2017-03-18

Letërsia si vlerë morale

ndini-bardhi

Nga Ndini R. Bardhi

Nëse, në botën krijuese letrare, shikojmë dhe lexojmë vepra letrare të kohëve, shekujve e gjeneratave shkrimtarësh, të niveleve cilësore, për nga vlera, do të dallojmë specifika, stile, individualitete veçori të dukshme që do të na bëjnë të mendojmë thellë për jetëgjatësinë e tyre morale. Ato kanë ardhur si ekzistencë shpirtërore, si një përmbajtje e një forme të kapshme ideore e strukturore, si një e shumë aspekte të një periudhe historike të racës njerëzore si zanafillë e jetës në tokë, e njeriut të veçantë, të zakonshëm e universal, i veshur ,e ngjyrimet psikologjike të kohës së tyre, të cilët, për letërsinë dhe shkrimtarin kanë sjellë objekte dhe subjekte jetësore e të gjalla e më pas ngjarje njerëzore.

Janë të shumta e të dukshme, si drita e diellit, vlerat morale e artistike të veprës letrare për nga veçoritë dhe refleksionet kohore të shkrimtarëve në botë dhe në të gjithë trevat shqiptare. Ato kanë ekzistuar dhe përsëri ekzistojnë në gjykimin e kohës dhe të subjektivizmit të njerëzve si lexues e individual, që do të thotë se vepra letrare dhe krijuesi shkrimtar janë në përballje të drejtpërdrejt të koherencës, ekzistencës dhe seleksionimit të përhershëm vlerash artistike dhe letrare. Koha është kriteri më i pashkëputshëm dhe më i paanshëm i seleksionimit në precipitat i vlerës dhe i shkrimtarit si autor krijues.

5 001

Historia e letërsisë vërteton se shumë e shumë shkrimtarë jo vetëm në botë por edhe në Shqipëri, që mes shumë veprave me vlerë artistike në kohën e tyre, kanë mbijetuar pak, shumë pak e aspak si të tilla. Për shkrimtarin, koha është vlerë morale, është jeta e tij e jetuar në kolektivitet, si individ dhe si krijues.

Për të është barometër veçorish të qëndrueshme dhe të përgjegjshme. Përmes një ngjarjeje rastësore, me shumë talent dhe intuitë, vendos në duart e tij një vlerë morale tipike njerëzore nga çdo njeri në shoqërinë që e rrethon, apo në ndjesitë që përjeton në shpirt e në zemrën e tij. Në jetën e tij, shkrimtari mund të nxjerr shumë vepra letrare e artistike, drama e novela, vëllime me subjekte nga jeta e gjallë, me vërtetësi e detaje, me imtësi e saktësi të përpiktë të një kërkimtari të pashoq, saqë proza apo poezia e tij duket sikur ka një lidhje morale të pashkëputshme me kohën, apo sikur diktohet moralisht prej saj, që do të thotë se për të (shkrimtari) ende ekziston shqetësimi i ekzistencës së veprës dhe emrit të tij si autor i saj dhe moralit që ka përcjell në to. Ndonëse i aftë e i karakterizuar nga një imagjinatë, një vetëdije e shqetësuar që mund të shkaktoj çfarëdolloj konvertimi me kohën, jetën dhe njerëzit, ai përsëri, në atë që ka vendosur të arrij si krijues, është energjik, ngulmues, i duruar, i palodhur, i lindur për të punuar e sakrifikuar si moralist dhe idealist. Ky lloj krijuesi, përveç karakterit të fortë që ka e që shfaq, përbën gjendjen shpirtërore më të dukshme njerëzore e më të ndjeshme të asaj, për të cilën është i aftë njeriu si njeri e në të njëjtën kohë edhe si një përmbledhje të aftësisë së tij krijuese, duke na treguar vetveten si individ të moralshëm në shoqërinë e qytetëruar dhe të civilizuar. Ai është edhe një nga personazhet e përjetshme të historisë së njerëzimit; idealist, sublim, ëndërrimtar dhe moralist. Tek ai (shkrimtari) shihet një racë dhe një epokë, emri dhe vepra e të cilit është bërë një vlerë krijuese shpirtërore e njohur nga koha dhe njerëzit. E kjo e gjithçka tregon se shkrimtari si autor i ditës ishte (është) një njeri i veçantë me talent, me shumë energji për të krijuar, i cili me sakrificë ka vizatuar artistikisht, portretin e shkrimtarit të vërtetë, të moralshëm dhe se talenti i tij tashmë është ngritur deri te gjeni letrar.

Një shkrimtar i veprës morale njerëzore është në gjendje të krijojë dhe t’u japë jetë personazheve më të mëdha, në tërësinë e figurave të tij, vendos në qendër të subjektit të veprës personazhe të moralshëm, që bëjnë histori dhe epokë. Autori i mbushur me eksperiencën njerëzore, jetësore e krijuese i paraqet ndjenjat e moralin në mënyrë të njerëzishme tek personazhet.

Që të arrij këtë dhe për t’u marrë me ta në jetën e tyre, krijuesit i duhet një njohje e thellë kritike, studiuese e kureshtare në aspektin profesional, sepse edhe mënyra e tyre e të shprehurit si personazh i shfaqur si objekt dhe subjekt për shkrimtarin, është sa i vlefshëm aq edhe kompleks. Edhe këto personazhe janë tipik, të veçantë, të cilët me aparencat fizike dhe çastet mbresëlënëse të sjelljes aktoreske bëhen mbizotërues dhe të nevojshëm për subjektin e veprës artistike të shkrimtarit. Këto janë gjetje vlerash e s’duhen lënë të fluturojnë në kotësi.

Pikërisht, përmes kësaj përvoje udhëtimesh njerëzore, tek ata gjen tipare interesante e impresionuese, që plotësojnë për shkrimtarin, kuadrin e një fenomeni të çuditshëm që ndodhin natyrshëm edhe në jetën njerëzore, kur subjekti afron njeriun si vlerë shpirtërore dhe morale. Në këtë rast subjekti e çliron vetëdijen duke improvizuar ngjarje të papritura në rrafshin shpirtëror, por edhe social të ditës dhe kohës si realitet i përjetuar.

Vepra si vetvete dhe krijuesi shkrimtar në veçanti të tyre si një kërkim i thelë i fenomeneve tipike njerëzore shfaqin një veçori kualiteti dhe koncepti dukurish, që bëhet përfaqësim i një koncepti të shëndoshë vlerash krijuese.

Këto, radhë pas radhe tashëm janë si një përmbledhje me një formë të kapshme nga të gjithë, e herë të një periudhe historike, e herë të njeriut universal e ngjarjeve njerëzore si moral i kohës, që jetohet në rrafshin shpirtëror.

Në vështrimin letrar e konceptual që u bëhet krijimeve dhe veprave letrare sot në epokën tonë moderne do të shikojmë me një qartësi të çuditshme, ndjenjat e epokave të ndryshme, instinktet dhe zakonet e njerëzve të natyrshëm, mekanizmat e jetës si funksion dhe ekzistencë, gravitetin dhe drejtpeshimin që mban shoqërinë dhe realizon revolucionin e së ardhmes morale dhe materiale.

Historia e letërsisë dhe kronologjia e jetës së saj në shekuj ka ecur nëpërmjet krijimtarisë së madhe të shkrimtarëve me moral e dinjitet të lartë njerëzor, ku bindshëm e fare mirë shihet shpirti i saj si vetë shpirti i njeriut si qenie që ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistoj, thellësia filozofike e madhështisë së letërsisë dhe krijuesit shkrimtar e artist si potencial e si emocionalitet i pakrahasueshëm në të gjitha kohërat. Natyrshëm na lindin shumë pyetje, që kërkojnë përgjigje, se kush jam , kush je ti e kush janë ata, përpara letërsisë si vlerë shpirtërore dhe fenomenale njerëzore? Le të përpiqemi të gjithë së bashku për të kuptuar se ç’ndodh me letërsinë në realitetin e sotëm.

Me gjithë zhvillimin e lartë të gjërave jetësore e njerëzore, ne jemi ende në përpjekje udhëtimi për të mbërritur te një shikim i vërtetë moral i gjërave dhe më qartë, në përgjithësi, ne qëndrojmë përballë letërsisë të pafuqishëm për ta kuptuar e vlerësuar maksimalisht atë. Kohët e tjera, ndoshta të gjitha kohët, të gjitha epokat e hershme deri në ditët e sotme, kanë pasur një ndjenjë më të thellë dhe një kuptim më shpirtëror për vlerat e letërsisë dhe moralit të saj, se sa sot.

Kjo ndjenjë morale nuk është aspak sentimentale, sepse marrëdhëniet e njeriut me letërsinë kanë qenë dhe janë shumë më të hershme dhe të përhershme, prej vetëdijes sonë të mirë, që do të thotë, se ka lindur së pari dashuria jonë ndaj letërsisë.

Synimi ynë për të kuptuar gjuhën e letërsisë, ndjenjën e gëzueshme për shumëllojshmërinë e vlerave morale të saj, nxitjen e brendshme e shpirtërore për të gjetur kuptimin e kësaj gjuhe universale po kaq të vjetër sa edhe vetë njeriu.

Ideja e një të fshehte, e një vullneti të shenjtë pas gjithë kësaj shumëllojshmërie të madhe letrare e krijuese, i ngjason një nëne të re e paslindjes së një foshnje engjëllore që shikon dritën e diellit hyjnor e përpiqet të marr udhën e jetës njerëzore edhe për krijuesin shkrimtar pas të gjitha krijesave letrare, me instinktin e tij të mrekullueshëm ecën drejt fillimit të botës e drejt të fshehtave të fillimit, si energji e letërsisë dhe arteve në gjithëkohësi njerëzore.

Me adhurimin ndaj letërsisë dhe me qëllimin e një kërkimi të zellshëm të saj e për ta pasur si diçka shpirtërore të rrallë, të gjithë përpiqemi me instinktin njerëzor tonin që ta materializojmë si ndjenjë më sipërore kumtuese. Është një mrekulli nëse i tërë njerëzimi i sotëm dashuron letërsinë dhe artin dhe e përjeton shpirtërisht atë si ndjenjë dhe emocion. Ne i adhurojmë format dhe përmbajtjen e letërsisë së vërtetë, kur shkrimtari me realizëm jep shfaqjen e cilësive të brendshme shpirtërore të subjektit, të shprehura nëpërmjet një poetike që përputhet me cilësinë e një vepre të krijuar, qoftë edhe si kohë artistike. Nëse i adhurojmë format e nxehta emocionale të subjektit tek shpirtëzimi i letërsisë, atëherë marrëdhënia jonë me të hyn në veprim si një rrjedhë kohore të përcaktuar dhe për të ekzistuar si vlerë morale njerëzore. Është rruga që shndërrohet në të sotmen apo të djeshmen si dhe në pakohësi, duke shkruar moralshëm gjuhën e saj letrar. E kjo është letërsia. Me letërsi fillon e me letërsinë mbaron gjithçka, dhe megjithatë ajo është në rrugë të pafund. Nëse ne adhurojmë një njeri, shkrimtar, artist, filozof, atëherë kemi arritur të kapim për një çast ekzistencën e tyre si vlerë morale e krijuese si vetja jonë, që do të thotë, se me anë të vlerës sonë kemi vrapuar apo jemi interesuar për një çast emocional drejt një personi të njësuar me vlerat e tij, e për më tej, jemi takuar me njëri – tjetrin e duke thënë, tungjatjeta.

Marrëdhëniet e sinqerta të brezave shkrimtar me letërsinë janë një kohë tjetër e mëvonshme që i ngre prej themeli si madhështi morale e njerëzore.

Është për njeriun, për shkrimtarin e artistin një kohë individuale, që jeton brenda kohës së moralshme kolektive, kur funksionon në mënyrë ritmike krijuese, dhe kur për të krijohet një harmoni letrare dhe i sigurohet një jetë produktive e lakmitare, sepse do ta ndjejë ngrohtësinë e kësaj jete dhe shpirtmirësinë njerëzore në këtë botë të pafundme universale. E në sytë e kësaj bote njerëzore i themi njeri-tjetrit si njeri e si shkrimtar, ja kush jam unë, ja kush je ti, ja kush janë ata.

Çdo gjë e dukshme është një shprehje, e gjithë letërsia është një tablo metaforike, është gjuhë dhe shkrim plotë ngjyra, është moral dhe humanizëm.

No comments:

Post a Comment