2017-03-16

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe presidenti i Kosovës Hashim ThaçiNATO: Kosova, vendi më i sigurt në rajon falë prezencës së trupave të KFOR-it




Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, përmes një letre i është drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, në të cilën i jep shpjegime për transformimin e FSK-së në ushtri.

“Ne mund të konfirmojmë se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka marr këtë letër…”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të lartë të NATO-s dërguar “Presheva Jonë”.

Sipas zyrtarit të NATO-s, qëndrimi i tyre është i qartë dhe NATO nuk lëviz nga pozicionet e deklaratës së fundit të shefit të saj, drejtuar ditë më parë Kosovës.

NATO: Kosova, vendi më i sigurt në rajon falë prezencës së trupave të KFOR-it

Zyrtarët e NATO-s, kanë rikonfirmuar vërejtjet e Stoltenberg-ut dërguar krerëve të institucioneve të Kosovës, që të heqin dorë nga kundërshtitë me faktorin ndërkombëtar rreth transformimit të FSK-së në ushtri.

Mediat në Kosovë kanë raportuar, duke cituar fjalët e Thaçit se “Kosova është e rrezikuar, prandaj është i nevojshëm themelimi i ushtrisë”. Lidhur me këtë, zyrtarët e NATO-s mendojnë ndryshe, pasi sipas tyre Kosova është vendi më i sigurt në rajon, falë prezencës së trupave të KFOR-it.

“Kreu i NATO-s ka bërë të qartë se hapat e tillë të njëanshëm janë të padobishëm, duke iu bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të mbeten në kontakt me faktorin ndërkombëtarë. NATO do të vazhdojë të jetë në kontakt të ngushtë me homologët e Bashkimit Evropian lidhur me këtë çështje ” thuhet në vazhdim në reagimet nga zyrtarët e NATO-s në Bruksel.

“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg edhe në raportin e tij vjetor të publikuar dje, është treguar shumë i qartë se “NATO-ja garanton paqen në Kosovë dhe Ballkan”.

“KFOR-i mbetet e vetmja forcë ushtarake në Kosovë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon” ka thënë shefi i NATO-s Stoltenberg në raportin e tij të fundit duke folur për rolin e NATO-s dhe FSK-së në Kosovë.

No comments:

Post a Comment