2017-03-13

Nga Flori Bruqi : Zef Zorba (1920-1993)




Zef Zorba lindi më 1920 në Kotorr të Malit të Zi në një familje shqiptare.

 Mbas mbarimit të gjimnazit në Shkodër, më 1941 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, dega e Studimeve Politike në Universitetin e Padovas në Itali.

 I ndërpret studimet më 1943 për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe kthehet në Shkodër, ku fillon punën si nëpunës banke. Në vitet 1945-1946 punësohet si regjisor në Shtëpinë e Kulturës së Shkodrës, ku vë në skenë mjaft pjesë dramatike me tingëllim të qartë desident si "Juda Makabe" e Fishtës, "Armiku i Popullit" i Ibsenit etj.

 Ndoshta edhe për këtë arsye arrestohet më 1946 dhe burgoset nën akuzën e agjitacion e propagandës. Vuan dënimin ndër kampet e punës dhe "riedukimit" deri në vitin 1951.

 Më vonë punon ndër ndërrmarrje të rrethit të Shkodrës si logaritar deri në vitin 1980, kur dhe del në pension. Ndërron jetë më 6 janar 1993 në Shkodër. Në heshtjen e thellë të këtij gjysmëshekulli, Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e intelektualit të vërtetë, larg kompromiseve. Ai krijoi një afinitet të çuditshëm me letërsinë e filozofinë modernë duke përkthyer poetë të tillë si Robert Frost, Eugenio Montale, Giuseppe Ungaretti, Salvatore Quasimodo, Thomas Stearns Eliot, dramaturgë si Oscar Wilde, George Bernard Shaw, Luigi Pirandello, Martin, e filozofë si B. Kroçe, Hans-Georg Gadamer, etj.

Në heshtjen e thellë të këtij gjysmëshekulli, Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e intelektualit të vërtetë, larg kompromiseve.




Në fushën e krijimtarisë origjinale ai, përveç autor i këtij libri, është në të njëjtën kohë edhe autor i disa pjesëve dramatike operash. Pjesë e rëndësishme e prodhimit të tij letrar është edhe një fond i rëndësishëm publicistik dhe studimor.

******

Ismail Kadare Related Keywords & Suggestions - Ismail Kadare Long Tail ...

Ismail Kadare: Zef Zorba, taksa e rëndë që pagoi në komunizëm

Në nëntor të vitit 2004, në shtetin Miçigan të SHBAsë, gjatë një takimi me shqiptarët për të festuar ditën e flamurit, në Kishën e Shën Palit, kam takuar zonjën Luçie Zorba, vajzën e poetit Zef Zorba, e cila më ka dhuruar librin poetik të të atit të saj “Buzë të ngrira në gaz”. Ndonëse emri i Zef Zorbës ishte për mua familjar, ende nuk më kishte qëlluar ta njihja librin e vetëm të tij, të botuar më 1994, një vit pas vdekjes së poetit, pothuajse pa asnjë jehonë mediatike. Ndihem i lumtur që më jepet mundësia që në këtë ribotim të përmbledhjes poetike të krijimtarisë së Zef Zorbës, të kryej, ndonëse me pak vonesë, një premtim ndaj kujtimit të poetit. Zef Zorba është një nga poetët më të shquar të letrave shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, pra e asaj periudhe që në mënyra të ndryshme është quajtur si kohë e komunizmit shqiptar. 


Cilësimi “poet i shquar i kohës” mund të tingëllojë në këtë rast më se paradoksal. Në radhë të parë, sepse Zef Zorba ishte, në të vërtetë, e kundërta e të shquarit, dhe, në radhë të dytë, sepse koha e komunizmit në një përftim të parë, më pak se e kujtdo, mund të quhej kohë e tij. Kështu është në jetën reale, atë që e jetojmë të gjithë sipas ligjeve të realitetit. Por në jetën e artit, ligjet janë të tjera. Sipas këtyre ligjeve, Zef Zorba, duke qenë më i pashquari i poetëve, më i mbështjelli nga heshtja dhe nga terri, na shfaqet në të vërtetë në pamjen dhe përmasat e tij të tjera. Sa për kohën që ka qenë dhe shpesh ka mbetur zakon të quhet “kohë e komunizmit” mendoj se nuk do të jetë e largët dita kur ky cilësim i gabuar të bjerë përfundimisht. E ardhmja e tregoi se ajo kohë, që shpesh pagëzohej si “kohë e partisë”, nuk ishte ashtu. Ajo ishte kohë e të gjithëve, ndonëse një pjesë u përjashtuan përkohësisht prej saj: koha e komunistëve dhe e antikomunistëve, e njerëzve të bujshëm dhe e njerëzve të heshtur, e atyre që mbushnin foltoret dhe ekranet dhe atyre që i mbështillte terri. Zef Zorba ishte një ndër këta të fundit. 


I arrestuar në moshën 26 vjeçare, bashkë me gruan e tij të re, pas lirimit nga burgu, pesë vite më pas, më 1957, ai, natyrë e ndjeshme artistike si rrallëkush, e kuptoi se rruga e vetme e tij në art nuk mund të ishte veçse ajo e mënjanimit dhe e mbylljes në vetvete. Ndërkaq, ndonëse i tillë, ai u bë poet i kohës, në qoftë se do të pranojmë, siç u tha më lart, se zona e heshtjes, ku ai dhe të tjerë si ai, krijonin art, ishte pjesë e rëndësishme e kohës. 


Ai zgjodhi rrugën e krijimit të poezisë që nuk do të shihte dritën e botimit. Ishte e lehtë ta thoshe, por aspak e tillë në vetvete. Një poezi pa lexues, është një vepër pa jehonë, që nuk shkon te të tjerët dhe as sjell prej të tjerëve asgjë. Fjala “botim” në shumicën e gjuhëve europiane rrjedh prej fjalës “publik”. Në gjuhën shqipe vjen nga “botë”, çka në rastin e mungesës, ia shton dramaticitetin. Nuk ishin të paktë ata që zgjodhën këtë art të vështirë, atë që u quajt në gjuhën e përditshme “letërsi e sirtarëve”. Ishte plot rreziqe letërsia që botohej, me fjalë të tjera, që dilte në realitetin e vështirë shqiptar. Por edhe letërsia e fshehtë, ajo që dukej e mbrojtur nga ndërhyrja e shtetit, përballonte rreziqe të një natyre tjetër, ato të mungesës së lexuesit. Zgjedhja e Zef Zorbës e këtij lloj arti, ishte e pashmangshme. Arsyeja kryesore përse ai e sprapsi tundimin e natyrshëm të botimit ishte sepse ndihej krejtësisht i huaj ndaj regjimit që u vendos në Shqipëri. Ndërkaq, shkrimtarë të tjerë që kishin rezerva për regjimin vazhduan aty-këtu të shkruanin, në mënyrë të cunguar e të kontrolluar, një dukuri kjo jo vetëm e Shqipërisë, por e gjithë perandorisë së gjerë komuniste. Zef Zorba nuk mund të përfitonte as nga kjo mundësi e cunguar. Pesë vitet e burgut ishin një pengesë për këtë. 

Ai e dinte se të ishe shkrimtar në Shqipërinë socialiste duhej të paguaje një taksë të ndjeshme. Por të ishe shkrimtar me pesë vite burg mbi shpinë, taksën do ta kishe të dyfishtë. Përçudnimi i artit,atij që më së shumti poeti i druhej, do të ishte i pakthyeshëm. Zef Zorba do t’i jetë shmangur ndoshta, një tjetër tundimi: të linte dëshmi që flisnin haptas politikisht kundër regjimit. Shumë njerëz mund të bëjnë sot këtë pyetje naïve lidhur me “letërsinë e sirtarëve”. Dhe kjo do të vazhdojë gjer në hapjen e plotë të arkivave të fshehta, prej të cilave do të mësohen shumë gjëra. E ndër to do të mësohen padyshim mënyrat e sofistikuara të shtrirjes së përgjimit totalitar gjer atje ku është e vështirë të përfytyrohet. Zef Zorba zgjodhi rrugën më të natyrshme: atë të artit. Pavarësisht nga zezona që varej mbi fatin e tij, në thellësi të ndërgjegjes ai e dinte se arti i tij poetik do të dilte një ditë në dritë. Dhe kështu, ai iu bind ligjeve të tij. Sado paradoksale të duket, në fund të fundit, ai shkroi për të ardhmen, për kohën kur do të botohej. Nuk është e rastit që vargjet e fundit të kësaj përmbledhjeje poetike janë:

O, jetë!
edhe në zgrip...
shtegtarët e tu
gjithnjë dashurojnë! 


I gjithë aksioni i tij poetik ka një vijueshmëri të brendshme. Ai zgjodhi hermetizmin, si formën më natyrale që i shkonte poetit me atë fat. Ai është nga të rrallët poetë shqiptarë, që bëri eksperimente avanguardiste, aq pak të pranishme në poezinë shqipe. Një nga këto është synimi për një martesë të lumtur të poezisë dhe muzikës, duke gërshetuar teknikat e tyre. Ndërkaq, ky pasion i tij për avanguardizmin, nuk pengon që herë pas here, pas vargjeve të tij të ndihet fryma dhe ritmika e Dantes. 


Bie ora pesë e unë kryqin marr në krah
E me pak frymë fillohem për Kalvar.
Eci. Dhe mengadalë e lehtë një këngë sajohet
Ndër dej: “ad adiuvandum me festona”.
E këmba përmbi baltë len gjurmë të thella. 


E njëjta frymë zotëron në përkthimet e tij që nga Ungareti te T. S. Eliot. Dalja nga mjegulla e Zef Zorbës, ashtu sikurse e të përjashtuarve të tjerë, për të zënë vendin e tyre në mozaikun e riparuar të letrave shqipe të shekullit XX, do të sjellë drejtpeshimin e munguar në këto letra. 


... E perdja ra, pa përfunduar akti. 


Kështu ka shkruar Zef Zorba në një vjershë të datës 29 mars të vitit 1975, mu në mesin e natës totalitare. Të njëjtën poezi të trishtueshme ai e mbyll me vargun: “Veç drita s’ka mbarim”. E kjo do të thotë se edhe kur ka qenë i ligështuar në shpirt, në thellësi të tij ai ka besuar se perdja do të ngrihej përsëri e, për rrjedhojë, akti do të vazhdonte.

“Buzë të ngrira në gaz”, është libri i vetëm i botuar nga poeti brilant Zef Zorba. I botuar për herë të parë në vitin 1994, vetëm një vit pas vdekjes së poetit dhe i kaluar thuajse në heshtje të plotë, ky vëllim poetik vjen sërish në duart e lexuesve, si një ribotim i përmirësua dhe një mundësi reale për ta zbuluar këtë poet të veçantë. Libri, i cili harkon sipas autorit vitet 1945–1980, në variantin e përmirësuar (që del në qarkullim këto ditë nga shtëpia botuese “Princ”), përfshin edhe një poemë krejt të panjohur e të pabotuar më parë: “Baladë dritash për Lalin”, e shkruar më 29. 03.1975. 


Botuesi i “Princ”, Myftar Gjana thotë se Zef Zorba “është një autor antologjik. Ai ka refuzuar të botojë në kohën e diktaturës dhe refuzimin e kishte estetik. Ndërkohë që gjithë poetët e tjerë merreshin me poezinë totalitare, ai ka përkthyer poetët më të mëdhenj të shekullit njëzet, si Ungareti, Montale, Kuazimodo, Eliot, Frost, etj, përkthime këto që Zorba i ka lënë si libra të përfunduar, gati për botim”. Sipas botuesit Gjana, këto libra do të botohen së shpejti në kolanën e veprës së plotë të Zef Zorbës. Sipas tij, “Zorba është një zë i vetmuar në shkretëtirën e asaj kohe.


 Poezia e tij është e rrallë në të gjithë Evropën Lindore, pasi në asnjë nga vendet ish-komuniste nuk është shkruar në këtë mënyrë dhe s’ka pasur refuzime të kësaj natyre si rasti i Zorbës. Kjo është edhe një lloj rezistence që ta jep vetëm talenti dhe arti i vërtetë, një rezistencë thuajse biblike që ka lidhje edhe me qytetërimin perëndimor të cilit i përket fort Zef Zorba”, - vlerëson Myftar Gjana. 


Në prag të daljes së librit nëpër librari, “Milosao” boton parathënien e shkruar enkas për këtë botim nga shkrimtari Ismail Kadare, i cili duket ka një lidhje të veçantë me këtë poet. Po ashtu, do të botojmë edhe poemën e panjohur të Zorbës: “Baladë dritash për Lalin” si dhe një shënim të vetë autorit, përgatitur si pasthënie për botimin e parë të këtij libri, e shkruar në maj të 1989.

Baladë dritash për Lalin - 29. 03. 1975
- poemë -

Lal, vitet që për ty janë histori,
për ne nuk janë ashtu t’papërcaktueme.
Pse na, kuptom, i kemi pasë jetue
me mish e shpirtë,
po ashtu si po i jetojmë tani të tutë
përmes ndo’j vargu o’j harmonie prekëse
e shtëllunga përftyrimesh
që brofin (e nemosë pavetëdije) marramendëse
e të përflakin ty në atmosfera,
s’do mend të pacemtueme,
ndaj t’bamuna lamsh,
e, herë mbas here mue, befas më kthejnë
n’aso libime dritash
ku m’gjenin strehë ngushllimet
e mbase botëkuptimi, ku mbrehej çdo pikësynim
edhe pse jo i zgjidhun fizikisht.
Për dritat, Lal, desha të tham, që kam takue,
me të cilat shoqnohesha gjithmonë,
dritat që si i desha prap i due.
Ato të parat nuk kanë qenë si të zakontat
si ato që shkenca i përshkruen
çvendosje atomesh e elektronesh
ato qenë plazëm e papërpunueme,
por ç’ngrohtësi!
Ndër duert e njoma
acari mbretronte, por fëmija
mbështillesh prej duhme ngjyre të çiltë
e zani t’ambël mjaltë te kryet e shtratit
që e përcillte tej zbulimeve të qiellit
n’mija refrene mitesh anakronistike,
e n’kuaj që ngisnin revan n’për kaltërsi
e e zbrisnin mbi prozhmie pemësh çokolate
që kishte kurdoherë po t’njajten shije të
gjiut,
hem t’athet, hem dashunore.
E mandej drita u shtjellue në parametra
fatesh që ndryshonin sa herë këndellej stina:
fërkoje njëherë sytë e e tashmja
s’përgjasonte
me të kaluemen ma,
e zemrën ta ndrydhte keqardhja e braktisjes
se çfarëdo pellgu të sajuem jo pa mundim,
(ruejtsi i patave në breg të moçalit në Durrës
kur m’bani udhambarë me dorë
mue në maje të kamionit me tesha,
ai shoku i vrapimeve me biçikletë
që vdiq prej polmonitit e ia vendosën mbi krye
kunorën me shemshir e lule pjeshke,
krekosja kur me bandë kalonim
për nën dritare të saj e pikërisht aty
unë kisha kontrapuntin solo me saks:
ajo çupa tejet e dobët,
por që kërcente në konop si balerinë
sado që ritmi të përshpejtohej
e s’bante një hap gabim.)
E prap se prap
në tjera gjurmë më joshte aventura
jashtë sferave që, kush e di, përse aq vrik
shterronin
e në përputhje me afshet djaloçare
të mbrujtuna lëçitjesh e zmadhimi
mendor e fiziologjik.
Sa patën qenë e sa vezullonin dritat
nëpër të cilat u përshkova,
kush i mban mend të tana?
Ç’asht e vërteta shumë i treti zbehja
(e pra i patëm lbyrun sytë aq mirë
sa edhe këso ditë prap lotojnë.)
Por mbeten të pashueme do,
madje të ankorueme fort për fund të detit
stuhije çapërdisë po edhe mendimi
e ato s’më shqiten kurrë.
Kur ktheva njëherë n’vendlindje
(isha djalë pesëmbëdhjetë vjeç, por i topitun
mbramjesh shëtisja n’molo e vreja përmbi ranë
kristale kripe që shpërbanin
në vezullime pambarim
ndriçimet e fanarëve,
ose ndejun mbi shkallën guri të skelës
shiritat vetëtues që sa e ciknin
faqen e amullt prej Dubrote ringjallëse
mbi pluhun antarciti e njolla nafte të blera.
Kur dolëm prej stacionit të qytetit t’huaj
(ka qenë e para herë, e nata ishte e vokët)
na u shfaq papritmas sheshi
me reklame llampash neon shumngjyrash
që ndizeshin e fikeshin
n’ballë të shtëpive e mbi çati
e më ngeci fryma në fyt
këto llamburitje s’ishin si ato që kisha pa në filma
këto sikur prekeshin me dorë,
stërkalat e shatrivanit ne djemve
mbi këmishat doku t’gjelbërta na vesonin
e mbi fëtyrat e nxime tymi të lokomotivës.
Në një musandër krijuem atelierin
ku prodhonim fotografi;
e llampa e kuqrremët
s’na i projektonte siluetat në mure,
por shoku m’dukesh si t’kish dalë
prej një pikture të përgjakur rembrandiane.
E në mbramje mandej, kokë mbi kokë,
mbi haretë shestonim
atë udhëtim nëpër botë
tue përcaktue me hollësi sendet që do të merrnim
e ditët që do të qëndronim
në çdo qytet e në secilin vend.
Mandej u nxinë gjithë trotuaret
(përpëlitesh kafsha e zanun prej qarkut
e mbi kullë çekani rrihte monoton
edhe pse qiejsh vërtiteshin t’argjenta
e premtuese fortesat).
E kur? Tamam at’herë kur madhështore
e paplituese me qesëndi
qeshi së pari poezia
e u jepte frymë çinarëve të sakatuar
e gurve në Zallë të Kirit
Lal, prozhektorët përmbi palko
janë ma tërheqës se çfarëdo drite tjetër
Madje se edhe vetë qielli.
Unë i krijova
Mbase presioni atmosferik i naltë
ish ai aty që më duhej për mëshirime:
qoftë kur djaloshi hidhej
tej horizontit, o plaku zihej me Perëndinë;
e mbrapa deri vonë në pijetore
nëpër avuj alkooli lundronin herë dritë herë hije,
përzemërsitë e jonet përqethësisht të vërteta
të operistit shpupurishur flokësh.
...E perdja ra pa përfunduar akti,
Oh, mbase tani është vonë, një gjumë
gjithnjë e ma këmbëngulës po më troket
n’qepalla.
Por vetëm drita s’ka mbarim
Si ajo drita përmbi kënetë aso ditësh gushti
kur mbushte qiellin anë për anë
me pala të pakufishme
të një flamuri gjigand
e gjithfarë ngjyrash.
Veç drita s’ka mbarim.


********
Anton Çefa


Anton Çefa

“Zef Zorba – shkruan Anton Çefa, – vuri në skenë pjesën dramatike “Juda Makabe” të Fishtës, e cila trajtonte luftën për çlirim dhe tradhtinë kombëtare, problemet më të mprehta kombëtare, në atë periudhe kur në fshatrat per rreth Shkodrës, në Postribë, në Malësi të Madhe dhe në Mirditë vlonte lufta për të mos rënë nën thundrën komuniste ose për ta përmbysur atë. (Zef Zorba, “Disidenca e parë e organizuar e intelektualëve të Shkodrës”, “Hylli i Dritës”, numër i posaçëm, Tiranë, 1996). Kështu, Zorba e shpalli vetën haptas si disident i regjimit, që porsa kishte filluar të lëshonte rrënjë. Pas vdekjes, nën kujdesin e Stefan Çapalikut, iu botua vëllimi poetik “Buzë të ngrira në gaz”, një përmbledhje poezish lirike të shkruara brenda skajeve të një jete të tërë, prej rreth 40-50 viteve. “Buzë të ngrira në gaz” është shqiptimi i një poetike të lartë, fryt i asaj kohe absurde që ngriu në buzë fjalën e pathënë, pse jo edhe ironinë tragjike për bëmat e çoroditura të një shteti të çmendur, të një shoqërie të ndaluar në vend dhe të shkëputur nga bota.”

Tërë ëndrrat dhe pasioniet një ditë ju ngrinë. Nuk shkoi gjatë e për një a dy fjalë të thëna a të pa thëna në mes miqësh artistë të rinj, arrestohet aktorja e re e talentuar Terezina Pali e pas pak edhe i dashuri i saj regjisori Zef Zorba.

Pastaj , n’teater; një Gjido/ i larë në djersë/ përpëlitej i falisur./shkuleshe n’ gaz me të madhe,/por në sy të vetetinte/ stuhia e Shtatorit…/ A të kujtohet.( Terezës)

Ishte shtatori i vitit 1946. Të dy në trupën e teatrit, të pasionuar e talentuar, të dy të dashuruar, të dy të arrestuar në një kohë, të dy në të njëtin gjyq mizorësh e përbindshah të kuq,… e të dy të dënuar me burg. Historia e dy të dashuruarve Zef Zorba dhe Terezina Pali është vertetë një prej dramave me të fuqishme njerëzore në qytetin e Shkodrës, por që gjithsesi falë cilësive të larta morale të këtyre dy të rinjve regjimi nuk arriti tua ktheje jetën në një tragjedi fatale. U përdorën tërë mjetet e mënyrat barbare që dashuria e tyre të thyhej.

I errët ky shteg. Nuk mundem/ rrugën me e gjetë pa dritën/ tande. (Ç’ka më sëmbon?) /Në cep të greminës,/ që josh e ngujon, / a e shef si po lëkundem?/

Por jo. Zef Zorba dhe Terezina Pali që ishin ndarë e burgosur mizorish, sa fituan lirinë u hodhën në krahët e njeri tjetrit. Atë dritë që nuk e gjenin dot në jetën e përditshme sociale e gjetën tek njeri tjetri.
Kur mbetesha vetëm me ty,/ o zemra ime,/netësh të mbarsura me stuhi,/mergime kujtesash në atë dhomë të gjatë,/ pa dritë.( dimër, 1946)

U martuan. Ju lindën dy vajza që i pagëzuan Elena dhe Luçia. Zef Zorba aso kohe u kish thënë njerëzve të familjes se vajzave do t‘u thërriste Lejla dhe Lali. Edhe sot e kësaj dite dy vajzave të Zef Zorbes ashtu u thërrasin. Pas daljes prej burgut, martesës, lindjes së fëmijëve dhe punësimit të tij si llogaritar jeta e tij do të rridhte e qetë. Por veç me një qetësi sipërfaqësore sepse vepra e tij letrare poetike, e botuar post mortum, tregon se shpirti i tij nuk ishte i qetë. Ai e vuante mungesën e lirisë së shprehjes që ishte akoma më e rëndë se ajo e lëvizjes, madje edhe se vetë burgu sepse tek e fundit bëhesh guardiani i shpirtit tënd, i vetëndalimit dhe vetëburgosjes.

Unë nuk vij dot me ty/Nuk kam si shkoqem prej kësi ngujimi/ku frymën e mbaj gjallë/me cirka arsyetimi/ ku foshnja/piqet në djep/prej ethesh përvëluese/ ku jeta-dhuratë përbuzet,/ ku hiqet dreqi me vdekë.( Shkalla e Kakarriqit)

“Në heshtjen e thellë të këtij gjysmëshekulli, Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e një intelektuali të vërtetë, larg kompromiseve. Ai krijoi një afinitet të çuditshëm me letërsinë e filozofinë moderne, duke përkthyer poetë të tillë si R. Frost, Xh. Hungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T. S. Eliot, dramaturg si Shou. Pirandelo, Uelld, Uajllder, Martin, e filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer, etj., etj.” shkruan Stefan Çapaliku, në shenimin në kopërtinën e fundit të librit “Buzë të ngrira në gaz”.

Vetë poeti ne pasthënien e librit, te shkruar ne vitin 1989 pohon:

“Lexuesit të sotëm i kërkohet përgatitje shpirtërore, kulturore e artistike për ta bërë veten bashkautor me artistin, jo vetëm për të interpretuar atë që i komunikohet, por për ta ndjerë e për ta vuajtur bashkë me poetin, duke kërkuar në vepër përfytyrimin vetjak, qoftë në formë krejt individuale e ndoshta edhe botëkuptimore tjetër. Konsumatorit të sotëm i kërkohet të jetë si ai vizitori i Luvrit që kuvendon me Da Vincin para Xhokondës, ose si ai që ankon e gladon me Van Gogun para një pejsazhi norman. Ose si lexuesi i Ungaretit që vuan e heq të zitë e ullirit bashkë me poetin në llogoret e luftës.”

Dhe më tej duke shpjeguar platformën e vet estetike shkruan: “Rrugën e “esencialitetit” ose të “Hermetizmit” e kam përqafuar kryesisht sepse ashtu e kam ndjerë mundësinë e dhënies emocionale dhe të krijimit të përfytyrimit vetiak. Njiherit kam këqyrë të mos bie, qoftë dhe pa vetëdije në binarët e “hermetikeve”, sado të adhurueshëm që ato binarë janë… pasimi i rrugëve emocionale të tyre do të kishte qënë një vazhdim i mjerë e i pafrut.”

Kujtoj se me Zef Zorben jam takuar shumë vite të shkuara, aty nga 1970, kur punonin të dy në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Kurrë nuk mund ta mendoja se ai llogaritari që me tefter në dorë numëronte karriget e Ndërmarrjes së Prodhimeve, ishte poeti që zërin e mbyste brenda vetes. Ishte koha kur uturonin shumë rrangalla fjalësh. Edhe ato karrike që po merrnim ishin për sallën e madhe të mbledhjeve të Kombinatit të Drurit në Shkodrës, ku do të buçiste zëri i fuqishëm i partisë “për fitore të reja”.

Poeti Zef Zorba, i heshtur, i menduar, do të linte tefterin e ditës për të marrë në dorë tefterin e natës. Por veç, ndërsa në tefterin e ditës shkruhej me gjuhën e karbonit, e të zezës, në mbrëmje poeti shkruante me gjuhën e bardhë të zemrës, me gërmat e të vërtetës si drita.

Tash muzgu sa me vrap/ qullos rrugën time,/(telet e dritës siku janë çartë)/Prej trurit trishtimi/ shkumbëzon e shprazet/ në gjymtyrët e këputura. /Heq këmba këmben zvarrë.

Por a e dinte valle ai madhështinë e punës së vet. Apo thjeshtë shkruante sepse, i privuar prej të drejtës të merrej me art, nuk donte ta linte shpirtin e vet prej artisti të vdesë. E kështu si të burgosurit, për të thyer vetminë në mes të mureve të ftohta të qelisë, flasin me vehte që të mos harrojnë të flasin, të mos harrojnë të dëgjojnë, keshtu dhe ai shkruante e shkruante. Ndoshta për ndonjë shkak tjetër drojes se i flashkej shpirti. Gjithsesi kur të kesh lexuar poezitë e tij, të shkruara në errësirë e në vetmi, do të ndjesh se çfarë masakrimi bënin shkrimtarët zyrtar në poetikën shqipe duke e përdhunuar publikisht. Thënë hapur, poezia shqipe ishte bërë një lavire ku shfrynin epshet kodoshët e realizmit shtatanik socialist. Ndërkohë që e vërteta mbulohej shtat pash nën dhè, këtë dëshirë kishin edhe për dritën, atë dritë që rrezaton në shpirt edhe në fund të dheut po të fusin, por veç asaj nuk kish çfarë ti bënin.

E mjerisht ende sot, ka të vjetër por edhe të rinj që i bëjnë hosana të së shkuarës e lavdërojnë madje edhe surogatot poemezezat e komunizmit, që nuk ishin kurrgjë tjetër por himn i dhunës e gjakut qe rridhte rrkaje neper gjoksin e atdheut, himne për vrasësit qe pushkatonin intelektuale te lidhur dore për dore me tela me gjemba. E ky gjak ende nuk është shpaguar jo vetëm prej kriminelëve që vranë, por as të paktën moralisht nga ata që e himnizuan dhe e poetizuan krimin e përbindshëm të diktaturës komuniste. Krijimtaria poetike të poetit Zef Zorba vlerësohet si “histori e një shpirtit të sakatuar, që jeton duke përtypur shpresë e ironi të vetvetes” në kushtet me të errta të regjimit totalitar, kur, të shkruaje të tilla poezi ishe i destinuar të përfundojë tragjikisht. Zef Zorba, anipse e njohu burgun që në rini të tij, ai edhe me pas guxoi të fliste me vete me një poezi revolte, ani pse kjo revolte që e ndryme brenda vargjesh hermetike si vargoj, ashtu si vetë jeta shoqnore qe e mbyllur hermetikish dhe e izoluar nga bota.

Në këtë mizori e terrinë, falsitet e hipokrizi, kur laperdharët e errësirës thurnin hymn e ditirambe servile për ca shqiponja qielli( kur njerëzit ishin kthyer në krimba shiu), ai meditonte në vetmi të thellë, ku dëgjohej veç prej vetes, si një burim uji mijra metra nen dhè që zemra e tokës e ndjen. Që nga ajo thellësi bulëzonte zëri i poetit Zef Zorba, atij eruditi e njohësi e përkthyesi të letërsisë botërore, që anipse tepër vone u zbulua, shfaqi me plotëri dritën e saj.

Le te citojmë sërisht shkrimin e Anton Çefes: “Në vitin 1996, Zorbës iu dha çmimi “Martin Camaj”, në arsyetimin e të cilit nga komisioni përkatës i përbamë prej albanologut Hans Joachim Lanksch, prof. dr. Walter Breu (Universiteti i Kostancës), prof. dr. Elvira Glaser (Universiteti i Zurihut) dhe prof. dr. Wilfrich Fiedler (Universiteti i Munihut), thuhet “Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht, e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimkambëshin lidhjen me rangun e saj të naltë që kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.” Dhe më poshtë: “Vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet nga substanca fizike e shpirtërore e fjalës” dhe “Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjala për atë të shkruar në Shqipni”. (Hans-Joachim Lanksch: “Arti autonom i fjalës”, “Phoenix”, 1997 / 1, f. 49-52).”






Kolec Traboini 

Poezi e Zef Zorbës na kujton se sado e errët të jetë koha, sado e drithërueshme shpresa, etja e për dritën kurrë nuk duhet të shuhet e të vdesë. Ky është mësimi i madh që del nga poeti i pashoq i disidencës së heshtur Zef Zorba, zëri i të cilit është vertetë apoteoza e dritës së munguar nën diktaturë, të cilën tashmë, për fatin tonë, fatlumturisht e arritën ta kemi.

Tungjatjeta poet, nderim për ty që i thure apoteoze dritës në errësirën më të thellë ne sistemin qivur të komunizmit diabolik, ndër mundimet më të mëdha, kur të tjerët që ende mbahen me të madh, ishin puthadorët e diktatorit, apologje të diktaturës, pjellë e kasnecë të errësirës. Ani pse nuk jeton më që nga janari i vitit 1993, sot e në të ardhmen je e do të mbetesh zëri i parë në koralen e lirisë së mendimit e krijimit, ti disidenti i heshtur e i pakompromis në poezi, Zef Zorba,shkruan me stjersh shkrimtari i mirënjohur shqiptar Kolec Traboini(Kol Shkodrani).


****

Ndoshta pikërisht për këtë, për faktin se diktatura e ka të pamundur ta dominojë jetën e artit, vjen një kohë, ku poezitë e ashtuquajtura të sirtarëve marrin një vlerë të veçantë. Nuk mund të ndodhte ndryshe, me të lexuar poezinë e Zef Zorbës, të një poeti që pak njihet nga lexuesit, kjo poezi mori statusin e të veçantës për disa arsye të ndryshme.

Si arsye të parë, mund të thoja se libri i vetëm me poezi i këtij poeti që u burgos në moshën 26 vjeçare, ashtu i heshtur, në sirtarët e errët të komedinave ngjyrë arre, i dha mundësinë vetë poetit, ndoshta si rrallëkujt, për të rimposhtur peshën e realitetit të humbur.

Më tutje, me anë të kësaj poezie, ai arriti të krijojë jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët; një zemër të re, një frymë të re, një shpirt të ri në përmasën e njeriut. Në vëllimin poetik të Zef Zorbës; “Buzë të ngrira në gaz”, ne gjejmë një gjendje të trazuar në forma dhe ngjyra. Për të edhe pse qielli duket bosh, Zoti ende nuk ka vdekur…




Reldar Dedaj

”Në cep të greminës, që josh e ngujon, a nuk e sheh si po lëkundëm?”

Ky varg i kësaj poezie, për hir të vërtetës, që kur më ra në dorë ky vëllim poetik, pas habisë së parë që mu dha rasti të njihja një poet që vinte njëtrajtshëm si nga estetika, shpirti poetik, talenti dhe vlera e artit me ata emra të mëdhenj të poezisë gegë që regjimi i flaku si nga sirtarët por edhe nga memoria kolektive e njerëzve, fill pas kësaj, menjëherë; u gjenda jo vetëm përballë një apoteoze të madhe ekzistencialiste të qenies njerëzore, por sakaq, edhe vetë një prej koncepteve më filozofike që realisht në ditët e sotme më mundon jo pak.

Është jashtëzakonisht e çuditshme forca e këtij vargu, sa edhe ndjenja e vetmisë. Realja ka një domethënie fetare- individi është, absolutisht i vetmuar. Ndërsa Zoti, është sajimi i kësaj vetmie. Edhe pse mbetem poaq i mendimit, se Zef Zorba në thellësinë e vargut të tij, dukshëm, vihet re një qasje e lehtë besimi, ndoshta kjo është e veçanta e kësaj poezie; kontradikta me veten si fillim e më pastaj me radhë me gjithë gjërat e dashura të tij.

Përsosja artistike e poezisë në të gjithë vëllimin e vetëm, për fat të keq, bën që të harrosh lehtë pezmin e poetit, jeta dhe vdekja, ka pasur një origjinë të përbashkët, ku kanë shprehur të njëjtën jetë ndjenjash dhe mendimesh. Por nëse dikush kujtohet dhe ngre çështjen e nënkuptimit, do të gjejë material për mendimet e tij.

Ironia qëndron se poeti jo pak, ndoshta një jetë të tërë ka menduar për vetëvrasjen, ka folur dhe ka shkruar për të.

Oh, jetë! edhe në zgrip….shtegtarët e tu/ gjithnjë dashurojnë!

Në realitet të krijohet përshtypja se ka jetuar veçse me këtë ide. Pak a shumë, ai e ka parë si një arratisje shpirtërore. Prandaj ai e duroi jetën deri në fund, pasi ishte i vetëdijshëm, se një ditë edhe mund të vetëvritej. Kjo nuk ndodhi…

Por Zef Zorba nuk është poeti i përkuljes, ngase nuk e mendoi asnjëherë atë, ishte i ndërgjegjshëm për vlerën dhe rëndësinë e poezisë së krijuar nga vetë ai.

Ndoshta si askush tjetër, në poezinë e tij Zorba bëri eksperimente avanguardiste, aq pak të pranishme në poezinë shqipe. Me shumë gjasa, një nga këto, do të jetë synimi i ndërkalljes natyrale dhe harmonike mes poezisë dhe muzikës, duke gërshetuar sa më mirë teknikat e tyre.

Dhe kështu, erdhi një kohë që zezona që varej mbi fatin e tij, të zhdukej dalëngadalë, bashkë me pezmin e poetit, fobitë dhe ankthet e të kaluares, duke ja lënë vendin një tjetër kohe, daljes në pah të gjithë vepres poetike, një thesari të veçantë kulturor dhe mjaft të rrallë për ditët e sotme…(Reldar Dedaj).

****

Zorba i takonte qarkut të shkrimtarëve klandestinë. Më 1989 e përfundoi veprën e vet poetike, nji vëllim poezish që u botue vetëm më 1994 nga shtëpia botuese Dituria dhe që përmban vjersha nga vjetët 1945-1980, të shkrueme fshehtazi në burg (1946-1951) ashtu si dhe në liri. Edhe me pretendimet e tyne artistike edhe me realizimin e tyne artistik, 54 poezitë e librit e deklasifikojnë vargëzimin e prodhuem nga shumëshkrues notorë dhe me bekimin e Partisë, përftim ky që e shkyçi nga letërsia europiane dhe rrjedhat e zhvillimit të saj pjesën ma të madhe të letërsisë së shkrueme zyrtarisht në Shqipni.

Më 1996, Zef Zorbës iu dha post mortem Çmimi letrar "Martin Camaj" i Shoqatës "Martin Camaj".
Krahas me shkrimtarët në diasporë si Martin Camaj dhe me autorë të tjerë klandestinë si Kasëm Trebeshina, Daut Gumeni, Primo Shllaku, Zorba i takon qarkut të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht, e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimëkambshin lidhjen me rangun e saj të naltë që e kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.

Ndërsa poezitë jo pathetike, jo pompoze të Zorbës në shikim të parë duken të thjeshta, madje edhe lexuesi serioz dhe i rrahun në lamin e poezisë e ka të vështirë me gjetë shtigje afrimi deri te ato. Poetikës artvrasëse socrealiste të, Zorba i kundërvë nji poetikë të përjetimit, të bashkëpërjetimit e të zhytjes së vetë lexuesit në tekst tek lexuesi bahet bashkautor, nga lexuesi madje kërkohet me u ba bashkautor dhe jo konsument i tekstit. Kalitjes ideologjike dmth. indoktrinimit Zorba i kundërve nji individualizëm rigoroz. Tekstura e poezisë së tij asht eliptike, e përqëndrueme në qenësoren, dhe e ngjeshun deri në abstrahim. Poezia e Zorbës të bahet si simotër letrare e pikturës abstrakte. Poeti i end tingujt, ritmet, tonalitetet, rrezatimet e fjalëve në tekstet e veta fjalëpakë në tabllo të pikturueme me fjalë, tabllo që janë konkrete vetëm në dukje dhe që veprojnë deri në shtresat e nënvetëdijshme. Vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet nga substanca fizike e shpirtnore e fjalës.
Në ciklin ”Fugat e fundit”, f20, poetit ia doli me krijue nji sintezë unike në letrat shqipe, atë të muzikës e letërsisë, cikli “Mbresat e rrugëve - Poem (Në formën e një koncerti për violë, fagot, ksilofon-kumbonë dhe instrumenta perkusioni) asht i komponuem simbas strukturës së sonatës (me hymje, ekspozicion temash, pjesë koncertuese, kadencat solo, reprizë dhe nji Vetëm me këto dy cikle Zorba do të kishte fitue nji vend të dukshëm në modernën e poezisë europiane.
Zef Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjalë për atë të shkrueme në Shqipni. Përderisa ndikimi ungarettian te Martin Camaj, i shikuem nga ma afër, del ma tepër si përfundim silogjistik ku tekstura e dendun dhe e mbyllun e Camajt, shikue nga ma afër, del si element afiniteti që rrajët i ka në hermetiken "moderne" të arkaikes te Camaj si dhe në individualitetin e tij, poezia e Zorbës mundet me u dukë si në shqipet, pa qenë ndonji imitim.

Para se me mbarue dorëshkrimin, Zorba i përpunonte vjershat e tija - nga nji anë në kuptimin e ngjeshjes tek e shlyente, ashtu si dhe Martin Camaj, atë që ishte e tepërt, tue kërkue me i dendësue tekstet deri në thelb të thelbit, dhe, nga ana tjetër, vjershave që i kishte shkrue gegnisht, ua jepte petkun e letrarishtes së sotme zyrtare tue ruejtë elemente të vyeshme gege. Ashtu lind nji krijesë e re tek përzihen idiomat tona (të traditës dhe ato që bota krijon të reja çdo ditë) siç thotë autori në mbasthanien e vet, dhe krijohet nji botë specifike trajtash dhe shprehjesh, nji fragmentarizëm i synuem nga autori, nji shprehësi dhe trajtësi që shfaq sharmin dhe magjinë e vet me plot fuqi, ekspresivitet dhe ngjyrëshmëni të hollë.(Hans -Joachim)

No comments:

Post a Comment