2017-03-13

Mihal Hanxhari, ky ajsberg i vetmisë



Nga: Yzedin Hima

Mihal Hanxhari tërë jetën ledhatoi librat e të tjerëve, por nuk arriti kurrë të prekte librat e tij. Ai punoi gjatë si punonjës biblioteke në bibliotekën e Universitetit të Tiranës.Veprat e tij në proze dhe poezi u botuan pasi ai ndërroi jetë, në vitin 1999. Arsyeja kryesore e mospublikimit të këtyre teksteve, ose arsyeja e fshehjes në kohë të këtyre teksteve, gjendet te vetë këto tekste. Shkrimtaria dhe vepra letrare e Mihal Hanxharit bie ndesh me metodën dhe produktet e vetdijes kolektive të shkrimtarëve të socrelizmit. Pas botimit, tekstet letrare të Mihal Hanxharit shpejt ranë në sy të lexuesit dhe kritikës letrare për shkak të diskursit origjinal dhe modern të tyre. Shkrimtari Mihal Hanxhari e tronditi “protokollin e ngrirë të letrave shqipe”, duke zënë vendin e nderuar si poet e prozator. Mihal Hanxhari me tekstet e tij letrare përfaqëson atë letërsi që qe krijuar dhe shkruar gjatë diktaturës, por nuk qe çuar kurrë në shtëpinë botuese, sepse pengohej prej frikës se nuk do të pranohej për botim. Autori ishte i vetdijshëm se kjo letërsi nuk ishte nyjëtuar sipas metodës së realizmit socialist. Këto tekste nuk janë çuar për botim prej frikës së dënimit të tekstit dhe prej frikës së dënimit edhe të autorit të tekstit, siç kishte ndodhur rëndom. Mihal Hanxhari me tekstet e tij letrarë përfaqëson atë letërsi të penguar që u shfaq pas rënies së diktaturës dhe shkaktoi habi estetike te lexuesi. Mihal Hanxhari i përket si shkrimtar një letërsie tjetër, e cila u zhvillua krahas letërsisë së realizmit socialist në Shqipëri gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Kjo letërsi, për shkak të dallimeve esenciale me letërsinë e realizmit socialist, mund të emërtohet si letërsia e penguar. Kjo letërsi ekziston si rrjedhë e veçantë me një sens të kundërt si shkrimtari me letërsinë zyrtare. Kjo letërsi me tekste letrare të autorëve si Mihal Hanxhari, Zef Zorba etj. zë një vend të rëndësishëm në mozaikun e “Letërsisë shqipe” si vazhdim i letërsisë së modernitetit, letërsi e ndërprerë dhunshëm nga metoda e realizmit socialist, por që vijoi rrjedhën pikërisht në kushte ilegale ose gjysëm ilegale. Kjo letërsi i ruajti tiparet e modernitetit si shkrimtari dhe si tekst, duke i pasuruar më tej këto tipare. Mihal Hanxhari ka qënë njohës i disa gjuhëve perëndimore dhe e ka ndjekur me vëmëndje rrjedhën e letërsisë botërore, gjë që ka ndikuar edhe në formën e nyjëtimit të teksteve të tij letrare. Në teoritë e sotme të leximit ka mendime se kuptimi i një teksti gjendet dhe zbulohet edhe te lexuesi. Përfytyrohet fati i keq i teksteve që burgoseshin në kohë. Këto tekste humbnin lexuesin e kohës së tyre, por humbnin edhe një pjesë të kuptimit të tyre që gjendej pikërisht te ky lexues. Dihet se një tekst që është shkruar dyzet vjet më pare, nuk lexohet krejt njëlloj nga lexuesi i dyzetë viteve më pas. Mungesa e lexuesit, sidomos lexuesit të kualifikuar, mungesa e krahasimit të teksteve letrare, mungesa e konkurimit të tyre e dëmton krijimtarinë letrare. Mungesa e receptimit në kohë të veprës letrare të Mihal Hanxharit dhe e disa shkrimtarëve të tjerë si Zef Zorba, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, natyrisht ka deformuar rrjedhën normale shkrimtar- vepër letrare – lexues, duke krijuar një hierarki vlerash letrare me mungesën mbreslënëse pikërisht të këtyre autorëve.

Mihal Hanxhari trondit protokollin e ngrirë të letrave shqip

Tekstet letrare të Mihal Hanxharit, krahasuar me tekstet letrare të autorëve bashkëkohës me të, dallojnë qartë. Tekstet letrare të Mihal Hanxharit nuk janë nyjëtuar sipas parimeve të ngurta të socrealizmit, por kanë tiparet më të mira të letërsisë së modernitetit të viteve 30 – 40 të shekullit të kaluar. Autori e ka pasuruar këtë tipologji me karakteristika të letërsisë bashkëkohore europiane. Diskurset e kësaj letërsie nuk ishin qëllimore, nuk ishin ideologjike. Shkrimtarët bashkëkohës të Mihal Hanxharit, të cilët i ngjizën tekstet e tyre letrare sipas metodës së realizmit socialist, me disa përjashtime, lanë pas një letërsi të zotuar, një letërsi të qëllimshme, e cila në mjaft tekste të saj nuk i qëndron më kohës për shkak të politizimit dhe nivelit të zbehtë artistik. Metoda e socrealizmit do të çmineralizonte çdo lloj teksti të krijuar në letërsinë shqipe dhe letërsia do të humbte tiparet si e tillë. Edhe përpjekja e ndonjë shkrimtari me talent letrar për të bërë “martesën” e letrares me propagandën mund të prodhonte një farë teksti letrar apo vepre letrare që mund të klasifikohet si letërsi e zotuar, apo letërsi e qëllimtë. Krahasuar me tekstet letrare të krijuesve bashkëkohës të tij, tekstet letrare të Mihal Hanxharit kanë epërsi sepse janë shkruar pa autocensurë, duke refuzuar parimet e ngurta të socrealizmit dhe publikimin e tyre në kohën e diktaturës. Vepra e tij i shpëtoi kontrollit të censurës zhdanoviste për faktin e thjeshtë se nuk u botua, e për rrjedhojë nuk kaloi nëpër morsën e shtërnguar fort të letërsisë së socrealizmit, gjë që kishte ndodhur me të gjithë tekstet letrare të botuara të autorëve bashkëkohës të tij. Mihal Hanxhari për nga mosha i përket brezit të artë të shkrimtarëve që krijuan disidencën estetike në vitet ’60 të shekullit të kaluar si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Dhori Qiriazi, Fatos Arapi etj. Kemi të bëjmë me një brez krijuesish mjaft të talentuar, të cilat falë talentit të tyre thyen kornizat e ngurta dhe krijuan mjaft tekste letrare, të cilët zor se mund të përkufizohen si letërsi e socrealizmit. Sidoqoftë, edhe në këto tekste ndihet autocensura dhe censura. Tekstet letrare të Mihal Hanxharit, për nga niveli artistik qëndrojnë pranë teksteve letrare të këtyre autorëve të shquar, por pa ato “tatuazhet” që lë në to autucensura dhe censura. Në tekstet letrare të Mihal Hanxharit miti i turmës, që gjendet rëndom në tekstet letrare të bashkëkohësve të tij, zëvëndësohet me mitin e vetmisë. Te teksti i poezisë “Ajsberg” njeriu është peshk i vetëm nën trysninë e ajsbergut të vetmisë: Ajsberg i vetmisë / Kujtimi yt i bardhë flet me yllin polar / Po dëshpërimi yt i heshtur nën ujë /… (poezia “Ajsberg”). Një tekst i tillë zor se mund të shihte dritën e botimit para viteve ’90, ndonëse është krijuar dhe shkruar në ato vite. Miti i fitores, aq shumë i pranishëm në tekstet letrare të autorëve të brezit të tij, te Mihal Hanxhari zëvëndësohet me mitin e humbjes, miti i krijimit të njeriut të ri zëvëndësohet me mitin e metamorfozës: … Dhe ne të gjithë jemi memecë / Ngjajmë me thnegla që venë e vinë / Me nga një mal sipër në shpinë… / ( poezia “Fjalët”) Në tekstet letrare të shkrimtarëve bashkëkohës, me një farë futurizmi i këndohet betonizimit dhe pallateve me shumë kate, ndërsa Mihal Hanxhari shkruan:… Zot shpëtoje Tiranën / Lërja këto ura nate me hënë…/ Lërja aromat e lashta / Që derdhin pjergullat / Lëri mos i tremb shpirtrat e bardhë / Të stërgjyshërve tanë / Që janë aty aty…/ (Tirana). Disa nga tekstet poetike për dashurinë të poetit Mihal Hanxhari, parë në aksin estetik dhe atë kuptimor janë antologjikë, krahasuar në kontekstin e brezit të tij letrar e më gjerë. Uni poetik në lirikën e Mihal Hanxharit ndihet i lirë pikërisht kur arratiset në dashuri: …Atë natë në ajrin e vakët / Sikur qemë zhytur lakuriq në qiell… ( poezia “Ti ankora ime”). Dy poemat për dashurinë të titulluara “Aldebaran” dhe “Menhir” janë unikale në llojin e tyre dhe është pakëz e vështirë për të gjetur simetrinë e tyre në poemat lirike të kohës. Në poemat lirike të poetëve bashkëkohës të Mihal Hanxharit nuk gjen tekste që t’i këndojnë dashurisë nga fillimi deri në fund; aty lirika e dashurisë ndërthuret me atë të krijimit të koncepteve të reja për jetën, krijimin e mardhënive të reja midis njerëzve në kantjere etj., ndërsa te dy poemat e Mihal Hanxharit i gjejmë të gjithë arketipet e dikursit poetik të tij si: dashuria si zanafillë dhe njëkohësisht si përjetësi e ekzistencës së njeriut, dashuria si perandori e përjetshme, dashuria si kontinuitet i pandërprerë i jetës njerëzore.

Iku më 1999 dhe u kthye më 1999

Mihal Hanxhari u lind më 1930 në Kentaki (SHBA) dhe u rrit në Tiranë. Studimet e mesme i kreu në gjimnazin e Tiranës, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Budapestit në degën Histori – Gjeografi. Në vitet ‘60-‘75 emërohet Drejtor i Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Tiranës, ku kryen një punë të shquar për ngritjen në nivele evropiane të kësaj biblioteke. Në vitin 1975 u pushua nga puna si njeri liberal dhe përhapës i kulturës borgjeze dhe u dërgua sportelist në një filial të bibliotekës, ku punoi në hije dhe i izoluar për 15 vjet, derisa doli në pension. Me shembjen e diktaturës, kultura dhe aftësitë e tij u vlerësuan dhe në vitet ‘94-‘95 mban leksione në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris. Mihal Hanxhari për shumë vjet me radhë pati shkruar një numër të madh poezish, prozë dhe përkthime, të cilat u gjetën pas vdekjes së tij në qershor të 1999, që u botuan nga familjarët dhe shokët. Ato përbëhen nga dy vëllime me poezi, tri vëllime me proza poetike dhe gjashtë vëllime me përkthime të poetëve të mëdhenj botërorë. Kritikët shqiptarë e kanë vlerësuar lart këtë krijimtari. Këto vlerësime janë botuar në një vëllim të veçantë të titulluar: “Mihal Hanxhari. Njeriu dhe vepra”. (Shënimet janë nxjerrë nga libri “Gdhend një statujë”- poezi- 2005). Krijimet e Mihal Hanxharit përbëhen nga dy vëllime me poezi origjinale, tri vëllime me proza poetike origjinale dhe gjashtë vëllime me përkthime të poetëve të mëdhenj botërorë, si Mikelangelo, Shakespeare, Tagore, Wilde, Baudelaire, Gide. Vitet e fundit janë botuar librat e tij në prozë, poezi dhe përkthime. Kështu janë botuar “Se sytë e mi kështu e shohin botën “, poezi, 1999; “Na ishte njëherë”, prozë, 2000; ” Ti vdekja ime e mbushur me jetë”, poezi, 2002; “Gdhend një statujë”, poezi të zgjedhura, 2005; “Malli për Shqipërinë”, poezi dhe tregime për shkollat 8-vjeçare, 2002; “Duke dëgjuar heshtjen”, skica dhe tregime, 2002. Mihal Hanxhari duhet të përfaqësohet në historinë e letërsisë shqipe si një shkrimtar i shenjuar i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Po pse? Sepse vepra e tij letrare, parë në kontekstin e veprave të shkrimtarëve të brezit të tij, është mjaft e arrirë dhe qëndron me dinjitet artistik në mozaikun e krijimtarisë letrare të këtij brezi të artë krijuesish. Ai duhet të përfaqësohet në një histori letërsie sepse, krahas vlerave artistike të pazakonta, ai përfaqëson krijuesin që nuk bëri asnjë lloj kompromisi në dëm të artit, duke refuzuar botimin e receptimin e teksteve letrare të deformuara sipas metodës së socrealizmit. Shkrimtari Mihal Hanxhari në antologjinë letrare mendoj se mund të përfaqësohet me këto tekste: poezitë “Ajsberg”, “Fjalët” dhe “Elegji për Kosovën”, me fragmente nga poemat “Aldeboran” dhe “Menhir” dhe me prozën poetike “Dritare të hapura”.

Habi estetike

Në tekstet poetikë të Mihal Hanxharit dukuritë, objektet, njerëzit, ngjyrat, tingujt, format shfaqen në një dritë zanafillore, që projekton skenën e pandërprerë të shndërrimeve të tyre. Kjo mënyrë konceptimi e ndihmon mjaft poetin për të ndërtuar realitete artistike, ku shenjat sjellin imazhe të gjalla të metamorfozës nga zanafilla deri në çastin fatlumë të shfaqjes.

Poezia “Fjalët” është tipike, ndaj mendoj se duhet të jetë në antologji. Ashtu siç krijohet një stalakmit duke pikur për mijra vjet, ashtu është krijuar edhe fjala. Onomatopeja pike pike krijon muzikën e këtij krijimi: Sa mija vjet sa mija vjet / Sa errësirë sa terr në net’ / Sa vezullim e sa shkëlqim / Pikë pikë pikoi pikoi / Shkronja me shkronjë u lidh ngadalë / U bë rrokje u bë fjalë…/ Në këtë tekst autori ka parathënë fatin e poezive të tija: … Të gjitha fjalët e bëra gurë / Të gjitha fjalët e bëra rërë / Ah si do të vijnë të gjitha tok / Në këmbë do ngrihen do marrin krahë / Do hedhin tej plloçën e gurtë / Me dritë qiellore me kor qiellor /. Mendoj se poezia “Ajsberg”, gjithashtu, duhet të përfshihet në antologji për shkak se një tekst letrar i tillë është vështirë të gjendet te tekstet letrare të poetëve bashkëkohës, për arsye që merren me mend: poezi simbolike, me theks të fortë te fati i njeriut në tirani: Ajsberg i vetmisë / Kujtimi yt i bardhë flet me yllin e polit / Po dëshpërimi yt i heshtur nën ujë / Peshon peshon më shumë se qielli /… Poezia “Hije reshë” sjell energjinë e pazakontë që ka fjala tek tekstet e Mihal Hanxharit për të shprehur dhembjen për mungesën e lexuesit: Ku drita kish ikur nëpër terr / Për t’u bërë gjak i mpiksur / në një varg / … Mendoj se kjo poezi është antologjike, parë në rrafshin estetik dhe atë kuptimor.

Poezia “Elegji për Kosovën”, mendoj se është një poezi atdhetare unitare për këto arsye: Eshtë një lutje e gjatë drejtuar Zotit për të shpëtuar sytë e fëmijëve të Kosovës: …. Zot shpëto ata sy të kaltër të peshqve blu / Që flenë në shi dhe ëndërrojnë engjëjt e tu /…; për të shpëtuar heshtjen e pleqve të Kosovës: Zot shpëto ato heshtje të pleqve të Kosovës / Që flasin me brazdat e baltës plot ujë të vjetër / Ujë nga shiu i pare i botës që njomi këtë dhe … / Në poezinë atdhetare bashkëkohëse të Mihal Hanxharit kemi urrejtje, kushtrime, vringëllima armësh, luftime, heronj, ndërsa te ky tekst kemi një lutje. Një lutje elegante, sa njerëzore aq edhe poetike, ku poeti i përunjgjur i drejtohet të Gjithfuqishmit.

Mihal Hanxhari ka shkruar mjaft poezi në forëm proze, apo siç emërtohen proza poetike, ndër tekstet e tij poetike më të arrira. Në antologji mund të sjellim njërën prej tyre të titulluar “Dritaret e hapura”. Autori me një frymë, vetëm me një fjali të përbërë, vizaton një pejzazh mahnitës, ku fjalët janë edhe ngjyrë, edhe muzikë, edhe mendim.

Poemat lirike të Mihal Hanxharit “Aldebaran” dhe “Menhhir” janë dy krijime të cilat duhet të jenë në antologji. Të dy poemat janë ndër krijimet më të arrira të llojit në gjithë lirikën e dashurisë të krijuar nga poetët e brezit të tij. Poeti Mihal Hanxhari, siç nënvizuam edhe më lart, e sheh dashurinë të vjetër sa bota, dhe të dashuruarit të vjetër sa dashuria. Në rrafshin semantik ky përcaktim është i përligjur. Te njeriu ekziston e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja në forëm kujtese, gjuhe, genesh, experience, tiparesh. Edhe dashuria e sotme shndërrohet dhe krijon menhiret e së nesërmes: Dhe aty buzë detit lëshuam hijen tonë / Hije menhiresh dashurie që përqafohen përjetë me kujtimin /.( Poema “Menhir”) Mahnia estetike e lexuesit është e përligjur kur takon vargje të tillë: O natë erdh’ muzika zbathur nëpër erë / Deti nisi zërat me gjemit’e tia / Këngë, o këngë ku mbytet dashuria / Shpirti rri zgjuar, dhembjen vë të flerë / O natë erdh’ muzika zbathur nëpër erë. / (vargje nga poema “Aldebaran”). Mendoj se dy poemat janë menhirë të gdhendur në gjuhë nga poeti Mihal Hanxhari. Ai e shihte dashurinë edhe si strehë, ku mund t’i shmangej urrejtjes dhe dhunës, ku mund të ndihej i lirë.

No comments:

Post a Comment