2017-03-07

Letër mësuesit tim!

10419398_891508314203263_4428088464980274818_n

Edhe pse kanë kaluar mbi 25 vjet nga dita, në të cilën u ula në bankën e klasës së parë, kujtimi i asaj dite për mua ka mbetur i freskët.

Xhiroj së prapthi shiritin e kujtesës dhe ja tek më shfaqen përpara imazhet e asaj dite të paharruar, në të cilën ti mësues i dashur, na mirëprite me buzëqeshje, me ëmbëlsi, sikur të ishe prindi ynë, pasi ti i tillë u shndërrove, për aq vite sa ishim nxënësit e tu.

Mësuesi im! Mënyra se si na trajtoje, se si na e përcillje mësimin, bëri që të dashurohem me librat, që të mos më duken gogol, por përkundrazi, të më dukeshin si shokë, me të cilët të kaloja pjesën më të madhe të ditës, të përkujdesesha për ta, t’i mbështillja që të dukeshin bukur.

Gjithçka që shkruhej në to, mundohesha ta transferoja në hardiskun tim të trurit. Më pas aty i jepja komandën e ruajtjes pa të drejtë fshirjeje, derisa të jem gjallë.

Mësuesi im! Ti jo vetëm që më prezantove me të gjitha shkronjat e gjuhës tonë, por dhe më mësove t’i shkruaj bukur, e me to të krijoj fjalë, e fjalëve t’i jap kuptim.

 Gjithë këtë, vetëm ti e bëre o mësuesi im. Çdo mëngjes zgjohesha me gëzim, pasi do të vija e do të takohesha me ty, të më mësoje; të më këshilloje; të më qortoje; të gjitha këto ndikuan pozitivisht në ndërtimin e personalitetit tim.

Ti zgjodhe një profesion fisnik, atë të mësuesit; të edukuesit; të përçuesit të dijes; dhe atë e kreve e je duke e kryer me shumë sukses. Këtë e dëshmojnë dhe ish nxënësit e tu, një prej të cilëve jam dhe unë. Përpara se të ishe një mësues shëmbëlltyrë, ti ishe një njëri model, me virtyte të larta të moralit. Ti ishte gjeneratori dhe katalizatori që zgjove dhe u dhe jetë energjive dhe talenteve të mia. Ti ishe dhe je burim i suksesit tim në çdo fushë që kam lëvruar.

Sa herë që vinte 7-Marsi, ti nuk prisje prej nesh as dhurata dhe as buqeta lulesh, pasi ti na konsideroje buqetën tënde me lule shumëngjyrëshe, që lëshonin aroma nga më të këndshmet. Ti na ftoje në shtëpinë tënde dhe na gostisje sikur të ishim mysafirët e tu më të shtrenjtë. Ti përpara se të na hapje portat e dijes, na hape portat e zemrës tënde, dhe me bagazhin e pashterur të dijes që posedoje, vadisje, ujijse dhe pasuroje intelektin tonë të etur.

Çdo fjalë që ti thoje, më dukej e madhe; çdo lëvizje dhe punë e jotja më dukej e matur; çdo vlerësim i yti ndaj meje më inkurajonte pa masë dhe më shtynte të punoja më fort; të përpiqesha më tepër; të të kënaqja me arritjet e mia.

 Të shëndriste fytyra sa herë që vinim të përgatitur në mësim. Sa herë që përmend emrin tënd, njeriun e mirë kujtoj; sa herë që është në fokus portreti i një mësuesi shembullor, imazhi yt më paraqitet para syve. Sa herë që më pyesin se kujt ia dedikoj suksesin tim të deritanëshëm, përgjigja ime je ti, pasi një pjesë të mirë të rrugës që kam ndjekur, ma tregove ti. Gjurmët e tua tek unë, nuk ishin të përkohshme, por të përjetshme.

I dashur mësues! Sot, për fat të keq ka ndryshuar perceptimi dhe syri me të cilin shihen mësuesit nga nxënësit. Ka ndryshuar gjithashtu edhe konsiderata dhe këndvështrimi edhe për librat, si dhe për dijen në përgjithësi. Sot, librat shihen si një barrë e rëndë që u ka rënë mbi kurriz nxënësve dhe që duan të lirohen prej saj një orë e më parë. Në ditët e sotme, mësuesit nuk gëzojnë të njëjtin respekt nga ana e nxënësve të tyre. Shkollat nuk shihen më si djepi i dijes dhe arsimi nuk konsiderohet më si elementi kryesor dhe bazamenti i lartësimit të një individi, të një shoqërie dhe të një kombi.

Nga ana tjetër shohim mësues, të cilët janë zhveshur nga përgjegjësia dhe amaneti i përçimit të dijes tek brezat e rinj, tek filizat e sotëm dhe nesër ndërtuesit e së ardhmes.

 Dikur mësuesit i motivonte puna përpara rrogës, ndërsa sot ndodh e kundërta. Dikur, s’kishte prind që të mos shtynte dhe të dërgonte në shkollë, me hir ose me pahir, fëmijët e tij, ndërsa sot ka prindër që s’duan t’ia dinë për arsimimin dhe edukimin intelektual të fëmijëve të tyre.

Dikur fëmijët i gjeje nëpër shkolla, ndërsa sot do të gjesh me qindra e me mijëra nëpër rrugë duke punuar punë të ndryshme, dhe e gjithë kjo nga skamja e madhe që ka goditur familjet e tyre, apo do të gjesh edhe nga ata që merren me vese të ndryshme negative dhe të pakontrolluar nga prindërit.
Sot, për fat të keq, shkollat tona të cilat në teori dhe praktikë duhet të jenë djep i dijes dhe qytetërimit, janë shndërruar në vatra të degjenerimit, të shthurrjes dhe të degradimit.

 Dikur shkolla kishte një etikë në veshje që respektohej nga të gjithë, sidomos nga vajzat, ndërsa sot shohim nxënëset e 9-vjeçares dhe të mesmes të veshura si mos më keq, që i drejtohen institucioneve arsimore, me një veshje e cila nuk ta jep përshtypjen se janë duke shkuar për në shkollë, por për në vendet e degjenerimit dhe shthurrjes.

Sot, për fat të keq, çantat e nxënseve që janë në moshën e adoleshencës nuk janë më të mbushura me libra, por me mjetet e makiazhit dhe celularë. Sot, me qindra nxënës e nxënëse të kësaj moshe delikate, nuk shkojnë në shkollë me synimin për të nxënë dije, por për të konkuruar se kush e ka celularin më të fundit, për t’u ekspozuar se kush është veshur më trendy, se cilit djalë apo vajzë do t’i bjerë në sy. Mësimi nuk zhvillohet më si më parë.

Gjatë orëve të mësimit, më shumë shkëmbehen mesazhe nëpërmjet celularëve sesa i kushtohet vëmendje shpjegimit të mësuesve. Sot nuk i kushtohet më rëndësi kryerjes së detyrave shkollore dhe mësimit të librave pas orarit mësimor, por shikimit me orë të stërgjatura të programeve të ndryshme mediatike, apo nëpër internet kafe, duke luajtur lojëra të ndryshme, me të cilat po humbasin kohën kot dhe nuk po rriten shëndetshëm.

I dashur mësues! Ka shumë prej mësusve të sotshëm që nuk i ngjajnë dhe nuk i afrohen në parime dhe synime mësuesve të dikurshëm. Sot shumë prej tyre e shohin arsimin si biznes, si tregti fitimprurëse. Dijet që kanë nuk ua përcjellin nxënësve në shkolla, atje ku duhet, por nëpër kurset e ndryshme private, të cilat i kanë hapur, me qëllim që t’i rrjepin xhepat e shqiptarëve. Shumë prej tyre janë materializuar, vetëm paraja u hyn në sy.

Sërish erdhi 7-Marsi, dita kur vlerësohet kontributi i mësuesve, por sot ndryshe nga dikur, nxënësit ndihen të imponuar dhe të detyruar që t’i ofrojnë mësuesve të tyre dhurata shumë të kushtueshme, qofshin në sende dhe objekte materiale apo të holla kesh.

Më e keqja që ndodh sot, është se pseudomësues të pa-arsimuar, të cilët nëpërmjet diplomave fallco apo shfrytëzimit të lidhjeve miqësore dhe shoqërore, si dhe nëpërmjet dhënies së parave nën dorë, arrijnë të fitojnë vendin e punës, duke marrë kështu në qafë një brez të tërë, dhe as që i bren ndërgjegja për veprimet e tyre të pahijshme.

Sigurisht, nuk përfshij në këtë vorbull të gjithë, pasi ende ka nxënës, prindër, mësues dhe shkolla që krenohemi me to dhe me arritjet e tyre, por fenomenet negative të lartpërmendura po na dalin para syve pothuajse çdo ditë; na irritojnë dhe na bëjnë që të shpërthejmë. Edhe pse po përjetojmë një situatë të tillë, ne nuk jemi pesimistë, pasi shpresojmë që gjendja të ndryshojë për mirë. Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë veten e tyre. Kështuqë, ne nuk duhet të presim nga të tjerët që të ndryshojnë pa filluar me veten tonë. Ne nuk mund të presim ditë më të mira, nëse nuk mundohemi dhe kontribuojmë për një të ardhme më të ndritur për veten, familjen dhe fëmijët tanë.

Jo vetëm 7-Marsi, por çdo ditë e vitit dhe çdo vit i jetës, duhet të shërbejë për të ndërgjegjësuar të gjithë mësuesit për rolin e tyre që duhet ta kryejnë me pastërti dhe profesionalizëm. Të kuptojnë privilegjin dhe përgjegjësinë që kanë përsipër.

Le të mos harrojnë se në dorë kanë amanetin më të shtrenjtë, thesarin më të çmuar, dritën e syve të çdo prindi. Le t’i trajtojnë si të tillë dhe le të kujdesen për ta; le t’i pajisin me dije të dobishme si dhe me edukatë që do t’u vlejë në jetë.

I dashur mësuesi im! Falëndërimet e mia ndaj teje nuk kanë mbarim, pasi ti më dhe gjithçka kishe. Ma huazove pa kursim, pa kthim dhe më vlejti shumë në çdo drejtim. Sa ndryshe do të ishte vendi ynë sikur të kishte më shumë mësues si ty?!

Do të kishim një brez më të ditur, më të edukuar, më shpresëdhënës, etj. Lusim Zotin e gjithësisë që të sotmen e arsimit, shkollave, mësuesve, nxënësve dhe prindërve ta bëjë më të mirë sesa e djeshmja dhe të nesërmen më të mirë sesa e sotmja! Amin!

Fakti që po të shkruaj edhe pas kaq vitesh tregon sesa i rëndësishëm ke qenë dhe ke mbetur tek unë. Këtë letër timen, pranoje si dhuratë modeste dhe si shenjë mirënjohjeje. Sa të kem jetë e sa të rroj, ty kurrë s’do të të harroj, gjithmonë për mirë do të të kujtoj, o mësuesi im.

QANI  SULKU


No comments:

Post a Comment