2017-03-10

Refleksion nga Fritz RADOVANI: Për romanin: “Saga e Abelëve” – “Saga degli Abele”




Pjesa e parë, “Anmiku i Popullit” – “Il Nemico del Popolo”

Imazh

Nga shkrimtari Daniel Gàzulli.



Një nandori gdhiu nën një qiell të randë, plumb…
Ky asht rreshti i parë i romanit të Daniel Gàzullit, me titull krejt të panjohun nga të rijtë, as të vjetër, “Saga e Abelëve”, pjesa e parë “Anmiku i Popullit”. Shumë prej nesh kërkojnë me mend ndër fletët e mëshehuna të memories se:
“Ku e kam ndigjue dikund, këte mbiemën të harruem…ose ma mirë me thanë të veshun po me këte epitet “Anmiku i Popullit”..?” – E, dashje ose padashje, ndalojmë për një moment…
Po, asht kenë pikërisht, “Anmiku i monarkisë” Don Gjon Gàzulli, Ai, që u var…në 1927 e, po, asht edhe vëllaj i Tij, Don Nikoll Gàzulli, që u vra tradhëtisht nga komunistët shqiptarë, në vitin 1946…si, “Anmik i Popullit”…E, pse..? Sëpse, të dy ishin Atdhetarë, Klerikë Katolikë Shqiptarë por, edhe dishka ma shumë se shumë të tjerë me këta epitete: Ishin dijetarë dhe shkencëtarë të historisë e gjuhës së Popullit Shqiptar…të cilët, duheshin zhdukë vetëm, se, ishin të tillë!
Nga rrajtë e mbetuna të shermashekut në muret e “Rozafës”, aty ku, retë e zeza të Nandorit të vitit 1944, po vazhdonin me u rrotullue, tue pritë ku me u shprazë me duhi e një rrebesh të papamë mbi tokën Arbnore, e, kur, asnjë rreze dielli ma nuk po depërtonte me mujtë me ngjallë pak shpresë për kohën e ardhshme, pikërisht, Aty, buloi një gem gati “i thatë”…
Aty, në votren plakë por me gaca të mbulueme, u panë do xhixha shprese, xhixha të fjetuna nën hi që shpërthyen si fishekzjarre…e, gëzuen edhe hatllat e shtëpisë, kur u lajmue far’ e fisi:
“Ka le Danieli ndër Gazullorë..!” E, mbarë qytet e malësi i besuen “Dorës së Zotit”, se: “Nuk shuhet, jo, i miri..!”…Qe, pra, sot, Danieli pason Paraardhësit e vet…E, jo, vetëm, Gazullorët, po, ashtu, si dikur, Shqipnia krenohej me dijetarët Gazulli, sot, Zadrima e Shkodra e Tyne krenohen me shkrimtarin Daniel Gazulli, kur merr në dorë librin e Tij “Saga e Abelëve”, të shkruem në vitin 1968, atëherë, kur, të tjera re të zeza e, edhe ma të zeza, se mund të mendohet nga gjithë Evropa, ato mbuluen dhe rroposën qendren e qytetnimit Evropjan në Trojët Shqiptare, tue shkatrrue e qitë fare, traditën, kulturën, librat, bibliotekat, muzeumet, monumentët, statuja, fugure, vepra arti, kisha, xhamija, faltore, tyrbe e deri edhe gurt e minareve që sherbëtorët e “Revolucionit ideologjik e kultural”, i morën për me ndertue shkallat shtëpijave të tyne të zbukurueme me shalldanat e Kathedrales së Shkodres, ndertue pra, në kohën e pushtimit turk…Ky, ishte ai “revolucion i 1967” që kryesoi në Shkoder e mbare Veriun, pasuesi i diktatorit Hoxha, fanatiku Ramiz Alia.
Pasqyrë e atij mjerimi asht libri i Danielit, ku, njerzit fluturonin pa ditë ku shkojnë, kuadri i formuem nga shkollat e vendeve “demokratike” lindore e edhe sovjetike, nuk dihet ma ku ka fundin e vet…në fshat, në malësi, në ferma, në kooperativa e…edhe ndër burgje…mbasi janë të dyshimtë…derisa, të japin prova “riedukimi”…Gjithkund dyshim, frikë, survejim, hetime, heshtje, pushime nga puna, transferime, shpifje, mbledhje kolektivi, demaskime…gjyqe, parulla, ateizem, aksione, e të gjitha bashkë: “Vigjilencë” që domethanë: “Spijunllek..”.
Kjo ishte fryma me të cilën komunistët kerkonin edukimin e “moralit komunist” nga i cili, lindte “Njeriu ynë i ri, vepra më e shkelqyer e partisë”…Shemtimi ma i mnershëm që ka mujtë me pa historia e qytetnimit Evropjan ndër njëzet shekuj…
Lexoni, me kujdes dhe, vëreni se, me sa kujdes Autori ven penelatat e tija, ndonse i ri aso kohe, po, aq me realizëm përshkruhet ambjenti, muret, shtëpijat, mejhanat e deri tek servilët komunistë me gota konjaku ndër kafet e fshatit “ku, i ka dergue partia” me u “riedukue”, tue i sherbye asaj parti edhe pse shumica kanë braktisë familjet, veç, si e si, me rifitue “besimin e saj” e, me mujtë me marrë në qafë edhe “mikun apo shokun”, tue u ba vegël e përjetëshme e sigurimit komunist, nga i cili vinte terrori e frika që dridhnin edhe fëmijët në barkun e nanës, siç, deklaronte në degën e mbrendshme të Shkodres, para të torturuemit Prof. Sami Repishti, xhelati i njohtun Zoji Themeli.
Ata që nuk e njohtën komunizmin shqiptar dhe diktaturën e ushtrueme prej tij, zbatue nën parullën e “luftës së kllasave” nga sigurimi i shtetit, tue marrë në dorë këte libër, besoj se, do të formojnë një ide të pergjithshme, nga e cila, në vijim me pjesët tjera do të plotësojnë kuadrin ku u katandis Populli Shqiptar dhe nga konkluzionet e nxjerruna, do të arrijnë me kuptue se sa pasoja tragjike i ka sjellë familjes shqiptare, rinisë sonë dhe moralit e traditës shqiptare diktatura e pashembullt komuniste që shpartalloi për një gjysëm shekulli Shqipninë e porsalindun Evropjane dhe Popullin e Saj liridashës!
Me këte rasë duhet falnderue dhe siti italian, i cili, nëpërmjet këtij rromani, do të prekun edhe zemrat e Rinisë italiane, e cila mendoj se di shumë pak për banorët tej detit Adriatik, jo, për fajin e Tyne, sa nga vetizolimi komunist i Shqipnisë Evropjane.
Tue falnderue Autorin Daniel Gazulli, unë kryej një detyrim qytetar, por tue i kerkue vepra tjera atëherë, kryej një detyrë ma të madhe, që Gazulli, besoj e ban me po atë përkushtim që do ta kryente, sikur, dikund,.. të gjente të shkrueme: “Daniel, amanet…vazhdo punën tonë!”..
E, i lumtë mendja e dora, në kjoftë se plotëson “amanetin” e Gazullorve të Parë..!

No comments:

Post a Comment