3.25.2017

PD: Mposhti komunizmin, por triumfuan komunistët







Nga Lorenc Vangjeli

Lorenc Vangjeli është gazetar, analistë dhe ish kryeredaktor i të përjavshmes revistës MAPO. Një vëzhgues i kujdesshëm që merr pjesë rregullisht në debatet mediatike në lidhje me temat më kritike të aktualitetit shqiptar. Aktualisht gazetarë tek revista Java




Plot 25 vjet më parë, komunizmi ra është zyrtarisht në Shqipëri. Një parti opozitare, antikomuniste në frymë, fjalor dhe program, erdhi në pushtet me votën e lirë. Një përmbysje e paimagjinueshme në një vend që votonte prej gati gjysëm shekulli siç realizonin edhe kooperativat planin e prodhimit të drithërave – 100 për qind – dhe ku edhe fjala e përdorur ndryshe ishte krim dhe dënohej me burg. Pakkush mund të përfytyronte trajektoren në kohë dhe metamorfozën në thelb të Partisë Demokratike nga ai mars i vitit 1992 në marsin e 2017-ës. Nga fotoja e mitingut të triumfit në zgjedhjet e 92-shit kanë mbetur ende disa nga themeluesit, disa janë ndarë nga jeta, të tjerë i janë kthyer jetës vetjake dhe të tjerë akoma, jeta i ka harruar krejtësisht. Sepse ishin prurje krejt të rastësishme apo të dorovitura në atë prej dy-tre ish-podiumeve më të rëndësishëm politikë të Shqipërisë së pavarur si shtet.

Emblema e asaj fotoje të dikurshme, Sali Berisha, është ende në pushtet me pushtetin vetjak të fjalës, traditës, informacionit dhe talentit të tij. Triumfues dhe i mundur, por i ngritur sërish nga humbjet në majën e triumfit më shumë se një herë. E nisi si komunist, vazhdoi me kalin e antikomunizmit dhe si gjithë komunistët e lindjes në Evropën e pasluftës, mposhti më pas rivalët, ngjalli merhumët, bëri herë internacionalistin integrues, herë nacionalistin sovran, privatizoi pushtetin dhe e koncesionoi në ngastra atë siç mendoi dhe ku mendoi se bëhej më mirë për atë vetë. Njeriu më politik i vendit – në të mirë dhe në të keq – dëshmoi se politika është profesion. Se shumëkush që është paguar për këtë titull në Tiranë, ka po atë lidhje me politikën që ka edhe sharra e drurit me muzikën klasike.

Edi Rama dhe Ilir Meta, secili për arsyet e tij dhe secili në vendin që i kishte zgjedhur vetë vetës në marsin 92’, janë dy personazhet më të rëndësishëm në vend. Pa asnjë lidhje me komunizmin e dikurshëm, janë në pushtet së bashku. I pari nga një parti e ardhur nga trashëgimia e hershme komuniste, i dyti i ndarë herët nga partia me trashëgimi komuniste duke krijuar një parti që ka trashëguar më të majtën e të majtës.

Lulzim Basha ishte shumë i ri në atë kohë, por me gjasë, ka qenë gjithashtu pjesë e festimit të Tiranës mbi ish-tiraninë e kuqe.

Presidenti Bujar Nishani, ishte pedagog në akademinë ushtarake. Në atë akademi ku filozofia marksiste dhe historia e PPSH-së ishin më të rëndësishme si lëndë sesi mbërthimzbërthimi i automatikut model 56.

Visar Zhiti kishte vetëm dy vjet që kishte dalë nga burgu dhe me të gjitha gjasat po përpiqej të orientonte jetën e tij në lirinë kaotike të tranzicionit që kishte nisur. Duke hyrë me këmbën e djathtë në një botë gjithmonë e më prozaike, më materiale, më anarkike, Zhiti megjithatë shpresonte tek poezia e tij. Dhe tek fjala.

Sot, 25 vjet më pas Partia Demokratike ka ngritur selinë e saj në një çadër në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Duke protestuar për atë që nuk ka ardhur akoma – grabitjen e votës së lirë – dhe duke i shpallur luftë totale qeverisë dhe qeverisjes. Kryetar i saj është Lulzim Basha. Sali Berisha, siç synojnë të thonë cinikët në Tiranë, është gjithmonë e më pak “pronar” në partinë e tij. Një buqetë vajzash dhe një shportë djemsh të rinj që kanë lindur kur festohej në sheshin Skënderbej fitorja e parë e PD-së, janë pjesë e listës me të cilën Basha synon rikthimin në pushtet. Pakkush i njeh ata në Tiranë, por dhe ata, njëlloj si moshatarët e tyre në partitë e tjera, janë të aftë të recitojnë politikisht si eprorët e tyre. Pa asnjë dallim dhe pa asnjë nuancë ndryshimi.

Personazhet e tjerë të fotos së dikurshme bardh e zi të marsit 92’, janë zbehur dhe më tej.

Edi Rama është kryeministër. Prej më shumë se një muaji ai sheh nga dritarja e tij çadrën dhe dëgjon fjalimet që e mallkojnë ditë mbas dite. Më shumë se nga televizionet që transmetojnë pothuaj “non stop”, i dëgjon live nga protesta me altoparlantë gjigandë.

Ilir Meta është kryetar i Kuvendit. Prej më shumë se një muaji ai sheh çadrën nga dritarja e zyrës dhe dëgjon herë si e fyejnë dhe herë si shpresojnë tek vendimet e tij të nesërme politike. Si shpresë për të majtën për rikonfirmimin e mandatit të dytë dhe mundësia e vetme e të djathtës për të mos hyrë në mandatin e dytë të opozitës.

Bujar Nishani është President i Republikës. Eshtë në muajt e fundit të mandatit të tij. Sapo ka dekretuar emrat e rinj të katër ministrave dhe ka rrëfyer sesa i dëshpëruar ka qenë me njërin nga ta, për të cilin nuk kishte dëgjuar fjalë të mira në televizor. Madje edhe se firmosi dekretin Xhafaj kundër dëshirës, vetjake, vullnetit politik, moralit të moralit e të tjerë e të tjerë, por i detyruar nga një kushtetutë e cila nuk i hapte dot derën as dëshirave vetjake, as vullnetit politik dhe as moralit të moralit.

Visar Zhiti është duke redaktuar librin e tij të ri me poezi dhe esse. Shumë larg Lulzim Bashës së çadrës, Edi Ramës së kryeministrisë, Ilir Metës së Kuvendit dhe akoma shumë më larg Nishanit të presidencës, me një distancë gjithashtu të nderë me ish-eprorin e tij Sali Berisha.

Visar Zhiti, ish- i burgosur i fjalës së lirë, sot u burgos në fyerje po nga fjala. Ish-pedagogu i dikurshëm i akademisë ushtarake, sot me kostumin e Presidentit, e quajti atë spiun të sigurimit të shtetit dhe të çmendur. Jo me fjalët e tij, por se “…kishte lexuar fjalë të këqia në një mesazh që i kishte ardhur dhe që ai e ruante ende në telefon…”

Më parë Nishani e Zhiti kishin pasur ndeshje të tjera mes tyre. Jo vetëm verbale, por edhe institucionale. Zyrtari kundër poetit. Kreu i shtetit që nuk firmosi për poetin që të bëhej ambasador i shtetit. Fitoi i forti. Në mënyrë skematike, të padrejtë dhe biografike siç bënin dikur komunistët e rrëzuar nga pushteti, kjo ndeshje mes tyre do të fotografohej në këtë formë: një ish-komunist triumfues kundër një ish-të persekutuari politik të mundur. Në fakt këto janë dy skajet në të cilat ka lëvizur politika shqiptare. Nuk është përjashtim. Eshtë rregull. Edhe pse i mundur 25 vjet më parë në Shqipëri, komunizmi si mentalitet, frymë dhe frymëzim, nuk dorëzohet kurrë! Kështu thoshin dje komunistët. Dhe duke parë fotografinë e këtij çerek shekulli politik në vend, portretin e partisë së parë antikomuniste në vend, fatkeqësisht kanë pasur të drejtë!

No comments:

Post a Comment