2017-03-16

“Panama Papers”: reagimet nëpër botë

“Panama Papers”: reagimet nëpër botë

“Panama Papers” ka shkaktuar një valë cunami nëpër botë, si në rrjetet sociale edhe nëpër titujt e gazetave. Ndikimi është gjithëpërfshirës; nga debatet midis lexuesve, tek zyrtarët e përfshirë në histori, qeveritë, prokurorë dhe autoritetet e ndryshme ligjzbatuese.

Në vetëm disa ditë “Panama Papers” ka sjellë zemëratë dhe protesta në rrugë, teori konspiracioni dhe denoncime, po ashtu kanë dhënë indicie për hetime qeveritare dhe procedime penale.

Projekti e ka fillesën tek një rrjedhje të dhënash nga një zyrë shërbimesh ligjore, Mosak Fonseka (Mossack Fonseca), me bazë në Panama, që ofronte shërbime offshore. Dokumentet u siguruan nga gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung dhe u shpërndanë nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativ (International Consortium of Investigative Journalists (ICIJ) në bashkëpunim me Projektin për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (Organized Crime and Corruption Reporting Project (OCCRP).

Ja cilat janë disa nga reagimet dhe ndikimi që ka kjo rrjedhje të dhënash nëpër botë.

Prokuororët, autoritetet e Tatim-Taksave dhe policia kanë patur indicie nga leximi i materialeve për të vepruar si më poshtë:

Francë – Prokurorët kanë filluar një hetim të hënën për të vërtetuar nëse institucione financiare të ndryshme franceze kanë përdorur Panamanë për t’iu shmangur taksave, raporton Wall Street Journal.
Gjermani – Një zëdhënës i Ministrisë së Financave tha se autoritetet ishin duke e parë me kujdes situatën. Autoriteti Federal i Mbikqyrjes Financiare (BaFin) po e ndjek çështjen, raporton Huffington Post.
Mbretëri e Bashkuar – Autoritetet e taksave në Britani kanë kërkuar akses tek “Panama Papers”, raporton BBC. Jennie Granger, zyrtare e lartë, u shpreh: Kemi kërkuar që ICIJ t’i ndajë të dhënat që ka edhe me ne. Do t’i shohim me kujdes për të marrë masat e duhura.
SHBA – Departamenti i Drejtësisë po konstaton nëse ka prova të mjaftueshme për të nisur procedim penal, raporton CNBC. Një zyrtare e Departamentit të Thesarit u shpreh se Thesari po i shihte me kujdes të dhënat e “Panama Papers”. “Aty ku do të vëmë re shkelje, do të marrim masat të ngrejmë një çështje të fortë ligjore, që të ndërmarrim nisma në përputhje me sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane”, u shpreh ajo për Wall Street Journal.
Australia , Zelanda e Re, Austria, Suedia dhe Hollanda gjithashtu kanë nisur hetime raporton Reuters.
Në Azerbaixhan, Presidenti Ilham Aliejev i mohon akuzat –“ Panama Papers” nxorrën në pah se familja e Presidentit kontrollonte më shumë asete se ç’ishte e deklaruar. Një zëdhënës i presidentit te Azerbaixhanin, fëmijët e të cilit kanë emrat si pronarë të kompanive offshore, shprehet se një praktikë e ktillë nuk ndalohet nga asnjë ligj, duke shtuar më tej për personat e përmendur se “ ata janë qytetarë azerë të maturuar”, raporton BBC…

Loja “Jo” e bukur: FIFA përfshihet nga skandale të reja – “Panama Papers” nxorrën në pah se një anëtar i rëndësishëm i Komitetit Etik të FIFA, lojtari uruguajan Juan Pedro Damiani, ishte i lidhur me Eugenio Figueredo, një zyrtar i akuzuar per korrupsion, dhe me dy biznesmenë të korruptuar. Dhoma e Procedimit Etik në FIFA tha se ka hapur një hetim për të vërtetuar dyshimet në lidhje më Damianin, raporton CNN.

Rusia e mohon… – Zëdhënësi i Presidentit Putin, Dimitri Peskov, ka mohur që gruaja e tij të ketë në pronësi ndonjë kompani offshore, edhe pse dokumente nga “Panama Papers” tregojnë se ajo ka themeluar një të tillë në 2014, raporton the Guardian. Kremlini i ka quajtur “Putinofobi” dokumentet e siguruara nga rrjedhja e informacionit. “ Putinofobia ka arritur një shkallë të atillë ku është e pamundur që të flasësh apriori mirë për Rusinë, ndaj është e domosdoshme të flasësh keq”, shprehet Peskov.

Kremlini thotë se këto të dhëna nuk kanë thënë “asgjë të re”. Peskov gjithashtu aludoi se “Panama Papers” janë një komplot “ për të destabilizuar situatën në Rusi tani përpara zgjedhjeve.”

Ai vazhdon më tej duke thënë se besonte që pas konsorciumit të gazetarëve që zbuluan “Panama Papers” janë të përfshirë shumë ish pjesëtarë të DASH dhe CIA, si edhe të shërbimeve të tjera inteligjente, raporton Guardian.

Por Lituania e konfirmon Rrjetin Financiar të Sergei Roldugin- Sipas Washington Post raportohet se Kremlini ka mohuar çdo lloj përfshirje të mundshme në aferën 2 miliard $ me transaksione offshore të mikut të Putinit, violinçelistit Sergey Roldugin. Por sot nga autoritetet ligjzbatuese lituaneze vjen një lajm që thotë se janë verifikuar të dhëna që flasin për dërgesa parash nga katër kompani offshore në Lituani, drejt rrjetit Roldugin, raporton OCCRP .

Ndërkohë, në Ukrainë… – BBC raporton se Presidenti I Ukrainës, Petro Poroshenko , ka mohuar të gjitha akuzat duke deklaruar se në veprimtarinë e tij nuk ka asnjë evasion fiskal. Megjithatë një politikan ukrainas ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj Poroshenkos, por është hedhur poshtë me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme për krim. Poroshenko gjithashtu postoi në Facebook se ; në kohën kur u bë president ai ia kish deleguar gjithë menaxhimin e aseteve të tij firmave të ndryshme ligjore dhe atyre të specializuara për këshillim ligjor.

Edhe Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Kameron, përballet me hetime – “Panama Papers” nxorrën në pah një kompani offshore të babait të kryeministrit anglez, Ian, që e kishte themeluar kohë më parë. Të martën , raporton BBC, laburistët kanë bërë thirrje për një hetim jo vetëm të familjes Kameron, por edhe të atyre qytetarëve britanikë që janë të lidhur me akuza për evazion fiskal.

Kryeministri i Islandës në luftë me zjarrin – Të hënën, 24 mijë shtetas të Islandës firmosën një peticion i cili kërkonte dorëheqjen e kryeministrit të Islandës, Sigmundur David Gunnlaugsson. Mijëra dolën në rrugë pas refuzimit të tij për të dhënë dorëheqjen, duke goditur me joghurt dhe vezë godinën e Parlamentit. Kjo solli që të nesërmen Gunnlaugsson të jepte dorëheqjen nga presioni i popullit dhe ai politik, i ushtruar ndaj tij si rezultat i përmendjes së emrit të tij tek “Panama Papers” , raporton the Guardian.

Mos qaj për mua Argjentina – Huffington Post raporton se partitë opozitare në Argjentinë kanë kërkuar sqarime nga Presidenti Mauricio Makri, i qëndrës së majtë, për kohën kur ai ishte drejtor i një kompanie offshore në Bahamas, e cila ka lidhje me pasurinë dhe bizneset e babait të tij. Makri në një intervistë të shkurtër televizive, mohoi të kishtë bërë ndonjë gjë të gabuar, dhe se kompania që i ati kishte themeluar ishte e ligjshme.

Ti biem nga Kina – Sapo dolën të dhënat e para, Kina e limitoi hyrjen në internet dhe kërkimin për “Panama Papers”. Nga mediat në Kinë kjo rrjedhje informacioni u quajt si një goditje që Perëndimi po i bën udhëheqësve jo Perëndimorë, raporton Reuters. Censura e materialeve është rezultat i përmendjes së një familjari të udhëheqësit kinez tek “Panama Papers.

Reuters raporton gjithashtu se autoritetet e Hong Kongut janë të gatshëm të ndermarrin masat e duhura për çdo rast të mundshëm, pa komentuar ndonjë rast specifik ose aksion të mundshëm. Këto masa janë marrë si pasojë e ligjit të taksimit në Hong Kong, i cili parashikon ruajtjen e sekretit për aksione të ktilla.

Loja e fajësisë: Mosak Fonseka & Bankat – Firma ligjore me bazë në Panama, që ndodhet në qendër të stuhisë, Mosak Fonseka , botoi një përgjigje për hetimin tek gazeta Guardian duke pohuar se nuk ka bërë asgjë të paligjshme, pavarësisht dështimit të saj të madh për t’i ofruar kujdesin e duhur klientëve së saj .

Firma thotë 90 për qind e klientëve të saj janë institucione financiare të ndërmjetme, firma ligjore dhe banka që janë të rregulluara nën juridiksionin e tyre të të bërit biznes .

Firma gjithashtu foli për ndërmarrjen e masave ligjore ndaj gazetarëve dhe mediave që kanë publikuar dokumentet, duke thënë se “marrja e dokumentacionit është e paautorizuar”.

“Ne besojmë se ju jeni në dijeni të plotë që përdorimi i dokumentacionit/të dhënave të siguruara në rrugë joligjore përbën krim, dhe se nuk do të hezitojmë aspak që të ndërmarrim gjitha masat ligjore, penale apo civile, ” shprehet Mosak Foneska.

Ndërkohë bankat HBC dhe Credit Suisse, të përmendura tek “Panama Papers” si të përfshira për ndihmesën e dhënë për ndërtimin e strukturave komplekse financiare, i kanë mohuar akuzat duke thënë se nuk kanë dhënë një ndihmë të atillë, raporton Reuters.

Wall Street Journal shkruan se një zyrtar i bankës franceze Societé Générale ka pranuar që të këtë dhënë ndihmesë për ngritjen e kompanive në Panama. “Por kjo nuk shkel asnjë ligj”, është shprehur zyrtari.

Kryeredaktori i gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung, Wolfgang Krach, thotë se mbi 1000 gjermanë janë të përfshirë tek “Panama Papers”, dhe se ata kanë përdorur banka të mëdha si Deutsche Bank, Commerzbank, HypoVereinsbank dhe Bayerische Landesbank.

Fjala e fundit i takon Panamasë – “Kemi zero tolerancë ndaj aktiviteteve financiare të paligjshme” , është shprehur Presidenti i Panamasë, Juan Carlos Varela, për BBC. Ai premtoi se do të bashkëpunojë fuqishëm me çdo vend për hetimet.

No comments:

Post a Comment