2017-03-22

Koha kur në ish-Nish Cigaren e Durrësit shtypeshin edhe libra


Të gjithë durrsakët e mbajnë mend ish-Nish Cigaren e dikurshme, e cila ne vitet e para të themelimit të saj njihej me emrin Stamles.

Stamles (Shoqëria Tregtare Anonime Monopol i Letrës dhe Shkrepëseve) u krijua pas miratimit nga qeveria shqiptare më 21 shkurt 1922 të Ligjit për Formimin dhe Vendosjen e Monopolit Shtetëror të Letrës së Cigareve, Shkrepëseve dhe Letrave të Lojës.

Ajo është cilësuar si krijesa më e shkëlqyer e kapitalit shqiptar në kushtet e krizës së rëndë të vitit 1933.

Në të janë punësuar dhe formuar profesionalisht mijra banorë të Durrësit ndër vite, ku thuhet se është dhënë një kontribut të paçmuar për emancipimin e grave dhe vajzave durrsake.

Vlen të përmendim që qyteti i Durrësit është nga të parat qytete të vendit tonë që kishte energji elektrike dhe këtë e kishte mundësuar pikërisht Stamles-i, që kishte ngritur edhe centralin e parë elektrik në Durrës. Pas formimit të shoqërisë së re Stamles në vitin 1934, shoqëria e vjetër Stamles do të ekzistonte duke i shitur energji elektrike qytetit të Durrësit.

Por e veçanta që duam të përcjellim, është se nga Stamles-i kanë dalë deri dhe libra. Një i tillë është botuar ne vitin 1932.

Ai ka qenë një roman satirik i titulluar “Mehanexhiu i Parlamentit”. Ky libër, nga sa shihet, vërehet se është shtypur në Durrës pikërisht në Stamles, në repartin e punërave grafike, aty ku duhet të bëhej edhe shtypja e paketave te duhanit. Qytetarët e Durrësit e kanë konsideruar kurdoherë shoqërinë Stamles si pjesë të krenarisë së tyre qytetare.

No comments:

Post a Comment