2017-03-16

KOMANDO ME TRAUMA DHE PËRFSHIRJA NË BOTËN E KRIMIT


Çfarë ndodh me disa ish-ushtarakë që kryejnë misione jashtë vendit dhe kthehen me probleme psikologjike. Mungesa e trajtimit pas kthimit në atdhe dhe arsyet e këtyre traumave, flet psikologia Entela Binjaku. Komandot, nga ushtarë të ISIS në vrasës dhe grabitës të dhunshëm.

Nga Sebi Alla


Nderime për ta, i mbajnë të gjithë në rresht. Të armatosur gjer në dhëmbë dhe ashtu me komandë, komandot ngjiten në bordin e avionit, për të ndaluar në vendin e konfliktit, diku në Afganistan, Irak apo Çad. Mjaftojnë ca kamera televizionesh, ndonjë fjalim i bujshëm nga drejtues të lartë të shtetit për t’i përcjellë në Rinas dhe “misioni” me kaq ngjan i kryer…

Surpriza e vërtetë, shpesh e kthyer në lajm për keq, është pas kthimit në atdhe, sepse një pjesë e ushtarakëve tanë mbërrijnë me trauma të theksuara psikologjike.


Rasti më i fundit i një krimi të kryer nga një ish-ushtarak i forcave speciale komando, është i Alban Vodës, që tre ditë më parë i preu kokën fqinjit të tij në Këlcyrë dhe para policëve u shpreh se e vrau se ai donte ta mbyste me një kokërr ulliri…

Për psikologët dhe psikiatrit, mjafton vetëm kjo dëshmi e Vodës, i cili në vitet 2009- 2012 kishte shërbyer në Irak dhe Afganistan, për të kuptuar se ai shfaq luhatje të theksuara mendore.

Por ky nuk është rasti i vetëm, pasi ish-ushtarakë të tjerë përveçse në vrasjes, janë përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale, që nga trafiku i armëve, i drogës, grabitja me dhunë, apo edhe pjesëmarrja në luftime si pjesë e organizatës terroriste ISIS.

Krahas faktit që kthehen në persona me rrezikshmëri të lartë, një pjesë e ish-forcave ushtarake fatkeqësisht janë përfshirë edhe në veprimtari me qëllime terroriste. Një pjesë e tyre kanë

luftuar në Siri dhe Irak, si pjesë e organizatës ISIS. Në letra, edhe Shqipëria është pjesë e NATO-s, por nëse do të shihet trajtimi financiar, përkujdesja pas kthimit në misione ushtarake, nuk ka vend për krahasime.

Shpesh ish-ushtarakë të forcave speciale, pasi shfaqin shenja depresioni dhe sëmundje të tjera post-traumatike largohen nga shërbimi, për të vijuar një tjetër “mision”, atë të vuajtjeve nga sëmundjet psikike.

Psikologia Entela Binjaku në një reagim për gazetën MAPO, shprehet se kërkohet vëmendje e veçantë për ushtarakët që kryejnë misione jashtë vendit, duke i trajtuar të gjitha rastet në kompleks.

“Kur një i ri apo e re bëhet pjesë e trupës ushtarake, sigurisht duhet të përmbushë edhe disa parametra të formimit fizik e psikologjik. Por me kthimin e tyre në atdhe, pakkush di se si zhvillohet jeta e tyre, sa ata gjenden të integruar në punë, familje e shoqëri, sa të shpërblyer ndihen në sakrificën e bërë, cila ka qenë përvoja e tyre në vendin ku shërbyen, a ka prej tyre që kanë përjetuar trauma në shërbimet e kryera, nëse po, si e kanë për- balluar post-traumën? A janë këta ushtarakë të vlerësuar financiarisht siç i takon një pjesëtari të

ushtrisë së një vendi të NATO-s apo ndihen inferiorë në këtë drejtim? Sa shpërblehen nga pritshmëritë e tyre apo janë të zhgënjyer në këtë drejtim?”-ngre pyetje dhe konstaton Binjaku.

Sipas saj, për të gjitha këto pyetje, opinioni ka pak ose aspak përgjigje. Në perceptimin e opinionit këta djem janë kryesisht disa prej atyre që qëndrojnë në rresht, me uniformë ndërsa iu mbahet një fjalim në përcjellje.

Më herët, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, nuk iu shmang pyetjes së ngjarjeve të tilla me protagonistë ish-ushtarakë që kanë kryer misione jashtë vendit, por theksoi se ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por po punohet me staf të specializuar që të dërgohen në misione vetëm persona që kalojnë testet psikologjike dhe fizike.

“Ngarkesa psikologjike dhe emocionale është e madhe ndaj dhe ky është një fenomen që nuk njihet vetëm këtu. Për fat të keq djali që ka kryer këtë akt kriminal dje në Këlcyrë është një djalë i larguar në 2012, i marrë në ushtri në 2009 dhe i larguar në 2012. E gjithë shoqëria duhet të jetë në shërbim dhe në funksion edhe të këtyre djemve që janë shumë të mirë kur shërbejnë dhe pastaj kthehen në një problematikë në disa raste kur kthehen nga misioni”, -tha Kodheli.

Sipas ministres, shërbimi psikologjik vazhdon sa kohë janë brenda Forcave të Armatosura, më pas janë struktura të tjera që merren me trajtimin e tyre.

“Sot është ndryshe. Garojnë 800-1000 dhe fitojnë 200-250. Kalohet një seleksionim edhe psikologjik. Këto ngjarje tregojnë se realisht ne kemi nevojë për një seleksionim më të mirë të këtyre ushtarëve sepse detyra të cilën përmbushin dhe puna me të

cilën merren nuk është e një natyre të zakonshme, është e një natyre të veçantë” -deklaroi Kodheli.

Nuk është rasti i parë dhe i vetëm ai i ngjarjes më se makabre të Këlcyrës. Më 1 janar 2013 ish-ushtaraku i forcave komando Aldo Morina, vrau taksistin Mehmet Beqiri. Pak kohë më vonë, ish-nënoficeri Ndriçim Balla, vrau me armë zjarri shtetasen Majlinda Hoxha dhe plagosi shtetasin Elton Fusha. Përveç shkrehjes së armëve, ish-komando janë implikuar edhe në grabitje të dhunshme. Një histori të tillë kaloi edhe Kujtim Çeliku, që në shtator të vitit 2011, grabiti 176 unaza floriri dhe u ndalua nga policia teksa përgatitej për t’u nisur për herë të gjashtë me mision në Irak.

Në vazhdën e arrestimeve dhe krimeve të shumta ku janë përfshirë ish-ushtarakët, janë edhe Ditjon Memlika dhe Neim Avdulaj, të arrestuar më 14 shkurt të këtij viti, si pjesë e një grupi kriminal që kishte kryer dy grabitje në afërsi të Qafë Kasharit të fugonëve që transportonin vlera monetare të bankave të nivelit të dytë.

Jo pak problematikë janë edhe disa ish-ushtarakë të forcave komando që i janë bashkuar Shtetit Islamik (ISIS) në Irak dhe Siri, si Diamant Rasha dhe Erjon Aliaj, ndërsa pjesë ishin edhe Artur Balla dhe Leonard Përlika.

Në raste të tilla, testet psikologjike janë më se të rëndësishme, po aq sa ndjekja e mëtejshme e këtyre ushtarakëve, për t’i shmangur nga radikalizmi fetar gjatë kohës kur kryejnë shërbime jashtë vendit.

“Testet psikologjike janë detyrim për këdo që bëhet pjesë e një angazhimi që kërkon përgatitje të lartë psikologjike e emocionale, veç asaj fizike dhe kritereve të formimit. Në disa raste këta pjesëtarë kanë qenë në mënyrë të përsëritur pjesë e misioneve dhe ndoshta nuk është vlerësuar ky aspekt, por i është dhënë rëndësi vetëm përvojës së fituar. Mundet që në një prej misioneve ata të kenë qenë pjesë e ngjarjeve që kanë shënjuar psikën e tyre, e cila mund të mos jetë vlerësuar në kohë, ose mund të mos jetë shprehur por që ka krijuar disekuilibër psikologjik dhe emocional. I patrajtuar ky disekuilibër apo lodhje mund të degradojë e të kryejë edhe akte të parikuperueshme” -komenton psikologia Binjaku.

Nuk është rastësi përfshirja e ish-ushtarakëve në ngjarje kriminale, pasi gjatë kohës së kryerjes së shërbimit jashtë vendit një pjesë pësojnë trauma, ndërsa të tjerë, futen në botën e krimit duke shfrytëzuar aftësitë e tyre në përdorimin e armëve.

No comments:

Post a Comment