2017-03-16

JA SI KOMUNIKOJNË POLITIKANËT: NJË RENDITJE


Nga Julian Zyla

Thuajse saktësisht një vit më parë, faqet tona në rrjetet sociale u mbushën me foton e një gruaje të moshuar duke shitur qepë, pranë së cilës ishte një polic duke shkruar një fletë-gjobë.


Por, lajmit për revoltën e Facebook-ut ndaj këtij veprimi të bashkisë së Tiranës, shumë shpejt iu shtua edhe lajmi i gjestit të kryetarit Erion Veliaj: ai vendosi ta paguante gjobën personalisht.

Ky gjest ishte një mënyrë për të reaguar ndaj asaj mini-krize mediatike dhe të opinionit publik. Duke marrë parasysh mënyrën se si politikanët në Shqipëri përcjellin te njerëzit idetë dhe vizionin e tyre, mund të veçonim pesë personazhe.

Erion Veliaj është në krye të kësaj renditjeje jo vetëm për aftësinë për të reaguar. Reagimet nuk mjaftojnë. Për të pasur rezultat, politikanët duhet të jenë të disiplinuar, strategjikë, kreativë, me përmbajtje, të pëlqyeshëm. Z. Veliaj iu jep rëndësi të gjitha këtyre elementeve të imazhit te njerëzit. Z. Veliaj punon shumë dhe punon shumë që njerëzit ta dinë që ai punon shumë. Një mënyrë efektive për të komunikuar është të shprehësh që në fillim vlerat dhe vizionin tënd, duke e bërë të lehtë që njerëzit të kuptojnë çdo veprim që kryen. Erion Veliaj ka zgjedhur rrugën e gjatë. Ai pasqyron me imtësi çdo veprim që kryen, duke lënë njerëzit të arrijnë te vlerat dhe vizioni i tij: puna. Mund të kishte qenë më efektiv, por me punë ka arritur të ndërtojë një identitet.

I dyti për këtë renditje është kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Me qetësi dhe dashuri, politikani që sipas planeve të reformës zgjedhore nuk duhet të mbijetonte politikisht, ka arritur të kthehet në domosdoshmëri mbijetese për mazhorancat në të dy krahët. Në një artikull të mëparshëm kam vlerësuar tri veçori të z. Meta në komunikim: të qenit i përmbajtur, i përgatitur, i përqendruar. Por, përveç këtyre karakteristikave prej politikani i kategorisë së peshave të rënda në komunikimin e jashtëm, ka një tjetër aspekt që vlen të përmendet: LSI-ja duket një parti thuajse pa probleme të brendshme. Z. Meta ka arritur të aplikojë gjatë këtyre viteve një komunikim të brendshëm me strukturat, anëtarët dhe mbështetësit e partisë që i ka bërë ata jo thjesht ta tolerojnë apo pranojnë, por të paktën në dukje të mos shohin askënd tjetër si zëvendësues të mundshëm apo të nevojshëm. Kështu, ai mund të merret me qetësi dhe dashuri me aleatët ose me kundërshtarët e aleatëve.

Në vendin e tretë është komunikuesi i parë për nga vëllimi. Kryeministri Edi Rama ka një oratori për t’u pasur zili nga intelektualët, por edhe vullnetin për t’u ulur në teknika më të efektshme. Në ndihmë, përveç stafit, i vjen edhe karizma e stili i tij. Ajo që Kryeministri mund të shmangë janë tonet që e rendisin mes të akuzuarve për arrogancë. Ka një rregull të thjeshtë: njerëzit, qoftë ky një person, një grup apo në kuptimin më të gjerë të fjalës nuk mund të duket sikur po trajtohen pa respekt. Një gjest mjaft i papritur e i veçantë i z. Rama ishte transmetimi live në rrjetet sociale i gjithë fjalimit të kundërshtarit të tij politik, z. Lulzim Basha. Ky veprim ishte kundër intuitës së njerëzve dhe funksionoi, por përsëritja e kritikave të të tjerëve zakonisht është kundër intuitave të komunikimit politik, të cilat funksionojnë.

Komunikuesi i shesheve të demokracisë shqiptare në tranzicion, z.Sali Berisha, vazhdon t’iu imponohet renditjeve të politikanëve më efektivë dhe më të rëndësishëm. Ai meriton vendin e katërt për origjinalitetin që arrin të ruajë dhe për aftësitë për t’iu përshtatur ndryshmeve të botës digjitale dhe politike. Zoti Berisha ka intuitë të hekurt në komunikim. Por ajo që duhet të kuptojë me më shumë bindje është fakti që akuzat e përgjithshme nuk janë më aq të efektshme sa në kohën kur të thëna prej tij ishin dhe zyrtare. Sot njerëzit nuk revoltohen nisur nga deklaratat e kundërshtarit, por ndoshta nga një veprim i pasjellshëm në autobus. Listës me politikanët që përcjellin më shumë te njerëzit, sidomos pas gjetjes së protestës, nuk mund t’i mungojë kryetari i opozitës Lulzim Basha. Në vendin e pestë, mes shumë politikanëve aktivë në Shqipëri, z. Basha ka krijuar një element identifikues: protesta është e tij dhe ai ka meritën që po e mban në nivelin që është. Kaq i rëndësishëm është identiteti i mirëpërcaktuar dhe vazhdueshmëria e një strategjie, saqë momentet problematike për z. Basha kanë qenë pikërisht kur është tunduar nga veprime apo deklarata që e largojnë nga imazhi që po ndërton për veten dhe për protestën si perëndimor/e e paqësor/e. Shumëkush e ka shprehur se suksesi i z. Basha ka rëndësi për suksesin dhe domosdoshmërinë e opozitës në Shqipëri. Gjithashtu, suksesi në komunikim i të gjithë aktorëve politikë ka rëndësi për një debat publik më efektiv, ku idetë të arrijnë të përcillen sa më mirë. Kështu, njerëzit do të mund të zgjedhin me më shumë përgjegjësi dhe do të mund të kërkojnë më shumë përgjegjësi nga të zgjedhurit, si në rastin e z. Veliaj që e pagoi nga xhepi pozën e vartësit të tij pranë qepëve.

No comments:

Post a Comment