2017-03-06

Nga Fritz RADOVANI : SHKOLLA SHQIPTARE “PA DYER’ E DRITARE”

 Pjesa e V.

SHKOLLA  SHQIPTARE
“PA  DYER’ E  DRITARE”



PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit...”



Shkruan Fritz Radovani 

■Ishte e vështirë me shpetue nga një “Revolucion shkatrrues kulturor e njerzor i 1967”, që në Shqipni kishte fillue nga viti 1944, kur në 1945 në Jalta Shtetin Shqiptar e mori lumi dhe Shkodra, qendra e kulturës sonë dhunohej nga barbarët sllavë të Ballkanit. Nuk mjaftuen jugosllavët e malazezët komunistë, po sollen edhe grekët me djegë Pazarin...
Në vitin 1962 nga Kabineti Pedagogjik i Shkodres si disenjator, më transferuen në Shkollen Liria, mësues i klasës së parë. Shkolla atje ka një pamje të bukur perballë Kalasë Rozafat, Pazarit Vjeter dhe Liqenit të Shkodres. Ndertesa asht kenë shumë e vjeter dhe nga balkoni i shkollës shihej gjarpnimi i rrugëve të Pazarit po edhe i atyne të Kështjellës. Vetem tue pa muret e shkretnueme të Bigjistenit, mendja më fluturonte tek thëmelet e edukatës sonë morale Shqiptare “Besë, Burrni dhe Bujari”, të ruejtuna nder shekuj e të trashigueme brez mbas brezi, që u zevendsuen me “pabesinë, spijunllekun, poshtersinë” veti të edukatës marksiste leniniste, per t’ arrijtë shkombtarizimin tonë nga shovenistët sllavokomunistë të Jugosllavisë, të Bashkimit Sovjetik stalinist, të laperave kinez të Maos “Madh”, me një grup tradhëtarësh homoseksual ku, ma i dijtuni i tyne Enver Hoxha, jo vetem ishte pa shkollë, po në kokën e tij antishqiptare i kishte mbetë vetem fanatizmi anadollak i mejtepeve të Gjinokastres dhe urrejtja per Kulturën e Veriut, për të cilen, nuk kursente as Kosoven, dhe as Fadil Hoxhen... Perveç, kolltukut vet !
■Aty ku filloi ndertimi i Shtetit Shqiptar me Shkollat e Para Shqiptare në Veri në 1632... pikrisht, aty u zevendsue Formula “Atdhé, Fé, Perparim”, me “Enver, Tito, Stalin”!
Shqipnia u zhyt në llomin e injorancës dhe urrejtjes antiveriore, me kurset që u hapën për “edukimin” e kuadrove terroristë të partisë komuniste dhe të “mësuesëve” në kurset e analfabetëve, që shumë shpejtë i shohim në drejtimin e PKSh, komitetet ekzekutive, seksionet e arësimit, dhe në bankat e deputetëve të Kuvendit Popullor. Sherbimi i tyne per shkombtarizimin e Shqipnisë, u fillue në dy drejtime: Në perdhosjen e Historisë së Shqipnisë, me fallsifikime dhe gënjeshtra tue fillue nga shifra e 28.000 dëshmorëve të “luftës nacional – çlirimtare”, mija gjermanëve të vramë, dhe një së “vertetes” së vetme të pashpallun edhe sot: “Disa mija Shqiptarëve, të vramë e të pushkatuem nga brigadat partizane në luften civile me vllazen të vet në Jug dhe në Veri, gjatë vitit 1941 – 1946...”.
■Ndersa, fronti i dytë ishte kundër “shkollave të Gegënisë”, me heqjen e Emnit të At Gjergj Fishtës në letersi, (atëherë e sot) e deri tek vargu i dijetarëve të vertetë në të gjitha shkencat tona që vazhdojnë me kenë të dëbuem nga shkollat Shqiptare Perparimtare!
Shkatrrimi i Shkollës Shqipe fillon në vitin 1944 me okupacionin e të gjitha Programeve në të gjitha Shkollat Shqiptare nga sllavokomunistët jugosllav të Titos, shpartallimin e thëmeleve tona kombtare dhe, me fallsifikimin e Historisë së vertetë të Popullit tonë. Shkatrrimi i bazave shkencore në Histori dhe në Gjuhësi e Letersi kombtare Shqiptare, që në fillimet e para e deri sot, jo vetem kanë ndikue në formimin e një rinisë pa asnjë dije me baza shkencore kombtare, po edhe i ka dhanë asaj kahun antiatdhetar. Kjo asht kenë një vazhdimsi edhe në periudhën sovjetike staliniste dhe maoceduniste me qellim nga komunistët e Lindjes dhe të Perëndimit, politikë së ciles i kanë sherbye pa kursim tradhtarët tanë të betuem, me vazhdue rrugën e tyne antishqiptare, edhe kur “ata me të vertetë u merziten me ngatrresat dhe vllavrasjen tonë të pashpirtë e mizore”.
■Të gjitha “ideologjitë” antikombtare hynin e dilnin nga shkollat tona pa ma të voglen vështirsi, vazhdonin groposjen e vlerave tona dhe iknin me dafinat e poshtersisë së vume kraheqafë  nga “drejtuesit e shtetit shqiptar dhe akademija e shkencave të RPSSH”, që me paturpësi vazhdojnë me u krenue edhe tue u varrosë të pështymë nga Populli ynë.
■Në gjurmët e tiranëve Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, edhe pse i shohin mirë pasojat e veprimeve të tyne antishqiptare (vetem per me ruejtë kolltukun e vet të paprekun), ata tradhëtarë që me veprat e veta dje shkatrruen lidhjet historike me Europen Perparimtare edhe sot, vazhdojnë me paturpësi si mësuesit e tyne me u paraqitë si “ateistë”, kur në të verteten ata vazhdojnë me fanatizem anadollak porosinë e mësuesit të vet E. Hoxhës: “Shqiptarët duhet ti referohen Kur’anit!” në librin E.H. “Shenime per Lindjen e Mesme” prej të cilit zbatuen piken e parë: “Shqipnia – Antare e Konferencës Islamike 2 XII 1992”.
Nga epshi i mbetun prej robnisë turke, u dashunuen me shovenistët e Titos, dhe pa kalue as tri vjet u shkerdhyen me Stalinin, bolshevikun vrasës rus...E kur Hrushovi i njohu mirë, shkuen me u çveshë edhe nder shiltet kineze të Maos, që u kishin mbetë pa provue.., e ai ju mësoi: “Kur shkoni me fjetë, tek grazhdi mos shkelni barin!!...”(Citatët)
Çka nuk po mësohet nder shkollat e Trojeve tona, perveç Atdhetarizmit dhe Historisë së Vertetë të Popullit Shqiptar, ku tue fillue nga Figura e Heroit tonë Kombtar Kastriotit, ■ASNJË student nuk njeh fare ajken e Kulturës Shqiptare tue fillue me Dijetarët e 1462:
Imz. Pal Engjulli, Don Gjon Buzukun... Don Aleksandër SIRDANI, At Anton HARAPI, Anton LOGORECI,  At Anton ZANONI, Arshi PIPA, At Bernardin PALAJ, At Benedikt DEMA, Branko MERXHANI, At Daniel GJEÇAJ, Dedë GAJTANI, Engjëll RADOJA, Ernest KOLIQI, Et’hem HAXHIADEMI, Elena LULI, Faik KONICA, Frano ALKAJ,  At Gjergj FISHTA, Gjergj PEKMEZI, Gjon SINISHTA, Guljelm DEDA, Ilo Mitkë QAFËZEZI, At Justin RROTA, Don Kolec PRENNUSHI (Pseudonim Mujs POLEMI), Karl GURAKUQI, Kolë THAÇI, Konstantin KOTE, Kostë A. ÇEKREZI, Krist MALOKI, Kristo FLOQI, Don Lazër SHANTOJA (Pseudonim Y...), Lef NOSI, At Luigj MARLEKAJ, Luigj THAÇI, Lumo SKËNDO (Mit’hat FRASHËRI), At Marin SIRDANI, At Mark HARAPI, Mark DEMA, Martin CAMAJ, Mati LOGORECI, Mehdi FRASHËRI, Musine KOKALARI, Mustafa KRUJA – MERLIKA (Pseudonim Shpend BARDHI), Namik RESSULI, Ndoc VASIJA, Don Ndre ZADEJA, Don Nikoll GAZULLI, Nikoll DAKA, Don Nikoll MAZRREKU, At Pashko BARDHI, At Pjeter MËSHKALLA, Imzot Preng DOÇI, Qemal DRAÇINI, Sami REPISHTI, Simon SHUTERIQI, Stavro SKENDI, Tajar ZAVALANI, Vangjel KOÇA, Vasil ALARUPI  (Bendo Shapërdani), Imzot Vinçenc PRENNUSHI, Zef M. HARAPI, Zef SCHIRO Jr. (I riu), Zef ZORBA, Zoj XOXA, At Zef VALENTINI, etj...

■Shkrimtarët dhe “Akademikët” tanë sot thonë: “Ata që u shemben... U shemben...!”
Dhe, shembja e plotë u perfundue me “Revolucionin Ideologjik e Kultural të 1967”!
Detyrë e detyrueshme per “me drejtue...” ishte kenja “agjent i sigurimit të shtetit...”
Ata që u vune në shenjester, shumica perfunduen nder pranga ose edhe ma keq.
Ndersa, nder drejtuesit e vjeter, shohim një zevendsim të mnershëm pothuej nder të gjitha institucionet kulturore, arsimore dhe deri naltë në Byro politike të K.Q. PPSh... Ku pa frikë mund të themi: “Aty ishte mbretnia e injorancës, imoralitetit dhe terrorit!”...
■Nuk po shkoj ma gjatë por me qytetin tim ku, mbas mbledhjeve të mëshefta të Partisë që ato ditë në Shkodër i drejtonte nga Instituti i Naltë Pedagogjik Ramiz Alia, “shokët”: Xhemal Dini, Musa Kraja, Prenk Sokoli, Halit Isufi, Hilmi Habovija, Angjelin Kumrija, Jovan Vujoshi etj., këta agjentë besnikë që ishin ajka e Sigurimit të shtetit per arsimin e kulturen, vëndimet ia përcillnin rinisë mbasi tek “njeriu ynë i ri” ishte mbështetja e tyne dhe piksynimi per shkatrrim. Në mbledhjet e rinisë ma të besueshmit u ngarkonin me detyrat e Partisë dhe vazhdohej me brohoritjet nga kori i vagabondave “e ardhmja e Partisë”: “Parti, Enver, jemi gati kurdoherë!” Ishte pra, “Vigjilenca” që kishte tregue rinia dhe organizatat e pionjerit me rastin e festave fetare ndër dyert e furrave të lagjëve, me vërejtë dhe me spijunue se kush ban ambëlcina... Sot, kjo farë e keqe mund të jenë edhe “ministra e diplomatë”... E kjo duhej vazhdue kundrejt mësuesve dhe profesorëve të tyne... që kanë “mbeturina të vjetra” dhe kishin perfundue shkollat në Perëndim...
***
■“Kuku per ta, çka na ka gjetë ne...”, thonte një plak që kishte njoh Enverin dikur të ri...
Mundohen “disa” me na mbushë mendjen se “ka pasë ndonjë që e mashtroi Enverin” kryesisht, kur u matufos... Disa po kerkojnë me gjetë edhe “të mirat” që ka ba kur ishte tue ngordhë... Dhe, me paturpësi po mundohen me ua shpjegue rinisë poshtersitë e tij. Jo, jo, ai ishte terroristi që shpjegojnë shokët e shkollës, ai ishte vrasësi i kunatit të vet Bahri Omarit, e që nipi i tij Fatos Omari e njohu mirë dajen,  ai ishte që burgosi kushrinin e vet të njohun në Shkoder Prof. Muhamet Hoxhën... E ai burgosi Foto Balen dhe, në Gjinokaster vrau ke i erdhi perdoresh madje, edhe pafaj!
■HAPJA E DOSJEVE ka me ju nxjerrë bojen! Sot ju nuk jeni tjerë nga ata terroristë që:
“Popullin Shqiptar e keni vra, po nuk mundeni ma me e rrejtë dhe mashtrue!”
Mos harroni se, keni dishrue me pa një Popull pa të ardhme e keni: “Shkatrrue Shkollat”!
Baza e shkatrrimit asht Programi i PPSH dhe i “Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, që pasohej nga ministritë perkatëse dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve... !
■Edhe sot Shkollat tona Shqiptare janë “pa dyer’ e dritare”...
            Vazhdon Pjesa e VI.
Melbourne 6 Mars 2017.






(Fritz Radovani u lind në Shkodër me 6 janar 1940. Në bombardimin e bamë nga Aleatët me 13 tetor 1943 në Tiranë, ìu vra i ati Kol Radovani, major i policisë shqiptare dhe u rrit me t'ëmën. Në vitin 1956, në Shkodër ka përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike. U emënue nga Ministria e Arsimit në Burrel, në fshatin Macukull. Për nevoja shendetsore u kthye në Shkodër dhe u emënue disenjator në Kabinetin Pedagogjik, ku punoi 4 vjet. Mbas katër vjetësh,kaloi mësues në lagjen Liria po në Shkodër. Gjatë asaj kohë pra, në vitin 1965 ka përfunduar Liceun artistik me korrespondencë në Tiranë. Nuk ìu dha e drejta me vazhdue shkollë të lartë për arsye biografie. Në vitin 1968 në periudhën e Revolucionit Kultural, mbas arrestimit të dytë të vëllaut të madh, u transferua në fshatin Kosmaç, mësues në klasat fillore. Në vitin 1969, u largua nga arsimi dhe u emënue piktor në fabrikën e Tekstilit Shkodër. Aty nuk vazhdoi vetëm dy vjet me titull Piktor dhe kaloi në organikën e asaj fabrike si punëtor reparti stampimi deri me daljen në pension të parakohshëm në vitin 1992.
Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.
Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.
Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.
Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.)

No comments:

Post a Comment