2017-03-16

SHKARAZI : ÇKA THA FATOS NANO PËR PS: DUHET KATARSIS NË PS, PARA SE ‘RILINDJA’ TË SHTRIJË VDEKJEN

Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, ka uruar forcën politike që ai drejtoi prej 15 vitesh, në 25-vjetorin e themelimit të saj. Në një mesazh drejtuar të gjithë socialistëve, Nano thekson se PS duhet të mobilizohet për t’u ringjallur përpara se Rilindja të shtrijë vdekjen mbi gjithçka. Nano i rikthehet idesë së “katharsisit”, i përdorur nga vetë ai në vitet 2000.


fatos nano

Në një mesazh nga vet Fatos  Nano shkruan se: “Ky është një përvjetor kuptimplotë për të vlerësuar pjekurinë e një partie të madhe politike, të madhe për nga vlerat dhe kontributet në 25 vjet demokraci pluripartiake në Shqipëri dhe në rajon.

Sot jetojmë në kohë krizash, në vend dhe në botën që na rrethon. Në krizë është dhe politika, edhe partitë tradicionale në Shqipëri. Për fat të keq edhe PS. Them për fat të keq, sepse vitaliteti i qëndrueshëm i PSSH në vitet e pluralizmit ushqehej dhe mbahej nga aftësitë dhe përvoja e fituar nga lidershipi i saj për të menaxhuar dhe kapërcyer krizat e tranzicionit (objektive apo të krijuara nga Berisha), pa rënë vetë në krizë.

Edhe në 1991, edhe në 1997, edhe në 1998-1999, edhe në kaosin e rënies së shtetit të piramidave në Shqipëri, edhe në gjëmimet e lindjes së shtetit të pavarur të Kosovës etj., PSSH bëri detyrën ndaj kombit dhe historisë pa humbur vitalitetin dhe vlerat e saj demokratike.

Sot nuk është më kështu! Krizat kanë kërrusur jo vetëm Shqipërinë dhe rajonin, por edhe vetë PS-në! Diçka thelbësore është thyer dhe nuk funksionon në organizmin e saj demokratik. Në këtë ditë të shënuar dhe kryelartë për socialistët dhe të majtën e re shqiptare në tërësi, nuk është e dobishme të stigmatizohet sëmundja e rëndë, nga e cila po gulçon PS-ja dhe demokracia shqiptare. Por, është momenti i mobilizimit të gjithë aftësive, përvojave dhe brezave përfaqësues të tyre në PS, për t’u ringjallur, përpara se “rilindja” të shtrijë vdekjen mbi gjithçka të mirë të krijuar me solidaritet shembullor në 25 vite!

Unë kam besim se socialistët e vërtetë mund ta bëjnë dhe do ta bëjnë këtë “katharsis” të së majtës, jo vetëm në dobi të “gjeneratës tjetër”, por në dobi edhe të brezave të sotëm, të prindërve e të fëmijëve, të gjyshërve e të nipërve e mbesave socialiste, që e kanë mbajtur vitale dhe fituese Partinë Socialiste të Shqipërisë deri më sot. ...

No comments:

Post a Comment