2017-03-16

Skandali me Mozaikun e Tiranës, zhduket dosja e restaurimit

Skandali me Mozaikun e Tiranës, zhduket dosja e restaurimit

I lënë në mëshirë të fatit prej disa vitesh, nga dosja për restaurimin e mozaikut “Shqipëria” mungojnë shkresat zyrtare si dhe projektet e paraqitura nga autorët e veprës për ndërhyrjen. Drejtori i Muzeut kundërshton projektin e qeverisë për ndërhyrjen në mozaik pa marrë parasysh mendimin e specialistëve

Nga Avushe Zhuka dhe Sonila Mesareja

Skandali i dëmtimit të monumenteve të kulturës në vendin tonë vazhdon të thellohet edhe më tej. Nuk bëhet më fjalë vetëm për monumente në zona të largëta e të lëna në harresë. Në zemër të kryeqytetit gjendet një tjetër monument kulture i rëndësishëm mozaiku “Shqipëria” i lënë në mëshirë të fatit drejt degradimit të plotë. Në 6 vitet e fundit të gjitha institucionet përgjegjëse si Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Drejtoria Rajonale e Monumenteve kanë heshtur duke mos vënë dorë mbi veprën nga ku janë shkëputur pjesë të tëra.

Por ajo çka e bën edhe më të rëndë situatën është zhdukja e shkresave zyrtare nga dosja për restaurimin e mozaikut, në të cilën për fat të keq gjendeshin vetëm tri dokumente, një projekt-ide, një projekt i miratuar dhe relacioni për gjendjen. Gjithashtu në dosje mungonte edhe një marrëveshje e firmosur mes Ministrisë së Kulturës, një subjekti privat dhe Institutit të Monumenteve për ofrimin e një fondi për restaurimin e mozaikut. Të kontaktuar nga investigim.al , zyrtarë apo ish-zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Institutit të Monumenteve të Kulturës apo dhe Drejtorisë Rajonale të Monumenteve për Tiranën, thonë se ka pasur një marrëveshje, por nuk kanë dijeni se ku është kjo shkresë, për çfarë shume flitej se do investohej dhe për çfarë arsye u bë tërheqja e njëanshme nga ana e institucionit të kulturës. Por marrëveshja nuk është dokumenti i vetëm që mungon në këtë dosje, madje rezulton që të mos jetë futur ndonjëherë aty. Aty mungojnë edhe dy projektet e paraqitura nga autorët e veprës në bashkëpunim me kreun e Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi.

Mungesa e disa projekt-propozimeve për restaurimin e plotë dhe të pjesshëm të mozaikut hedh edhe më shumë dyshime mbi faktin se përse në gjithë këto vite drejtuesit e institucioneve kanë deklaruar publikisht se do ta zgjidhnin çështjen e restaurimit të monumentit, kur në fakt asnjë prej tyre nuk e mbajti këtë premtim. Në fakt, ky nuk është skandali i vetëm i konstatuar gjatë investigimit tonë, pasi në dosje gjendet edhe një projekt i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. Projekti i miratuar në vitin 2010 për restaurimin e pjesshëm të mozaikut është dergjur sirtareve të institucioneve, duke mos u vënë kurrë në zbatim, madje rezulton se as nuk është amenduar me një vendim të dytë nga ky Këshill.

Në dosjen e veprës së shpallur monument kulture në vitin 2007 gjenden pak dokumente si historiku i veprës, relacioni i studimit të veprës viti 2010 dhe relacion mbi gjendjen e mozaikut i vitit 2014. Po kështu dosja përmban miratimin e projekt idesë së miratuar nga KKR në datën 04.05.2010 dhe projekti i miratuar më 12.10.2010. Nuk ndodhen në të marrëveshjet e nënshkruara me kompaninë private për restaurimin e tij dhe as projekt-idetë e propozuara nga autorët në bashkëpunim me Muzeun. Për këto projekt-propozime të cilat nuk gjetën mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe IMK-së flet drejtori i Muzeut Historik, Melsi Labi. Ky i fundit deklaron se në bashkëpunim me autorët e veprës kanë paraqitur dy projekt- ide për restaurimin e mozaikut. Labi thotë se u është drejtuar herë pas here institucioneve për këtë problem, por nga ana e tyre ka marrë reagime të vakëta. “Bëmë një projekt me autorët e veprës dhe ia prezantuam Ministrisë. Në projektin tonë ne jepnim një garanci 80-vjeçare për jetëgjatësinë e mozaikut. Ky projekt kapte shifrën e 800 mijë eurove. Ndërkohë që autorët propozonin edhe një ndërhyrje të pjesshme, projekt që kapte shifrën 150 mijë euro. Projekti i pjesshëm i zgjaste jetën 10 vjet mozaikut. Por pas paraqitjes së këtij projekti në Ministri, nuk u dha një zgjidhje konkrete për veprën”, deklaron Labi.

Ministria e Kulturës pranon se dokumentet e vetme janë ato që ndodhen në dosjen për mozaikun. Bëhet fjalë për një marrëveshje të nënshkruar në korrik të vitit 2010 midis Ministrisë së Kulturës dhe një kompanie private. Kjo marrëveshje do të sillte për pasojë vënien në zbatim të projektit restaurues. Por gjithçka mbeti vetëm në kuadër të prezantimeve e fjalëve, ndërkohë që skela e ngritur nga kompania private për restaurimin e mozaikut shërbeu vetëm për reklamimin e emrit të saj pa pagesë në qendër të Tiranës për muaj me radhë. Ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve për Tiranën, Arbër Kadia thotë se projekti i miratuar në vitin 2010 nuk u zbatua për mungesë fondesh, megjithëse vepra ka nevojë për ndërhyrje urgjente. “Ndërhyrja nuk u realizua për çështje fondesh. Ne e kemi paraqitur në atë kohë si nevojë për restaurim. Pastaj akordimi i fondeve nga buxheti bëhej nga institucionet përgjegjëse, si dhe nga lista e caktuar që kishte Ministria se kujt do t’i jepej përparësi në restaurim”, pohon Kadia. Ai shton se gjatë vitit 2010 u bë marrëveshja midis Ministrisë së Kulturës, Drejtorisë Rajonale të Monumenteve dhe kompanisë privatë që merrte përsipër financimin e restaurimit të mozaikut. “Nuk e kam të qartë se përse nuk u zbatua marrëveshja, por mesa di unë ka qenë çështje procedurash dhe ishte Ministria e Kulturës ajo që u tërhoq nga marrëveshja”, thotë Kadia.

Drejtoria e Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” i është përgjigjur kërkesës për informacion të “Shoqatës së Gazetarëve për Drejtësi” duke sqaruar se një projekt për restaurimin e këtij mozaiku është miratuar në vitin 2010. Ndërkohë më herët ishte hartuar një projekt-ide për ndërhyrjen në mozaik që u miratua në parim nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve (KKR). Në projektin që mban firmën e shefit të sektorit të Artit, Agron Islami dhe sekretarit të KKR-së Apollon Baçe, konstatohen dëmtimet si dhe përshkruhet qartë se ku do të kryhen ndërhyrjet restauruese në mozaik. Preventivi i parashikuar për këtë projekt është në shumën e rreth 18 milionë lekëve të vjetra dhe plus TVSH-në vlera totale shkonte në shumën e 21 milionë e 500 mijë lekëve. Rreth 35 vjet nga realizimi i veprës, kjo ishte hera e parë që ky mozaik kalonte një fazë të tillë studimi e diagnostikimi.

Në vitin 2008 u konstatuan dëmtimet e para të mozaikut, duke filluar me plasaritjen dhe me rënien e teserave (pllakëzave përbërëse), ndërkohë që vetëm në vitin 2010 u krye një studim me qëllim analizimin e diagnostikimin e nivelit të degradimit, problematikave dhe dëmtimeve. Studimi dhe diagnostikimi i veprës u realizua nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj, si Agron Islami, Edlira Caushi, Arbër Kadia, Klejdi Zguro, Lavdie Birbo, Arben dhe konsulentët Carlo Usai e Massimo Aragno. Në relacionin dërguar Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK), pasi kanë konstatuar gjendjen e veprës, përcaktohet si nevojë që të ndërhyhet për trajtimin e problematikave të hasura. Sipas ekspertëve, arsyeja e prishjes së mozaikut zë fill që nga keqkonceptimi fillestar ose keqbërja si pasojë e mungesës së eksperiencës në realizimin e veprave të tilla. Në relacionin e vitit 2010 konstatohet se në mozaik nuk mund të bëhet një riparim i defektit e se vepra është në një gjendje që po shkon drejt degradimit total për shkak se duke mos qenë e mirëkonceptuar do të tentojë në vazhdimësi degradimin e mëtejshëm. Ndaj restauratorët sqarojnë se qëllimi i ndërhyrjes në vepër është pengimi i degradimit, zgjatja e jetës së veprës dhe riparimi i defekteve të rënda, më të dukshme, për t’i rikthyer vlerën estetike veprës për një kohë sa më të gjatë të mundshme.

Mozaikui i dëmtuar i Tiranës
Mozaikui i dëmtuar i Tiranës


Vetë autorët e mozaikut thonë se kanë vite që presin të bëjnë restaurimin e veprës së dëmtuar nga kalimi i kohës. Njëri prej tyre, Aleksandër Filipi tregon se si 2 vite më parë ata u thirrën nga drejtuesit e Muzeut Historik Kombëtar ku kanë paraqitur edhe një projekt për restaurimin e veprës. Projekt-ideja e tyre propozonte një rikonstruksion total të mozaikut, ndërkohë që autorët jepnin garanci për zgjatjen e jetës së veprës me 80 vjet. Sipas Filipit, kjo vepër mund të jetojë edhe më shumë se sa ka ekzistuar nëse do të vihet dorë mbi të. Autori tjetër, Josif Dobroniku sqaron se kanë paraqitur në drejtorinë e Muzeut dy plan projekte. Propozimi i parë ka të bëjë me konservimin e veprës duke mos lejuar degradimin e mëtjeshëm të mozaikut dhe propozimi tjetër kishte si qëllim restaurimin e tij. Duke mos i kuptuar zvarritjet e institucioneve për të ndërhyrë konkretisht në vepër, Dobroniku shprehet dyshues lidhur me vonesën që nuk ka lejuar zbatimin e projektit të miratuar në Këshillin Restaurues 5 vjet më parë. “Patjetër që vepra ka shpëtim edhe pse ka degraduar dhe vazhdon të dëmtohet në kohë. Nuk besoj se është e vështirë të gjenden fonde për të ndërhyrë, por ajo që më lihet të kuptoj qartë është se mungon qëllimi”, shprehet Dobroniku. Duke ndalur tek materialet dhe fondet që duhen për të restauruar këtë mozaik, Dobroniku tregon se materialet, konkretisht teserat nuk mungojnë. Që nga momenti që u realizua vepra në depon e Muzeut janë të vendosura thasë të tërë të mbushur me tesera (pllakëza) dhe gjatë kësaj kohe ato mund të ishin përdorur për të restauruar veprën.

Drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani deklaron se vepra do të mbahet në jetë duke u restauruar. Dollani sqaron se është parashikuar një projekt për restaurimin e Muzeut Historik Kombëtar, ku do të përfshihet edhe restaurimi i mozaikut. “Nuk kemi asnjë preventiv apo të dhënë konkrete në shifra se sa mund të jetë kostoja dhe fondi që do të kërkojë restaurimi i kësaj vepre. Kjo do të kryhet nga ata që do të fitojnë projektin për restaurimin e Muzeut”, pohon Dollani. Pak kohë më parë Kryeministria dhe Ministria e Kulturës shpallën konkursin kombëtar për rivitalizimin dhe ripërdorimin e “Kuartetit Kulturor” i përbërë nga katër ndërtesa ndër të cilat edhe Muzeu Historik Kombëtar. Në këtë konkurs në restaurimin e Muzeut përfshihet edhe mozaiku “Shqipëria”. Bëhet fjalë për një konkurs që është shpallur i hapur për restaurimin e katër veprave ndër të cilat është muzeu, ku në fund të vitit pritet të shpallet fituesi. Marrëveshja do të nënshkruhet në muajin janar-shkurt dhe gjatë vitit 2016 bëhet prezantimi dhe miratimi i studimit ndërkohë që zbatimi i projektit mbetet për periudhën kohore 2016-2017, i papërcaktuar qartë. Pyetja që shtrohet tashmë është: A do të rezistojë edhe dy vite mes dëmtimesh e shkatërrimesh të vazhdueshme mozaiku i cili vende-vende sipas ekspertëve restauratorë ka dëmtime që shkojnë mbi një metër?

Problematika shfaqet edhe më shqetësuese, pasi konkursi kombëtar i shpallur nga Kryeministria dhe ministria është bërë pa u konsultuar me drejtuesin e Muzeut. Ky i fundit është shprehur kategorisht kundër një vendimi të tillë që përjashton vetë institucionin e interesuar, çka sipas tij e kthen në një diktaturë këtë vendimarrje. Melsi Labi deklaron se nëse nuk do ketë komunikime zyrtare për projektet ku përfshihet Muzeu dhe mozaiku që ndodhet në trup të tij, nuk do lejojë që projekti të realizohet. “Lidhur me projektin e Ministrisë së Kulturës për rikonstruksionin e Muzeut Kombëtar, përfshi edhe Mozaikun, ne nuk kemi asnjë informacion zyrtar, asnjë shkresë që të na vërë në dijeni. Madje, ne si grup interesi asqë jemi thirrur në ndonjë tryezë apo të na jetë kërkuar opinioni për këto ndërhyrje. Si mund të bëhet një projekt për rikonstruksionin e Muzeut dhe të mos pyeten specialistët apo dhe drejtuesit e Muzeut?!”, deklaron Labi. Sipas tij, zgjidhja për mozaikun bëhet në rrugë ligjore me amendim për të evituar përplasjen institucionale lidhur me varësinë e mozaikut.

Mozaiku “Shqipëria” është realizuar nga një grup prej pesë artistësh, përkatësisht: Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Josif Dobroniku, Anastas Konstandini e Agim Nebiu. Mozaiku me sipërfaqe mbi 440 metra katrorë u vendos në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar. Ai u pagëzua me emrin “Shqipëria” dhe u inagurua me rastin e Ditës së Pavarësisë më 28 nëntor 1981, në të njëjtën ditë që u hap edhe Muzeu Historik Kombëtar. Që nga momenti i krijimit të mozaikut “Shqipëria” është ndërhyrë vetëm një herë pas viteve 1990. Në atë periudhë në mozaik u hoq simboli i komunizmit, një yll, ndërkohë që nuk është bërë asnjë restaurim tjetër megjithëse ndër vite kjo vepër ka shfaqur dëmtime të cilat me kalimin e kohës janë bërë edhe më të mëdha. Të tilla dëmtime, sipas specialistëve, po e rrezikojnë seriozisht jetëgjatësinë e mozaikut i cili ëshë shndërruar në imazhin e Shqipërisë nëpër botë.

Ndihmuan studentët e gazetarisë Alteo Hysi dhe Kristina Millona

* Ky projekt mbështetet financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla i Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit

No comments:

Post a Comment