2017-03-14

Muret absurde - Alber Kamy


Ashtu si veprat e mëdha, ndjenjat e thella kanë gjithmonë një domethënie shumë më të madhe sesa duket që shprehin. Qëndrueshmëria e një ndjenje ose e një pakënaqësie brenda një shpirti rishfaqet në veprimet dhe mendimet e përditshme, pasurohet në rrjedhime që vetë shpirti nuk i njeh. Ndjenjat e mëdha shpalosin vetvetiu universin e tyre të shkëlqyer ose të mjeruar. Me dritën e tyre ndriçojnë një botë të vetën ku gjejnë klimë të përshtatshme.
Ekziston një univers i xhelozisë, ambicies, egoizmit ose shpirtgjerësisë. Një univers, domethënë një metafizikë e një mënyre të menduari. Ajo që është e vërtetë për ndjenjat e specializuara duhet të jetë ende më shumë për emocionet, në thelb, të papërcaktuara, njëherësh, po aq konfuze dhe po aq të “sigurta” , po aq të largëta dhe po aq të “pranishme” sa ato që na jep e bukura ose që zgjon absurdi.
Ndjenjat e absurditetit, në çdo kthesë rruge, mund të godasë çdo njeri. Ashtu siç është, në lakuriqësinë e vet trishtuese, në dritën e saj pa rrezatim, kjo ndjenjë është e pakapshme. Për këtë vështirësi ia vlen të mendohesh. Ndoshta është e vërtetë që njeriu asnjëherë nuk mund të njihet dhe se gjithmonë gjendet tek ai diçka që nuk e kapim dot. Por, praktikisht, unë i njoh njerëzit, i njoh nga sjelljet e tyre, nga tërësia e veprimeve të tyre, nga rrjedhojat e qëndrimit të tyre në jetë. Po ashtu, të gjitha këto ndjenja irracionale, të paanalizueshme, unë mundem praktikisht t’i përcaktoj, praktikisht t’i vlerësoj, të mbledh shumën e rrjedhojave të tyre, sipas renditjes së arsyes, të rrok e të shënoj të gjitha pamjet e tyre, të ravijëzoj gjithësinë e tyre. Është e sigurt, me sa duket, se edhe po ta shoh njëqind herë të njëjtin aktor, personalisht nuk do ta njoh më mirë. Megjithatë, po të mbledh shumën e heronjve që ka mishëruar dhe nëse pohoj që e njoh pak më mirë pas personazhit të tij të njëqindtë, ndihet që këtu ka një pjesë vërtetësie, sepse ky paradoks i dukshëm është edhe ai një apologji. Ai ka një natyrë morale, e cila na mëson se një njeri përcaktohet njëlloj mirë nga komeditë e tij dhe nga shpërthimet e tij të sinqerta. Kështu ndodh, një shkallë më poshtë, me ndjenjat, të pakapshme në zemër, por pjesërisht të tradhtuara nga veprimet që nxisin dhe nga qëndrimet intelektuale që nënkuptojnë. Ndihet qartë se po përkufizoj, në këtë mënyrë, një metodë. Por ndihet gjithashtu që kjo metodë është analitike dhe aspak njohëse. Meqë metodat përmbajnë metafizikë, ato tradhtojnë, pa dashje, përfundime që pretendojnë ngaherë që nuk i njohin ende. Për rrjedhojë, faqet e fundit të një libri gjenden që në fillim të tij. Kjo nyjë është e pashmangshme. Metoda e përcaktuar këtu pohon që çdo njohje e vërtetë është e pamundur. Vetëm shfaqjet mund të shkoqiten dhe vetëm mjedisi mund të ndihet.
Këtë ndjenjë të pakapshme të absurditetit, ndoshta mund ta rroknim në botët e ndryshme, veçse vëllazërore, të inteligjencës, të artit e të jetuarit ose fare shkurt të artit. Klima e absurditetit është në fillim. Fundi përfaqësohet nga gjithësia absurde dhe nga kjo mënyrë të menduari që ndriçon botën me një dritë të veçantë për të nxjerrë në pah fytyrën e saj të privilegjuar e të përkthyer që ajo di t’i zbulojë.
Të gjitha veprimet e mëdha dhe të gjitha mendimet e mëdha kanë një fillim të thjeshtë. Veprat e mëdha lindin shpesh në kthesën e një rruge ose në kthinat e një restoranti. Po kështu ndodh edhe me absurditetin. Bota absurde, më shumë se të tjerat, fisnikërohet nga kjo origjinë e mjerë. Në disa situata, heshtja para një pyetjeje mbi natyrën e mendimeve të tij mund të jetë një shtirje te ky njeri. Qëniet e dashuruara e dinë mirë këtë gjë. Por nëse kjo përgjigje është e sinqertë, nëse ajo na bën të përfytyrojmë atë gjendje të veçantë shpirtërore ku boshllëku bëhet elokuent, ku zinxhiri i veprimeve të përditshme është këputur, ku zemra kërkon më kot nyjën lidhëse, atëherë ajo është shenja e parë e absurditetit.
Ndodh që dekoret përmbysen. Zgjimi, tramvaji, katër ore punë në zyrë ose në uzinë, drekë, tramvaji, katër orë punë, darkë, gjumë, dhe e hënë, e martë, e mërkurë, e enjte, e premte dhe e shtunë me të njëjtin ritëm, kjo rrugë ndiqet lehtësisht shumicën e kohës. Vetëm se një ditë bëhet pyetja “përse” dhe gjithçka brenda kësaj kapitjeje fillon të duket e çuditshme. “Fillon”, këtu është fjalë e rëndësishme. Kapitja është në fund të veprimeve të një jete të vetvetishme, por në të njëjtën kohë, ajo përuron ecurinë e ndërgjegjes. E zgjon dhe shkakton vazhdimin. Vazhdimi është kthimi i pavetëdijshëm te zinxhiri, ose është zgjimi përfundimtar. Në fund të zgjimit me kohë vjen rrjedhoja: vetëvrasja ose shërimi. Në vetvete, kapitja ka diçka të pështirë. Këtu më duhet të arrij në përfundimin se ajo është e mirë, sepse gjithçka fillon nga ndërgjegjja dhe ka vlerë vetëm nëpërmjet saj. Këto vërejtje nuk janë aspak origjinale. Po janë të vetëkuptueshme: kjo gjë mjafton për njëfarë kohe, me rastin e pranimit, në përgjithësi, të origjinave të absurdit. “Shqetësimi” i thjeshtë është në origjinë të gjithçkaje.
Po ashtu dhe për të gjitha ditët e një jete pa shkëlqim, koha na merr me vete. Por gjithmonë vjen një çast kur duhet ta mbajmë. Jetojmë në të ardhmen: “nesër”, “më vonë”, “kur të rregullohesh”, “kur të rritesh do ta kuptosh”. Këto inkonsekuenca janë të admirueshme, sepse në fund të fundit bëhet fjalë kur të vdesësh. Megjithatë vjen një ditë dhe njeriu vëren ose thotë se është tridhjetë vjeç. Kështu ai pohon rininë e vet. Por njëherësh përcaktohet në raport me kohën. Zë vend aty. Pranon se gjendet në një çast të dhënë të një kurbe që e pranon se duhet ta përshkojë. Ai i përket kohës dhe te tmerri që e ka pushtuar ai sheh armikun e vet më të madh. Nesër, ai priste të nesërmen, kur gjithçka tek ai duhej ta kundërshtonte. Kjo revoltë e trupit është vetë absurdi.
Një shkallë më poshtë dhe gjendesh i habitur kur vëren se bota është e “papërshkueshme”, kur sheh në ç’pikë një gur është i huaj për ne, me çfarë force natyra, p.sh një peizazh, mund të na mohojë. Në brendësi të çdo bukurie gjendet diçka çnjerëzore dhe këto kodra, butësia e qiellit, këto vizatime pemësh, të gjitha brenda një minute humbin përmbajtjen iluzore që ne u japim dhe janë për ne, këtej e tutje, të largëta më shumë se parajsa e humbur. Armiqësia primitive e botës në rrjedhën e mijëvjeçarëve vjen deri te ne. Për një sekondë, nuk e kuptojmë më meqë për shumë shekuj ne kemi kuptuar tek ajo figurat e vizatimet që paraprakisht i kemi vënë vetë, meqenëse këtej e tutje nuk kemi forcë ta përdorim këtë artificë.
Boa del jashtë kontrollit tonë meqë bëhet përsëri ajo që është. Këto dekore të maskuara nga veprimet tona të zakonshme bëhen përsëri ato që janë. Largohen prej nesh. Po ashtu siç ka ditë kur te pamja e njohur e një gruaje shohim fytyrën e një të panjohure që kemi dashuruar para disa muajsh ose vitesh, ndoshta do të kërkonim të mbeteshim papritur vetëm. Por koha nuk ka ardhur ende. Vetëm një gjë. Kjo papërshkueshmëri dhe kjo tëhuajtje e botës është përsëri vetë absurdi.
Njerëzit, gjithashtu, prodhojnë jonjerëzoren. Në disa çaste qartësie, aspekti mekanik i veprimeve të tyre, pantonimat e tyre të pakuptimta bëjnë idiote gjithçka që i rrethon. Një njeri flet në telefon brenda në kabinë, nuk dëgjohet, po shohim mimikën e tij të parëndësishme: pyesim veten përse jeton. Ky shqetësim përballë natyrës çnjerëzore të vetë njeriut, kjo rënie e pallogaritshme para figurës sonë, kjo “neveri” siç e quan një shkrimtar i ditëve tona, është gjithashtu absurdi. Po ashtu, i panjohuri, i cili, në disa sekonda, vjen të na takojë në pasqyrë, vëllai i dashur dhe megjithatë shqetësues që shohim në fotografitë tona, është gjithashtu absurdi.

Përktheu: Petrit Sinani
Fragment nga “Miti i Sizifit”

No comments:

Post a Comment