2017-03-16

RIKTHIMI NË SHKOLLË, RRUGA ALTERNATIVE!

blina-budini
Nga Belina Budini

...Një pjesë e madhe e vëmendjes së prindërve dhe shoqërisë shkon pikërisht drejt opsioneve më të mira të edukimit për ta. Në përpjekje për të bërë zgjedhjen më të mirë dhe më të përshtatshme për fëmijën e tyre, kuptohet që e tillë është një zgjedhje e informuar mirë dhe e konsultuar. Në epokën e këshillimit virtual për gjithcka, informacioni nuk mund të thuhet se mungon më edhe në këtë drejtim. Mirëpo, pikërisht atëherë kur edhe informacioni bëhet më i dendur, të paktën sipas Umberto Ecos, orientimi bëhet edhe më i vështirë. Ndjekja e diskutimeve të lira nëpër forume dhe ëebsite kinse të specializuara mund të hutojë në vend që të ndihmojë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për opsione alternative, të reja, jo të sistemit klasik.


Këto opsione kanë nisur të shqyrtohen më në fund edhe në Shqipëri, ku hezitimi ka qenë i gjatë dhe i justifikuar, edhe për shkak se oferta alternative jo në pak raste ka ardhur diletante, e keqmenaxhuar dhe abuzive. Mirëpo, alternativja serioze, e studiuar dhe metodike duket se po bëhet më në fund edhe tek ne, së paku në Tiranë, vërtet një alternativë. Bëhet fjalë për përzgjedhjen e një shkolle të pavarur ose private, të frymëzuara nga filozofitë e reja të mësimdhënies dhe nxënies.

Një arsye tjetër pse po shqyrtohen këto opsione të reja është se edhe në Shqipëri tanimë si prej kohësh në vende të tjera që nga SHBA-të e deri në Francë e në vendet fqinje, shkollat publike nuk joshin më si dikur dhe gjithnjë e më tepër prindërit dhe nxënësit po tërhiqen nga struktura të pavarura ose private, për të arsimuar fëmijët e tyre. Shkolla jashtë sistemit klasik, alternative, të rezervuara kryesisht për familjen në gjendje të mirë ekonomike. Arsyet? Shkollat klasike nuk ngjallin më entuziazëm, me një ritëm mësimor dhe sistem notash të papërshtatur, rënie të nivelit, probleme të disiplinimit, konkurrencë të ankthshme për fëmijën, pa hapësira për kreativitetin, mësim intensiv gjuhësh të huaja, etj…

Në këto kushte, ata që munden shqyrtojnë alternativen, ndërsa një pjesë që nuk kanë mundësi mbeten tek modeli klasik duke u përpjekur ta plotësojnë në shtëpi ose me kurse shtesë edukimin e fëmijëve të tyre. Një nga filozofitë më tërheqëse të edukimit lidhet tanimë me praktikën dhe disiplinën që ka marrë emrin e Maria Montessorit, edhe pse sistemi i saj ka nisur të gjejë aplikim më të gjerë sesa thjesht në shkollat që mbajnë emrin e saj. Bëhet fjalë për të mësuarit që zhvillojnë një frymë kritike të nxënësve, bazuar në shprehjen e tyre të lirë dhe jo shtrëngimin pedant, që implikon një sistem dhe mjedis nxënie të strukturuar në mënyrë krejtësisht të ndryshme nga ajo klasike.

Mirëpo pjesa më e madhe e prindërve nuk janë në gjendje për t’ua ofruar këtë edukim fëmijëve të tyre, duke qenë se një pjesë prej tyre janë mbi 3000, 5000 dhe deri 7000 euro në vit apo më tepër dhe strukturat e tyre zakonisht nuk aplikojnë bursa. Lajm i mirë është se gjithnjë e më tepër, edhe shkollat klasike po frymëzohen nga filozofitë e tipit Montessori duke aplikuar parime të saj në sistemin klasik, pa i integruar plotësisht ato në praktikat bazë gjithësesi. Nga ana tjetër, studjuesit pohojnë se nuk është e thënë që këto metoda të jenë të përshtatshme për të gjithë fëmijët. Disa fëmijë kanë nevojë për më shumë autonomi, disa të tjera për një lloj inkuadrimi më të afërt për të ecur përpara.

Disa nga praktikat pedagogjike të Montessorit sugjerohen madje nga ekspertët për t’u aplikuar në kushte shtëpie. Si një nga pedagogjitë më popullore alternative, e themeluar në vitin 1907, nga Maria Montessori, mjeke italiane e përkushtuar ndaj edukimit të fëmijëve, kjo metodë përqendrohet në eksplorimin, edukimin e shqisave dhe lirinë e fëmijës. Disa prej këtyre praktikave kanë të bëjnë me mjedisin e pregatitur paraprakisht, që në lindje të fëmijës, duke nisur që nga krevati pa ristela, i hapur dhe mobilje të dhomës së tij të përshtatura për përmasat e e fëmijës dhe lehtësi në përdorimin e tyre prej tij.

Po kështu, një prej praktikave më të këshilluara është ajo e përfshirjes së fëmijës në jetën e përditshme të shtëpisë, sepse sipas Martia Montessorit “ inteligjenca vjen nga duart”. Pavarësimi, nxitja për t‘i bërë vetë gjëra për veten e tij, është rruga drejt zhvillimit të tij. Po kështu këshillohet që fëmija të mësojë të fshijë vetë tavolinën dhe dyshemenë.

Një nga praktikat më të këndshme dhe njëherësh mjaft zhvilluese lidhet me përkujdesjen ndaj bimëve dhe kopshtarinë, në mënyrë që të ndërgjegjësohen për mjedisin, duke mësuar të vadisin lulet dhe të fshijnë gjethet e bimëve. Në lidhje me vetë-kujdesin, një praktikë e nxitur në shtëpi që këshillohet si mjaft e dobishme ka të bëjë me larjen e dhëmbëve dhe shndërrimin e këtij rituali në kënaqësi, duke i krijuar lehtësira me anë të një shkallë për të arritur lavamanin, duke i blerë pajisje të dedikuara si mbajtëse sapuni, furcë dhe pastë dhëmbësh si edhe krem të parfumuar për duart, etj.

No comments:

Post a Comment