2017-03-14

Nga XHEVAHIR SPAHIU : Vetëtimë




JETIMORJA

Fatos Arapit

Poetët
këta jetimë,
të gjithë i duan
të gjithë i urrejnë
të domosdoshëm si ajri
të panevojshëm si helmi
të rrezikshëm si tigri
Të padëmshëm si milingona,
gur i paluajtur,
fjalë që e merr era.
Poetët-
këta jetimë,
bota dhe kozmosi jetimore zemërgurë,-
vrasëse e gazavajit të tyre.

* * *
A ka gjëkund ndonjë shitore
a ndonjë tezgë kot më kot,-
të ble me ca qindarka qorre,
jo bukë, po pak durim, o Zot?

* * *

Të kam parë, o det, në sytë e një vajze:
kaq i kaltër, kaq i epshëm, kaq i humnershëm ishe.
Kur i kujtoj ata sy, nën flokët ngjyrë flake,
megjithëse është verë, dridhem.


KUJTESA E HUMBUR

Rriten ndërtesat,
kapin qiellin me dorë
a ndonjë re të grisur si flamur disfatash.
Rriten përditë
si pirg babëzie,
ndrydhet kundërmimi i dafinave,
limonave,
nën dhunë betoni;
malet zvogëlohen,
fusha e humbi kuptimin e parë.
Shqiponja më në fund
ia nguli sqepin zemres,
bora dhe zambaku i Tomorrit¹,
një kujtim edhe aq.
Rriten ndërtesat,
syri në mjerim.
Lisi fatthënës i Dodonës
në shtratin e Prokrustit.
Humbi pesha e malit,
mundësia e shkëmbimit të dy fjalëve me zotin.
Bota këtu poshtë,
një spital me të verbër,
vetëtima e fundit
ska paksa që u shua në sytë e saj.
Udhën për në maja e përpiu mjegulla,
nën dhe,si në Had,
rënkojnë yjet dhe qielli pa skaj.
________________________
1.Nepenthes Tomoriana (latinisht)


PERKRENARJA ILIRE

Pano Taçit

Përkrenarja doli nga dheu.
Poeti i burgosur
kujtoi rrënjët e tij
të pafajshme
dhe betejat e kota.
E rrasi në kokë me gjithë dhé.
Merreni, tha,
ruajeni në muze.
Poetët e nesërm,
aspak më fatlumë,
të këndojnë për të
dhe fatin tim
prej helmete
me tëmtha të gjymtuara.
__________________________
Në vitet 50, gjatë kohës së internimit,poeti gjeti në kodrat e Dushkut përkrenaren e parë ilire;ndodhet në Muzeun Arkeologjik në Tiranë.

* * *
Rubai bektashiane

Rroj e mëkatoj; mëkatet falen:
Zoti do këdo që do Aliun!
Tak-tak-tak: dyert e xhenetit hapen;
Aliun puth në ballë dhe qaj, i ziu.


LINDJA E KENGES

në tragetin Durrës-Brindisi

Fryjti era
dhe syzet fluturuan,
deti tani shikon me sytë e mi;
sheh brigje dhe re te largëta,
sheh brenda vetes një mbretëri mirazhesh.
Peshqit në lëvizje brouniane,
anijet e mbytura që nga koha e Qezarit.
Deti lexon vetveten
dhe unë tanimë jam i verbër.
Ishin syze dielli,
dhuratë dashurie
e, u dashka humbja:
vahut ta nxjerr vala,
- një palë syze -
majá,
të mbruhet kënga.

Prej detit del Afërdita pellazge
siç del thalassa përmbi tallaze,
nga thellësia e tij.

Sy i tretë,-
Librin e Kaltër të Detit,- përpij.

1. thalassa=pellazgjisht; tallaze, thellësia=shqip


EDHE...EDHE...

Kur më shumë besoja e më pak dyshoja, e pësoja;
Kur më pak besoja e më shumë dyshoja, përsëri e pësoja.

* * *

Idé, qaj për ty.
Pas teje materja ska ethe,
ajo e di
më mirë se ti
se zogu
nuk rri gjithë jetën në qiell,
fluturimi si pema, ka rrënjë,
një ditë a një çast
zbret në fole.
Idé,
Don Kishoti prore humbet,
e kthen
a
se kthen
pas
rrotën,
Sançua do sundojë botën.


* * *

Për ty dhe asnjë tjetër, asnjë tjetër,
për ty dhe gjithë të tjerët, gjithë të tjerët.

Kështu do thoshnin yjet përmbi krye
kështu do të thoshnin zogjtë nëpër pyje
dhe ëndrra brenda gjumit
dhe guri brenda lumit, -
kështu.

Për sot dhe ska më kurrë, për sot
për sot dhe përgjithmonë, përgjithmonë.

Kështu do flisnin fshatrat që janë djegur,
kështu do flisnin gjuhët që kanë vdekur
dhe lisi që ka çelur
dhe pjergulla mbihedhur, -
kështu.

Për ty dhe asgjë tjetër, për ty.


LUMI

Tatëpjeta
një udhë e hapur, e falur.
Ai shtrat,
ajo këngë e vjetër-
brigjeve mbrehur si kau në zgjedhë;
burimi
pragharrimi,
pak nga pak
e pikë pikë,
po tretej siç tretet kujtimi.
Përpjetë!
Me gurë e kërcunj përmbi shpinë,
përpjetë!
O Sizif:
Kryengritës i vetvetes?
Kryekryengritës!
Le ti shqyejnë sytë brigjet, si plagë,
le të mrrolen lisat dodonianë,
zogjtë krahëngrirë te pingërojnë:
e zunë xhindet, të Mirin!
Mokrat mullinjve mrizojnë.
Detin se mban vendi:
Çu bë?
Lumi lumadh, qenka çmendur,
malum, lumi im, malum.
Dikush që bariste nga kohë e pellazgut,
tha: Lumi po shkruan therorinë e fundit:
përpara shushamës,
në zgrip të harrimit
shkumbo drejt Burimit;
o lumë.
Ky është shpëtimi!

E dallgët si flakë
turfullonin përpjetë,
e brigjet munxonin: U çmend!
Gjolet gjetiu gjumonin në gjumë.
Një pyetje
çengel u ngul ne mal:
Kush?
Kush u çmend e u bë lumë?

TE “GUVA”

Pi me ditën time te “Guva”.

Gurët një dritë të fshehtë lëshojnë
të ndriçojnë terrin brenda meje.

O shtjellë e ngurosur:
Pranë Orës së qytetit të absurdit,
ma shuaj këtë etje burri.

Rrëkëllej kujtime.
Çikënganjëçikë.
Një gllënjkë, një vit.

Pi me një gotë antike
kapërthyer nga gjarpri.
A thua me të të ketë pirë Homeri?
A ta kete mbushur Baku vete?
Një gotë verë:
hardhi Ilirie kokolobo, baliska, serini.
Gëzuar!
Vete e djeshme, e sotme, e tejshme.
Gëzuar!
Dy duar, dy buzë, dy gjethe ulliri.
Gëzuar!

Mes gurëve
sytë e Papa Vojtiles
si puse të thellë;
humboj,
pres të rrahin krahët pëllumbat
në shpellë.

Mu në mes të Tiranës, qytet i absurdit.

Hesht siç dinë të heshtin shpellat, shpella.
Asnjë Amaltea.

Për pakëz tambël mbi buzët e çara,
të merrte arratinë shtara.

E dini? Si se dini.
Nga shpella në shpellë udhëton njerëzimi.

Pika e gjakut rrëzohet
nga zemra në humbellë,
gurët si gurë Sizifi mbi krye.

Dashamiri zgjat duart
mos na bjerë guri mbi kokë,
si Pirros.

Ki mëshirë, o grua botërore.
Na hidh ca fletë trëndafili,
në vend të gurit
mbi gotat me verë.

Si një puthje intime.

Gëzuar!
Gëzuar, ditëlindja ime.

No comments:

Post a Comment