Dëshmorët jetojnë pas vdekjes”, (monografi), Prizren,2002
“Shënime nga arkiva e qytetit D.”, (roman), Faik Konica, Prishtinë, 2003
“Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D.” (poezi) Faik Konica, Prishtinë, 2004
“ Loja e dytë e Sarkofagut”, (dramë) Rozafa, Prishtinë (Kjo dramë është marrë për botim nga konkursi letrar i shpallur nga Ministria për Kulturë e Kosovës, për vitin 2003/2004, në mesin e shumë dorëshkrimeve në konkurs)
“Portret i pambaruar”, (poezi) Faik Konica, Prishtinë, 2006
“Klubi Shqiptar Verrat e Llukës“ në Hamburg“, (monografi), klubi, 2007.
"Gruaja e vizatuar nudo", roman, Faik Konica, Prishtinë, 2008.

Antologji

Arif Molliqi, është prezentuar edhe në këto libra dhe antologji:
Halil Haxhosaj: “Premtime letrare, shkrime kritike, Prishtinë,2006
Shefqet Dibrani: “Libri dhe mbresa”, kritikë letrare, Zvicer 2005,
Chelaru Marius, Baki Ymer dhe Luan Topçiu “Antologji e poezisë shqipe”, në gjuhen rumune, një antologji më disa poetë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, Valman, Rumani, 2006)

Etj.

No comments:

Post a Comment