2017-03-26

Monika Shoshori Stafa, pjesë elitare e publicistikës shqiptare

Skender temali.jpg

Nga Skënder Temali


 Zonjën Monika Shoshori Stafa, e njoh nga ekrani i televizorit, por dhe nga artikujt e saj që kam lexuar tash e parë viteve të fundit në shtypin shqiptar. E se ato janë disafarëshe: realiste, filozofike, historike, politike, kulturoro-artistike, etike, përshkruese etj. Monika nuk mbetet robëreshë e zhanreve publicistike, i kapërcen caqet e tyre, përdor mjeshtërisht edhe figura e trajtime letrare të mirëfillta, kap e trajton probleme të mprehta të kohës pa bërë asnjëherë kompromis me të keqen e “baballarët e kombit”, ka depërtim vertikal e jo horizontal për ato që merr përsipër të trajtojë e kjo, mendoj, se përbën vlerë për çdo krijues.


Monika Shoshori Stafa, pjesë elitare e publicistikës shqiptare

Unë vetë, për 15 vjet kam punuar redaktor në Radio- Shkodra e gazetën lokale në kohën e komunizmit. Di si pak kush të bëj dallimet, censurën e autocensurën, siç edhe lirinë e sotme, me hapësira të pakufizuara të shprehjes. Këtë liri Monika e shfrytëzon, përmes një gjeografie problemesh e sfidash që i ofron vetë koha që jetojmë. Fatmirësisht Monika i përket plejadës elitare të publicistikës shqiptare të çerek shekullit të fundit, edhe pse në këtë periudhë kohore, ka pasur përçudnime të fjalës e të shtypit të lirë. Brumin e materialeve të saj publicistike e që na ka paraqitur në këtë libër ajo nuk e stis, e merr nga magja e jetës. Trajtimet sjellin një informacion nga shumë e shumë fusha, çka flet se nuk kemi të bëjmë me një gazetare e analiste rastësore, por me një autore me një bagazh diturak që të bën për vete.

Konçiziteti i shkrimeve të këtij vëllimi e lejon lexuesin ta shohë jetën nga shumë këndvështrime e kjo jo vetëm se ajo e ka orientuar atë në ndarjen në katër pjesë, por sepse ai sheh veten e tij në pasqyrë e jetën shqiptare me plus-minuset e saj, duke nisur që nga sharlatanët e mbirë si kërpudhat pas shiut e deri tek sistemet ekonomike e rrymat bashkëkohëse politike, kulturore e letraro-artistike shqiptare, europiane e botërore, ku autorja eksploron jo pa sukses e duke qenë gjurmëlënëse. Konçiziteti i shkrimeve mendoj se përbën një tjetër vlerë të këtij libri e të kësaj autoreje. Ajo ka bërë kujdes të vazhdueshëm që të ketë sa më pak ujë, pa u hallakatur sa poshtë e përpjetë, por duke dhënë pa dorashka kuitesencën. Pasuria leksikore e gjuhësore tregon për formimin edhe në këto fusha të Monikës. Fraza nuk na lodh me gjet kryefjalën, pasi kryefjalë është analiza e mesazhi që përcjell.

Unë, si autor i disa librave artistikë të zhanreve të ndryshme në gati gjysmë shekulli, me interes të veçantë kam lexuar sidomos artikujt e “Qasjes kulturore”. Përveç bollëkut të informacionit që merr lexuesi, pasi ka lexuar secilin prej tyre, sikur polemizon e vetëkritikohet, duke belbëzuar: “Po këtë, si s’e paskam ditur!?” Kjo natyrisht që s’të krijon ndjesinë e mirë, por që e mbush autoren se i jep lexuesit, qoftë edhe elitar, një novitet në mendim e problematikë të këtij rrafshi. Kë të veçosh në këtë korpus? “Librin e pushimeve”, “Shijen e vrarë të librit”, “Tradhtia ndaj përkthimit”? Mendoj se ato e të tjerë kanë kapur kuotat që do t’i dëshironte çdokush që bën publicistikë serioze. Publicistika shqiptare ka nevojë për të tilla nivele e kjo është meritë e autores, së cilës i uroj me shpirt të tjera arritje, madje do të thoja se përkthimi në anglisht apo në një gjuhë tjetër europiane do ta nderonte jo vetëm atë, por edhe kulturën tonë.

*Autori është Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër(Pak biogrfai)

Skënder Temali lindi në Shkodër më 30 korrik 1946, në një familje të vjetër shkodrane. Ka kryer Universitetin "Luigj Gurakuqi", në degën gjuhë shqipe-letërsi dhe për 15 vjet (1966-1981) punoi gazetar në Radio Shkodra, revistën "10 korriku" e gazetën "Jeta e re", ku ka transmetuar e botuar me qindra artikuj problemorë, reportazhe letrare, përshkrime, portrete, skica, etj.
Prej një çerek shekulli, drejtues e mësues në shkolla të mesme të vendlindjes së tij, ku prej 20 vitesh e aktualisht jep lëndën e gjuhës shqipe e letërsisë në shkollën teknike 5-vjeçare pyjore të Shkodrës.
Ka botuar cikle poetike e tregime që gjimnazist në almanakët letrarë “Shkodra”, në shtypin letrar të kohës “Zëri i rinisë”, “Drita”, “nëntori” e revistat për fëmijë. Disa nga këto krijime kanë zënë vend edhe në botime të zgjedhura dhe janë vlerësuar me çmime lokale e kombëtare. Në vitin 2001, në konkursin e 7-të ndërkombëtar, të shpallur nga shoqata e artistëve dhe shkrimtarëve "Cristalide" në Padova të Italisë, mes 462 shkrimtarëve nga Italia e shumë shtete të botës, ai u nderua me çmimin special të jurisë, me tregimin "Këpucët e turpit".
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1967 si dhe Ambasador i Paqes e anëtar i Komitetit Drejtues të Federatës Ndërkombëtare të Paqes.
Është autor i 12 librave. Njihet edhe si redaktor i dhjetra librave artistikë të shkrimtarëve të rinj.
Botime më vete:
1) Këngë cigane (vjersha e poema) -Viti 1971
2) Kjo ndodhi në Lis (roman) -Viti 1982
3) Ballo në mbrëmjen e maturës (novela) -Viti 2001
4) Ishte një lajthishte (poemë për fëmijë) -Viti 2001
5) Këpucët e turpit (tregime) -Viti 2002
6) Nesër do të them mirëmëngjes (novelë) -Viti 2002
7) Studentja e Bolonjes (novelë) – Viti 2004
8) Gjuha shqipe (tekst alternativ mësimor) me bashkëautor -Viti 2003.
9) Shtëpia pa pasqyra (tregime) – 2006
10) Askushi (roman, botuar në Maqedoni) – 2006
11) Tre shokët (vjersha e poema për fëmijë) - 2007
12) Lirika të hershme dhe të vona – (2009)
Etj.

No comments:

Post a Comment