2017-03-09

Si dhe kur u krijua specialiteti i elektronikës në Shqipëri

1105
Ing. Ramazan Cani tregon detaje rreth katedrës së elektronikës në Universitetin Politeknik të Tiranës. Kontributi i inxhinierëve elektronikë në Shkollën e Bashkuar të Oficerave.



Nga Luan Shtëpani

Specialiteti i elektronikës, fillimet e tij i ka tek specialiteti i rrymave të dobëta i cili bënte pjesë në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ky specialitet u hap në shtator të vitit 1961. Hapja e këtij specialiteti erdhi si domosdoshmëri e kërkesës për specialistë të lartë në sektorët e telekomunikacioneve dhe në sistemet e radiondërlidhjes dhe radiolokacionit në ushtri. Kjo ishte një dëshirë dhe domosdoshmëri që erdhi pas prishjes së marrëdhënieve me BRSS dhe me shtetet e Europës lindore. Mjaft studentë i kishin ndërprerë studimet në ish BS, Bullgari, RDGJ, Hungari, Çekosllovaki. Prandaj ishte e domosdoshme të krijohej specialiteti i elektronikës pranë universitetit politeknik të Tiranës. Kështu me vendim të ministrisë të arsimit u krijua departamenti i elektronikës ku do të dilnin inxhinierët e parë elektronikë. Ka kaluar një periudhë e gjatë 52 vjet që ka fillesën e saj kjo degë speciale dhe shumë e dashur për studentët. Kjo degë u krijua në saj të kërkesës, nevojave që kishte telekomunikacioni në vendin tonë si dhe nevojave për kuadro të profilit radioteknik që kishte ushtria, sidomos sektorët e ndërlidhjes dhe radiolokacionit. Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim kanë dhënë Ing. Jorgji Kushi dhe Ing. Ramazan Cani. Pas një sërë konsultash me specialist të profileve të ndryshme si dhe me pedagogët e degës elektrike u hartua programi mësimor për përgatitjen e inxhinierëve elektronikë si dhe u emërua përgjegjës i katedrës kuadri i përkushtuar, i palodhur dhe me vizion të gjerë në profilin e radiotenikës Ing. Jorgji Kushi. Në ecurinë e këtij specialiteti dhanë kontribut të jashtëzakonshëm pedagogët e jashtëm: Ing.Ramazan Cani, Ing.Tofik Gjinali, Ing.Mihallaq Katundi, Ing.Emin Klosi, Ing.ThomaTamburi, Ing. Andon Tirana, Ing. Bedri Imami, Ing. Alfred Xhufka, të cilët kishin përfunduar studimet në ish-BRSS dhe vënde të tjera. Mbështetje dhe kontribut të madh për funksionimin e këtij profili të ri kanë dhënë pedagogët e degës elektrike, Prof. Bardhyl Golemi, Ali Dedej, Reis Çani, Dhimitër Lluka etj. Në vitin e parë akademik 1961-1962 dhanë mësim pedagogët, Ing.Jorgji Kushi në lëndën Bazat teorike të radioteknikës dhe Ing.Tofik Gjinali në lëndën Llambat elektronike, Ing.Ramazan Cani në lëndën Bazat teorike të radiolokacionit. Me vështirësi u ngritën laboratorët e katedrës për lëndët llambat elektronike dhe të radioteknikës, ku veprimet i kryenin laborantët H.Jazexhiu dhe Dh.Leshnja dhe kur u zgjeruan laboratorët pas vitit 1964 në punimet laboratorike punonin laborantët S. Përnaska dhe N. Berberi. Puna e gjithanshme dhe me përkushtim të pedagogëve të katedrës dhe të atyre të jashtëm bënë të mundur të diplomohen inxhinierët e parë të specialitetit të elektronikës. Në qershor të vitit 1964 u diplomuan 28 inxhinierët e parë. Mbi bazën e specializimeve dhe zgjerimin e lëndëve radioelektronike që mbulonte katedra u bë e mundur që në vitin 1974 të krijoheshin dy katedra: a. Katedra e elektronikës së përgjithsme me përgjegjës katedre Ing.Jorgji Kushi më vonë nga Ing.Thoma Tamburi dhe më anëtarë pedagogët: Ing.H.Jazexhiu, Ing.N.Bardhi dhe tre pedagogë të jashtëm. b. Katedra e elektronikës së aplikuar me përgjegjës Ing.Emil Plumbi dhe me anëtarë T.Gjinali, A.Tirana, J.Agalliu, S.Likaj. Kontribut të veçantë në degën e elektronikës kanë dhënë profesorët Hasan Muçostepa, Pirro Cipo, Luan Karçnaj, Agim Budo, Xhemil Dautaj, Safet Likaj dhe pedagogët e jashtëm Ramazan Cani dhe Androkli Andrea. Puna prodhuese ishte një element i ri në planin mësmor, po kështu dhe praktika mësimore. Kështu lidhja e teorisë me praktikën në degën e elektronikës kishte rëndësi për përgatitjen e inxhinierëve elektronikë, për këtë shërbyen laboratorët e katedrave, uniza e prodhimit të radiove dhe televizionëve në Durrës, Uzina e radiolokacionit dhe radiondërlidhjes në ushtri ku studentët rritnin aftësitë praktike. Me kalimin e kohës dhe duke parë domosdoshmërinë e zgjerimit të njohurve u krijuan katedra e automatikës me përgjegjës katedre Gëzim Karapici dhe me anëtarë pedagogët Ing.Petrika Marango, Ing.Maqo Lakrori, Ing.Jakup Agalliu, Ing.Dhimitër Lluka. Mbas vitit 1999 u krijua departamenti i elektronikës i cili drejtohej nga Prof. Nikolla Bardhi .Ky departament përbëhej nga seksionet: seksioni i bazave të elektronikës, seksioni i telekomunikacionit, seksioni i automatikës, seksioni i inxhinierisë së kompjuterave. Pas vitit 1994 ministria e arsimit e shkencës mbi bazën e propozimit të universitetit politeknik me inisiator Prof.Gëzim Karapici, krijoi sistemin e ri për vendin tonë-sistemin e edukimit në distancë. Programet e këtij sistemi përqendroheshin në lëndët e inxhinierisë së automatikës, informatikës,telekomunikacionit. Dega e elektronikës në universitetin politeknik të Tiranës do të kujtojë me shumë respekt themeluesit e saj Prof.Jorgji Kushi,Tofik Gjinali, Andon Tirana, Emil Plumbi, Thoma Tamburi, Nikolla Bardhi, Haxhi Jazexhiu. Do të ruhet kujtimi dhe respekti i madh për punën e palodhshme, sakrificat në përgatitjen dhe edukimin e mijra kuadrove të specialitetit të elektronikës në vendin tonë.

1100

Kontributi i pedagogëve të elektronikës në shkollën e bashkuar



Për këtë për të bërë të mundur përgatitjen e specialistëve të lartë të radiolokacionit me urdhër të ministrit të mbrojtjes u krijua në shtator të vitit 1973 katedra e radiolokacionit në shkollën e bashkuar për të përgatitur kuadro me arsim të lartë në sistemin radiolokativ të ushtrisë. Përgjegjës i katedrës radiolokacionit me urdhër të ministrit të mbrojtjes u caktua Ing.Ramazan Cani. Në këtë katedër bënin pjesë Ing.Ramazan Cani, Ing.Ferdi Skenduli dhe Ing.Baçahlla Havari si dhe pedagogët: Fahri Allushi, Rrahim Hallaçi, Dhimitër Gegeni, Diana Dedej, Anila Sina, Thanas Gjika, Besnik Hoxha, Mehmet Hoxholli dhe pedagogë të jashtëm: Pirro Kushi, Halo Nanaj, Nikolla Bardhi, Thoma Gjylameti dhe laborantët teknikë:Jorgji Gjoka dhe Edlira Sinani. Në veprimtarinë pedagogjike të mësimdhënies pedagogët e katedrës shumica e të cilëve kishin mbaruar studimet e larta në ish-BS përgatitën literaturën përkatëse në tre profilet e sistemit radiolokativ të ushtrisë. Në shkollën e lartë të oficerëve bënte pjesë dhe katedra e radiondërlidhjes. Në katedrën e radiolokacionit një pjesë e lëndëve kishin të njëjtën përmbajtje me lëndët respektive që zhvillohen në katedrat përkatëse të degës së elektronikës në universitetin politeknik. Në katedër jepeshin lëndët: elektronika, radioteknika,teknika impulsive, instrumentat matës elektronikë, automatika, matjet elektronike si dhe lëndët e sistemit tekniko-ushtarak .Sistemi mësimor ishte 3-vjeçar dhe më vonë 4-vjeçar ku përfshihej dhe praktika mësimore që zhvillohej në uzinën e radiolokacionit,në uzinën e prodhimit të televizorëve në Durrës si dhe në sistemet radiolokative dhe aparatet e drejtimit radiolokativ, në postat radioteknike dhe në aparaturat e drejtimit radiolokativ dhe në aparaturat e drejtimit elektronik të artilerisë kundërajrore. Në sektorin radiolokativ bënin pjesë edhe radiolokatorët e drejtimit të raketave kundërajrore si dhe radarët e drejtimit dhe të përcaktimit të koordinatave të avicionit gjuajtës-bombardues. Të gjithë kuadrot që përgatiteshin në katedrën e radiolokacionit kishin një trajtim të veçantë dhe një pjesë kryenin specializime në Kinë dhe Vietnam.

No comments:

Post a Comment