2017-03-21

Profecia e gjeneralit të NATO për komandot shqiptarë: Nëse nuk i mbani do kthehen në kriminelë


Por pas dhënies së lajmit harrohet të shkohet përtej ngjarjes dhe të bëhet një analizë; përse një ushtarak që është edukuar më shumë se çdo qytetar tjetër të zbatojë ligjin dhe rregullat arrin dhe kthehet në kriminel?

Nga Qamil Xhani

Në vitin 1998, kur Shqipëria certifikonte Batalionin e parë ushtarak të Operacioneve Speciale (BOS), një prej gjeneralëve të huaj që kreu trajnim e trupave kishte një porosi për Ministrinë e Mbrojtjes. Në ceremoninë e inaugurimit, ushtaraku i huaj i tha ministrit të asaj kohe dhe gjeneralëve shqiptarë, se trupa e re ishte trajnuar me stërvitjet më të veçanta të kohës, mes të cilave vlerësohen si më specialet; kursi i mbijetesës dhe qitja e besimit (me fishekë realë). Ata që i njohin si funksionojnë këto trajnime ekstreme, e dinë se vetëm pak persona në një mijë vetë arrijnë t’ja dalin. Këshilla e ushtarakut të lartë të NATO ishte kjo: “Kemi krijuar elitën e ushtrisë shqiptare, nëse nuk i trajtoni siç duhet moralisht dhe financiarisht, jashtë ushtrisë këta trupa rrezikojnë të kthehen në kriminelë potencialë”.
Profecia e gjeneralit të NATO për komandot shqiptarë: Nëse nuk i mbani do kthehen në kriminelë
Kjo deklaratë e bërë 20 vjet më parë sot merr një tjetër kuptim, kur sheh se pjesa kryesore e ngjarjeve kriminale të ndodhura këtë vit kanë për protagonistë pjesëtarë të Batalionit të Operacioneve Speciale në ushtri dhe të forcave komando. Vjedhjet e bankave rezultuan se ishin ideuar dhe ekzekutuar nga ushtarakë profesionistë. Po ashtu dhe ngjarja makabre dje në Këlcyrë u krye po nga një ish-ushtar profesionist. Në total janë rreth 15 raste kur vrasjet, grabitjet dhe ngjarjet kriminale kanë për autorë ish-pjesëtarë dhe pjesëtarë të Batalionit të Operacioneve Speciale dhe Komando.

Më të drejtë, në ngjarje të tilla theksohet fort fakti se autorët janë ushtarakë. Por pas dhënies së lajmit harrohet të shkohet përtej ngjarjes dhe të bëhet një analizë; përse një ushtarak që është edukuar më shumë se çdo qytetar tjetër të zbatojë ligjin dhe rregullat arrin dhe kthehet në kriminel?

Arsyet e dhunës nga pjesëtarët e Forcave të Armatosura nuk duhen kërkuar vetëm tek historitë personale të tyre, por edhe tek trajtimi që u bën shteti. Për të bërë pjesë e BOS dhe Komandove, të rinjve u duhen disa vite stërvitje dhe mbijetese. Pjesëmarrja në misione të huaja ka dhe trauma psikologjike, për të cilat ushtria shqiptare nuk ka luksin e ushtrive të tjera për trajtimin me psikologë edhe pas misionit. Në fund, gjithë puna e forcave speciale ushtarake shpërblehet vetëm 30 deri në 40 mijë lekë në muaj. Pas disa vitesh shërbim, shumë prej ushtarakëve zgjedhin të largohen me dëshirë nga detyra ose nxirren jashtë sistemit për shkak të gradave. Të gjendur në një ambient tjetër, pa rregullat e ushtrisë dhe pa pasur asnjë mundësi për t’u integruar në shoqëri, një pjesë e tyre gabimisht zgjedhin të bëjnë atë për të cilën janë stërvitur, të përdorin armët.

Sigurisht, çdo krim duhet trajtuar dhe dënuar sipas ligjit dhe nuk ka justifikim për autorët. Por ngjarjet e fundit përveçse dëshmojnë dhunën e ushtarakëve, sofistikimin e krimit dhe pasojat e mosmjekimit mendor, flasin dhe për harresë dhe neglizhencë të institucioneve ndaj pjesës më të rëndësishme të elitës ushtarake. Nëse një ushtarak e trajnon 10 vjet si makinë dhe i jep 30 mijë lekë pa i lënë asnjë shans të jetojë si qytetarët e tjerë, mos prisni që kur largohen nga ushtria të sillen si njerëz normal.

Fatkeqësisht shumë prej krimeve kanë ndodhur nga ushtarakët që kanë marrë pjesë në misione të rrezikshme në Irak dhe Afganistan. Një pjesë prej tyre kanë marrë medalje nga Shqipëria, SHBA dhe NATO dhe janë vlerësuar si heronj. Sot kur i sheh emrat e tyre në kronikën e zezë për vrasje dhe grabitje kupton sesa lehtë nga hero mund të kthehesh në kriminel.

Gjithë këto krime të kryera nga ushtarakët shqiptarë janë dhe një kambanë alarmi për Ministrinë e Mbrojtjes dhe politikat e saj të trajtimit të veteranëve të rinj të luftës dhe ushtrisë shqiptare. Vende të tjera të NATO-s kanë programe të veçanta për të kthyerit nga misionet luftuese ushtarake. Përveç trajtimit shëndetësor dhe psikologjik u sigurohet dhe vazhdimësia e karrierës dhe trajtimi financiar. Janë mijëra të rinj që kanë marrë pjesë në misione, nëse hidhen në rrugë rrezikojnë të kthehen në një “bombë” sociale. Ndaj deklarata e Gjeneralit të lartë të NATO-s, 20 vjet më parë ngjan si profeci për forcat speciale të ushtrisë shqiptare; “Nëse nuk i trajtoni siç duhet, jashtë ushtrisë rrezikojnë të kthehen në kriminelë”.

***

Kush janë komandot që u kthyen në vrasës dhe grabitës

Batalioni i Operacioneve Speciale (BOS) dhe Batalioni Komando i Forcave të Armatosura janë repartet elitë të ushtrisë shqiptare, efektivët e së cilit janë trajnuar dhe stërvitur ndër vite me metodat më speciale luftarake të asgjësimit të “armikut”.

Ky batalion ka patur në përbërje të tij ushtarakët më të zotë, që kanë nderuar ndër vite Shqipërinë gjatë pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse të NATO-s në vendet e përfshira në konflikt të armatosur ku rreziku për jetën ka qenë maksimal, si në Irak apo Afganistan.

Të stërvitur vetëm “për të vrarë”, efektivët “Komando” nuk janë të trajnuar për të bërë ndonjë “gjë” tjetër në jetë: veç neutralizimin dhe asgjesimit me gjaktftohtësi po qe nevoja. Ndaj dhe shumë efektivë pas mbarimit të misioneve, të braktisur ndër vite nga shteti, të hedhur në rrugë, pa asnjë mundësi punësimi alternativ dhe të pa asistuar kurrë nga ana psikologjike, me kalimin e kohës nga “paqeruajtës” janë shndërruar në rrezik potencial për sigurinë: vrasës me pagesë, grabitës të rrezikshëm, trafikantë droge e deri në xhihadistë.

Më poshtë mund të lexoni disa nga rastet më të bujshme kur efektivwt specialë të ushtrisë janë kthyer në kriminelë…

17 Shtator 2011/ Grabit 176 unaza prej ari, pranga komandos

Një oficer i ushtrisë, në repartin e forcave speciale “Komando” arrestohet me akuzën e grabitjes. Oficeri që kishte kryer 5 misione paqeruajtëse në Irak e Afganistan, përfundoi në pranga, pasi kërkohej prej disa muajsh me akuzën e grabitjes ndaj një biznesmeni në Durrës.

Kujtim Çeliku, 33 vjeç, nga fshati Mullet i Tiranës, akuzohej për ngjarjen e ndodhur në maj 2011, respektivisht për vjedhjen e një çante me 176 unaza floriri, me një vlerë prej 30 milionë lekësh. Gjatë kontrollit në banesën e tij, në Mullet të Tiranës, u gjetën edhe municione dhe kallëpe tritoli, që ai i mbante pa leje. Çeliku po përgatitej për një tjetër mision paqeruajtës në Irak, që do të niste pas dy javësh. Emri i tij figuronte në listën me 58 komando paqeruajtës, të cilët janë dekoruar në vitin 2003 me medaljen “Për Shërbime Ushtarake”, dhënë nga Presidenti i Republikës.

Kujtim Çeliku, kishte marrë pjesë në 5 misione të tilla si pjesë e forcave Komando. Nga të dhënat rezultonte që ai të ketë qenë me shërbime të tilla, tri herë në Irak dhe 2 herë në Afganistan, raporton “BalkanWeb”.

6 Qershor 2013/ Komandoja dënohet me 12 vjet burg, vrau të “dashurin” e nënës

Gjykata e Tiranës, dënon me 12 vjet burg oficerin e forcave komando, Aldo Morina për akuzën e vrasjes së taksistit Mehmet Beqiri. Por në aplikim të gjykimit të shkurtuar u vendos ulja e dënimit me 8 vite burgim. Oficeri Morina, që ditën e vrasjes, më 1 janar 2013 u dorëzua në polici dhe pranoi krimin, me pretendimin se viktima i dhunonte nënën. Sipas prokurorisë, Beqiri dhe nëna e të pandehurit kishin një lidhje jashtë martesore, lidhje e cila nuk është pritur mirë nga komandoja që në debat e sipër e ka qëlluar me armën e punës taksistin Beqiri.

Tetor 2013/Vret veten efektivi i BOS

Nënoficeri Mariglen Bramati plagos veten dhe më pas ndërron jetë në spital. Bramati ndodhej me mision në Afganistan në shtator të vitit 2013. Analizat dhe testimet psikologjike rezultojnë me probleme gjatë misionit. Për këtë qëllim, mjekët sugjerojnë kthimin e tij në atdhe dhe ndërprerjen e misionit, me shënimin për vijimin e kurimit në Shqipëri. Disa muaj pas kthimit në Tiranë, nënoficeri i Batalionit të Operacioneve Speciale tenton vetëvrasjen dhe ndërron jetë në spital.

21 Mars 2014/ Katër komando të Zall Herrit i bashkohen ISIS, dy vriten

Hetimet e prokurorisë për shqiptarët që shkonin të luftonin në Siri, zbulojnë të dhënë tronditëse. Sipas organit të akuzës, pjesë e ISIS ishin bërë edhe katër ish-komando shqiptare, dy prej të cilëve kanë gjetur edhe vdekjen. Diamant Rasha (Emri fetar Ebu Amar– vrarë në Siri në dhjetor 2013, ish-komando në Zall-Herr) Erjon Alinj (Vrarë në Siri, ish-komando në Zall- Herr). Artur Balla (Emri Fetar Omer, kthyer nga Siria më 5 shkurt 2014, ish-komando në Zall-Herr). Leonard Përlika (I kthyer nga Siria, ish-komando në Zall- Herr)

15 Korrik 2014/ Prodhonin mina me telekomandë, arrestohen 3 komando

Nga policia e Durrësit arrestohen tre komando për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, respektivisht Fran Kola, Kleo Gjinkola dhe Alban Donaj, të cilët montonin e tregëtonin mina me telekomandë. Sipas hetuesve të çështjes, Gjinkola pranoi faktin se ka prodhuar 7 mina me telekomandë dhe se ka kërkuar gjetjen e tregut për shitjen e tyre, ndërsa Donaj ka pranuar se bënte lidhjen e qarqeve me celularët dhe C4. “BalkanWeb” raporton se dy ushtarët me pagesë deklaruan se kishin prodhuar vetëm 7 minat që gjeti dhe sekuestroi policia dhe se nuk kanë mundur të shesin asnjë në treg. Ndërkohë policia pretendoi se minat e prodhuara nga ushtarët janë përdorur në tre atentate, respektivisht në vrasjen e biznesmenit Xhemal Çela, ekzekutimin e Baki Xhabaftit dhe plagosjen e kryekomunarit Fredo Berberi, raporton “BalkanWeb”.

17 Shtator 2014/ Dënohet me 35 vjet burg për vrasje ish-komandoja

Gjykata e Tiranës dënon me 35 vjet burg ish-oficerin e Forcave të Armatosura Ndriçim Ballën, për akuzën e vrasjes me dashje të Majlinda Hoxhës dhe plagosjen e Elton Fushës në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 shtator 2013 në zonën e ish-Bllokut, ku Balla qëlloi me armë zjarri në drejtim të Elton Fushës ndërsa ky ndodhej në lokalin e marrë më qira në këtë zonë, por plumbat kapën 35-vjeçaren Majlinda Hoxha e cila humbi jetën menjëherë. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe Elton Fusha, objektivi i atentatit, i cili i kishte 20 mijë lekë të reja borxh vëllait të autorit të vrasjes.

15 Qershor 2016/ Arrestohet për trafik droge një komando

Në sajë të operacionit të koduar “Fast” policia arreston Romin Davidhi, 28 vjeç, banues në Durrës, komando i Forcave Detare si dhe Arjan Tabakut, 49 vjeç, banues në Krujë.

“BalkanWeb” raporton se arrestimi i tyre u bë pasi më datë 14.06.2016, në lagjen Nr.13, Plazh, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip Fiat, me targa AA 799 LB, me drejtues Arjan Tabakun, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale: Rreth 10 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa. Një trup pistolete bashkë me tytën. Fishekë të kalibrit 7.62 mm

8 Nëntor 2016/ Arrestohet ish-komandoja, do kryente akt terrorist në ndeshjen Shqipëri-Izrael

Parandalohet akti terrorist në ndeshjen Shqipëri-Izrael, arrestohet komandoja që prodhoi bombën me telekomandë. Katër ditë para zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Izrael një operacion ndërkombëtar i shtrirë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, finalizohet me arrestimin e 18 personave të dyshuar për lidhje me ISIS. Në bazë të informacioneve të shërbimeve sekrete partnere, veçanërisht CIA-s dhe MOSSAD-it u bë e ditur se këta persona do kryenin një akt terrorist në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj ekipit të Izraelit. Një nga të arrestuarit, i cilësuar nga Prokuroria, si personi kyç në grupin e xhihadistësve ishte edhe Medat Hasani, ish-komando e Ushtrisë shqiptare, i cili ka qenë pjesë e brigadave terroriste të ISIS, që drejtohen nga dy kosovarët Lavdrim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi. Në një raport operativ të SHISH dërguar Prokurorisë, thuhet se Medat Hasani është larguar më 28.07.2013 drejt Sirisë dhe është kthyer në dhjetor 2013 në Shqipëri. Raporton se Hasani dikur ka qenë efektiv i forcave speciale të ushtrisë, duke marrë pjesë në një mision ushtarak paqeruajtës në Irak. Në këtë mision, Hasani ka shërbyer 6 muaj, dhe më pas është kthyer së bashku me të gjithë anëtarët e grupit. Mirëpo pas largimit nga ushtria, mendohet se ai ka rënë në kontakt me persona ekstremistë që predikojnë fenë islame, duke u indoktrinuar prej tyre që aftësitë e tij ushtarake t’i zbatonte për të kryer krime terroriste. Hasani besohet se kishte marrë përsipër të ndërtonte apo të siguronte bombat me telekomandë, që do përdoreshin gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael në stadiumin e Shkodrës.

9 Shkurt 2017/ Grabiten 3.2 milionë USD në Qafë-Kashar, arrestohen dy ish-komando

Në kuadër të operacionit “Patriot”, policia arreston 4 nga 8 grabitësit e 3.2 milionë dollarëve të BKT-së në afërsi të Rinasit. Mes të arrestuarve ishin edhe dy ish-komandot, Ditjon Memlika dhe Naim Avdulaj. “BalkanWeb” zbuloi se Avdulaj është larguar nga ushtria në 2011 pas një mase disiplinore për shkak të mungesave në punë, ndërsa Memlikaj është larguar është larguar për mbarim qëndrimi në gradë. Ka mësuar se Ditjon Memlika që ka shërbyer për një vit në Afganistan mësohet të jetë njohës i mirë i blindave, pasi ka drejtuar mjete të tilla. Ndërsa Naim Avdylaj, kushëriri i tij njihet si frekuentues i rregullt i basteve sportive dhe kazinove.

Neim Avdulaj nga Vlora ka shërbyer më herët si ushtar profesionist në Forcat Ushtarake të Zallherrit. Avdulaj ka qenë më parë i ndaluar në Itali për shpërndarje kokaine në vitin 2012, ku gjatë kontrrollit rutinë të policisë lokale u kap në flagrancë me 12 gramë kokainë, të cilën po përpiqej ta shpërndante te klientët në njërin nga lokalet e zonës së Cegias. Edhe Ditjon ka shërbyer më herët në Forcat e Armatosura dhe ka qënë pjesë e disa misioneve paqeruajtëse jashtë vendit, kryesisht në Irak dhe Afganistan, në vitin 2010. Memlika ka qenë pjesë e Forcave Komando të Zallherrit deri para dy viteve. Ai është i martuar dhe ka një fëmijë. Të dy komandot u arrestuan falë operacionit “Patriot” që vijon ende edhe për kapjen e 4 prej 8 të dyshuarve si grabitës.

5 mars 2017/Vrasja në Këlcyrë

Alban Voda është emri më i fundit nga radhët e ish-komandove, i cili i preu kokën një fqinjit të tij 65-vjeçar. Ai kishte 3 vjet që ishte kthyer nga Afganistani.

No comments:

Post a Comment