2017-03-14

Në zjarr: një histori censure histori censure




Ndalimi i librave për shkaqe fetarë është ndoshta forma më e vjetër e ndalimit të librave. Që në kohërat e hershme të grekëve, tek konkuistadorët, e deri tek Rajhu i Tretë i Hitlerit, raca njerëzore ka vënë në dyshim besimet e njëri-tjetrit. Pushteti ka ofruar dominim të një pale ndaj tjetrës, pushtet që i ka dhënë formë historisë. Shumë jetë njerëzore janë humbur, ashtu si janë humbur edhe libra të rëndësishëm e të pakthyeshëm. E megjithatë, cfarë është mbrojtur dhe cfarë është shpëtuar me anë të ndalimit të librave?
Ndalimi për shkaqe letrare i letërsisë është praktikuar prej mijëra vitesh. Në Athinë, në shekullin 5, traktati i Protagorës u hoq mënjanë dhe u akuzua si fyes. Në fjalinë e parë të tij thuhej: “Në lidhje me perënditë, unë nuk jam në gjendje të them nëse ato ekzistojnë, apo nëse ato nuk ekzistojnë”. Protagora u dëbua jashtë vendit dhe të gjithë kopjet e traktatit të tij u dogjën. Sokrati u dënua me vdekje për mendime të ngjashëm. Akuza ndaj tij ishte: “Së pari, për shkak se mohon perënditë e njohura nga shteti dhe se prezanton hyjni të reja, dhe së dyti sepse prish të rinjtë”. Në vitin 360 para Krishtit, Platoni shkruante në lidhje me republikën e tij ideale: “Puna jonë e parë do të jetë të mbikëqyrim krijimin e fabulave dhe legjendave; të hedhim poshtë të gjithë ato që janë të papërshtatshme”. Në perandorinë romake, shteti dhe magjistratët e tij kontrollonin zyrtarisht fenë. Livi ka shkrajtur se para vitit 186 para Krishtit, senati grumbullonte dhe digjte librat që profetizonin. Roma u përpoq gjithashtu të censurojë “Odisenë”, për arsye se në të paraqiteshin idealet grekë të lirisë, të cilët qenë një rrezik për Romën.

Dorëshkrimet më të hershëm, si ata të gjendur në Romë, Greqi apo Kinë ishin kopje teke apo dyshe, që pasi digjeshin, zhdukeshin një herë e përgjithmonë. Me mbërritjen e shtypshkronjës në 1450, qarkullimi i librave pësoi rritje. Djegia e tyre u kthye më shumë në dicka simbolike, se sa e dobishme. Censura nuk u kufizua në djegien, dhe zakonisht botuesi fillimisht përndiqej. Vetëm 20 vite pas shpikjes së Johan Gutenbergut, një zyrë censure u hap në Gjermani. Henri VIII i Anglisë krijoi një sistem të ngjashëm që kërkonte që fillimisht të gjithë botimet të paraqiteshin tek Kurora. Në vitin 1535, mbreti francez Franci I nxori një urdhër që nxirrte jashtë ligji printimin e librave. Kisha Katolike krijoi listën e parë të librave të ndaluar të quajtur Index Librorum Prohibitorum, apo Indeksi i Librave të Ndaluar në vitin 1559. Indeksi shërbeu si një guidë për censorët laikë, që vendosnin se cfarë mund të printohej. Indeksi vazhdoi të shtojë tituj me kalimin e shekujve, deri kur u shfuqizua në vitin 1966, me 5000 tituj. Kisha Spanjolle dhe Kisha Irlandeze krijuan secila listat e tyre, të cilat u shfuqizuan edhe ato në fundin e viteve gjashtëdhjetë.

Bibla, në shumë versionet dhe përkthimet e saj ka një histori të gjatë ndalimesh dhe djegiesh. Në vitin 553, perandori romak Justiniani ndaloi përdorimin e Midrashit hebre dhe ofroi përdorim ekskluziv të versioneve në greqisht dhe latinisht të Biblës. Uilliam Tandeili nisi të përkthejë Testamentin e Ri në vitin 1525, pavarësisht hidhërimit të klerit anglez. Ai u bë libri i parë i printuar i ndaluar në Angli, dhe kopje të tij u dogjën shpesh herë. Për shkak të trysnisë së vazhdueshme për të lejuar një Bibël në anglisht, Henri VIII më pas lejoi Biblën e Mateut, një bashkëpunim i punës së Tandeilit dhe Xhon Roxhersit. Në vitni 1555, Mbretëresha Meri urdhëroi që askush nuk duhet të sjellë në këtë mbretëri libra, letra etj. me emrin e Martin Luterit, Xhon Kelvinit, Majëlls Kovërdejëllit, Erasmusit, Tandeilit etj apo libra të tjerë që përmbanin doktrina false kundër besimit katolik.

Në Gjermani, përkthimi prej Martin Luterit i Biblës u konsiderua heretik dhe u dogj nga Kisha. Bibla e keqe, e quajtur kështu për shkak të heqjes aksidentale të fjalës “mos” në komandamentin e shtatë u botua në vitin 1631. Në vitin 1900, Papa Lei XIII nxorri një urdhër që versionet në gjuhë të ndryshme të Biblës lejoheshin vetëm nëse miratoheshin nga Selia e Shenjtë.

Talmudi është ndaluar për shumë shekuj. Gjatë mesjetës, Kisha Katolike nisi të vecojë libra të “rrezikshëm”. Në vitin 1239, Papa Gregori IX urdhëroi djegien e të gjithë librave hebrenj. Deri në 1244, Talmudi digjej në sasi shumë të mëdha në Paris. Në vitin 1415, Papa Benedikti XII urdhëroi që të gjithë kopjet e Talmudit t’u dërgoheshin peshkopëve për t’i ruajtur. Hebrenjtë u ndaluan që të zotëronin kopje materalesh që ishin antagonistë ndaj Krishtërimit. Nië pushim i shkurtër i ndalimit të librave u sigurua nga Papa Leo X në vitin 1520, por deri në vitin 1555 ndalimi u rikthye dhe hebrenjtë kërcënoheshin tashmë deri me vdekje, nëse nuk dorëzonin të gjithë materalet që përbënin blasfemi. Në Itali u shkatërruan 12 mijë vëllime.

Talmudi ka qenë në listën origjinale të Indeksit të Kishës. Më pas, versioni i parë në arabisht i Kur’anit nuk ka dalë përpara vitit 1925. Cdo lloj përkthimi i librit të shenjtë të fesë islame konsiderohet nga shumica e mylimanëve si joperfekt. Ai mund të riprodhohej vetëm në formë të shkruar. Gjatë mesjetës, kryqëzatat kundër vendeve arabë ushqyen një armiqësi të vazhdueshme mes krishtërimit dhe islamit. Një përkthim i hershëm në latinisht u realizua në viti 1141 nga Pjetri i Nderuar, abati i Clunyt. Deri në 1215, kisha i konsideronte myslimanët si të pafe dhe u miratuan ligje që kufizonin myslimanët. Botimi i radhës në arabisht i Kur’anit në Evropë ndodhi në vitin 1530, dhe ai gjithashtu u dogj. Në fund të shekullit 17, Ibrahim Myteferrika siguroi lejë nga sulltani turk që të printonte libra, por jo Kur’anin. Aktualisht ekzistojnë 43 përkthime të Kur’anit, të gjithë të paautorizuar. Kur’ani dhe Bibla janë tekstet e shenjtë më të lexuar. Më shumë pjesë të Kur’anit janë të memorizuar se cdo lloj shkrimi të ngjashëm.

Në Bashkimin Sovjetik, Talmudi, Bibla dhe Kur’ani të gjitha u ndaluan. Direktivat e qeverisë sovjetike për libraritë thoshin se libra dogmatikë fetarë si Ungjijtë, Kur’ani dhe Talmudi mund të mbeteshin vetëm në libraritë e mëdha, dhe lejoheshin të lexoheshin vetëm nga studentë të historisë, por duhej të hiqeshin nga libraritë e vogla.

Ndalimi i librave me përmbajtje fetare ka shumë aspekte dhe gjithmonë është gjykuar prej ideve bashkëkohore. Në vitin 1632, një astronom me emrin Galileo Galilei shkruajti “Dialogun mbi Dy Sistemet Kryesorë të Botës”. Galileo ishte një mbështetës i teorisë heliocentrike të Kopernikut, pra që toka dhe trupat e tjerë qiellorë rrotulloheshin përreth Diellit. Libri u shkruajt si një bashkëbisedim mes tre njerëzve: “një fjorentinas që beson në sistemin e Kopernikut, një mbështetës i teorisë gjeocentrike të Aristotelit, si dhe një aristokrat venecian, në dobi të të cilit ata prezantojnë argumentat e tyre”. Libri ishte strukturuar në mënyrë të tillë që të pajtohej me urdhërin e Kishës, sipas të cilit Galileo duhej të paraqiste teorinë e tij heliocentrike si një koncept matematik dhe jo si një “realitet fizik”. Megjithatë, në tekst bëhej e qartë se Galileo besonte që teoria heliocentrike ishte e saktë. Kjo vepër ishte shumë e rëndësishme në krijimin e metodave moderne shkencore. “Së pari, deklarimet dhe hipotezat për natyrën duhet të bazohen gjithmonë në vëzhgimin, dhe jo në urdhërat; dhe së dyti, proceset natyrorë mund të kuptohen më mirë nëse paraqiten në terma matematikorë”.

Galileo e botoi librin e tij pas paralajmërimeve të përsëritur për të mos botuar teoritë kopernikase. Ai u tregua i mencur kur shtoi një parathënie të një teologu të Vatikanit, i cili e pranonte librin si një ushtrim intelektual. Por nuk ia doli të bindte Papën. Shpejt, Galileo u burgos në Romë për herezi. Ai tërhoqi mbrapsht librin në mëngjesin e 22 qershorit 1633. Libri u ndalua dhe Galileo u vendos nën arrest shtëpie.

Në vitin 1824, një astronom roman me emrin Kanon Setele botoi një studim për teoritë moderne shkencore. Më në fund, Kisha pranoi “mendimin e përgjithshëm të astronomëve modernë”. Megjithatë, u desh të kalonte kohë deri në indeksin e 1835, që të hiqej emri i Galileos, Keplerit dhe Kopernikut.

Në librin “Oliver Tuist” të Carls Dikensit, personazhi me emrin Fagin përshkruhet si “Cifuti” në skena të ndrysme gjatë librit. Flokët dhe mjekrra e kuqe e Fagin lidheshin zakonisht me imazhet e djallit në lashtësi. Ai kish një hundë në formë harku, një të ecur të hallakatur, një gabardinë të gjatë… dhe portretizohet si Satanai, i ngjashëm me një gjarpër.

Një version i ripunuar i Oliver Tuistit u botua në vitin 1867, në të cilin Dikensi kish eleminuar “Cifutin” dhe e kish zëvendësuar me “ai”, ose “Fagin”. Në vitin 1949, disa prindër hebrenj në Bruklin, Nju Jork protestuan përdorimin e këtij materiali në letërsinë e shkollës së mesme. Ata deklaruan se fëmijët e tyre duhet të arsimoheshin pa anime fetare, duke përmendur Faginin tek Oliver Tuisti dhe Shajlokun tek Tregtari i Venecias. Gjykata e Lartë e Kings Kaunti vendosi që veprat nuk duhej të ndaloheshin në shkolla.

Por ka edhe libra më aktualë që janë ndaluar nga Kisha Katolike. Tek libri “E pagabueshme; një kërkim”, Hans Kyngu ka vënë pikëpyetje mbi pagabueshmërinë e kishës katolike. Kyngu ishte një teolog katolik, si dhe një prift gjë që dukej se i përkeqësonte gjërat. Sipas doktrinës, “pagabueshmëria është tipar i Papës kur ai flet si kreu i kishës për cështjet e fesë dhe moralit”. Kyngu argumentonte se duhet të lejohet hapësirë për gabime dhe kisha gjithësesi do të mbizotëronte. Ai kritikoi enciklikën e Papa Gjon Palit VI për kontrollin e lindjeve, “Humanae Vitae”. Ai pretendonte se ungjilli i Krishtit është injoruar dhe tradita papnore është më e rëndësishme. Kyngu shkruan se duhet të ketë një lidership ku “papa ekziston për Kishën dhe jo Kisha për Papën”. Kur libri i tij u botua në vitin 1970, ai krijoi polemika shumë të mëdha. Si përgjigje ndaj librit të tij, kisha katolike botoi “Deklaratën kundër disa gabimeve të kohëve të sotme”. Këtu konfirmohej pagabueshmëria e Papës dhe peshkopëve.

Si ndëshkim i mëtejshëm, Kyngu u ndalua që të vazhdojë të përfaqësojë Kishën, për arsye se ai po “shkaktonte konfuzion mes besimtarëve”. Ai gjithashtu u ndalua që të predikonte doktrinën katolike dhe institucionet katolikë nuk u lejuan ta afrojnë.

Hera e parë që një libër u dogj në Amerikë ndodhi në 1650, kur një pamflet fetar i botuar nga Uilliam Pyncën u dogj në tregun e Bostonit. Censura moderne amerikane u krijua nga Antoni Komstoku, i cili krijoi “Shoqërinë e Nju Jorkut për shtypjen e vesit” në 1872. Ligji Komstok u krijua një vit më vonë, pasi Komstoku loboi në kongres për “moral, jo art e letërsi”. Ligji Komstok ndalonte postimin materialeve që konsideroheshin “të turpshëm, të pahijshëm, të ndyrë”. Për shkak të këtij ligji, 3500 vetë u përndoqën dhe 350 libra u ndaluan. Këtu përfshiheshin klasikë si “Rrëfimet e Kentërbërit” të Shoserit apo “Lizistra” e Aristofanit. Më vonë do të ndaloheshin klasikë të tjerë të Ernest Hemingueit, Xhon Shtajnbekut dhe Xhejms Xhoisit.

Nën udhëheqjen e Hitlerit dhe partisë së tij kombëtare socialiste (naziste), djegia e librave u shndërrua në një simbol të fuqishëm e të shpeshtë të doktrinës së tyre. Në 10 maj 1933, studentët mblodhën 25 000 vëllime nga autorë hebrenj dhë i dogjën përpara Universitetit të Berlinit. Mes autorëve, librat e të cilëve u dogjën, ishin Xhek Londoni, Albert Ajnshtaini, Upton Sinkleri, Ernest Heminguei dhe Hainrih Mani. Demonstrime të ngjashëm pasuan. Studentët nisën të sulmojnë dyqane librash për të gjetur materiale për t’i hedhur në flakë. Në Salsburg, 15 mijë vetë morën pjesë në një “zjarr purifikimi” ku u dogjën 2000 vëllime, shumë prej të cilëve libra hebrenj apo katolikë. Gjatë djegies masive, turma u mblodh bashkë duke kënduar “Deutschland Über Alles”.

Sot, shumica e librave kundërshtohen për arsye se përmbajnë blasfemi apo dhunë, seks, homoseksualizëm, shtrigani dhe magji, “humanizëm laik” apo filozofi të epokës së re, paraqitje të fëmijëve rebelë, apo gjuhë politikisht jokorrekte, raciste apo seksiste.

Në dhjetë vitet mes 1990 dhe 2000, nga 6364 kundërshtime, 1607 ishin për përmbajtje seksuale, 1427 për gjuhë ofenduese, 1256 konsideroheshin të papërshtatshëm për grupmoshat, 737 u konsideruan të dhunshëm si dhe 419 për nxitje të një këndvështrimi fetar.

Në kohërat moderne, ndalimi për shkaqe fetarë përmban të njëjtat tipare. Shembujt më të zakonshëm janë ata ku përdoret më kot emri i Perëndisë, nxitja e këndvështrimeve antikristianë apo shpifjet ndaj Kishës. Vargjet Satanikë është ndaluar për shkak të përmbajtjes antimyslimane. Veprat e Shtajnbekut janë hequr mënjanë për arsye se mallkojnë emrin e Zotit.

Ndalimi i librave për shkaqe fetarë është ndoshta forma më e vjetër e ndalimit të librave. Që në kohërat e hershme të grekëve, tek konkuistadorët, e deri tek Rajhu i Tretë i Hitlerit, raca njerëzore ka vënë në dyshim besimet e njëri-tjetrit. Pushteti ka ofruar dominim të një pale ndaj tjetrës, pushtet që i ka dhënë formë historisë. Shumë jetë njerëzore janë humbur, ashtu si janë humbur edhe libra të rëndësishëm e të pakthyeshëm. E megjithatë, cfarë është mbrojtur dhe cfarë është shpëtuar me anë të ndalimit të librave?

Censurë në kohëra moderne

Që nga viti 1982, Shoqata Amerikane e Librarive ka sponsorizuar Javën e Librave të Ndaluar, një përpjekje për të ndikuar në përhapjen e fjalës së lirë dhe librarive të hapura. Tradita erdhi si një kujtesë, se sa larg ka ecur shoqëria që nga viti 1557, kur Papa Pali IV krijoi i pari Indeksin e Librave të Ndaluar për të mbrojtur katolikët nga idetë kontroverse. Katërqind e nëntë vite më vonë, Papa Pali VI do ta shfuqizonte, ndonëse mbeten ende përpjekje për censurë. Ja një listë e librave më të kundërshtuar të të gjithë kohërave.

“Dëlirësia” / Volteri

Kjo satirë klasike franceze vë në lojë dhe satirizon të gjithë gjërat e shenjta – ushtritë, kishat, filozofët, e madje edhe vetë doktrinën e optimizmit. Në vitin 1930, Dogana e SHBA kapi kopje të librit të lidhura në Harvard dhe në vitin 1944, Zyra Postare e Shteteve të Bashkuara kërkoi që “Dëlirësia” të hiqej nga katalogu i kompanisë së madhe të shitjeve me pakicë, “Concord Books”.

“Aventurat e Hakëlberi Finit” / Mark Tuein

Në vitin 1885, Libraria Publike Concord në Massachusets e ndaloi librin që kish një vit që kish dalë për shkak të gjuhës “së ashpër” – kritikët thanë se përdorimi i gjuhës së rrugës nga Mark Tueini ishte poshtërues dhe i dëmshëm. Njëri prej tyre madje e quajti “plehrë e rëndomtë, që më shumë i shkon për shtat lagjeve të varfëra se sa njerëzve inteligjentë e të respektueshëm”.

“Botë e re” / Aldus Haksklei

Vepra e Hakskleit e vitit 1932 – që flet për një shoqëri të droguar, teveqele dhe të prodhimit në masë – është kundërshtuar në vazhdimësi për shkak të temave të veta të seksualitetit, drogërave dhe vetëvrasjes. Jo më larg se viti 1993, një grup prindërish u përpoqën të nxjerrin jashtë ligjit dhe të ndalojnë librin në Korona-Norko, Kaliforni për arsye se ai “përqëndrohej përreth negativitetit”.

“1984” / Xhorxh Oruell

Eshtë ironike, por edhe me vend që libri 1984 të hyjë në listën e Shoqatës së Librarive Amerikane të librave përgjithësisht të kundërshtuar, duke patur parasysh paralajmërimin e tij krejt të hapur ndaj censurës totalitare. I shkruajtur në vitin 1949 nga autori britanik, ndërkohë që ky kish zënë shtratin e vdekjes nga tuberkulozi, libri është një kronikë e të ardhmes së zymtë të një shoqërie të zhvatur krejt nga liria, privacia dhe e vërteta.

“Lolita” / Vladmir Nabokov

I botuar fillimisht në Francë nga një gazetë pornografike, ky roman i vitit 1955 eksploron mendjen e një pedofili shumë inteligjent, por që ndien neveri për vetveten, Hambert Hambert, i cili rrëfen jetën e tij si dhe obsesionin që e konsumon atë: epshin që ndien për vajza të vogla tërheqëse, si për shembull 12-vjecarja Dolores Hejz. Zyrtarët francezë e ndaluan librin duke e quajtur të turpshëm, ashtu sic ndodhi edhe në Angli, Argjentinë, Zelandën e Re dhe në Afrikën e Jugut.

“Unë e di përse këndon zogu në kafaz” / Maya Angelou

Libri me kujtime i vitit 1970, i pari ndër pesë vepra autobiografike të Angelout zemëroi censorët për shkak të përshkrimit grafik që i bënte racizmit dhe seksit, sidomos pasazhet në të cilën ajo kujton se si ishte përdhunuar nga i dashuri i të ëmës kur kish qenë vetëm tetë vjec.

“Udhezues për anarkistë” / Uilliam Pauell

Pauell ishte vetëm 19 vjec kur shkruajti këtë klasik kulti në 1971. Libri udhëzues për guerilas arriti jo vetëm të zemërojë zyrtarë të qeverisë, por edhe grupe anarkistësh. Një organizatë e tillë, CrimethInc. tha se libri paraqiste keq idealet anarkistë dhe më vonë nxorri librin e saj me të njëjtin emër.

“Vargjet satanikë” / Salman Rushdie

Ky libër shkaktoi protesta në të gjithë botën për atë që disa e kanë quajtur një trajtim blasfemik të besimit islam (në të gjithë librin, Rushdie e quan profetin Muhamed si Mahund, emri mesjetar për djallin). Në vitin 1989, pesë vetë vdiqën në protesta në Pakistan dhe një turmë që qëllonte me gurë plagosi 60 vetë në Indi. Ndonëse Rushdie nxorri një apologji, lideri shpirtëror iranian Ajatollah Ruhollah Khomeini dënoi publikisht me vdekje autorin indiano-britanik, duke vendosur një shpërblim 1 milionë dollarë për kokën e tij (një vrasës iranian do të merrte 3 milionë dolalrë, premtoi Khomeini).

Seritë e “Harry Potterit” / J.K. Rauling


Në vitin 2001, një grup prindërish në Ljuston, Mein ofruan një skenim djegie librash duke hedhur në zjarr një seri librash që ata pretendonin se nxisnin dhunë, shtrigani dhe adhurim të djallit. (Departamenti i zjarrfikësve ndërhyri përpara se të ndizej shkrepësja e parë, dhe organizatorët e protestës siguruan një palë gërshërë me të cilët të grisnin librat). Ndonëse Herri Poteri ishte ende në “foshnjërinë” e vet letrare, saga e djaloshit magjistar ka bërë tashmë shumë kundërshtarë

No comments:

Post a Comment