2017-03-08

Në spikamë : Rreziku që vjen nga gazetaria e sahanlëpirësve

Enver Robelli (@enver_robelli) | Twitter


Enver Robelli

Gazetarë apo tregtarë? Në Kosovë po kopjohet modeli më i fëlliqur i gazetarisë – ai i Tiranës.


A duhet ti besohet një gazetari, i cili nëpër rrugët e Tiranës defilon me “Porche Cayenne”, fundjavën e kalon diku në vilën e tij në bregdetin shqiptar dhe përherë është i gatshëm që me ton dashamirës t’i promovoj politikanët në pushtet, duke zhvilluar me ta intervista pa asnjë pyetje kritike? Fakti që ky lloj gazetari krekoset me “Porche Cayenne” në njërin ndër vendet më të varfra të Evropës nuk ka fare të bëjë me zilinë sociale ndaj tij; përkundrazi: vozitja me “Porche Cayenne” është shenjë e mjaftueshme dalluese e korruptimit dhe të detyron të mendosh se ku pseudogazetar nuk ka mision publicistik, por ka zgjedhur gazetarinë si fushë tregtie për t’u pasuruar me metoda të fëlliqura. Në këtë rrugë ky oj gazetari është i gatshëm që në çdo kohë t’u lyej mustaqet me mjaltë politikanëve, të jetë përherë në pozitën e sahanlëpirësit, t’i shantazhoj qeveritarët në vendimmarrje derisa të fitoj ndonjë privilegj dhe, pastaj, t’i lavdëroj deri në qiell. Ky lloj bastardimi i gazetarit është në anën e pushtetarëve, deri në atë moment kur e vëren se në zgjedhjet e ardhshme do të fitoj opozita. Këtu e tutje ky tip gazetari idiot i vardiset opozitarëve si një kurvë, sepse e di se ata nesër do të jenë në pushtet. Shumica e politikanëve shqiptarë janë përherë të gatshëm të lozin këtë lojë me gazetarët e korruptuar, sepse kështu e kanë më lehtë të jenë të pranishëm në ekranet televizive dhe në gazeta. Shqipëria deri më tani ishte ndër vendet e rralla në Evropë, ku një pushtetar i lartë mund t’i telefononte një gazetari të ashtuquajtur prominent dhe t’i thoshte: “Dua të inkuadrohem drejtpërdrejt në emisionin tënd për të dhënë një mesazh për opinion”.

Për fatkeqësinë e Kosovës modeli i çoroditur i gazetarisë së Shqipërisë ka filluar ngaherë të kopjohet dhe në disa fletushka të Prishtinës. Gazetarë deri dje krejtësisht anonim, kacagjela të pështirë, hiqen si autoritete të publicistikës, shesin mend në veten e parë dhe – mbi të gjitha – shtyhen me bërryla se cili më së shumti do të dëshmohet në rolin e çanaklëpirësit në tezgën e pushtetarëve. Për këtë shërbim me përulësi të paparë ky soj gazetarëve të Prishtinës, shpërblehet prej autoriteteve. Dikur këto shpërblime janë dhënë edhe në formën e qofteve, ndonjë gotë me raki ose verë. Tash dhuratat janë shtuar, për shembull me hapësira banimi, troje, shtëpia, vetura, para të gatshme, me trajtim të privilegjuar, me gallata e darka, muhabete për jetën e natës, pushimet në plazhe etje.


Për këtë devijim nuk mund të akuzohen në radhë të parë pushtetarët. Ata vetëm kanë gjetur një kamarillë gazetarësh, të cilët janë të gatshëm të shkelin mbi etikën mediale, të djegin kredibilitetin profesional dhe të korruptohen deri në fyt. Në Kosovë me vite ekziston modeli i botuesit-gazetarit, i cili për çdo ditë shet mend me shkarravina dhe luan rolin e publicistit të pavarur. Në të njëjtën kohë ky kalemxhi luan edhe rolin e politikanit, bashkëpunon me partitë e krimit të organizuar dhe grabit pasurinë publike. Tani po krijohet modeli tjetër: ai i gazetarit që si orientim dhe i shembull që duhet imituar e sheh gazetarin e vetëshpallur elitar në Tiranë, i cili në ekran e ekspozon orën e tij “Rolex” si simbol shkëlqimtar i korruptimit. Duket që për këtë model të keq të gazetarisë ka filluar të shqetësohet edhe Shkëlzen Maliqi. Në një koment ai tërthorazi e paralajmëroi kryeministrin se nëse lakmon korruptimin e medieve, atëherë kjo do t’i kthehet atij si bumerang. Shqetësimi i Maliqit duket i pavend. Është në natyrën e çdo pushtetari që të ndikoj në media. Do të ishte e udhës që publicistët në Prishtinë të bëhen më shumë merak pse disa gazetarë fletushkash me lehtësi të padurueshme po bëhen shërbëtor të pushtetarëve. Reagimi publik duhet të drejtohet më shumë në demaskimin e këtyre gazetarëve, të cilët në skenën mediale janë futur si kuaj Troje.

Për ti rezistuar kësaj murtaje publike nuk mjaftojnë shoqata qesharake gazetarësh, të cilat reagojnë vetëm kur sulmohet ndonjë gazetar. Ata publicistë e gazetarë që ende nuk e kanë shitur dinjitetin profesional dhe gazetarinë vazhdojnë ta shohin si instrument që i shërben publikut për të kontrolluar punën e pushtetit, duhet ta mbrojnë hapur, pa ngurrim dhe pa frikë ndershmërinë e profesionit. Ndryshe ekziston rreziku që gazetarët sahanlëpirës të marrin në zotërim debatin publik me zhurmën e tyre primitive. Kapitali më i madh që kanë gazetarët është besueshmëria e tyre. Është shume e qarte se jo pak gazetarë fletushkash në Prishtinë këtë besueshmëri e kanë humbur ngaherë, vullnetarisht – dhe duke notuar nëpër moçalin e korrupsionit e kanë diskredituar edhe profesionin e gazetarit. Kështu ky lloj gazetarësh te pushtetarët ka krijuar përshtypjen se, në fund të fundit, krejt punëtoret media janë të korruptueshëm – ngjashëm si politikanët. Domethënë se janë një lloj, vetëm në taborë rastësisht të ndryshëm. Kjo përshtypje nuk guxon të bëhet realitet i durueshëm i Kosovës. Mjafton shembulli tmerrues i Shqipërisë.

No comments:

Post a Comment