2017-03-12

HEREZIA ARTISTIKE E POETIT GENC LEKA

Nga Astrit BISHQEMI



"Lirika plot do lënë pas poetët"




Një pasdite të ngeshme, duke gërmuar në një tog librash të vjetra, gjej një dyfletëshe me shkrim të bukur, të njohur, të dashur. Sytë më ndalen te vargjet kuptimplote:

"Lirika plot do lënë pas poetët
për mallin, helmin, gazin e pafund!"

Zemra më drithërohet. Janë vargje të një tjetri Trifon Xhagjika, lirika që la pas një shoku im, një miku im…

GENC LEKA

Quhej Genc Leka. Natyrë e shkathët dhe e hedhur qysh në fëmijëri. I zgjuar, gazmor plot ëndrra për jetën. Por "Ah ëndërrr’ e kaltër u këput në mes!. . .". Një ngjarje e hidhur ia ngriu gazin në buzë, ia errësoi diellin, e tkurri e ngathtësoi. I ati, Bardhoja, nëpunës i thjeshtë në qytetin e vogël të Librazhdit, arratiset për t`u shpëtuar përndjekjeve politike. Ishte viti 1952. Atëherë familja u cilësua me biografi të zezë. Djali 10-vjeçar e ndjeu mungesën e të atit në shtëpi e në jetë. Në zemër iu krijua një boshllëk që nuk do i mbushej kurrë. Shokët i druhen. Fëmijët e tjerë edhe në lojë i largohen, sikur të kishte zgjeben. Kjo braktisje e lëndon tepër njomështakun e ndjeshëm. I tronditur, ai mblidhet në vetvete. Po shkollën e ndjek. Gjithnjë shkëlqyeshëm në mësime. Duke u strehuar te ndonjë mik i dikurshëm i të atit, me vështirësi, me mungesa e sakrifica të mëdha, vazhdon në Elbasan padagogjiken. Pastaj mësues, doemos në zonën më të thellë malore të rrethit të Librazhdit, siç është Çermenika. Në Orenjë (Gurrë-Gegë) e në Zdrajsh. Tip i rregullt, i thjeshtë në veshje e në sjellje, meditues, fjalëpak. Punon me pasion. I dashur, i ngrohtë e komunikues me nxënësit e kolegët. Njihet me një mësuese, vajzë nga rrethi i Korçës, martohet e krijon një çerdhe të ngrohtë familjare. Duket sikur fati nuk po tregohet njerk me të… Kohën e lirë nuk e kalon kot. Është i apasionuar me letërsinë. Rri deri natën vonë sipër librave, me dritën e mekët të llambës së vajgurit. Njeri i talentuar. Shkruan pa rreshtur vargje. Nga ato mundi të botonte vetëm disa poezi te "Zëri i rinisë" e te "Pionieri" ("Rrethi i hënës", "Harabelat" , "Kjo rrugë", "Oxhaku" etj). Pasdite e gjen nëpër shtëpitë e fshatarëve, duke biseduar me të moshuar. Mbledh folklorin e trevës: këngë, përralla, gojëdhëna, legjenda, fjalë të urta, doke e zakone për raste gëzimi e hidhërimi, për dasma e kobe. I hedh pastër në fletore të gjitha ato e i nis herë pas here për në Tiranë. Qe një bashkëpunim i frytshëm me Institutin e Historisë e të Gjuhësisë.
Po ja që erdhën ditë më të zeza për "të deklasuarit". Në valën e hienës famëkeqe luftë klasash, më 1966 pushohet nga puna si intelektual me njollë në biografi (Si mund të edukonte me moralin komunist brezin e ri biri i një të arratisuri?!). Lë shkumësin e rrok kazmën. Punon në fermë. Më tej detyrohet të kthehet në fshatin e lindjes, Bërzeshtë. I provon të gjitha punët: herë me shatë në bujqësi, herë bari lopësh, herë punëtor ndërtimi. Po nuk e lënë të qetë.
Reth viteve 1976-`77 në kooperativën bujqësore të fshatit Sigurimi zbulon "një grup armiqësor" që kishte dëmtuar e vjedhur drithë, gëlqere, çimento etj. Me sabotuesit, arrestojnë edhe Gencin, së bashku me shokun e të afërmin e tij Vilson Blloshmi.



Genc Leka dhe Vilson Blloshmi - foto (nr 2) (skulpturë, memorial)

Edhe ky Vilsoni ishte djalë me vullnet. Mbaroi pedagogjiken, por nuk e lejuan të punonte asnjë ditë mësues. U detyrua të shkonte punëtor në minierën e hekur-nikelit të Prrenjësit. Me gjithë lodhjen e skëterrshme të nëntokës, pas turnit e gjeje përsëri mbi libra. Përvetësoi disa gjuhë të huaja. Madje u zhvillonte kursin e gjuhës frënge inxhinierëve të minierës. Krijon aty-këtu edhe vetë ndonjë gjë letrare, po më tepër përkthen. Veç citimet e barcoletat e tij cilësohen si "helm i sheqerosur", se u vrasin veshin njerëzve të piramidës moniste. Ndaj ata i gjetën ditën e i hodhën prangat.
Muaj të tërë tortura çnjerëzore. Akuza për dy kushërinjtë është e rëndë, e paimagjinueshme, e përbindshme: "Keni shpifur për realitetin tonë të mrekullueshëm, për jetën tonë socialiste, për njeriun tonë të ri: keni frymëzuar dëmtuesit e kooperativës, keni sharë kupolat, keni qenë të pakënaqur; keni shkruar poezi kundër frymës socialiste, keni komentuar Khajamin, keni lexuar "Biografinë e Muhamedit" si dhe poezi dekadente të Bodlerit me shokë, keni…". Një gjyq i gjatë (6-13 qershor 1977), model, i montuar, i turpshëm. Me dëshmitarë nga më të pafytyrshmit. Me dashje e padashje, sollën edhe mësues letërsie të shkollave të rrethit për të "komentuar" poezitë e Gencit, për të dëshmuar përmbajtjen disidente të tyre. Për të njëjtin qëllim paraqitën para gjyqit edhe reçenca nga Tirana "të shokëve" të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Dhe, së fundi, dënimi i paramenduar qysh në fillim: me vdekje! O errësirë e Mesjetës! O inkuzicion i tmerrshëm! Me vdekje, sepse guxuan të mendonin e të flitnin ndryshe nga mediokriteti i kuq! Në pushkatim dy njerëz në moshën më të bukur! Genci as 36 vjeç, Vilsoni as 28. Më 17 korrik 1977 plumbi i zi qëllon qorrazi zemrat e pafajshme, këngët e pakënduara.
…Gishtërinjtë më dridhen nga emocioni. Sytë më rrëmbushen. Gjoksi më hidhet. Në duar më rëndojnë vargjet e poetit. Nuk janë nga më të spikaturat poezi të tij, megjithatë mund të dëshmojnë për talentinm e Gencit. Dhe unë ndjej detyrimin moral që t’i bëj pronë të të gjithëve ato vargje, që munda t’i shpëtoj nga përndjekja, nga gjuetia e shtrigave. Rreh një zemër e lënduar aty, një zemër që "dridhet si një zog i vrarë". Vlon në to "si det me dallgë shpirti me ballada". Është shpirti i poetit, që në vendin e panjohur ku e kanë groposur, ende nuk po gjen prehje, por gurgullon i nxehtë, si ujrat termale nga thellësitë e nëntokës.
Sot, pas pesëmbëdhjetë vjetësh, të falem ty, Demokraci, që më dhe mundësinë ta shqiptoj me plot gojën emrin e shokut e të mikut tim të dikurshëm!

Dhe ja poezitë e Gencit:

1.

...Çdo vjeshtë vinte një varg me ciganë..
dhe këndonte plot mall e trishtim:
" Se si janë, ca gra, se si janë…
… Ah, të vrasin me fjalë, moj dade
dhe të ngjallin veç me një vështrim!. . ."

Dhe shkuan ciganët në rrugët plot fletë,
me këngë, me kuajt revanë…
dhe pas i përcillte plot duf një gërnetë,
siç ndizet veç shpirti cigan…

Ah, prap er’ e vjeshtës m’i zgjoi kujtimet
me këngën e vjetër cigane për gratë…
Në vitet e brishtë më çojnë mendimet
(si vesë mëngjesi m’u tretën gëzimet…)
dhe thinjat m`u shtuan çdo natë!…

Se si janë ca gra se si janë!
gjithnjë më mundon ky mendim….
Po pse, o ciganë, a gjetshi belanë.
me këngë me kuaj çuditni dynjanë
dhe vjeshtës këndoni me mall e trishtim
Se si janë ca gra se si janë?!…

Shtator 1970

2.

KUJTIMI YT më hodhi këtë natë
në thellësinë e brengave pa fund…
(Ah, ëndërr’ e kaltër u këput në mes!…)
Dhe nis mendimi rrugën më të gjatë,
por shteg’n e blertë nuk e gjen gjëkund,
ndaj VEZULLON çdo mbrëmje…
çdo mëngjes!…

Pranverë 1972

3.

Kjo zemër hidhet si një zog i vrarë
si det me dallgë shpirti me ballada
Më djeg kjo flak` e dashuris’ së parë
Dhe dritë hedh tani mbi tri dekada.

Pranverë 1972

4.

Qyshkur rënkon e hesht ti zemr’ e mjerë.
Qyshkur, ti shpirt plot derte s’je i qetë!
Veç . . . nw s’ju çeli edhe kjo pranverë
. . . Për jetë jini tharë. . . ah, për jetë!

Janar 1971

5.

O ëmbëlsi e viteve rinore…
o pika lot, o drithma mallëngjimi
Pse ma tronditni botën shpirtërore
me brenga, mall e zbrazëti dyshimi?...

Në cilën zemër hytë si pranverë
dhe nuk i sollët zemrës lumturi?
Por kur derdh vjeshta fletët nëpër erë
pranverë na do zemra përsëri!…

Dhe sa më shumë do shkojnë vjetët
Zëmrat s’do ndjejnë qetësi gjëkund`…
Lirika plot do lënë pas poetët…
Për mallin, helmin, gazin e pafund!

O ëmbëlsi e viteve rinore,
në cilën zemër hyre në fillim?
Si erdhe ti prej viseve qiellore
Si brengë, gaz apo si ngushëllim?. . .

Pranverë 1972

No comments:

Post a Comment