2017-03-23

Nga Brazili në Evropë eksportohet mishi i kalbur

Alarmante: Nga Brazili në Evropë eksportohet mishi i kalbur


Autoritetet braziliane kanë pezulluar 33 zyrtarë të qeverisë pas investigimit të zbuluar se disa nga prodhuesit më të mëdhenj të mishit në vend kanë shitur prej vitesh mish viçi dhe pulash të kalbur.

Tre impiante përpunimi të mishit janë mbyllur ndërsa 21 të tjera janë nën shqyrtim.

Shumë prej këtij mishi që prodhohej nga kompanitë eksportohej në Europë dhe në vendet e tjera të botës.

Brazili është një nga eksportuesit më të mëdhej të mishit të kuq.

Ministri i Bujqësisë, Blairo Maggi pritet të takojë ambasadorët e jashtëm të hënën për të risiguruar ata me qëllim që të parandalohen sanskionet kundër eksportit të mishit brazilian

Operacioni u ndërmor në orët e hershme të së premtes 17 mars në 6 shtete të Brazilit pas një hetimi dyvjeçar

Policia federale ushtroi kontrolle në 194 zona dhe në këtë operacion u angazhuan 1,000 oficerë.


Sipas hetimeve disa nga menaxherët e këtyre kompanive kanë korruptuar inspektorët dhe politikanët për të siguruar certifikimin e qeverisë për produktet e tyre

Më shumë se 30 kompani akuzohen për mungesë higjiene, mes tyre është dhe “JBS”, një prej eksportuesve më të mëdha në botë të mishit të viçit dhe “BRF”, prodhuesja më e madhe në botë për produktet me pulë. Policia federale e Brazilit thotë se ka prova për të paktën 40 raste, transmeton “Ora News”.

“Ata përdornin acid dhe kimikate të tjera për të maskuar produktet e tyre. Në disa raste produktet që ata përdornin ishin kancerogjene” deklaroi policia shkruan “BBC”.

Në raste të tjera ata përdornin patate, ujë apo dhe karton përzier me mishin e pulës me qëllim që të rrisnin përfititet.

“JBS” përmes një deklarata tha se kishte zbatuar të gjitha standardet e cilësisë por dhe rregullat sanitare, shkruan BBC.

Ajo konfirmoi operacionin e kontrollit por tha se asnjëri prej drejtuesve kryesore të ekzekutivit nuk ishte objekt hetimi

“BRF” deklaroi se po bashkëpunonte në hetim dhe mohoi të kishte shkellur rregullat.

Prokurorët deklaruan se një pjesë e parave rryshfet i ishte dhënë dy partive të koalicionit qeverisës,Partisë Progresit dhe partisë së Presidentit brazilian Michel Temer, PMDB

“JBS” ka të ardhura neto prej 55 miliardë dollarë ndërsa eksporton në 150 shtete.


Konsumatorët janë të rrezikuar skajshëm nga produktet e rrezikshme

Kosova ka shumë mundësi të jetë prekur nga fenomeni i mishit të kalbur, skandal që ka shpërthyer në Brazil pak ditë më parë.

Kjo për faktin se vendi ynë importon tonelata mishi, si të gjedhit, ashtu edhe të pulës.

Autoritetet kompetente kosovare për kontroll të cilësisë së këtij produkti thonë ta kenë ngritur nivelin e kontrollit, ndërsa bllokadën e mundshme të këtij produkti do ta bëjnë vetëm në momentin kur një vendim merret në nivel evropian.

Shoqëria civile thotë të mos jetë rasti i parë që konsumatorët janë të rrezikuar skajshëm nga produktet e rrezikshme. Madje, sipas tyre, nuk ka vullnet politik për mbështetjen e institucioneve përgjegjëse për t’i mbrojtur më shumë konsumatorët, pasi vetë njerëzit nga politika janë të lidhur me tregtarët.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vitin e kaluar, kemi importuar 13.3 milionë kilogramë mish gjedhi dhe pule, në vlerë prej mbi 23.6 milionë eurosh.

Deri më 20 mars të këtij viti, Kosova ka importuar 1.8 milionë kilogramë mish në vlerë prej mbi 3.7 milionë euro.

Brazili është një prej eksportuesve më të mëdhenj të mishit në botë.



Çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë?



Brazili, eksportuesi më i madh në botë i mishit të lopës dhe i pulave, është goditur nga akuza të tmerrshme të praktikave korruptive në industrinë e mishit.

Policia ka ndalur eksportet nga 21 eksportues mishi, të dyshuar se u kanë dhënë rryshfet inspektorëve për t’u nxjerrë çertifikata shëndetësore false për mishin e kalbur.

Kjo është ajo që ne e dimë - dhe ajo që nuk dimë - në lidhje me skandalin.

Substanca kancerogjene

Drama shpërtheu të premten, kur policia njoftoi se kishte shkatërruar një rrjet të korruptuar inspektorësh shëndeti dhe një fabrikë paketimi mishi.

Një nga akuzat më të frikshme u hodh në një konferencë për shtyp nga hetuesi policor Mauricio Moscardi Grillo, i cili tha se disa fabrika të përpunimit të mishit kishin përdorur “produkte kancerogjene” për të maskuar mishin e kalbur.

Pra, çfarë produktesh ishin këto?

Sipas inspektorit të Ministrisë së Bujqësisë Daniel Gouveia Teixeira, njëri prej tyre ishte acidi sorbik, i cili e përshkroi atë si “një agjent dekontaminues që përdoret për të reduktuar ndotjen bakteriale dhe për të fshehur aromat dhe karakteristikat e tjera të mishit të kalbur.”


Por Ministria e Bujqësisë insiston se acidi sorbik dhe produkte të tjera në fjalë janë në fakt prezervativë të zakonshëm që janë të sigurt nëse përdoren në sasi të lejuara me ligj.

Etiketa false

Një fabrikë e përpunimit të mishit ka ndryshuar etiketat e mishit të skaduar, për të shtyrë datat e skadencës, sipas hetuesve.

Policia publikoi një përmbledhje të një bisede mes një hetuesi dhe pronarit të fabrikës, në të cilën ky i fundit nuk shfaqi “aspak habi” për etiketat që ndryshohen në një ngarkesë të tërë të mishit të derrit, apo për ripërpunimin e mishit disa muaj të vjetër për t’u përdorur në produktet e tjera ushqimore.

Salmonela


Hetuesit gjetën edhe bakterin e salmonelës në produktet e eksportuara nga një fabrikë në pronësi të grupit të madh shumëkombësh BRF.

Policia përshkroi një telefonatë të përgjuar, në të cilën një ekzekutiv i BRF-së konfirmoi se inspektorët europianë të shëndetit kishin gjetur gjurmë të salmonelës të cilat mund të shkaktojnë helmim ushqimor, në katër kontenjerë përkohësisht të konfiskuar të mishit.

BRF tha në një deklaratë se ajo kishte vepruar në përputhje të plotë me rregullat, dhe se lloji i salmonelës së gjetur në fakt është i lejuar sipas rregullave të BE-së.


Pulë kartoni?

Një tjetër akuzë tronditëse është se BRF ka përzier pulat me karton, thënë kjo në një bisedë telefonike të përgjuar nga një punonjës.

Por qeveria dhe kompania tani thonë se ky pretendim është i rremë.

“Nuk ka asnjë lloj kartoni në produktet BRF. Kishte një keqkuptim të madh në interpretimin e regjistrimit nga policia federale”, tha kompania.

Punonjësi “ishte duke folur në lidhje me paketimin e produktit, dhe jo përmbajtjen e tij,” shtoi ajo.

Vetë Ministri i Bujqësisë Blairo Maggi e ka quajtur pretendimin “marrëzi”.

Ku gjendet mishi i lopës?

Pra, cilat vende importojnë mish brazilian?

Brazili eksportoi vitin e kaluar 5.9 miliardë $ pula dhe 4.3 miliardë $ mish lope - më shumë se çdo vend tjetër.



Dy klientët më të mëdhenj, Kina dhe Hong Kongu, kanë ndaluar importet e mishit nga Brazili.

Kili, importuesi i gjashtë më i madh i mishit brazilian, ka nxjerrë gjithashtu një ndalim.

Importuesit e tjerë të mëdhenj të mishit brazilian të lopës përfshijnë Egjiptin, Rusinë, Iranin, Italinë dhe Hollandën.

Importuesit më të mëdhenj të pulave përfshijnë Arabinë Saudite, Japoninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Singaporin dhe Korenë e Jugut.

No comments:

Post a Comment