2017-03-19

“Shqipëria Naturore ” brenda 5-10 vitesh

http://floripress.blogspot.co.uk/…/shqiperia-natyrorerrugor…

Shqipëria natyrore(rrugore,qytete dhe fshatra,harta politike,harta fizike),harta e Shqipërisë sipas grekëve si dhe harta e Shqipërisë "Resident Evil" nga dizajnusi Bullgar




Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen si një shtet i vetëm, para se të ndodhë bashkimi i tyre me Evropën.
Kështu janë shprehur rreth 8032 lexues apo 75.2% e lexuesve, të cilët janë përgjigjur në pyetjen e sondazhit të gazetës “Bota sot” se “A doni që bashkimi i Shëipërisë me Kosovën të ndodhë para bashkimit me Evropën?”. Ndërsa, rreth 2338 lexues apo 21.9% janë kundër bashkimit me Shqipërinë, kurse 308 apo 2.9 e lexuesve janë përgjigjur në opsionin “Nuk e di”.

Edhe sipas njohësve të çështjeve politike, Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen para se të hyjnë në BE, sepse siç kanë vlerësuar ata, “si një shtet do të jemi shumë më të fuqishëm, politikisht, ekonomikisht, ushtarakisht dhe faktor stabiliteti në rajon dhe kurrë nuk do të ketë paqe nëse mbesim të ndarë.”

Plani i bashkimit

Zudi Xhelili, analist politik, ka pohuar se shqiptarët janë populli më i copëtuar në Ballkan, pasi fqinjët tanë, të ndihmuar edhe nga aleatët e tyre i kanë ndarë shqiptarët në disa shtete, duke i sunduar në tokat e tyre.

Sipas tij, ata që na kanë okupuar dhe na kanë ndarë në disa shtete, tani edhe na fajësojnë se paskemi shumë shtete.

“Realiteti historik është krejt tjetër,shqiptarët kanë luftuar për të ruajtur egzistencën dhe identitetin e vet. Shqiptarët kanë qenë humbësit më të mëdhenj të lirive dhe të drejtave të tyre. Ne kemi një histori interesante, kemi Shqipërinë dhe Kosovën, kemi shqiptarë në Maqedoni, Malin e Zi dhe nuk ka asnjë plan apo ide për Shqipërinë etnike, por ka vetëm një plan Bashkimi të shqiptarëve të Bashkimit Evropian”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Xhelili ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria duhet të ndjekin rrugën e integrimeve Euro-Atlantike, projekt që mbështetet nga faktori ndërkombëtar, në Evropën e bashkuar dhe shqiptarët e bashkuar në Luginën e Preshevës.

Integrimi Kosovë-Shqipëri fillimisht nga brenda, pastaj në Evropë

Ndërkaq, duke folur për “Bota sot”, në lidhje me këtë, koordinatori i Ballit Kombëtar për Shqipëri Etnike, Agim Curri ka thënë se sipas parimit logjik, politiko-filozofik, demokratik dhe kombëtar, së pari duhet të bëhen integrime brenda shqiptare dhe pastaj bëhen integrimet me Aleancat tjera të jashtme rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare.

Por, sipas tij, integrimet nuk duhet të ndodhin kështu “siç po trumbetojnë disa pseudo-politikanë shqiptarë, që më parë të bëjmë integrimin me BE-në, gjoja se atje do të bashkohemi.”

Si do të integrohemi në BE?

Curri ka theksuar se kjo është paradoksale se si mund të bëhen integrimet duke filluar nga e largëta tek e afërmja dhe nga e panjohura me të njohurën.

“Çfarë politike kombëtare mund të quhet ajo politikë që synon integrim me të panjohurën, me të huajën, me irealën e pastaj të shkojmë në integrime me të njohurën (Kosova dhe Shqipëria), me realen, me të arsyeshmen dhe me të domosdoshmen. Një politikë e tillë, jo vetëm që nuk është paradoksale, por është edhe abstrakte, absurde, kontraproduktive e pa përgjegjshme dhe anti-kombëtare. Shtrohet pyetja: Si do të integrohemi në BE? Si shqiptarë dhe si "kosovar", apo si shqiptar me identitet kombëtar, në përgjithësi. Prandaj, këtu duhet të kemi kujdes të madh që të mos biejmë në lajthitje të politikave anti-shqiptare të burokratëve të Brukselit. Si mund të quhet integrim në Bashkësinë evropiane kur po tentohet që përbrenda trungut shqiptar të krijojmë një identitet kombëtar, krejt hibrid, pra identitetin kombëtar "kosovar" dhe shumë këso marifetesh anti-shqiptare dhe anti-demokratike”, ka thënë Curri.

Ai ka vlerësuar se për t'i evituar këto politika anti-kombëtare dhe anti-shqiptare, së pari duhet të mënjanohen nga skena politike gjithëshqiptare të paaftët, parazitët, mafiiozët, dallkaukët, të korruptuarit dhe kriminelët.

“Kosova si shtet nuk ka për t'i kënaqur dhe për t'i qetësuar shqiptarët, Kosova shtet nuk do jetë fundi, por do të jetë fillimi i një beteje diplomatiko-politike për krijimin e një shteti të mirëfilltë shqiptar për krijimin e një shteti unitar shqiptar, pra të një Shqipërie të shek.XXI. Kosova shtet është një zgjidhje afatshkurtër dhe gjysmake e zgjedhjes së çështjes shqiptare në Ballkan dhe më gjerë, në Evropë”, është shprehur Agim Curri.

Sipas tij, Bashkimi ynë kombëtar është një rrugë e gjatë, por e domosdoshme për qenien tonë kombëtare dhe është e vetmja zgjidhje përfundimtare e çështjes shqiptare.

“As Kosova mini-shtet dhe as Shqipëria londineze nuk janë në gjendje t’i përballojnë ekonomisë së tregut evropian, në asnjë fushë të jetës, qoftë politike, ekonomike dhe ushtarake. Këto gjëra nuk po i kuptojnë, apo nuk po duan t’i kuptojnë politikanët shqiptarë, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Si përfundim mund të cek këtë: Nuk ka asgjë të keqe kur një mundësi nuk mund të realizohet; por, është shumë e keqe dhe e dëmshme kur bartësit e asaj mundësie, kur e shohin se kjo është e pamundur, ata vazhdojnë duke u përpjekur që të shfajësojnë vetën e tyre për pamundësinë e realizimit të projektit”, ka përfunduar Curri për “Bota sot”.

“Shqipëria Natyrore ” brenda 5-10 vitesh

Duke komentuar në lidhje me këtë, analisti Gazmend Islami, është shprehur se Kosova, që nga shpallja e Pavarësisë së saj, ka stagnuar në të gjitha fushat, si politike, ekonomike, sociale, shëndetësore dhe zhvillimore.

Ai ka thënë për “Bota sot” se krejt kjo është falë asaj që ne jemi shtet, “por edhe nuk jemi, sepse pakoja e Ahtisarit, Kosovën nuk e la as shtet e as provincë një mes me shtetit dhe autonomisë brenda një shteti tjetër.”

“Politikanë tanë dhe akademitë e nderuara duhet të punojnë që në një periudhë 5 deri në 10, të dy shtetet tona të jenë në një shtet apo konfederatë. Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen para se të hyjnë në BE, sepse si një shtet do të jemi shumë më të fuqishëm, politikisht, ekonomikisht, ushtarakisht dhe faktor stabiliteti në rajon, kurrë nuk do të ketë paqe nëse mbesim të ndarë. Prandaj, uroj që të dy qeveritë në të dy anët e kufirit të fillojnë me hapa konkret, nga ekonomia, shkollat, kufijtë, taksat doganore dhe një program zhvillimor” ka thënë analisti politik Islami.

No comments:

Post a Comment