2017-03-15

Libri i LUAN ÇIPIT "LULISHTARËT E KOMBIT"




Një tetëdhjetë e tre vjeçar-vital

Libri i LUAN ÇIPIT "LULISHTARËT E KOMBIT"

Perparim_Hysi

Nga Përparim Hysi



Nuk është fare vështirë për mua që të flas për Luan Çipin. Kam 5-vjet që shkëmbej "tepsitë" me të (siç ndodhte rëndom me gjitonët e mirë të "asaj kohës tjetër", se,tanimë, ka vdekur kjo traditë aq e bukur) dhe kaq nuk është pak,që të më japë mua të drejtën për të folur për të. Vështirësia është kund tjetër: sa jam unë në gjendje që të shkruaj, me saktësi, për Luan Çipin si shkrimtar dhe poet. Por, në fund të fundit, unë do jap mendimin tim dhe"vulën" për këto mendime të mia, do ta japë sa lexuesi dhe, ca më shumë, autori.

* * *

Luan Çipi

Luan Çipi

Nëse e quaj Luan Çipin 83-vjeçar- vital ( më duket se ka hyrë tek 84-vjeçët), mos kujtoni se po zbukuroj. Jo.I tillë është në gjithë "grupin mikst tonin" me mbi 20-vetë, ku,sado Urtak, bubullon me fjalën që zë vend dhe, ca më tepër, kthehet në moshë rioshi, në takimet festive tonat. Luan Çipi, është për "grupin" si motorinua që ndez makinën në një festë gazmore. Poezinë e ka në buzë, këngën në grykë dhe makina, tek ia "shkelim gazin" sipas mënyrës sonë, ndizet dhe përshkon kilometra të tëra,gaz e hare. Në të gjitha rastet e gëzimit,"dollibashi" është LUANI. Po sa i zoti është për poezi e këngë, aq është dhe për penë. Luani shkruan një prozë të thjeshtë, pa lajle e lule, por të qartë e të pranueshme për lexuesin. Për të shkruar, ai ka filluar pas viteve të Demokracisë dhe shkruan dhe në prozë,dhe në poezi. Deri tani, ai ka shkruar 12 -libra, nga të cilat 4-libra janë me poezi.
Duke e filluar "vallen e të shkruarit", pasi doli në pension, Luan Çipi nuk ka bërë asgjë më shumë, se sa ajo që thotë Antoine Saint EXUPERY që thotë: " Jeta ka kuptim, kur e këmben atë me diçka tjetër". Dhe, me të vërtetë, ai e këmbeu me diçka shumë të dobishme: duke shkruar poezi e prozë dhe duke mbushur faqe të tëra librash që mbajnë autorësinë e tij.
* * *
E vërteta është që unë kam shkruar dhe herë tjetër për Luanin dhe si shkrimtar, po se po, por edhe si poet. Sot, tek marrë të shkruaj për librin e tij, të porsadalë, "LULISHTARËT E KOMBIT", jam pak si në hall: se, ç'është e vërteta ( ai e ka vënë dhe vet në dukje se ai titulli kaq "sinjifikativ" është ca i debatueshëm; pse më duket sikur e thoshte dhe për mua,sado që përdorte një përemër të pakufishëm), unë nuk ndaj të njëjtën pikëpamje me të, për ndonjë nga ata "Lulishtarë", por, sidoqoftë, s'kam se si mbyll sytë dhe të bëj sikur nuk e vë re,nismën e mirë dhe të guximshme, njëherësh, që,duke hulumtuar, më shumë nga kushdo se ne,"të debatueshmit",ka ditur të dalë nga"deti" në stere. Duke lexuar me vëmendje për cilindo prej këtyre "LULISHTARËVE", të bie në sy një fakt shumë domethënës: autori është munduar jo t'i "zbukuroj LULISHTARËT", por t'i japë ashtu si janë. Pra, ka hequr pjesën e"baltës" që ua prishi portretin e tyre fizik dhe, ca më shumë, atë moral. Kur them moral, kam parasysh që LUAN ÇIPI është munduar që të heqë "skoriet" që regjimi i së kalaurës hodhi mbi ta,en grup.

* * *
Po t'i marrësh një për një,"LULISHTARËT", janë, me pak përjashtime, të njohur për lexuesin e moshave 40-vjeç e lart. Janë njohur si të damkosur me nofkën famkeqe: tradhtarë të ATDHEUT! Kaq mjafton, që të të vëjë në ngasje dhe të shohësh me gjakftohtësi se ç'ka bërë autori. Për mendimin tim, LUAN ÇIPI ngjet me atë arkeologun që zbulon nga nëntoka një skulpturë të gropsour; i heq asaj cergën apo baltën e kohërave dhe, pasi e pastron, e vendos në një panel për ta parë shikuesit. Ja, këtë, ka bërë dhe LUAN ÇIPI, qëkur ka ndeshur me realitetin historik, përmjet shkrimeve dhe dokumenteve (ka"lundruar me anijen e tij eksploruese në detet e internetit"), na i ka vendosur para sysh dhe na thotë:- Ja, të tillë kanë qenë. Me të mirat e me të metat; me të bardhat e me të zezat. Nuk do të na imponohet dhe shpesh bën pyetje sugjestionuese. Por, gjithsesi këto pyetje sugjestionuese, e kanë jo vetëm përgjigjen brenda (flas për ata që dinë të lexojnë, domosdo), por nuk është fare vështirë për ta kuptuar: balanca e autorit anon nga një anë shumë domethënëse: "LULISHTARËT" janë grirë, janë ndjekur, janë dënuar me të pa të drejtë nga regjimi. Dy fjalë ndajnë detin: vërini në kandar ç'kanë bërë këta për Atdheun apo në ç'masë e kanë "dëmtuar" atë, dhe, pa dyshim. do t'i jepni të drejtë autorit.

Që historia jonë është parë,bardhë e zi, kjo dihet prej të gjithëve. Askush prej personazheve që kanë bërë "HISTORINË E SHQIPËRISË" si KOMB e Shtet, në optikën tonë nuk del plotëisht i pastër. Edhe sikur të fillonte historia me ISMAIL QEMALIN (unë këtë e quaj "BABAI I KOMBIT SHQIPTAR"), përsëri dhe për të është hedhur dhe stërhedhur baltë.

"Lulishttarët" e Luanit kanë peshën e tyre relevante në faqet e historisë dhe do të ishte fare e padrejtë që të liheshin ashtu në "hije" me një damkë aq të turpshme: si tradhtarë! P.SH., në gjithë historinë tonë të luftës kundër pushtuesëve italianë, është ngritur në apogje MUJO ULQINAKU (ka qenë kapter) dhe fare,deri vonë, nuk përmendej ABAZ KUPI (me gradë major asi kohe), vetëm e vetëm, se ky,ABAZ KUPI, iu kundërvu komunistëve. Dhe LUAN ÇIPI, që djeg vajguri me "hallet e botës". skrupuloz siç është në misonin e tij, tak dhe"sikur e zë prej veshi ENVER HOXHËN d.v" dhe me fjalët e dala nga goja e tij, portretizon një nga "LULISHTARËT" e KOMBIT. Pa fare emfazë, por kjo"pranëvënie e fjalëve të Enver Hoxhës, për BAZIN e Canes, më çon në vitet e diktaturës, ku në gazetën "Zëri i popullit", kishte një rubrikë shumë sijifikative" Pohojnë me gojën e tyre". Tek e citoj këtë fakt kaq domethënës, për ABAZ KUPIN allias Bazi i Canes, jo pa domethënie, është dhe ajo kënga për komunistin Qemal Stafa:"...ngreu Qemal, të keqen/të pret BAZI i Canes/. Kaq, po nuk është pak: si një fshat që duket që nuk do kallaus.

Dhe mos më thoni se të gjithë e dinit këtë varg që është aq domethënës. E tha dhe e shkroi Luani. Po kështu mund. të citoja për dy"Qazimët": KOKOSHI E KOCULI! Për dy"ABAZËT": Abaz Kupi e dhe ABAZ ERMËNJI. Për Muharrem Bajraktarin dhe, për më pak të njohurin (ndoshta jo vetën nga unë),Sami Koka; për Skënder Muçon; për SAFET BUTKËN apo dhe për ndonjë tjetër. E vetme keqardhje ime për autorin, është se, tek ka shkruar për një figurë si BAJO TOPULLI, do doja që të qe "thelluar" më tepër, se, për çudi, dhe sot e kësaj dite ka mbetur në hije.

Sido që ka shkruar dhe për këdo që ka shkruar, në fund të fundit, LUAN ÇIPI, ka etikën e një shkrimtari të ndershëm se, kur është puna për fakte historike, ai tregon burimin se ku është mbështetur.

* * *
Libri i Luanit nuk mbaron me kaq. Ai, duke u nisur nga qëllimi i mirë, për të përfshirë në libër edhe ngjarje të jetuara (gati të freskëta, të ndodhura vetëm në vitin 2016), e ka pajisur lbrin me recenca a përshtyje për libra kolegësh apo dhe me ndodhi që kanë lënë gjurmë me vlerë. Të tilla janë recencat për libra të Petraq JANKO PALIT; për shkrimtarin gazetarin e Poetin Duro Mustafai; për historianin,Qatip Mara; përshtypjet me dy poete të Diasporës,KOZETA ZYLO E RAJMONDA MOISIU; me poetin kosovar AGIM VINCA. Për studiuesin skurpoloz GËZIM LLOJDIA.Për 85-vjetorin e Kolonel,FATOSH VOSHTINËN. Prekës bëhet sidomos me shkrimin për DRITËROIN që merr shkas nga libri"Prit dhe pak". Ky libër, dhuruar nga DRITËROI përmjet dorës së DURO MUSTAFAIT, e ka bërë LUANIN që jo vetëm të vendosë një poezi shkruar,enkas, për të , por dhe përshtypjet e tij për librin e fundit të POETIT, tanimë, të ndarë nga jeta, por vetëm fizikisht.

* * *
Nuk mund ta mbyll këtë shkrim timin, pa veçuar diçka thelbësore për LUAN ÇIPIN si Njeri. Dy shkrimet e fundit që mbyllin librin,janë paksa të veçantë. Njëri për një shokun tonë të aksidentuar (për fat të mirë, tanimë ai është kthyer në grupin tonë prej 20-vetash). Është fjala për ekonomistin në pension MINELLA MOSKO. Duke bërë portretin fizik e moral të MINELLA MOSKOS, Luan ÇIPI, bën një akt sa human aq dhe të ngrohtë shoqëror. Ky shkrim për MINELLËN është "ILAÇI" që nuk gjendet në asnjë spiceri, veç tek zëmra e madhe e LUAN ÇIPIT.

* * *
Mbyllja është sa e dhimbshme aq dhe prekëse. Nga radhët e grupit mikst, u këput NJERIU më gazmor i grupit: DOKTOR SADEDIN GJOKA! Ai, dentisti, që punonte, pothuaj, falas. Ai dentisti aq bujar dhe aq njerëzor. Ai që si këngën dhe gazin e kishte në gojë. Në gojë dhe në zëmër. Dhe ato fjalë që LUAN ÇIPI i ka thënë për të mirin dhe të papërsërtishmin, Dr.SADEDIN GJOKËN, sikur janë thënë nga të gjithë ne, që, sado pak, lamtumirën e bëjmë pak më shumë të dhimbshme.

Dhe, në fund, tek i jap fund shkrimit tim për vitalitetin e 83-vjeçarit LUAN ÇIPI, mendoj se i rrinë për shtatë ato fjalët që ka thënë dikur një nga firstledët amerikane, ELEONORA ROOSWELT, që ka thënë:" Kur kam filluar të mos jap kontribut, kam filluar të vdes". Tani gjykoni vet, duke parë kontributin e LUAN ÇIPIT dhe thomëni është vital a jo? Mos duhet bërë zhvendosja e numrave? Pa dyshim. Epo jetë të gjatë e pena- plug, or mik!

Tiranë, 15 mars 2017

No comments:

Post a Comment