2017-03-01

Marin Barleti ishte historian në kuptimin e plotë të fjalës, dhe madje njëri ndër themeluesit e historiografisë shqiptare.




Prof.Dr. Jahja Drançolli



Ne nji diskutim rreth Historise se Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe te kontributit te Marin Barletit per kete histori, Prof. Dr. Jahja Drançolli sqaron si ma poshte vijon:

Jam duke parë se një mik yni qenka përgjigjur lidhur më çështjën e bashkëkohësisë së Barlecit me Skënderbeun. Megjithatë, për hirë të respektit ndaj shkollimit Tuaj në Oxford dhe Cambridge do t’ju ofroj edhe disa njoftime shtesë. Dihet se, Marin Barleci (Barletius=Barleci, sipas dokumenteve origjinale të kohës), së bashkë me bashkëqytetarët e tij M. Biçikemin, L. N. Tomeun, M. Segonin e ndonjë tjetër, konsiderohen si historianë dhe shkrimtarë të parë arbër të epokës së Humanizmit dhe të Rilindjes dhe në këtë kontekst edhe të epkokës së Skënderbeut.

Sipas rezultateve të njohura shkencore, dihet se Barleci lindi në Shkodër rreth vitit 1450. Vdiq ndërkaq në vitin 1512 ose 1513 në Padova. Për disa hollësi të jetës së tij njihemi nga veprat e tij.


Siç na thotë vetë në veprën Rrethimi i Shkodrës, Barleci ishte prift katolik nga Shkodra. Më 1474, në rrethimin e parë të Shkodrës nga osmanët, ai ndodhej në qytet si deshmitarë i ngjarjeve. Ndërkaq, në rrethimin e dytë të Shkodrës (por edhe të Krujës), më 1478/79, mori pjesë në luftimet kundër osmanëve. Pas mbrojtjes heroike, me dorëzimin e qytetit t e qytetit të Shkodrës në pranverë të vitit 1479, Barleci, bashkë me qytetarët e tjerë (450 burra dhe 150 gra?), sa kishin mbetur në Shkodër, kaloi në Itali dhe gjeti strehim në Venedik. Atje (sipas njoftimeve të reja), bëri emër në Universitetin e Padovës, si dhe në Venedik (Shkolla Arbërore- Scuola degli Albanesi). Atje, respektivisht në Veneto (ku përfshiheshin Padava, Verona, Treviso, Vicenza, etj.), kishte shfrytëzuar dokumente arkivore zyrtare, të cilat i kishte komplemetuar me dëshmitë e veta të sjellura nga Arbëria në Itali në moshën madhore.

Këtej, ai u bë i njohur me historinë e tij kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të shkruar në fillimet e viteve 90-ta të shek. XV (pra nga një distancë shumë të shkurtër kronologjike pas vdekjës së Skënderbeut).

Me fjalë të tjera Barleci nuk mund të konsiderohet as si kronikan por as si hagiograf i Heroit. Ai ishte historian në kuptimin e plotë të fjalës, dhe madje njëri ndër themeluesit e historiografisë shqiptare. Të këtillë e konsideron edhe historiografia italiane dhe më gjërësisht!

Sa i përket pyetjës së dytë: bazu ne hulumtimet e jueja, a asht e vertete se shumica e korrespondences se Skenderbeut asht ba ne sllavishten e asaj kohe, po ma merr mendja pararendsen e serbishtes se sotme?
Marinus Barletius
Është e vërtet se zyra diplomatike e Skënderbeut ka mbajtur korrespndenca aktive bilaterale me shtete të ndryshme të rajonit dhe të Europës. Duke zotëruar zyre të njohur të kohës, Skënderbeu ka ruajtur marrëdhënie bilaterale edhe me shtete sllave, siç ishte shteti i Rashës (Serbia e sotme), Bosnjës, Zetës (Mali i Zi i sotëm), por edhe ndonjë herë edhe me Republikën e Raguzës (dhe qytete të tjera romano-delmato- kroate), Bullgarinë, etj. Megjithatë, shumë më e njohur dhe më e dendur me korrespondeca është ajo latine-italiane, si, me Republikën e Venedikut, Raguzën, Papatin, Napolin, Milanon, Sienën, Mantovën, etj.

Është njohur edhe zyra osmane (ose arabica-sipas alfabetit), si dhe ajo bizantine, zyra këto dilpomatike të instaluara anë e kënd qendrave të njohura arbërore, përfshirë edhe disa qendra të Kosovës!


******

A ISHTE KURORËZUAR GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU PËR MBRET?



Në kërkim të burimeve që provojnë ekzistimin e shtetit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, burimet e kohës, që dalin nga provenienca të ndryshme ofrojnë njoftime të shumta edhe për titullin apo ofiqin shtetëror të Fatosit tonë. Lidhur me këtë çështje duhet thënë se për shkaqe të politikës së ditës zyrat e kohës, Skënderbeun dhe luftërat e udhëhequra nga ai, në fillim i shikonin si lëvizje spontane dhe të paorganizuara. Si të tilla, gjatë viteve 1443-1448 Republika e Venedikut, luftërat e popullit tonë kundër osmanëve në krye me Skënderbeun përpiqet t’i kanalizonte për ruajtjen e interesave të veta. Këtej, edhe dokumentet që dalin nga zyrat e Venedikut dhe nga zyrat e vendeve të tjera të ndikuara nga kjo Republikë, nuk e shohin Skënderbeun në cilësi të një sunduesi të mirëfilltë të Arbërisë, por vetëm si një sundues të thjeshtë apo ”Zot të Krujës”.

Historiografia jonë që në fillimet e veta iu përkushtua edhe çështjes së pozitës politike që zinte Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në shtetin e formuar nën udhëheqjen e tij. Që këtej, biografët e moçëm të heroit tonë kombëtar si, humanistët: Marin Barleci, Dhimitër Frëngu dhe Frang Bardhi, e quajtën Skënderbeun “Princ të epirotëve” (Epirotarum Princeps”- Barleci), “Princ i Epirit” (“Principe di Epyrro”-Frëngu), në kuptimin “Princ të arbërve” ose “Princ të Arbërisë”.

Sipas dokumenteve zyrtare, titullin e një shtetari të gjithë Arbërisë (edhe pse shteti i Skënderbeut gjatë gjithë ekzistimit nuk arriti t’i përfshinte të gjitha trojet arbërore), ia ndau së pari Zyra e Republikës së Raguzës, e cila më 17.V.1447 e quante “domino Giorgio Castriotis de Albania” (Gjergj Kastrioti Zot i Arbërisë). Në vitin pasues, kur Fatosi ynë kishte fituar zulm në Evropë, zyra e Republikës së Venedikut, më 4.X.1448 e njohu edhe de facto për kryetar të krerëve arbërorë “I madhi Skënderbe...” (“Magnifico Scanderbego ...”).

Po në këtë kohë nga zyra e Raguzës del një dokument më domethënës për titullin e Fatosit tonë: “Zoti ynë Skënderbeu, Zot i Arbërve” ( më 20.X.1448 - “Domino nostro Scanderbech, dominus Albanensis”). Po në këtë ditë, një vit më pas, me rritjen e pushtetit të vet feudal, zyra e Venedikut e quan “Zoti Skënderbe”. Ndërkaq, zyra e shtetit të Milanos e quan: “Zot i Arbërisë”. Me këtë ofiq, zyra e Milanos e shënonte gjatë gjithë jetës së tij. Madje, sipas një dokumenti që mban datën 6.VI.1461 të po kësaj zyre, Fatosi përveç ofiqit “Zot i Arbërisë” u cilësua edhe “Kapiten gjeneral i Mbretërisë së Madhe për pjesë të Greqisë”. Miku i Skënderbeut, mbreti aragonez Alfonsi V, me rastin e marrëveshjes në Gajetë, më 26.III.1451, e quan “Zot të Krujës dhe të pjesëve të tjera të Arbërisë”. Ky ofiq i Skënderbeut qarkullonte edhe në zyrat e papatit, duke filluar nga 13.IV.1451, kur në krye të Selisë Papnore ishte papa Nikolla V. Duhet thënë se të gjitha dokumentet që dalin nga kancelaritë e Vatikanit nga koha e papëve Nikolla V, Kaliksti III, Piu II, Fatosin tonë e njohin për “Zot të Arbërisë” (Giorgio Castriota Scanderbeg Albanie domino”). Ofiqi zyrtar “Zot i Arbërisë” (“Dominus Albaniae”), i paraqitur dendur gati në të gjitha dokumente zyrtare të kohës pas ngadhnjimit në Krujë (në vjeshtën e vitit 1450), dëshmon për ngritjen e shtetit të Skënderbeut prej një zotëruesi të Matit dhe Dibrës në zotërues të një shteti me emër Arbëri (“Albania”).

Titullin zyrtar të Skënderbeut “Zot i Arbësisë”, përkatësisht “D(OMINUS) AL(BANIAE) e ndeshim edhe në vulën e madhe të Fatosit tonë. Inicialët e paraqitura në vulë provojnë se sigillumi në fjalë është përdorur pas vitit 1451, kur Skënderbeu tashmë ishte shpallur për udhëheqës të Shtetit të Arbërit, dhe si të tillë më pastaj nuk e ndeshim të mbante tiullin “Zot i Krujës”.

Edhe pse na mungon ndonjë njoftim i drejtëpërdrejtë që kishte dalë nga zyra papnore e papës Pio II lidhur me kurorëzimin e Skënderbeut nga Selia e Shenjtë, kjo tregon në njëfarë mënyre shpresat që ushqente populli i Shqipërisë ndaj Piut II dhe heroit tonë kombëtar. Më të qartë dhe më të guximshëm në këtë aspekt janë zyrat e shtetit të Mantovës. Këtej, në një dokument të këtij shteti, që mban datën 11.VIII.1459, e quan Gjergj Kastriotin-Skënderbeun “Princ të Krujës dhe të pjesëve të tjera të Arbërisë” (“... Georgii Scanderbech, principis Croye et aliarum partium Albanie”).

Afërsia territoriale dhe marrëdhëniet e mira shekullore midis Republikës së Raguzës dhe Arbërisë bëri që personaliteti historik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pozita politike dhe lufta heroike e popullit arbëror nën udhëheqjen e tij të zënë vend të rëdësishëm në veprat e kronistëve dhe të historianëve të moçëm të Raguzës. Në këtë aspekt janë me interes edhe njoftimet për titullin apo ofiqin e Fatosit tonë. Këtej, sipas Anonimit të Raguzës (shek.XV), më 29 maj 1453 “Skënderbeu lëshon atdheun e vet, Arbërinë...” (Schenderbeg dallo suo paese de Arbania”), njoftim ky që provon titullin e shtetarit, si dhe shtetin e Skënderbeut. Të tilla njoftime gjejmë edhe të historiani tjetër i moçëm i Raguzës Nicolai de Ragnina i cili në një vend të kronikës së tij shprehet:”Në Arbëri i doli prapa shpinës Skënderbeut, Zot i këtij vendi.” Është fjala për vitin 1453. ndërkaq, Serafin Razzi, e quan madje “Dukë të Arbërisë”(“Duca dell’ Albania...”). Po ky autor, në një pasazh tjetër, e quan Skënderbeun “Princ të Arbërisë” Me ofiqin princ, Skënderbeun e ndeshim edhe në “Kronikën e Raguzës” të autorit Giugno Resti. Nërkaq, sipas një njoftimi që del nga viti 1447: “Skënderbeu i Epirit, ky princ arbëror ...”. S’ka dyshim se, nga këto njoftime Fatosi ynë, që në vitin 1447, u bë i njohur në Raguzë me ofiq të një shtetari të mirëfilltë, si “Zot i Arbërisë” apo “Princ i Arbërisë”.
Burimet bizantine, edhe pse ofrojnë njohuri interesante për epokën e Skënderbeut, ato për shkak të politikës ditore ndaj shtetit mesjetar të Arbërit nuk ndalen në ofiqin apo titullin politik të heroit tonë kombëtar. Përjashtim në këtë aspekt bën kronisti Gjergj Sfranca, i cili duke bërë fjalë për fushatën e Mehmetit II në Arbëri, tërthorazi njofton edhe për titullin dhe shtetin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut: “Sulltani (Mehmeti II- J.D.) udhëheqësi i të pabesëve, erdhi kundër Arbërisë dhe pasi e ndoqi sundimtarin e tij Skënderin...”

Ndryshe nga bizantinët, burimet osmane, në këtë aspekt janë shumë më përmbajtësore dhe domethënëse. Kështu, Kemal Pashazade (1468-1534) Skënderbeun e quan “Sundimtar të arbërve” ose “Mbret arbërve”. Gati njësoj rreth titullit politik të Skënderbeut shprehet edhe kronisti turk Hoxha Saddedin (1536-1599), i cili Fatosin tonë e quan “Iskënderi, sundmtar i arbërve”, si dhe Mynexhimbashi (1631-1702) e quan “Sundimtar i vendeve të arbërve” ose “Sundimtar i Arbërisë”. Njoftime të përafërta ndeshim edhe te kronistët e tjerë turq, si te Idris Bitlisi (?-1520), Kronikat Osmane anonime, Aliu (1541-1600), Mehmet Neshriu (fundi i shek. XV-1520), etj.

Ne kontekst me kryqëzatën kundër turqve, ku Papa Piu II e emëroi Skënderbeun kryekomandant të Selisë së Shenjtë, humanisti ynë M. Barleci mes tjerash shkruante edhe për ofiqin shtetëror të Skënderbeut:”(Papa Piu II) do të pranonte së pari dhe do të ngrente në gradën e nderuar të kardinalit Pal Engjëllit, argjipeshkvin e Durrësit; pastaj do të shpallte mbret të epirotëve dhe të arbërve Skënderbenë...”. Ky pohim i Barlecit konfirmohet nga një njoftim zyrtar që mban datën 8.XI.1462. Dokumenti është një riprodhim i bullës së Papës Piu II dhe titullohet “Konstitucione të Pal Engjëlit, argjipeshkv i Durrësit, publikuar në kishën e Trinisë së Shenjtë të Matit, e hënë, më 8 nëntor 1462”. Në pjesën pas arengës (hyrjes) thuhet: “Dekreti i përgjithshëm i Papa Piu II, lëshuar me kërkesën e shumë të përndritshmit dhe shumë të shkëlqyerit kardinalit të Kishës së shejtë Romake, argjipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit, si kundër sektit muhamedan, ashtu edhe në favor të të pathyeshmit Mbretit Arbërisë, zotit Skënderbe...” (“...regis Albanise domini Scanderbegi...”). Njoftim tjetër për kurërëzimin e Skënderbeut për mbret e lexojmë edhe të Frëngu, i cili duke folur për kryqëzatën kundër turqëve, të cilën e përgadiste Papa Piu II, më 1464, shkruante se:”...Mbreti i Epirit dhe i tërë provincës së Arbërisë” (“Re de Epyrro e di tutta provincia d’Albania”).


Burimet letrare-historike

Letërsia me karakter thjesht historik, siç dihet përfshin studime e traktate të përgjithshme historike ku shtjellohet, analizohet e vlerësohet jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Krijuesit letrarë të kohës së humanizmit, sidomos krijuesit italianë, francezë, anglezë, gjermanë, etj., duke shkuar pas gjurmëve të humanistëve arbëror, Skënderbeun e kanë cilësuar me titull zyrtar princ apo mbret. Titullin princ, nga historianët e huaj së pari e vuri në qarkullim P. Gjovio(1551). Ndërkaq kurorën mbret Fatosit tonë, ia vuri për herë të parë mbretëresha Elizabeta me dorën e saj në “Lutësoren” e saj (Prayer Book, 1559). Ndërkaq, 129 vjet pas vdekjes së heroit tonë, letrari dhe historiani i shquar freng Zhak dë Lavardin, botoi më 1579 veprën “Historia e Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë”. Ajo që tërheqë vëmendjen më tepër këtu është se Lavardini ishte i pari shkrimtar botëror i cili, duke iu drejtuar fisnikërisë frënge, i dha Skënderbeut titullin mbret, në kuptim burrështeti. Në këtë aspekt, Lavardini i drejtohet me këto fjalë fisnikërisë frënge: “Kjo është jeta e Gjergj Kastriotit, Mbret i Arbërve, emri i pavdekshëm i të cilit meriton padyshim të përmendet në tempullin e kujtimit”.

Në anë tjetër rilindasit tanë përgjithësisht Skënderbeun e konsideronin për “mbret”. Këtej, Naim Frashëri në poemën e tij kushtuar Fatosit (më 1899), parapelqente të quante “mbret” të Arbërisë. Kështu e quante edhe Noli në veprën e parë kushtuar Skënderbeut (më 1921).

Me titullin zyrtar princ apo mbret në cilësi burrështetasi, kryeprotogonistin tonë e ndeshim edhe në një operë të Antonio Vivaldit, si dhe një varg vepra të tjera muzikore e teatrore të shek. XVIII-XIX.
Nga gjithë ajo që u tha më sipër duhet të konstatohet se, titulli shtetëror “mbret” (monark), të cilin e ndeshim te shumë letrarë dhe historianë që shkruan në gjuhë të ndryshme për jetën dhe bëmat Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (pas vdekjës së Fatosit tonë), më tepër do të duhej të konsiderohet për një atribut që doli nga simpatia dhe zulma për këtë burr të madh të shek. XV. Mirëpo, edhe pse nuk ishte mbret i kurërëzuar por një “zot”, përkatësisht “princ”, prapëseprapë kryetrimi ynë ushtronte të gjitha funksionet e një monarku mesjetar, shteti tij ndërkaq kishte tipare të një monarkie feudale të përqendruar.

No comments:

Post a Comment