2017-03-14

Me Edith Durhamin « Në Tokën e Shqiponjave »

 Nga PIRO P. TASE


Të ndërtosh historinë e një kombi mbi bazën e shënimeve të udhëtarëve të huaj që kanë vizituar atë vend, nëpër rrjedhën e shekujve, është një gjë shumë interesante. Këtë mision ka ndërmarrë edhe autori i studimit të fundit mbi këtë fushë, Piro Tase, në edicionin « Të Huajt për Shqipërinë dhe Shqiptarët » botuar nga Shtëpia botuese amerikane « Outskirts Press » dhe vënë në qarkullim ‘on line’ nga sitet e fuqishme ‘AMAZON‘ dhe ’BARNES & NOBLE’


Të huajt që kanë ‘shkelur’ këtë vend, vijnë nga thellësitë e shekujve për të zbuluar ‘themelet’ e lindjes së një kombi të lashtë dhe për të ndihmuar në shkrimin e kësaj historie.
Midis tyre gjen: misionerë apo diplomatë të huaj të të gjitha kohërave, politikanë dhe personalitete të shquar, si: Koloneli Lik, Pukevili i famshëm, Aubrey Herbert, Benjamin Dizrael, Lorenzoni e deri tek Perez De Kuelar. Poetë dhe artistë të mëdhenj, si: Bajroni, Eduard Liri, Edit Durhami, etj. Vizitorë të shumtë, qofshin këta, studiues, arkitektë, arkeologë, shkencëtarë, biologë, apo, edhe turistë si: Evlia Çelebi, Kurzoni, Patch, Burileanu, Rikakes, Popp, Baldaçi e së fundi, Filip Winn dhe turisti amerikan, W. Schroeder. E mbyll këtë edicion të dytë, albanologu i shquar, Robert Elsie.
Studimi me temë “Të Huajt për Shqipërinë dhe Shqiptarët” i ngjet një ‘mozaiku’ të bukur, ndërtuar me copëza nga kronikat apo shënimet e të huajve që kanë shkruar në shekuj për këtë vend dhe për këtë popull, një mozaik që shkelqen nën dritën e këtij fillim shekulli të vështirë për shqiptarët kudo në botë, e që hedh dritë mbi portretin e vërtetë të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve.
Autori nuk ka bërë gjë tjetër vetem se i ka sistemuar dhe i ka vendosur në kohën e caktuar për të ndërtuar historinë e një kombi ashtu siç e kanë përjetuar këta udhëtarë në kronikat e tyre.
Autori, jo pa qellim i ka “grumbulluar” këta konikanë, si për të bërë një “simpozium” për Historinë e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, në qytetin e lashtë, më shumë se 2400-vjeçar të Beratit.
Ata vijnë nga Roma…dhe përmes detit Adriatik, valët e egërsuara i hedhin në brigjet Alesios, Durrachiumit apo të Apollonise dhe Vlorës, në brigjet e Prevezës apo të Himarës.
Ata vijnë nga Kosova dhe Mali i Zi, nga Turqia, Maqedonia dhe Greqia… e duke ecur më këmbë apo me kalë, e duke pushuar “han më han”, ndalojnë në qytetin e “pa-arritshëm të Beratit” për të hedhur në telajo, peizazhet më të bukura e për të shkruar në letër shënimet e udhëtimeve të tyre. Autori, jo pa qëllim ka zgjedhur Beratin, këtë “…qytet të skalitur si kurorë mbi majën e një mali, të ngjashëm me fronin e një arqipeshkvi“, për të ekspozuar sa më mirë këtë Mozaik të mrekullueshëm të kësaj historie “të pafund” të shkruar nga “Të Huajt.”
Autori vetem sa i bën ata që të flasin shqip dhe për t’u dëgjuar nga ai popull mes të cilëve “ata kaluan vitet më të bukura të rinisë së tyre dhe me të cilët i lidhi një miqësi e pandashme”
I gjithë ky studim, në tërësinë e vet, është me të vërtetë një “pazëll”, një përpjekje për të zbuluar një enigmë, pra, të arrish të ndërtosh historinë e një populli të lashtë nën këndvështrimin e të huajve që kanë vizituar këtë vend. Është një ‘pamje’ tepër e vështirë për t’u montuar. Është më shumë se sa bashkimi i copëzave të qeramikës të nxjerra nga nëntoka, për të ndërtuar një figurë dhe për të zbuluar një fakt. “Copëzat”, që do të shërbenin për të plotësuar këtë pazëll, dhe për të arritur, më në fund, një “figurë”, do të duhet t’i gjesh duke kërkuar arkivat në thellësi të shekujve, duke studiuar kronikat, shënimet, apo shkrimet e hedhura në letër, të kronikanëve dhe studiuesve apo udhëtarëve të huaj që kanë ardhur nga të gjitha anët e botës, e kanë shkelur këtë vend dhe kanë jetuar në këto treva, në të gjitha kohërat, e duke i bërë të flasin në gjuhën tënde. Ndaj dhe përfytyrimi final i këtij pazëlli, që mban diçiturën “Të huajt për Shqipërinë dhe Shqiptarët” mbetet përherë i paplotësuar dhe enigmatik në pritje për të gjetur jo vetëm ‘copëzat’ e humbura apo të fshehura nga vitet por edhe të atyre ‘copëzave’ që e ardhmja do të lindë.
Kalojnë vite dhe shekuj… dhe vjen një çast kur këta ‘emra’, gati të panjohur për “shqiptarin” të cilët kane ‘shkelur’ në tokën shqiptare si Konsuj Romakë apo Gjeneralë të Mëdhenj, Lordë apo Parlamentarë, ambasadorë, diplomatë apo misionerë shtetesh të mëdhenj, e kanë portretizuar këtë popull si poetë dhe piktorë të rrallë, apo kanë jetuar mes tyre si arkeologë, biologë, e pse jo, edhe si historianë e albanologë…deri edhe në udhëtarë të thjeshtë, e që lanë shënime te cilat brezat që do të vinin, do t’i botonin dhe do t’i bënin ata të shquar, kanë mbetur si një vegim i largët edhe për vetë studiuesin apo historianin e mirefilltë! Vjen një kohë dhe e gjithë kjo “minierë informacioni” humbet apo transformohet sipas interesave kombetare apo pasioneve nacionaliste e duke e shtrëmbëruar të vërtetën historike…
…Dhe do të duhet t’i rikthehesh përsëri këtyre ‘burimeve’ për të parë të vërtetën ashtu siç është e për të nxjerrë konkluzionet e duhura e të paanshme.
Lexon Historinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, por, edhe në ato raste kur ruhet e vërteta, është e veshtirë të gjesh citime të këtyre udhëtarëve të huaj të cilët më bukur se kushdo përshkruajnë natyrën e këtij vendi dhe madhështinë trupore e shpirtërore të shqiptarit. Këtë gjë e ve re në tekstet mësimore të historisë nëpër shkolla po ashtu edhe në ato të niveleve akademike. Gati harrohet se nga është marrë një fakt apo një thënie. Informacioni vilet, përpunohet, përvetësohet dhe, për fat të keq, edhe transformohet sipas interesave.
Marr shkas nga biseda me një historian të shquar, profesor në një universitet me emër të Çikagos, i cili pasi lexoi librin në fjalë, thote: “When I first read Piro Tase’s ‘“Të Huajt për Shqipërinë dhe Shqiptarët” I could not help but recall my odyssey into the field of Albanian studies.”
Kjo ‘Odise” nëpër faqet e shënimeve që kanë hedhur në letër të huajt, të cilët për herë të parë kanë udhetuar apo jetuar në këto treva, duhet të mbahet gjithnjë e gjallë dhe e freskët. Kjo do të ishte ndihma më e madhe që mund t’i jepej një kombi për të shkruar historinë e vet the të vërtetë.
Paragrafi që mbyll shënimet e Johann Thunmann “Mbi Historinë dhe Gjuhën e shqiptarëve dhe të vllehëve” [Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der Wlachen] , botuar në Leipzig, më 1774 dhe e përkthyer në gjuhën angleze nga Dr.Robert Elsie, Eshte shume domethenes:
“… Qëllimi im nuk ishte që të shkruaja një histori të gjatë dhe të plotë. Përpjekjet e mia kanë qënë vetëm për të hedhur dritë mbi prejardhjen e shqiptarëve ashtu sikurse shfaqet tek një numër i madh faktesh dhe dokumentash të renditura në mënyrë kronologjike të cilat çjerrin errësirën, zhdukin konfuzionin dhe hedhin poshtë ato spekullime të paskrupullta mbi këtë popull, duke u përpjekur që ta bëj të njohur këtë vënd përgjatë gjithë historisë së tij si një komb i cili është ndër banorët më të vjetër të Evropës dhe që kanë ditur të mbijetojnë, me gjithë fluksin e grekëve, romakëve, gotëve, sllavëve, frengëve, italianëvet dhe turqve…”
Efekti i këtij paragrafi të shkruar nga një historian i huaj që në shekullin XVII do të ishte shumë herë më i besueshëm dhe mbresëlënës se sa një kapitull i tërë i ndonjë teksti universitar për këtë temë në historinë e kombit shqiptar.
Edhe pse kishin kaluar më shumë se tre shekuj nën pushtimin turk, shqiptarët, qofshin ata myslimanë apo të krishterë, e ruanin ende krenarinë e të qënit shqiptar. John Cam Hobhaus , i cili vizitoi Shqipërinë së bashku me Lord Bajronin në fillim të shekullit XIX, shkruan:
“Nuk ka dyshim se kristianët që mund të quhen shqiptarë nuk ndryshojnë fare nga myslimanët. Ata janë të armatosur dhe, shumë prej tyre janë në shërbim të Ali Pashës, njëlloj si gjithë ushtarët e tjerë.
Tek shqiptarët vihet re një ndjenjë e tillë atdhedashurie, sa që kur e pyet: “Çfarë je?” të përgjigjet menjëherë : “Jam shqipta!”
Nje shprehje, kjo, që të kujton vargjet e Vaso Pashes “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, por që kanë një efekt më të fuqishëm pasi del nga goja e një të huaji dhe e një periudhe shumë më të hershme.
Portreti i shqiptarit i përshkruar nga Wiliam Plomer në Librin e tij kushtuar Ali Pashë Tepelenes, “ Luani i Janinës” mund të zinte faqen e parë në Antologjinë e letersisë shqiptare
“…Në përgjithësi, shqiptarët janë shtatë – lartë, gjithë muskuj, të fuqishëm dhe me bel të hollë, që vjen si pasojë e zakonit të përdorimit të një brezi të trashë përreth trupit.
Kanë një profil mjaft tërheqës, si modeli i statujave të lashtësisë greke.
Në vështrimin e parë, pamja e shqiptarit të jep përshtypjen e një kombinimi të alternuar ngjyrash të freskëta ku dallohen sytë ekspresivë, ngjyrë gri, vetullat e holla dhe të harkuara, balli i lartë dhe i ashpër si dhe mollëzat e faqeve si të skalitura. Buzët i kanë të mëdha dhe qafën të gjatë, shpinën të drejtë dhe gjoksin të gjerë dhe të hedhur përpjetë, ndërsa gjymtyrët në një formë të përsosur.
Cilitdo i bie në sy qëndrimi i tyre krenar.
Ata i përgatisin vetë rrobat e trupit të tyre, një veshje, të cilën Bajroni e quajti “më të mrekullueshmen në botë ” dhe zakonisht mbajnë një kapele të vogël ngjyrë të kuqe flakë të vendosur në pjesën e përparme të kokës së tyre të ruajtur në këtë pjesë, ndërsa floku, mbrapa, është i zgjatur jashte mase.
Një mantel i gjerë u mbulon supet dhe u derdhet deri mbi gjunjë.
Një rrip i lidhur fort pas belit të ngushtë, shërben për të mbajtur: një ose dy pisqolla dhe një kamë me doreza të punuara gjithë argjend. Mespërmes shpinës së tyre zgjatet pushka e hollë dhe e gjatë, kurse përreth qafës mbajnë zinxhira prej argjendi ku varen hajmali, kuti të vogla argjendi apo sahate me këllëfe të lëkurtë. Pavarësisht nga kjo veshje e cila, natyrisht, ndryshon sipas rasteve apo sipas ceremonive, një gjë është e përhershme tek ata: shkathtësia dhe pamja prej atleti, e sidomos, tek i shikon se si i ngjiten më këmbë faqeve të pjerrëta të maleve.
Energjia dhe entuziazmi që i shoqëron është në kontrast të fuqishëm me pamjen e ngathët dhe të fjetur të mbikqyrësve të tyre, turqve çallme-gjerë, frikacakë dhe jo të besës.
…Ndryshe nga turqit dhe evropianët e tjerë, ata janë të çiltër dhe të sinqertë, duke mos ditur kurrë të fshehin ndjenjat e tyre, pavarësisht në se kjo do të ishte e pëlqyeshme apo jo …
Ja përse nuk të duket çudi që Bajronit i pëlqyen kaq shumë shqiptarët. Banorët e këtij vendi, i sillnin atij ndërmend malësorët e Skotlandës. Mënyra se si hidhnin hapat kur ecnin ishte ‘vërtet teatrale’, dhe flokët e gjatë, i kujtonin atij Spartanët.
Ndonjëherë, në se do të pyesje një shqiptar: ” Ç’punë bën?” ai do të përgjigjej: “Unë jam Kleft!” … Dhe, megjithëse kjo përgjigje nuk mund të tingëllojë mirë, mendoni për një çast:
….A e kanë këtë sinqeritet ata njerëz të kollarisur të cilët na vjedhin neve çdo ditë nëpër ‘Stock Exchange’ dhe kudo?! Ose, të paktën, a janë kaq tërheqës? Po të mos ishin shqiptarët Kristianë të mirë, askush nuk do t’i quante ata Myslimanë të mirë dhe, në të vërtetë, ata janë të njohur si Njerëz jo të një Besimi: një burrë mund të martohej me një të krishtere, mund të shpinte djemtë në xhami dhe të lejonte vajzat të faleshin në kishë, ose të shkonte vetë si në kishë ashtu edhe në xhami, apo në asnjë nga ato. Nuk e kishte për gjë të hante ushqim të ndaluar me kuran, të pinte verë apo edhe të mos pranonte që të bëhej synet.
… Midis tyre Bajroni pa vajzat nga më të bukurat “që mund t’i kishte zënë syri ndonjëherë.”
Kur meshkujt dilnin për gjah apo për të kullotur gjënë e gjallë, gratë punonin tokën dhe merreshin me punët e shtëpisë.
Gratë shqiptare, ndryshe nga ato greke dhe turke, nuk dinin se ç’ishte haremi, por ndanin së bashku me burrat e tyre jetën e vështirë dhe të mundimshme, dhe ishin gati të shkonin edhe në luftë, krahëpërkrahë me burrat për të ndihmuar të plagosurit apo për të mbledhur dhe pastaj për të varrosur të vrarët.” (Wiliam Plomer: “Diamandi i Janinës”)
Dhe ‘Odisea’ për të njohur Shqipërinë dhe Shqiptarët në shënimet e udhëtarëve të huaj bëhet e pambarimshme dhe aspak e lodhshme, e freskët dhe çlodhëse, edhe pse shtrihet thellë në shekuj apo shfaqet papritur në ditët që po jetojmë, mes njerëzve që flasim.
Njëri përshkrim më i bukur se tjeri, edhe pse ato i perkasin epokave të ndryshme.
Që në vitin 1670, udhëtari turk Evlia Celebi, do të përshkruante në këtë mënyrë mjediset shqiptare dhe shqiptarët:
“Uji i pastër i lumit kalon përgjatë gjithë gjatësisë së pazarit, duke i dhënë atij vendi një freski të tillë sa cilido ndjen kënaqësi të ndalet në mes të rrugës, të ulet dhe të humbasë mendjen në mes të kësaj mrekullie që e rrethon….
…Brenda dyqaneve, shërbejnë djem të rinj e me fytyra të pastra të pa rrahura nga rrezet e diellit si ato të princave nëpër oborret mbretërorë. Shumica e dyqaneve, në të dyja anët e rrugës kanë çati prej dërrase. Miqtë, shokët, të dashuruarit, takohen këtu me njëri-tjetrin dhe e kalojnë kohën duke biseduar e duke ngacmuar këta djem të rinj, të cilët, tanimë, janë mësuar dhe vazhdojnë punën pa ndjerë t’u skuqen faqet nga turpi. Dhe me të vërtetë, krye-ustai, e pse jo, edhe prindërit, ndihen krenarë kur shikojnë se si këta të rinj tërheqin vëmendjen e të tjerëve me paraqitjen dhe sjelljen e tyre.”
Apo lidhur me mjediset ku jetonin këta vendas: “Uji i pastër i lumit kalon përgjatë gjithë gjatësisë së pazarit, duke i dhënë atij vendi një freski të tillë sa cilido ndjen kënaqësi të ndalet në mes të rrugës, të ulet dhe të humbasë mendjen në mes të kësaj mrekullie që e rrethon.” Ose “Në mes të këtij pazari, ndodhet një shesh i madh me një kullë sahati të lartë, dhe të mrekullueshme. Ora ishte sjellë nga Transilvania dhe këmbana ishte aq e madhe, sa që brënda saj mund të qëndronin 10 veta. Ajo bie 12 herë në ditë. Tingulli i kësaj këmbane mund të dëgjohet deri në një distancë prej një ditë të ecur më këmbë.
Kulla e orës është aq e mrekullueshme, sa e ke të vëçshtirë ta përshkruash me fjalë; duhet ta shohësh vetë, me sytë e tu, që ta besosh.”
Dhe me tej per parkun në malin e Goricës.
“ …Ky i fundit, me ato lëndinat e mbuluara me bar dhe me tulipanët e çelur, është një parajsë e vërtetë Persiane që të kujton kopshtet e Meram-it pranë Konyas dhe të Aspozos pranë Malatyas.”
Dhe më pas, në vitin 1749, në një kohë kur vrojtuesit perëndimorë ishin shumë të rrallë në Perandorinë Otomane, përshkrimet e hollësishme të Lord Çarlemon, janë pritur me shumë interes nga historianët dhe sociologët.
Lexuesi nuk ka se si të mos kënaqet gjatë leximit me vërejtjet dhe përshtypjet e freskëta dhe të sinqerta të një djaloshi të ri aristokrat, tepër inteligjent dhe i shkathët, i apasionuar pas jetës së gjallë në një botë të panjohur.
Mendimi i tij për Shqiptarët?
“Dhe nuk ke pse të çuditesh me burrërinë që karakterizon këtë racë trimash. Ishin pikërisht këta, që nën udhëheqjen e Pirros (Mbreti i Epirit, që sulmoi Italinë në vitin 280 para erës së re) bënë Romën të dridhet nga forca e ushtrisë së tij dhe që në kohët moderne, ky popull, nën udhëheqjen e Skënderbeut të shkëlqyer, shumë më i shquar se sa heroi tjetër, me të njëjtin emër, Aleksandër, po të kemi parasysh motivet e luftës që bënë, luftoi dhe i bëri ballë pushtetit perandorak otoman dhe, sidomos, në atë kohë kur ajo ishte në kulmin e fuqisë dhe të lulëzimit të vet.”

Në fillim të shekullit XIX, Janina, kryeqëndra e këtij pashallëku dhe e gjithë Shqipërisë së Jugut, shërbeu si portë prej nga niseshin dhe përsëri ktheheshin aty misionerë, studiues dhe vizitorë të huaj.
Dikush nga këta udhëtarë të huaj erdhi si misioner politik, në pozitën e konsullit apo të diplomatit të ndonjë shteti, apo edhe me rolin e misionerit ushtarak, pati nga ata që erdhën si studiues, qofshin këta historianë, gjeografë, arkeologë apo biologë; të shumtë ishin edhe ata që erdhën si vizitorë për të parë nga afër këto toka të lashta me një bukuri të rallë e me një histori të hershme, për t’u takuar me këta njerëz të dëgjuar, me një veshje të çuditshme dhe me shpirt të mrekullueshëm që frymëzuan Lord Bajronin për të shkruar poemën e famshme “Çajld Haroldi” apo Eduard Lirin për peizazhet e tij të pavdekshme …dhe që e bën qytetarin e sotëm ta ndjejë veten krenar kur lexon vëllime të tëra me kujtime të një plejade udhëtarësh të huaj që shkruan për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Një kronikë të shkurtër të udhëtarëve të shquar anglezë, që vizituan Shqipërinë, në gjysmën e parë të shekullit XIX, e bën Suzan Hajmen, studiuse e njohur e veprës se Eduard Lirit:”Udhëtim në Shqipëri, Greqi dhe në Turqinë Evropiane, në vitin 1848-1849”
Në një nga paragrafet e këtij studimi lexojmë:
“…Në përgatitjet për të hartuar “Ditaret…” e tij për Shqipërinë, Eduard Lear shfrytëzon një sërë studimesh të fundit, sidoqoftë, në veçanti ai u mbështet tek:
Wiliam Martin Leak, topograf dhe përfaqësues diplomat i Britanisë së Madhe në Janinë. Liri u frymëzua nga vepra e tij dhe nuk iu shmang fare asaj. Megjithatë ai përmend edhe burime të tjera të marra prej udhëtarëve anglezë që kishin vizituar deri atëhere Shqipërinë.
John Cam Hobhausi “Udhëtim nëpër Shqipëri” ku përshkruhen udhëtimet e tij së bashku me Lord Bajronin, si dhe pritja e shkëlqyer dhe joshëse e Ali Pashë Tepelenës.
Henri Holland, i cili me “Udhëtim në Ishujt e Jonit, Shqipëri, Thesali dhe Maqedoni” na jep një dëshmi shumë interesante mbi oborrin e Ali Pashës, ku kishte qënë përkohësisht edhe si mjeku i tij personal.
Hughes, i cili botoi “Udhëtime në Greqi dhe në Shqipëri.”
“Shpirti i Lindjes.” vepër e David Urquhart, një apologji tepër interesante dhe origjinale për islamizmin.
Robert Curzoni me veprën e tij: “Vizita nëpër manastiret e Lindjes.”
( Susan Hyman-’Eduard Lear in Levant’-fq. 16)
Veziri i Janinës dhe pashalleku i tij u bënë objekti kryesor i këtyre vizitave.
Nuk do të gjeje portret më të përsosur për Ali Pashë Tepelenën se sa ai portret i dhënë nga këta të huaj që vizituan oborrin e tij dhe e njohën nga afer atë. Ata kanë lënë jo vetëm pershkrimet e tyre apo përshtypje për këtë figurë të shquar e cila zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqiperisë në atë fillim të shekullit XIX, por edhe vepra te plota. Ky burim informacioni, gati harrohet apo injorohet dhe degjeneron në përshkrime banale nga goja e ndonjë analisti të vetkënaqur. Pashai i Madh i Janinës, ”Diamandi i Janinës”, “Bonoparti Mysliman” quhet ‘kriminel’!!!!(What is he talking about!!) Çfarë po ndodh me analistët tanë! Lexo Bajronin dhe Hobhausin! Lexo Likun dhe Pukevilin, Hjugsin, Hollandin, Cockrellin e monografine e Peter Olufit. Ose Hesht… Ose, më mirë, për të qënë brënda, dhe më afër të vërtetës, quaje ashtu siç e kanë quajtur të huajtë që jetuan me të, “Përbindëshi i Janinës”
“Luani i Janinës” që shqetësoi Sulltanët e Perandorisë Osmane dhe tërhoqi vëmendjen e Rusisë, Anglisë dhe të vet Napoleonit të Madh! Njeriu që frymëzoi Bajronin për të shkruar vargjet e famshme të “Çajld Haroldit”!
Ja nje skene nga vizita e Bajronit ne oborrin e Aliut.
“…Aliu (Ali Pashë Tepelena-shënimi im) ishte i kënaqur, jo vetëm sepse përgatitjet për pushtimin e Beratit po shkonin mirë, por edhe pse dëshmitar i kësaj lufte po bëhej edhe ky Lord i ri anglez (Bajroni-shënimi im) për të cilin i kishte folur më parë Liku (Wiliam Martin Lik-shënimi im)…
“Ditën tjetër, dy anglezët i bënë përsëri një vizitë Aliut. …
…Aliu i përshëndeti miqtë për fitoren e anglezëve duke shprehur kënaqësinë se tani e tutje, fqinjët e tij do të ishin Anglezët me të cilët gjithmonë kishte ruajtur marrëdhënie të mira. Dhe i pyet:
-Përse keni ardhur në Shqipëri?
-Të shohim një njeri të madh, si ju..
-Po, por a keni dëgjuar për mua ndonjëherë atje në Angli?
-Oh, po! Lartësia Juaj është përherë në qendër të bisedave në vendin tonë. (Wiliam Plomer- “Diamandi i Janinës” )
Kurse Hjugsi, duke u përpjekur t’i thurrë lëvdata Pashait të Janinës, i thotë:
“Ju dini shumë! Në Angli flitet shumë për aftësitë tuaja të shquara aq sa mendohet se ju jeni një filozof. Dhe është, pikërisht, kjo arsyeja përse zoti Parker dhe unë, vendosëm të vijmë në Janinë, në vend që të shkonim në Kostantinopojë.” (W.Plomer- “Diamandi i Janinës”-Fq. 203-216)
Pa u ndalur në mendimin e historianëve dhe udhëtarëve të huaj lidhur me lashtësinë dhe origjinën e popullit shqiptar që nga koha e Herododit (shekulliVI para erës së re) dhe më thellë, (dhe, pa dashur të bëjmë polemikë!) le t’i referohemi përsëri disa shënimeve te cilat i jepen lexuesit dhe studiuesit shqiptar nga albanologu i njohur Robert Elsie, dhe që për herë të pare, të përkthyera në gjuhën shqipe, lexuesi do t’i gjejë tek botimi “Të Huajt për Shqipërinë dhe Shqiptarët”.Per origjinën pellazgjike të popullsisë shqiptare, ‘Babai i Historisë’, Herodoti, shkruan:
“Unë nuk jam në gjendje që të provoj, me siguri, gjuhën që flisnin pellazgët. Sidoqoftë, është e pranueshme të bësh një konkluzion prej gjuhës së folur nga pellazgët të cilët jetojnë akoma. Ka pellazgë të cilët kanë mundur të jetojnë në qytetin Kreston. (të cilët sot quhen thesaliotë). Gjenden të tjerë pellazgë të sistemuar në Plakia dhe Skylake në Hellespont. (Dikur banorë të Atikës bashkë më Athinasit). Gjenden, gjithashtu, një numër komunitetesh të vogla pellazge që e kanë quajtur veten me tjetër emër. Në se do të më lejohej të nxirrja një konkluzion nga këto raste, atëhere na jepet e drejta të themi se pellazgët kanë qënë folës të një gjuhe të ndryshme nga ajo greke .“…Sipas këtij konkluzioni të Herodotit, del se pellazgët kanë qënë jo-greqishtfolës, se athinasit, duke qënë pellazgë, mund ta kenë ndryshuar gjuhën e tyre me qëllim që të bëhen Helenë. (Arnold Tonybee, “Disa probleme mbi historinë e Greqisë” Londër, 1969,fq.126)
Të njëjtën gjë dëshmon edhe “Një Fjalor i Vogël Klasik për Biografi, Mitologji dhe Gjeografi.

Nje fragment nga Radoslav Grujic: “Legenda iz vremena Cara Samuila o poreklu naroda”. në: Glasnik skopskog naucnog drustva, Skopje, 13 (1934), p. 198 200. Përkthyer në gjuhën angleze nga Dr.Robert Elsie prej ‘The Old Church Slavonic’.:
“Dihet që në gjithë botë fliten gjuhë të ndryshme. Midis tyre, pesë janë gjuhët ortodokse që fliten nga: bullgarët, grekët, sirianët, iberianët (gjeorgjianët) dhe rusët.
Tre nga këta kanë alfabet ortodoks: grekët, bullgarët dhe iberianët.
Janë dymbëdhjetë gjuhë të tjera që u përkasin popullsive gjysëm–besimtare: alemanians, frëng, magjarët,(hungarezët) indianët, jacobitët, armenët, saksonët, polakët, arbanasit (shqiptarët), kroatët, hizi, gjermanët.”
Ky fragment, që i përket viteve 1000-1018, përpiqet të shpjegojë origjinën e popujve dhe të gjuhëve. Sipas tij Bota është e ndarë në 72 grupe sipas gjuhës dhe në tre kategori sipas besimit: Ortodoks, gjysëm besimtarë (ose jo- ortodoksë të krishterë) dhe jo-besimtarë.
Në një kohë kur, sërbët, as që përmenden fare, të bie në sy që Shqiptarët, në këtë kohë ende një përzjerje fisesh që jetonin në thellësi të kontinentit, kanë gjetur vend në këtë grupim mes popujve gjysëm-besimtarë. (Robert Elsie-“Early Albania, a Reader of Historical Texts”, 11th – 17th Centuries, Wiesbaden 2003, p. 3.]


Një fragment nga: Michaelis Attaliotae: ‘Historia’, Bonn 1853, p. 8, 18, 297. Përkthyer në gjuhën angleze nga Robert Elsie. :
“Për fat të keq, popujt të cilët dikur kishin qënë aleatët tanë dhe që kishin të njëjtat të drejta si shtetas dhe që i përkisin të njëjtit besim, si shqiptarët dhe latinët, të cilët jetonin në rajonet italiane të Perandorisë sonë, fare papritur u bënë armiqtë tanë kur Michael Dokenianos, në çast, u vu kundër udhëheqësve të tyre…
Michael Attaleiates ka qënë një historian bizantin i cili arriti të ngjiste shkallët më të larta gjatë sundimit të perandorëve Romanus IV (1067-1071) dhe Michael VII (1071-1078). ‘Historia’ e tij, e cila përfshin vitet 1034-1079, është një dëshmi e gjallë e jetës poilitike dhe ushtarake të Perandorisë Bizantine në këtë kohë. Është, pikërisht, kjo kohë kur grekët bizantinë shkruajnë për herë të parë për egzistencën e shqiptarëve si një komb më vete. ((Robert Elsie – ‘Early Albania, a Reader of Historical Texts, 11th – 17th Centuries’, Wiesbaden 2003, p. 4-5.të ]

Një fragment nga: Olgierd Górka (ed.): “Anonymi descriptio Europae orientalis. Imperium Constantinopolitanum, Albania, Serbia, Bulgaria, Ruthenia, Ungaria, Polonia, Bohemia. Anno MCCCVIII exarata” Kraków 1916, p. 25 29. Përkthyer në gjuhën angleze nga Robert Elsie.:
“Kjo provincë është e quajtur Albania sepse banorët e këtij vendi kanë lindur me flokë të shndritshëm(albo). Këtu qëntë janë të përmasave trupore shumë të mëdha dhe aq të fuqishëm sa mund të mposhtin edhe luanin. Ashtu sikurse e përmend edhe Plini, shqiptarët i dërguan Aleksandrit të Madh një qen të tillë i cili e vuri atë të ndeshej në arena luftimesh me luanë, elefantë dhe buaj të egër. Ata kanë sy të ngjyrosur, pupila të përhimta që mund të shikojnë më mirë natën se sa në ditën me diell.”
I ashtuquajturi “‘Anonymi Descriptio Europae Orientalis’ (Përshkrim Anonim i Evropës Lindore)(1) është një tekst latinisht i periudhes së mesjetës i cili i përket vitit 1308 dhe që përmban një vështrim mbi vendet e Evropës Lindore dhe, në veçanti, atyre të Ballkanit. (R.Elsie-“Early Albania, a Reader of Historical Texts, 11th – 17th Centuries”, Wiesbaden 2003, p. 23-25.)


“Odisea” për Shqipërinë dhe shqiptarët është e pafund… Çdo paragraf që lexon është një penelatë më shumë në portretizimin e Shqiperisë dhe të Shqiptarëve. Kur lexon përshkrimet e tyre, të krijohet një vizion i gjallë dhe tepër realist i epokës kur këta të huaj kaluan tranzit apo jetuan në këto vise.
Njëra tabllo më e bukur se tjetra.
“…ndërsa vazhdojmë të ecim përgjatë faqes perëndimore të malit, herë pas here, në intervale të shkurtëra kohore, dielli e çan mjegullën e dëndur, bëhet më i dukshëm dhe ndriçon hapësirat e fushës së Mizakisë të kufizuar nga ujrat e kaltërta të detit , për t’u fshehur përsëri, magjishëm, nga retë e sapo krijuara dhe nga shiu i papritur…”
(W.M. Leak)

“…Nuk do ta harroj kurrë atë ditë kur po hynim në Tepelenë, ora 5 e mbrëmjes, ndërsa dielli po perëndonte…shqiptarët, të veshur me fustanellën e bardhë dhe jelekun prej kadifeje të qëndisur me ar, me xhamadanin prej stofi të zi, dhe me koburen dhe kamën me dorezat të punuara gjithë argjend (veshja më e mrekullueshme në botë) tartarët me qylafët e gjatë mbi kokë, turqit me çallmat dhe kaftanët e veshur me gëzof nga brënda dhe pelerinat të hedhura mbi supe, ushtarët dhe zezakët skllevër me kuaj…daullet që binin fuqishëm dhe djemtë e rinj që këndonin lutjen e mbrëmjes nga maja e minaresë së xhamisë, të gjitha këto së bashku, formonin një pamje spektakolare për syrin e një të huaji…”
(Wiliam Plomer (Fragment nga Letra e Bajronit-shenimi im)-Po aty, fq.,149-154.)


“Në të djathtë ngrihet Tomori, i cili me linjat dhe madhështinë e vet i ngjan Etnës, ngjashmëri, të cilën nuk ma ka zënë syri kurrë në ndonjë mal tjetër. Maja e tij e lartë, e veshur me një mantel të bardhë dhe të shndritshëm dëbore, spikat mes reve me një shkëlqim mahnitës, tamam si një kështjellë e banuar mes atij terreni të hapur dhe malor.”
Hughes


“Shqiptari ka shumë pak dëshira në jetë. Pak bukë të bërë me kallamboq, ose me misër indian, dhe një kokër qepë me djath është e mjaftueshme për të. Një jatagan dhe një pisqollë në brez si dhe pushka e gjatë i qëndrojnë gjithnjë pranë, edhe kur fle në qiell të hapur me kokën të vendosur mbi një gur dhe fytyrën të mbular me palën e gunës së trashë. Qeleshen e tij nuk e heq kurrë nga koka, as në dimër dhe as në verë. Në vend të këpucëve mban ca opinga lëkurë të thurura vetë. Është e habitshme se si kërcen ai me to kur ecën nëpër rrugët e ‘shtruara’ me shkëmbinj”
Cockerell


„Për nga pamja e fytyrës dhe forma e shtatit, malësorët shqiptarë konkurojnë me çdo racë tjetër të Evropës…..
…Gratë kanë një bukuri të jashtëzakonshme dhe krejt ndryshe nga çdo racë tjetër. Ato duken si Madona që kanë zbritur nga malet e lartë të mbuluar me dëborë por që shkathtësia dhe zgjuarsia mendore e burrave të maleve ua gjallëron akoma më shumë bukurinë dhe thjeshtësinë.“
A. Herbert

Por le te vazhdojme me tej:
Në vitin 1834 vjen nga Korfuzi në Janinë udhëtari anglez, Robert Kurzoni. Këtë udhëtim ai e përshkruan në librin “Vizita nëpër Manastiret e Lindjes“.
“E veçanta e shoqërisë shqiptare të asaj kohe, më mirë se kudo, të binte në sy tek mënyra e të jetuarit të pronarëve të mëdhenj të tokave. Përfaqësuesit e kësaj klase e paraqesnin veten si njerëz që kishin lindur vetëm për të mbajtur armë. Këta çifligarë të mëdhenj ishin kryetarë dhe prijësa. Fshatarët, vetëm ushtarë apo komitë,..” për të mos përdorur këtu termin e rëndomtë “Klefte” mënyra se si i quante pushtuesi ata, dhe që, në më të shumtën e rasteve (në mënyrë të pavetëdijshme) quheshin po kështu edhe nga udhëtarët e huaj në kujtimet e tyre.
Dhe kur ata ndesheshin ballëpërballë me këta “Klefte” të rrezikshëm, do t’u duhej që të hapnin fjalorët që të gjenin emërtimin i cili do t’u shkonte më për shtat, këtyre “splendid gentelmenëve ” të vënë në krye, jo të bandave kriminale, por në krye të çetave kryengritëse, kundër pushtetit qëndror të Portës së Lartë, për një “pronunçiamento” për zgjedhje të lira, apo kushedi se çfarë tjetër… Dhe në fund ndaheshin nga këta njerëz si me miqtë më të shtrënjtë në botë.
Vitet 1834-35, kur Kurzoni bëri vizitën e tij të shkurtër nëpër Epir dhe në Shqipërinë e Jugut, përkojnë me një periudhë të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Dhe është, pikërisht, ky fakt që i bën interesante shënimet e tij të hedhura në këtë libër udhëtimesh.
Sipas Kurzonit, “… në Shqipërinë e Jugut, ishte gati të shpërthente një kryengritje, rebelim, apo revoltë (pronunciamento) mbase edhe përpjekje për të siguruar zgjedhje të përgjithshme, të lira, apo diçka e ngjashme me të…Të paktën, të gjithë ata që vinin andej, thoshin se i gjithë vendi po ziente. Dukej qartë se po përgatitej një Kryengritje e Përgjithshme…”
Kurzoni, edhe pse këtë kohë po e jetonte në kampin kundërshtar, e quante kështu këtë lëvizje, ndryshe nga sundimtari i ri i këtij pashallëku, Mahmud Pasha, i cili sapo “…kishte marrë lajmin që rebelë apo hajdutë – ata e quanin veten ndryshe – ishin bashkuar dhe kishin ngritur rrethimin në qytetin e Beratit..”
…Është ky fakt që i bën interesante të dhënat e këtij udhëtari, ku pasqyrohet atmosfera e tensionuar në qytetin e Janinës, kur sheshi përpara fortesës ishte “ i mbushur plot e përplot me kuaj të vendosur në rresht dhe të mbërthyer nga koka te këmbët me frerë të trashë” dhe nga grupe njerëzish, të cilët, të ndarë sipas kombësisë, “bisedonin për ngjarjet e ditës,” kur frika dhe alarmi i përgjithshëm kishte kapur qeveritarët turq në Janinë.
..Dhe pati rastin të shikojë Vezirin, i cili në situata të tilla, të tensionuara, “ kurrë nuk dilte jashtë pa u shoqëruar me një ushtri njerëzish të armatosur..”
Ai e përjetoi këtë Kryengritje, mes ushtarëve dhe oficerëve të ushtrisë turke, duke pirë kafe dhe cigare me Mahmud Pashën.
Ai dëgjoi vetë nga goja e tij lidhur me atë ç’ka po bënin “rebelët apo hajdutët” në Berat.
…Dhe u befasua nga pamja e ushtrisë turke e cila po nisej me ngut për në Berat.. Pamja e atij vargu të gjatë njerëzish të hipur mbi kuaj, me diellin i cili u ndiçonte mbi kokë dhe u reflektonte në armët e ndritshme, i krijonte përfytyrimin “ … e një gjarpëri gjigand me luspa të shkëlqyeshme që zvarritej kobshëm në drejtim të presë së vetë.”
Ja përse Veziri i Janinës nuk pati kohë ta priste për herë të dytë udhëtarin anglez.
Nuk e ke vështirë të kuptosh simpatinë e Kurzonit për këtë lëvizje të cilën ai e quan me një përcaktim bashkëkohor “proninciamento” (Italisht-Kryengritje e armatosur me synime të caktuara politike-Shënimi im-P.T.) dhe që arrin të parandjejë kërkesat e avancuara të saj.
Ai flet me admirim për prijësat e këtyre çetave kryengritëse, për këta “xhentëlmenë” me të cilët bisdoi pranë zjarrit dhe u lidh me një miqësi të ngushtë edhe pse emrin nuk ua mësoi asnjëherë, por që do t’i pëlqente t’i quante “guerrilas’ dhe “ Komandantë të Guerriljeve”

Dhe për çudi, në asnjë tekst historie nuk jepet shpjegimi i kuptimit të vërtetë, në kuadrin e kontekstit të përdorur, të kësaj fjale. Përdorimi i epitetit “Kleft” për shqiptarët, do të bëhej më von një objekt i veçantë studimi nga ana e autoreve te huaj!

Në vitin 1847, Eduard Liri ndërmori një ekspeditë shumë të suksesshme në Kalabri, duke përfunduar në këtë mënyrë një sërë vizatimesh dhe një Ditar, të cilin ai e botoi më von.
Në vitin pasardhës, ai vendosi të eksplorojë Greqinë e Veriut dhe Shqipërinë, pjesa më e madhe e së cilës, në atë kohë njihej si ‘Turqia e Kontinentit Evropian” dhe që qeverisej nga pashallarët vendas.
Për turistët e pa-ditur, Shqipëria është si një “pazëll” e shkallës më të vështirë.
Çfardo lloj njohurish që ai mund të ketë marrë më parë, lidhur me emërtimet e lashta: Epir, Molosë, Thesprotë, etj, ngatërrohet dhe hutohet menjëherë sapo shikon ‘hartën’ aktuale të vendit, të ndarë në pashallëqe dhe vilajete; e më pas, një larmi kombësish që popullojnë këto provinca: grekë, sllavë, shqiptarë, bullgarë apo vllehë. Raca, besime, nacionalitete dhe ai do ta ndjeje veten të pafuqishëm në se nuk do të shfletojë shumë libra me informacione të shkëlqyera që kanë lënë para-ardhësit lidhur me këtë temë..
Ndër këto studime, librat e Kolonelit Lik zënë vendin e parë për nga burimi i informacionit dhe për nga interpretimi që ai i bën të dhënave për këtë vend sa interesant aq edhe të mrekullueshëm.
Gjeografë, antikuarë, politikanë, duke bërë gjithçka sa ishte e mundur me aftësitë e tyre fizike dhe duke vënë të gjitha energjitë për të studiuar këtë vend, i shërbyen ndoshta, jo aq sa duhet, edhe syrit të mprehtë të një piktori peizazhist.
Të bukura janë peizazhet e tij të hedhura në telajo nga ky artist, por po aq të gjalla janë dhe ato tabllo të përshkruara nëpër faqet e “Ditarit…” të tij.
“…E kishim të vështirë t’i kthenim shpinën kësaj panorame të mahnitshme malesh të lartë, si të zgjedhura qëllimisht nëpër të gjitha qoshet e mrekullive të botës, e për të krijuar këtë pamje, prej së cilës nuk do të kishte piktor në botë që të mos frymëzohej. Bile, edhe tani, kjo skenë, si një bekgraund pas tabllos së pyjeve të gjelbër, që tretet aq larg sa mund të arrijë shikimi im, -deri në atë luginë të përshkuar nga ujrat e një lumi që gjarpëron në të gjithë gjatësinë e saj, – ajo hapësirë e qetë, ngyrë blu, me Tomorin në mes, si një ishull i kaltër në detin e pafund, ngacmoi sytë e mendjes sime duke e bërë të tashmen të larmishme me vizionin për të kaluarën e këtij trualli…”
Në atë kohë kur Liri viziton Shqipërinë, vendi ynë, gjeografikisht ishte i izoluar, në injorancë, dhe i përfshirë në valët e gjakmarrjes së fisit, vendi ishte i mbushur me kaçakë, dhe “kleftë”, kurse brigjet, të kontrolluara krejt nga piratët.
Nuk ishte një vend i rrahur shumë prej udhëtarëve. Gibbon e vendoste Shqipërinë “në një plan me Italinë, por më pak të njohur se Amerika Qëndrore” ndërsa një Gaid-Buk, bashkëkohor e quante atë, “një nga ato pjesë fatkeqe të rruzullit tokësor e cila, edhe pse në kontakt të menjëhershëm me qytetërimin evropian, kishte mbetur prej kohësh, barbar,”
Në gjithë galerinë e peizazheve të Lirit, nuk mund të gjesh tabllo më realiste dhe më të dhembshme se sa kjo që kemi shkëputur nga “Ditari…” i tij.
“…O hani i Tiranës!
Me ato stallat e mëdha që gumëzhijnë nga hingëllimat e kuajve; me ato shkallët e thyera nëpër të cilat kushdo që ngjitet lart mund të bjerë e të thyejë kokën, pa mundur të arrijë dot tek njëri nga ata korridoret më të shtrëmbër dhe më të pistë që mund të egzistojnë; dhe ku mund të zije një dhomë 20 këmbë katrorë dhe e lartë vetëm 6 këmbë, më e mira për të kaluar natën.
Muret e saj me copëzat e baltës të rrëzuar, ishin bërë gjithë vrima(për të lënë hapësira të mjaftueshme të shikoje se ç’bëhëj në dhomën e fqinjit dhe për të depërtuar era e ftohtë e natës nga faqja e jashtme); trau i hollë i çatisë, dyshemeja që lëkundej nën këmbë dhe fare e pambërthyer, aq sa jeta bëhej e pasigurtë në se do të kaloje pa kujdes mes përmes saj dhe, që, nga të çarat, poshtë, mund të kundroje kuajt, frymëmarrja e zhurmshme e të cilëve krijonte një atmosferë mbytëse, sa është e vështirë ta përshkruash.
O hani i Tiranës!
Minj, bubuzhela, dhe krimba nga të gjitha llojet mund të gjeje aty! Merimangat e mëdha dhe të holla varreshin nëpër fijet e rjetave të tyre përmbi kokën time, flutura të mëdha nate, përplasnin krahët duke u dridhur mu përpara fytyrës dhe syve të mij, dhe, sa për vrimat që kryenin funksionin e dritareve, unë munda t’i mbyll, por jo si duhet, duke përdorur thasët dhe valixhet e mbushura me plaçka që kisha sjellë me vete: pikërisht, këtu duhej të flija, dhe si për t’u ngushëlluar nga ai tmerr që më panë sytë përreth, si një masë preventive, fatmirësisht, gjeta një dyshek të pastër.
U shtrita mbi të për të fjetur, ndërsa sipër meje dëgjoja disa gegë që këndonin me zë të ulët.”

… Do të jetë përsëri ky realiet i zymtë dhe do të jenë këta njerëz të çuditshëm që do të tërhiqnin vëmendjen e E.Durhamit e cila do të ndërmerrte udhëtimin e saj në malësinë shqiptare, qysh në fillim të shekullit XX për të njohur nga afër këta banorë mjaftë të përfolur nga bashkëkohësit e saj. Ajo i pa nga afër dhe jetoi mes shqiptarëve duke luftuar bashkë me ta për mbrojtjen e të drejtave të tyre në përpjekjet për liri dhe pavarësi duke u bërë përkthyesja më e rëndësishme e shekullit të njëzetë për Shqipërinë, dhe shkrimtarja më e madhe që ndihmoi në njohjen e këtij populli menjëherë pas udhëtimit të Hobhauzit dhe Bajronit nëpër Shqipëri.
Ajo fitoi admirimin e malësorëve të cilët e quajtën “Krajlica e Malësorëve”. Mbreti shqiptar, Ahmet Zogu, në kohën kur ajo vdiq, ishte në egzil. Edhe pse marrëdhëniet mes tyre kishin qënë të ftohta, ai shkruan kështu në gazetën ‘The Times’: “ Ajo na dha zemrën e saj dhe fitoi nga malësorët respektin e thellë”

Në prag të Pavarësisë, Edith Durhami do te shkruajë:
“Gjëja më e çuditshme që vura re në këto qytete është se ajo ç’ka mund të quhet e shëmtuar, është tmerrësisht e ulët dhe e neveritshme, ndërsa e bukura, mjaft e lartë dhe e madhërishme.
Kohërat përzihen me njëra – tjetrën. Njerëzit pëlqejnë të vishen si evropianë dhe duken mjaft elegantë. Ju mund të shkoni në një farmaci dhe të blini atje ujë të gazuar, të importuar nga Franca, nga një njeri i cili flet frëngjisht. Kur shkon në Pazar, takon malësorë me shtat të lartë dhe të hollë, veshur me fustanella të derdhura dhe të armatosur me ca pushkë të gjata dhe të reja, të një modeli të vjetër, gati 250 vjeçar. Dhe gjëja më e shëmtuar, që munda të shikoja, ishte një lloj fakiri me fytyrë të rreshkur dhe të nxirrë, me sy të shqyer e gjysëm i leckosur i cili, me sëpatën e vogël dhe me tasin e lypësit që mbante nëpër duar, dukej sikur ishte sjellë nga Lindja e Largët.”
Ajo jetoi mes malësoreve shqiptarë në atë kohë kur qarqet përparimtare evropiane lëshonin thirrjen për të ndihmuar popullsinë e martirizuar në trevat veriore të vendit.
“…Në bregun lindor të Adriatikut, tre ditë të mira udhëtim që nga Vjena, jetojnë shqiptarët, një popull autokton, i cili, në shekuj, ka luftuar për liri dhe pavarësi kundër armiqve dhe pushtuesve të çdo lloji. Ata kanë ditur si të ruajnë origjinalitetin e tyre me gjithë luftrat e parreshtura që kanë bërë dhe nga përmbysjet historike që kanë ndodhur herë pas here. As vala e madhe e emigrimit, as edhe betejat kundër sërbëve, turqve dhe armiqve e pushtuesve të tjerë, nuk ka mundur të pengojë shqiptarët për të mbajtur gjithmonë të pastra dhe të pandryshueshme tiparet e rralla të tyre lidhur me racën, gjuhën dhe traditat e zakonet…”
“Një popull i jashtëzakonshëm dhe i guximshëm po masakrohet para syve të gjithë botës dhe Evropa, Evropa e Krishtere, Evropa e civilizuar, nuk thotë qoftë edhe gjysëm fjale rreth saj!
Dhjetra mijëra veta të pambrojtur u masakruan, gratë u përdhunuan, të rritur dhe fëmijë të mbytyr për vdekje; qindra fshatra të djegur dhe priftërinj të therrur.
Dhe Evropa vazhdon të qëndrojë indiferente!” ?!”[Leo Freundlich - Vienë, 1913]
Ajo bashkoi zërin e saj me këtë thirrje për të mbrojtur të drejtat e këtij populli për të fituar lirinë dhe pavarësinë e vet menjëherë pas përmbysjes masive të shkaktuar nga Lufta ballkanike ku u vranë mijëra vetë: burra, gra dhe fëmijë. Të rriturit u torrturuan për vdekje, fshatrat u bënë shkrumb ose u plaçkitën krejt; gratë dhe vajzat e reja u përdhunuan dhe gjithë toka e shkrretuar dhe e shkatërruar ishte mbytur në gjak.
Përfytyrimi i saj për shqiptarin, pavarësisht nga koha kur ajo i njohu dhe jetoi me ta, do të jetë i njëjtë me atë të paraardhësve të saj:
“Oh, unë di gjithçka rreth shqiptarëve! Është ai populli që dallohet nga fytyrat e qeshura, nga sytë e zjarrtë dhe flokët me thinja!”
Apo siç do të shprehet më von, udhëtari, botanisti dhe gjeografi italian, Prof. Antonio Baldacci:
“S’pushoja në asnjë çast së himnizuari, me gjithë zemër, qiellin dhe tokën e asaj pjese të Shqipërisë, sa të ashpër aq edhe të bukur, ku kam kaluar kohët më të lumtura të jetës sime.”
Edith Dyrham, ndërsa punonte për lehtësimin e plagëve që shkaktoi në Maqedoni kryengritja e vitit 1903, vuri re se lëvizja e parasë, tranzit, u ishte besuar shqiptarëve. E pushtuar nga kureshtja për të njohur nga afër këta njerëz si dhe vendin e tyre, ajo ndërmori një sërë udhëtimesh me kalë për të njohur këto fise në veri të Shqipërisë dhe shumë shpejt u bë mbrojtësja më aktive e malësorëve, trojet e të cilëve, lakmoheshin nga shtetet fqinjë. Në pozitat e një udhëtareje femër, ajo ndjeu tek këta njerëz mikpritës, respekt të thellë dhe habi. Vendasit, duke mos qënë në gjëndje të përfytyronin kënaqësitë që mund t’i jepte njeriut një udhëtim i tillë në këto vende, apo kuriozitetin që mund të zgjonin ato, menduan se atë e kishte dërguar vetë Mbreti i Anglisë, me qëllim për të njohur situatën në vend dhe për t’u lehtësuar sado pak dhembjen.
Ngjarjet e kohëve të fundit në këto treva, paralajmëronin fundin e Perandorisë Osmane. Pothuajse fare vetëm, ajo komentoi situatën e krijuar në Ballkan në mënyrë shumë të drejtë, duke e parë atë më shumë si një konflikt ndër – etnik se sa fetar. Shqipëria ishte një vend ku mbizotëronte popullsia myslimane dhe të krishterët ishin në një numër më të vogël se sa në vendet fqinjë. Edit Durhami, me artikujt e botuar nëpër gazetat e mëdha të asaj kohe: ‘The times’, ‘Manchester Guardian ‘ dhe kudo, u përpoq që ta regullonte këtë balancë.

Në vitin 1904, Edit Durham ndërmori udhëtimin e saj të parë nëpër Shqipëri. Ishte nisur nga Ohri dhe stacioni i parë do të bëhej Vlora. Itinerari i saj ishte: Tepelenë –Elbasan.
“Avlona ishte qyteti tjetër që kishte radhën për t’u vizituar…Na kishin thënë se duhej të udhëtonim nja dhjetë orë të mira me kalë.”-thotë ajo
Ndërsa kaluan Vjosën, hynë në distriktin e Mallakastrës…
“…Tanimë, neve i kishim bërë dhjetë orë rrugë, e megjithatë ende ishim në mes të rrugës për në Avlona…. Më dukej sikur kisha gjithë jetën që po udhëtoja dhe se do të më duhej të udhëtoja edhe pas vdekjes për të mbritur deri atje….”
Më në fund ata mbritën në Vlorë, një qytet i vogël me rreth 5,000 banorë ku ndodheshin tre konsullata të huaja: ajo austriake, konsullata italiane dhe greke, për të mos thënë edhe një e katërt, ajo ruse. “…Kajmekami më pa me shumë dyshim. Si zakoisht, ai filloi të më thoshte se vendi është i banuar i gjithë vetëm nga grekë dhe turq dhe se vitin e ardhshëm, qyteti do të përshkohej gjithandej me rrugë të mrekullueshme e ura të shumta, dhe se do të mbushej plot me shkolla greke. E pastaj filloi të ushtrojë detyrën e tij duke më drejtuar qindra pyetje….
“…No, monsieur, nuk jam as gazetare as edhe misionere; Je suis Anglaise. Jo, babai im nuk ka qënë as ambasador as edhe Konsull, as gazetar as edhe nuk dinte ‘të bënte politikë’; vëllezërit e mij nuk janë as ushtarakë as edhe me ndonjë shërbim diplomatik; Jo, asnjëri prej tyre nuk e ka vizituar ndonjëherë perandorinë turke; po ashtu as xhaxhallarët apo kushurinjtë e mij. As e kanë patur ndonjëherë ndër mend për ta bërë këtë gjë.…
Ndërsa ai tregohej i paduruar për të mësuar sa më shumë rreth familjes sime, unë fillova t’i tregoj aq shumë gjëra, sa ai u lodh nga kjo temë. Nuk pa asgjë të dyshimtë tek unë, por filloi të bëhej, akoma, tmerrësisht i besdisur. Donte të mësonte të gjitha vendet që kisha vizituar. Unë i përmenda një varg emrash sipas shteteve: Francë, Gjermani, Itali, Austri, Serbi, Mal i Zi, Bosnje…Gjithçka që i thoshja ishte më se e vërtetë, por ai, jam e sigurt, nuk besonte asnjë fjalë. Pastaj donte të dinte vendet që kisha vizituar në Turqi, përse, kur dhe për sa kohë. I përshkova gjithçka me saktësi.
Ai më shprehu mirënjohjen dhe pas një bisede me karakter të përgjithshëm, papritur, më pyeti në se kisha pashaportë angleze apo ndonjë dokument. Ia tregova.. Ai kontrolloi për disa minuta vizën sa unë nuk e mbajta dot të qeshurën. Ishte i pushtuar nga padurimi për të më gjetur ndonjë kleçkë. Habia e tij ishte me të vërtetë interesante.
-Mademoiselle, duket se, me të vërtetë paske qënë në këto vende!
-Tamam, ashtu siç ua tregova më parë, monsieur’
Më në fund, ai vendosi, që në shënjë respekti për mua, Komisari i Policisë do të bëntë mirë për të më shoqëruar kudo që të vija. Gjatë gjithë kohës që qëndrova atje më dukej sikur luanim lojën e maces me minë.”
E lanë Vlorën dhe, pasi kaluan pranë gërmadhave të Kaninës, u bashkuan përsëri “me mikun e vjetër, Vjosën” dhe pas pak, në majën e një kodre, panë një kolonë të vetmuar, të shkurtër që shkëlqente si mermer i bardhë në atë qiell të kaltër. “…shoqëruesi na tha se shumë kohë më parë, në atë vend, ndodhej një qytet i mrekullueshëm.”
Nga shënimet e mëposhtme mësojmë se Edit Durhami vazhdon të qëndrojë edhe për pak ditë në Apolloni duke bërë përgatitjet për t’u nisur në drejtim të Beratit. Mësojmë, gjithashtu, se janë ditët e pashkës dhe kudo zhvillohen ceremonitë e rastit për kremtimin e ringjalljes së Krishtit.
Berat

“…Filloi të frynte një fllad i freskët dhe u ngritëm për t’u nisur në drejtim të Beratit, të kënaqur, tanimë, sepse rruga që do të ndiqnim ishte e tharë nga balta, dhe se po të shpejtonim pak, mund të arrinim ndaj të ngrysur dhe, kështu, nuk do të na duhej të qëndronim në ndonjë han.. Kaluam Gjanicën dhe mbritëm pranë Lumit të Beratit.(Lum i qytetit të Beratit), paksa i madh, me shumë ujë dhe i turbullt. Duke ndjekur bregun e majtë të tij, rruga bëhej më e lehtë për të ecur. Në krahun tonë të djathtë ndodhej krahina malore e Mallakastrës. Ecëm, pastaj, me kuaj nëpër një fushë të hapur -“Muzakija”- e cila ka marrë emrin e Muzakajve, një familje prijësash të shquar, zotërimet e të cilëve shtriheshin deri në Kastoria. Myzeqeja, përfshin pothuajse gjithë zonën bregdetare, deri në afërsi të Durrësit. Banorët e saj janë të krishterë, tmerrësisht të varfër, që jetojnë nëpër kasolle të bëra me thupra dhe baltë.
Tokat janë të ndara në çifliqe dhe zotër të tyre janë Bejlerët myslimanë vendas, kurse fshatarët që i punojnë këto toka, janë diçka më ndryshe nga bujkrobërit. Jam e sigurt se ata punonin gjithë ditën e ditës vetëm për një frangë, pagesë kjo, jo e zakonshme por vetëm në raste të veçanta. Kurse për ata që merreshin me hapjen e rrugëve dhe me ndërtimin e mureve, zakonisht, pagesa ishte dy pjastra.
Më thanë se Bejtë, pasurohen shumë me eksportimin e misrit dhe të ullinjve dhe janë të lidhur shumë ngushtë me qeveritarët turq, me të cilët i bashkon interesi për të grumbulluar taksat. Varfëria që pamë në Maqedoni është ‘si një lojë me kukulla’ në krahasim me këtë që po shikojmë në Myzeqe. Këtu pashë gra të cilat s’kishin as lecka për të mbuluar lakuriqësinë e tyre, kurse shumë nga shtëpitë ku banonin, ishin krejt të ngjashme me ato kasollet e ngritura përkohësisht nga refugjatët nëpër fshatrat e djegur nga zjarri.
Tokat e Myzeqesë janë shumë të mira, por të pa drenazhuara. Vetëm tek-tuk, syri të shikonte ndonjë kanal kullues. Ato që rriten më shumë, janë bimët e egra.. Është e njohur për rritjen e kuajve por tani, këto kafshë janë bërë të rralla. Nëpër faqet e kodrave shikon kullota të mira, por, për shkak të mungesës së rrugëve, ato nuk mund të eksportohen, me përjashtim të atyre rasteve kur moti është i mirë, por edhe atëhere, këto kafshë të dobëta, deri sa të arrijnë në port, katandisen aq keq, sa u duhet t’i shesin vetëm sa për një copë bukë. Kaluam Lumin e Beratit duke përshkuar një urë të mrekullueshme prej guri, e ndërtuar nja shtatëdhjetë vjet më parë prej një Beu shqiptar, dhe mbritëm në qytet, në perëndim të diellit.
Berati ndodhet në një vend jashtëzakonisht të bukur, duke u kacavjerë nëpër faqen e një kodre gjithë pemë dhe lule deri në buzë të Lumit. Shtëpitë e çuditshme prej çatmaje duket sikur qëndrojnë varur përmbi lumë; muret e rrënuar të fortesës qëndrojnë si kurorë në majën e kodrës që ngrihet aty pranë; shtati vigan i malit të Tomorit (i lartë 2,416 m.) lartësohet si një kullë me majë të sheshtë dhe të veshur me dëborë, në horizont, kurse faqet e kodrave, kudo përreth, jeshilojnë nga gjethet e gjelbra të ullinjve. Lumi, krejtësisht i pambrojtur, shkakton përmbytje të tmerrshme. Përreth tij shikon hapësira të mëdha tokash krejt të zhveshura dhe të mbushura, vende- vende me pellgje uji të qelbur, dhe që bëhen burim i sëmundjes së malarjes në stinën e verës. Vetëm lagjja e të krishterëve, në faqen e kodrës, e ndjen vetën të çliruar nga ky rrezik. “Ethet e malarjes janë mallkim për Shqipërinë, veçanërisht në Jug. Mjekët më siguruan se njerëzit, përjashto malarjen, nuk vuajnë nga asnjë sëmundje tjetër, nuk janë të rrezikuar nga aksidentet e rënda, dhe shpesh, plagët e tyre shërohen pa përdorur fare antiseptikë….
Tani është pranverë, duhen edhe gjashtë javë që të shfaqet malarja dhe… Berati duket si një Parajsë e vërtetë mbi tokë.
Mytesarifi, një turk i moshuar dhe i fuqishëm, mjaft gazmor, më priti me shumë dashamirësi dhe më tha se unë isha e para angleze femër, që, me sa mbante mend, kishte vizituar ndonjëherë qytetin e Beratit. Ai më foli me hollësi për planin e regullimit të qytetit, dhe ishte entuziast për projektin e hapjes së një rruge që do të fillonte nga Vlora për në Berat. Unë nuk kisha besim për këtë gjë, pasi, ndërkohë, kisha dëgjuar se inxhinjeri qe i frikësuar për punën e fondeve. Gjysma e parave, pothuajse kishte avulluar që në Kostantinopojë, ende pa filluar punimet, kurse kusurin, atij i duhej ta mbante për të paguar vetveten, sa për të jetuar. “Mashallah” dhe kjo rrugë do të zgjaste nja dy vjet të mira po qe se nuk do të kishte shumë shira.
Sidoqoftë, sipas Mytesarifit, vitin tjetër, do të kishin një rrugë të përsosur e cila do të merrte jetë nga hapja e shkollave të të gjitha llojeve, veç atyre të gjuhës dialektale.
Unë e inkurajova këtë njeri të mirë për realizimin e planeve të tij dhe i sugjerova se me një lumë të tillë, me një rrjedhë kaq të fuqishme, ai mund të ndriçonte me dritë elektrike të gjithë qytetin, të modernizonte punishtet e këpucarive (një nga zejet më kryesore të Beratit) dhe të ndërtonte një hekurudhë të thjeshtë për në Avlona. Këto fjalë e hutuan fare atë.
“S’janë mbushur ende 24 orë që kurse keni ardhur këtu dhe ju vijnë në mend gjithë këto ide! Ju, shtoi ai si një besimtar i devotshëm, mendoni vetëm për shërimin e njerëzve. Unë —- shëroj shpirtërat e tyre”
Berati ka vetëm një konsullatë, konsullatën greke. Populli shikon tek ajo të vetmen lidhje me botën e jashtme, e cila është mjaft e sigurt për të bërë letërkëmbimin me jashtë, dhe grekët, duke mos patur këtu të tjerë partnerë, bëjnë një propogandë të shfrenuar. Janë katër shkolla greke, për të cilat, thuhet se Greqia investon 300 lira në vit, është, gjithashtu, edhe një bishop. Nga ana tjetër, edhe Italia po bën ç’është e mundur për të hapur një shkollë të vetën për t’iu kundërvënë ndikimit grek.
Qyteti ka rreth 11,000 banorë, më shumë se gjysma e të cilëve, janë myslimanë.
Jeta në provincat në periferi të qytetit është fare primitive. Gjakmarrja e tmerrshme dhe kaçakëria, kanë qënë shumë të përhapura, deri sa, një vit më parë, kundër tyre filluan të merren masa të rrepta duke i kapur autorët dhe, disa prej tyre, edhe duke i dënuar me vdekje. Por në këto fshatra bëhet ende një jetë e egër, si në mesjetën e hershme, ku grupet rivale të Bejve të sjellin ndërmend armiqësinë e njohur mes familjeve të njohura fisnike të Montagëve dhe Kapuletëve në Italinë mesjetare. Trazira më e fundit ishte rasti i Sali Beut. Dikush donte që të martonte vajzën e vet me një vllah. Por njëri nga sejmenët e Sali Beut donte ta merrte këtë vajzë për vete. Ai shkoi tek Saliu dhe iu u lut që ta ndihmonte. Babai i vajzës, nga ana tjetër, i përkiste grupit të një Beu që ishte në rivalitet me Salinë. Beu rival i dërgoi fjalë Sali Beut që të mos e pengonte vajzën që të martohej me vllahun; Saliu, nga ana tjetër, ngulte këmbë tek e tija. Që të dy Bejtë dërguan për t’u ndeshur kundër njëri -tjetrit po thuajse nga tridhjetë veta seicili, që të gjithë të armatosur. Filloi një përleshje e ashpër ku disa prej tyre u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën rëndë, midis tyre tre gra, duke përfshirë edhe vetë vajzën, e cila u kap nga njerëzit e Sali Beut, që e morën me vete dhe e mbajtën të mbyllur në burg për gati një muaj. Pastaj ata u detyruan që ta linin të lirë dhe ajo u martua me vllahun. Kjo ngjarje, si në shekullin e katërmbëdhjetë, ka ndodhur vetëm dy vjet më parë. Ajo u bë shkak i një zemërimi aq të thellë sa që Sali Beun e kapën, e nxorën para gjyqit dhe e dënuan me tre vjet e gjysëm burg. Ai bëri apelim dhe çështja kaloi për t’u rishqyrtuar në Gjykatën e Lartë.
Në përfundim të këtij rrëfimi unë shpreha frikën se ai, pas këtij gjyqi, mund t’i këtë shpëtuar më në fund ndëshkimit.
“Oh, jo” u përgjegj bashkëbiseduesi im, “Siç e di, këtu, tek neve çdo gjë bëhet ngadalë – ngadalë, dhe duhet të presësh shumë për të zgjidhur një hall me qeverinë. I kanë premtuar se do të bëjnë një gjyq tjetër, po kushedi sa do të zgjasë akoma…! Ndërkaq, Saliu është akoma në burg. Edhe sikur të arrijë që të provojë pafajësinë e vet, ai prapë duhet të vuajë në burg dënimin prej tre vjet e gjysëm. Kështu është tek ne! Berati ishte plot me lypsa.. Disa prej tyre jetonin nëpër shpellat anës lumit, jashtë qytetit. Komunikimi me botën e jashtme është i vështirë dhe shumë i kufizuar; bujqësia është e prapambetur dhe, po qe se prodhimi nuk është i mbarë, pllakos uria. Si pasojë e thatësirës së vitit 1902, shumë fshatarë vdiqën nga uria, edhe pse u përpoqën ta mbanin frymën gjallë duke ngrënë gjethe dhe lëvore pemësh dhe, siç më thanë, njerëzit s’e kanë marrë akoma veten nga kjo krizë.
Në kohën kur unë mbrita në Berat, vendasve po u kërkohej që të paguanin një taksë prej 3,000 frangash, dhe i dëgjoja beratasit tek thoshin me zemërim: “ Të gjitha këto para do të mbushin xhepat e zyrtarëve evropianë për t’i bërë më të pasur se ç’janë. Evropa do të bënte mirë të na linte rehat dhe të mos mbledhë paratë nga një vend e për të paguar një tjetër. Në se ne do të ngrinim krye, do të na siguronte Anglia të njëjtën ndihmë që po i jep edhe Bullgarisë!?”
Mjeshtëria kryesore e Beratit ishte ai i lëkurëpunuesve, “opingarëve”(këpucë karakteristike prej lëkure) dhe samarxhinjve. Aty ndodhet edhe një pazar magjepsës.
Kur shoqëruesi im ishte i zënë me punë, sorollatesha pothuajse vetë nëpër rrugë ku ndeshesha me njerëzit të cilët më përshëndesnin me respektin më të madh. Ne se do të më qepej prapa ndonjë fëmijë, i pari qytetar që do të më dilte përpara, do ta dëbonte.
Gjëja më e çuditshme që vura re në këto qytete është se ajo ç’ka mund të quhet e shëmtuar, është tmerrësisht e ulët dhe e neveritshme, ndërsa e bukura, mjaft e lartë dhe e madhërishme. Kohërat përzihen me njëra – tjetrën. Njerëzit pëlqejnë të vishen si evropianë dhe duken mjaft elegantë. Ju mund të shkoni në një farmaci dhe të blini atje ujë të gazuar, të importuar nga Franca, nga një njeri i cili flet frëngjisht. Kur shkon në Pazar, takon malësorë me shtat të lartë dhe të hollë, veshur me fustanella të derdhura dhe të armatosur me ca pushkë të gjata dhe të reja, të një modeli të vjetër gati 250 vjeçar.
Dhe gjëja më e shëmtuar që munda të shikoja, ishte një lloj fakiri me fytyrë të rreshkur dhe të nxirrë, me sy të shqyer e gjysëm i leckosur i cili, me sëpatën e vogël dhe me tasin e lypësit që mban nëpër duar dukej sikur ishte sjellë nga Lindja e Largët.
Në han kisha zënë një dhomë të vogël, të pamobiluar, me tre fole dallandysheje nëpër qoshet e saj dhe me një vrimë në dysheme.
Për të ngrënë merrja thela mishi nga menca. Ky ishte i vetmi ushqim që mund të zgjidhja atje. I zoti i mencës të pyet se sa dëshiron. Ti i tregon me anë të gishtrinjve se sa ‘grosh’ do të harxhosh për të blerë thelën e mishit; ai e pret atë, dhe, duke mbërthyer një grusht kripë me kokriza të mëdha dhe të pista ngjyrë gri nga një enë e madhe aty pranë, e fërkon atë mes pëllëmbëve të duarve duke kriposur mishin e vënë në pjatë. Ta jep pjatën me vete dhe më von dërgon dikë tjetër për ta marrë. Ushqimi, vërtet nuk është i shijshëm, por është i ushqyeshëm. Mishi është i freskët dhe buka ishte tamam bukë. Mishi nuk i kishte humbur vlerat ushqimore nga qëndrimi i gjatë nëpër frigorifere dhe buka ishte gatuar me miell safi, prodhuar nga bimë që nuk ishin rritur duke i stimuluar me kimikate.
Qyteti i vjetër quhet Kastra, që tingëllon sikur këtë emër ta ketë marrë nga romakët (që ata kanë patur këtu, dikur, një qytet, kjo duket qartë nga disa piktura që ndodhen në murin e një kishe) dhe që është e vendosur në majë të një kodre mbi lumë. Njëra faqe është rrëpirë dhe tjetra e pjerrët, thikë, ndërsa maja e saj është e rrethuar e gjitha me mure dhe fortifakata të epokave të ndryshme. Në disa vende, muret rrethues kanë gurë gjigandë të formave të çregullta; mbi ta, tek hyrja kryesore, pas një shtrese me çakëll, janë vendosur tulla të sheshta e të lidhura me llaç. Në anën e djathtë të portës, ndodhen shkronjat ‘M.K.’ dhe nje kryq i bërë prej tullash të kuqe.
Një gjë e tillë të lë të kuptosh se kjo pjesë ka qënë e ndërtuar nga Mihal Komneni, i cili themeloi Despotatin e Epirit në vitin 1202. Pjesa tjetër e mureve i përket periudhës së mëvonshme, deri në kohën e sulmeve të Ali Pashës.
Me Kastrën është e lidhur një ngjarje mjaft ngacmuese: rrethimi i saj nga Skënderbeu. Pikërisht këtu, pranë mureve të saj, u vra nga turqit edhe Muzaka, Zoti i Myzeqesë.
Më pas, Berati u bë kryeqyteti i Toskërisë dhe ishte e qeverisur nga Pashallarët, që e quanin veten e tyre pasardhës të familjes së Kastriotëve, deri në fund të shekullit XVIII. I fundit nga këta sundimtarë ka qënë Kurd Pasha i cili bëri një luftë të ashpër me Kara Mahmut Pashën e Shkodrës. Ai jetoi më gjatë se sa pashai i Shkodrës të cilin e vranë malazestë. Rojti për të kapur rob djaloshin e ri nga Tepelena, Alinë, i cili në atë kohë ishte vënë në krye të një bande hajdutësh. Në se Kurd Pasha nuk do të ishte treguar i mëshirshëm ndaj tij, nuk do të kishim patur një Ali Pashë Tepelena. Ai njihej për bujarinë e tij, por ishte edhe shumë i pasur. Pikërisht, Kurdi ndërtoi urën që qëndron ende përmbi lumë. Ndërtuesi, me të cilin ai u konsultua, në fillim i bëri naze, duke i thënë se asnjë lloj ure nuk mund të qëndronte sipër një lumi të tillë, kaq të rrëmbyeshëm. Ustai nuk besonte se Kurdi do ta paguante aq mirë, sa, ky i funditi, vetëm për t’i treguar ustait se nuk pyeste për para, nxori nga xhepi një qese me florinj dhe e hodhi atë në ujë. Atëhere, ustai, ndëroi mendje dhe nisi t’i shpjegonte se egzistonte një mënyrë për të bërë një urë mjaft të fortë dhe…ai e ndërtoi atë. Kështu tregojnë për të…Pas vdekjes së Kurdit, Ali Pasha pushtoi Beratin dhe rikonstruktoi pjesën më të madhe të mureve mbrojtës të kështjellës. Qysh nga ajo kohë, Berati ka qënë në duart e turqve.
Në një nga kullat gjënden shtatë topa të vjetër prej bronzi, në gëndje shumë të mirë, dy prej të cilëve janë ende të vendosur mbi karro lëvizëse, tanimë të kalbura. Cilido vend tjetër do t’i kishte ruajtur ata në ndonjë muze…. Njëri prej tyre, i cili është prej hekuri, mban datën ‘1684’dhe shkronjat ‘T.W.’ të alfabetit romak, të cilat të lënë të kuptosh se, këta topa, ka shumë mundësi të jenë të prodhimit anglez. Po të jetë kështu, kushedi se ç’mund të kenë hequr deri sa, më në fund, të vijnë e të prehen këtu, në Berat.
Tani Kastra është një lagje e krishterë. Aty ndodhet ende një kishë e vjetër që i përket kohës së para pushtimit turk, ndërsa në faqen e pjerët të kodrës, mes shkëmbenjve, duken dy kisha të tjera, të vogla.
Në dalje të qytetit ndodhet varreza e madhe e myslimanëve. Gjithnjë, varrezat e tyre, i gjen nëpër vende të sheshtë dhe mjaft të gjerë.
Për sa i përket të krishterëve ortodoksë, si këtu, ashtu edhe në Maqedoni, ata nuk kanë të tilla varreza. Është një zakon për besimtarët e kishës greke – në këto anë – që në më të shumtën e rasteve, i zhvarrosin kufomat e të vdekurve pasi janë mbushur tre vjet, dhe pasi u lajnë eshtrat dhe i bekojnë, i ruajnë në një ndërtesë të posaçme. Në ato raste kur trupi nuk është tretur plotësisht, thonë se është shënjë e keqe. Neve nuk na pëlqen fare një zhvarrosje e tillë, edhe pse shumë herë, dëgjoja të krishterët ortodoksë të flisnin me përbuzje për këtë zakon të keq të myslimanëve, të cilët, për hir të mendimit që t’i linin të vdekurit të preheshin në paqe, zinin sipërfaqe të mëdha tokash të mira.
Gjatë, pothuajse, një jave që qëndrova në Berat, ndjeva një mikpritje jashtëzakonisht të mirë dhe isha e lirë nga vëzhgimi i policisë. Një shoku im nuk e pati këtë fat. Valiu i Janinës, një ditë pas mbritjes, telegrafoi duke njoftuar për të se ishte njeri i dyshimtë dhe se duhej të paraqitej në konak me të gjitha plaçkat për t’iu nënshtruar kontrollit të policisë. Shkova edhe unë me të, vetëm sa për t’u thënë se ai nuk ishte ndonjë njeri i rrezikshëm. Dy policët dhe një Pasha, i cili tha se ishte mik i ngushtë i Sulltanit, nuk e pritën mirë praninë time, por nuk më dëbuan jashtë.
Kontrolli ishte fare qesharak. Ata i ishin përkushtuar me kaq zell kësaj pune, sa që unë nuk munda ta mbaja më të qeshurin, gjë që i habiti jasht mase. Ata prisnin se unë do të alarmohesha nga kjo skenë dhe do dridhesha nga frika. Diçka filluan të thonë me njëri – tjetrin në gjuhën turke, por udhërrëfyesi im, Betli, refuzoi t’u përkthente atyre ca fjalë për të qeshur që unë doja t’u thoshja. Sidoqoftë, ai ishte i mendimit se prania ime aty, e lehtësonte jashtë mase situatën…
Të nesërmen, aty rreth orës gjashtë të mëngjesit u nisëm për në Elbasan.
….Më në fund kaluam edhe Shkumbinin, vijën kufitare me gegërinë duke kaluar nëpër një tjetër urë, të ndërtuar nga Kurd Pasha, dhe, në të perënduar të diellit, mbritëm në qytet. Isha tmerrësisht e lodhur nga të koloviturit mbi shpinën e kalit dhe vetëm me një kokër vezë që në drekë. Komosari i Policisë së Beratit, i cili kishte bërë emër mes popullsisë të krishtere të Beratit, si një njeri që ‘kishte shejtanin në bark’ pati telegrafuar se po vinin dy njerëz të dyshimtë dhe me pikpamje revolucionare, ndaj dhe kur mbritëm atje, po na priste policia e Elbasanit.
Në gegëri ishte fare ndryshe. Atje policët ishin shumë të sjellshëm. Në se u duhej të bënin detyrën për të ushtruar kontroll, të linin deri ditën e nesërme, duke pritur deri sa të çlodheshe nga rruga….”

Aubrey Herbert, bashkëkohës i Edit Durhamit, dhe si bashkëthemelues i një shoqërie Anglo-Shqiptare, i palodhur për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar, gje qe, në vitin 1913, bëri që ai të vlerësohet, si i pari ndër dy veta, të cilët duhej të përgatiteshin për t’iu përgjigjur kërkesës, në se do të pranonin Fronin Mbretëror të Shqipërisë, i cili perben nje kapitull te vecante ne kuadrin e ketij studimi per kete periudhe te historise se Shqiperise dhe te popullit shqiptar, thotë:
‘… Edith Dyrham ringjalli Shqipërinë në kujtesën e Evropës.”
Sa herë që flas lidhur me mendimin e të huajve për Shqiperinë dhe Shqiptarët, më pëlqen të përmend fjalët e mikut tim anglez, akademikut, Philip Winn, i cili vizitoi Shqiperinë dhe qytetin tim Muze të Beratit me rastin e 2400-vjetorit të lindjes, në vitin 1991.



“Ç’kënaqësi sikur dashamirës të Shqipërisë të gjenin kohë dhe të bënin përpjekje për të ndryshuar mendimin dhe gjykimin e tyre për këtë vend, ashtu sikurse fatmirësisht po më ndodh edhe mua…!

Le të shpresojmë se djali jonë Aleksandër dhe djali juaj, Peter do të jetojnë në një Europë më të bashkuar..!

Le të shpresojmë që të takohemi përsëri në Shqipëri, në kohë më të mira..!

Jam i bindur se ditët që do të vijnë do ta bëjnë një gjë të tillë!”




No comments:

Post a Comment