2017-03-17

Skifter Këlliçi: Ja pse ma hoqi të drejtën e transmetimit Ramiz Alia



Albert ZHOLI

Komentatori i famshëm sportiv dhe shkrimtari Skifter Këlliçi rrëfen komentimin e ndeshjeve sportive në komunizëm, cilat ishin ndeshjet e tij më të rëndësishme në komentim dhe më të vështira. Ai tregon si Ramiza Alia i hoqi të drejtën e transmetimit meqë komentonte si komentatorët italianë dhe si Beqir Balluku dhe Kadri Hazbiu e pëlqenin komentimin e tij. Gjithashtu ai flet edhe për letërsinë dhe për aktualitetin politik.


Kur keni filluar punën si komentator sportiv dhe cila ishte ndeshja e parë që keni transmetuar?

Kam ëndërruar të bëhem komentator sportiv si Anton Mazreku që në verë të vitit 1948, kur nuk isha më shumë se 10 vjeç. Hipur majë një kamioni të vjetër në rrugën “Siri Kodra”, në Tiranë “komentoja” ndeshje të rrugicave. Në gusht të vitit 1959, kur sapo kisha filluar të punoja si gazetar në Radio Tirana, bëra prova që u pëlqyen dhe u miratuan nga vetë Mazreku, atëherë punonjës në FSHF. Kështu në tetor të atij, së bashku me kolegun tim, Ismet Bellova, komentova finalen e turneut të futbollit të Spartakiadës i Kombëtare midis “Dinamos” së Tiranës dhe Besës së Kavajës.

Cilët kanë qenë idhujt tuaj të transmetimit dhe marrëdhëniet tuaja me ta?

Siç e thashë edhe më sipër, idhulli im ka qenë Anton Mazreku, babai i gazetarisë shqiptare sportive. E kam respektuar madje e kam përjetësuar jo vetëm me artikuj, por edhe në një tregim dhe në romanin me titull “Tirana dy orë para dënimit”, (1998), kushtuar përjashtimit të pamëshirshëm të skuadrës së “Tiranës” më 1967 me urdhër të Byrosë Politike, ku është nga personazhet kryesore.

Cila është ndeshja më e vështirë që ju keni transmetuar qoftë me skuadra e huaj qoftë me ato brenda vendit?

Me skuadra të vendit, padyshim dy ndeshjet finale të kampionatit kombëtar të futbollit të vitit 1961, kur “Partizani” dhe “Dinamo” u renditën të parat me pikë të barabarta dhe golaverazhi nuk u mor parasysh. Të dyja takimet u zhvilluan në Stadiumin ”Dinamo”, sot “Selman Stërmasi”, i pari, me gjithë shtesën e lojës 2×15 minuta, u mbyll në barazim 1-1. I dyti, me gjithë këtë shtesë, mbeti i bardhë 0-0. Loja u shty deri në çastin kur do të shënonte njëra, ose tjetra skuadër. Shënoi Pano në minutën e 132-të dhe “Partizani” fitoi kampionatin. Sa për ndeshje ndërkombëtare do të përmendja takimin Shqipëri-RFGJ, (0-1), me gol të Mylerit të famshëm, për mënjanueset e Euro 72-it në Tiranë. Mund të kisha pasur edhe kujtime të tjera, por ato komentoheshin nga një G…,të cilin e propozova unë më 1971 të bëhej komentator sportiv,pa ditur se deri atëherë rrallë mund kishte shkelur në stadiume, por që nuk u bë kurrë edhe sot e kësaj dite i tillë…

A keni gabuar në ndonjë transmetim dhe cili ka qenë ky gabim?

Më kujtohet që më 1970, kur luante “Dinamo” me një skuadër tjetër gjatë pjesë së parë të transmetuar në televizion citoja Iljaz Ceçon kur në vend të tij luante Gani Xhafa.

Sigurisht që keni qenë tifoz me ndonjë skuadre. Cila ka qenë kjo dhe në transmetim a keni qenë e njëanshëm?

Gjatë komenteve, kurrë nuk jam treguar tifoz, sepse bëhesha gjyqtar i vetvetes. Ndaj, si të shënonte skuadra e zemrës sime, si skuadra kundërshtare, shprehja të njëjtin entuziazëm. Kësisoj më quanin herë tifoz të “Partizanit”, “Dinamos” ose “Tiranës”…madje edhe “Vllaznisë”.

Jo vetëm si komentator, por në radhë të parë si shkrimtar i mirë, cili ka qenë tregimi apo romani i parë dhe si është pritur nga kritika?

Vëllimi me tregime sportive “Një ndodhi në stadium”, botuar më 1968, i pari i këtij lloji në letërsinë shqiptare. U prit ngrohtë nga kritika. Por vetëm 10 vjet më pas, kur u botua romani “Atentat në Paris”, ribotuar kohët e fundit me ripunime e plotësime, gjykova se unë mund të quhesha me të vërtetë shkrimtar i mirë.

Në pozicionet e shkrimtarit apo të komentatorit a keni pasur rastin të takoni ndonjë nga ish-udhëheqësit e regjimit komunist, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Beqir Balluku, etj. dhe marrëdhëniet e tua me ta?

Jo nuk kam pasur asnjë marrëdhënie mr ta, pavarësisht se Kadri Hazbiu, ndonëse me ndonjë vërejtje “politike”, siç më thonin të afërmit e tij, dhe Beqir Balluku, i pëlqenin komentet e mia. Por “marrëdhënie” më mua, ndonëse nga… lart, ka pasur Ramiz Alia. Me urdhrin e tij absurd më 1986, mua më ndaluan të drejtoja në kamera “Rubrikën sportive” dhe të komentoja ndeshje ndërkombëtare, sepse “u ngjaja komentatorevë italianë”, kurse komentatori G. ndonëse cilësohej i ftohtë, nuk paraqiste rreziqe të tilla, sepse përdorte dhe vazhdon të përdorë një fjalor shumë më të ngushtë.

Si janë vlerësuar veprat tuaja letrare në monizëm dhe a ju është ndaluar ndonjë vepër për botim dhe pse?

Disa prej tyre janë vlerësuar. Të tillë kanë qenë romani “Atentat në Paris” që përmenda më sipër, përshtatur për skenë nga Teatri “Bylis” i Fierit, (ndonëse më gabime trashanike), romanet për fëmijë “Kujtimet e mëhallës së vjetër”, Pas gjurmëve”, që është bërë film nga regjisorja e njohur Xhanfise Keko, dhe ka fituar çmim special në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për fëmijë në Xhivoni, (Itali), më 1979 etj.

Si ka qenë kërkesa e llogarisë për botimet në monizëm dhe a vlerësohej shkrimtari në atë sistem?

Për këtë problem është shkruar e thënë shumë. Siç dihet, realizmi socialist ishte metodë dogmatike që censuronte krijimtarinë e krijuesit dhe, për më tepër, e detyronte të vetë-censurohej. Dhe kur vepra kishte “shkarje ideologjike”, krijuesi kishte pasoja. Fakti që janë dënuar vepra të shkrimtarëve tanë të njohur si Ismail Kadare, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Dhimitër Xhuvani, Teodor Laço e shumë të tjerë, dëshmon për këtë. Krijuesve u kërkohej që në çdo vëllim të përfshihej të paktën një tregim ose poezi kushtuar partisë. Dhe kur këtë ia kërkuan Bilal Xhaferit, aq më tepër që kishte babanë të pushkatuar nga regjimi komunist ai, si më pati treguar kritiku i njohur, Adriatik Kallulli, shkroi një poezi që fillonte me vargjet: ”Parti,të gdhendur e kam emrin tënd në pëllëmbët e duarve të mia”. Siç shihet, këto vargje mund të merren edhe me kuptimin e kundërt: ”Emri yt, parti, nuk më ndahet kurrë…”. Megjithatë, kjo poezi nuk u botua kurrë, sepse vëllimi në të cilin u përfshi nuk qarkulloi. Pas Plenumit të 4-t famëkeq të KQ të PPSH-së,më 1973, kjo trysni u rrit edhe më shumë…

Cilat kanë qenë marrëdhëniet e tua me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin dhe si janë pritur krijimet e tua prej tyre?

-Marrëdhëniet me ta kanë qenë të mira, sidomos me Kadarenë që më ka mbështetur dhe inkurajuar vazhdimisht. Edhe sot këto marrëdhënie vazhdojnë.

Mendimi juaj për debatin Qose-Kadare?

Mbështes plotësisht Kadarenë.

Kohët e fundit keni botuar romanin “Dashuri e gdhendur në shkëmb”, mbi motivet e një novele të Bilal Xhaferit. Kjo lidhje me një shkrimtar çam është e rastësishme?

Siç e kam vënë në dukje edhe në parathënien e këtij romani, Bilal Xhaferin e kam takuar vetëm një herë, në verë të vitit 1967 dhe i kam sugjeruar që këtë novele ta kthejë në roman. Ai u arratis më 1968 dhe nuk di nëse e pati pasur parasysh këtë sugjerim, sespe dorëshkrimet e tij në Çikago, (SHBA), ku u gjet i vdekur, ai vrarë nga Sigurimi i Shtetit, që e ndiqte edhe atje, u dogjën. Atëherë, për të nderuar kujtimin e tij, shkrova dhe botova romanin e mësipërm, bazuar në motivet e kësaj novele të mrekullueshme. Dhe më vjen mirë që po vlerësohet nga kritika.

Mendimi juaj për zgjidhjen e problemit çam?

-Do të ishte mire të zgjidhej si problemi i Kosovës. Çamëve të dëbuar nga vendlindja e tyre u duhet njohur autoktonia. Ata janë të lindur në Çamëri, krahinë tërësisht shqiptare.

Si do ta komentonit tranzicionin e tejzagjur shqiptar dhe politikën e saj agresive?

-Absurd. U takon politikanëve ta zgjidhin këtë problem. Veçanërisht politikanëve me mendësi të reja. Por, kur shoh që Fatos Nano nga …Vjena kërkon të na bëhet… president, pra simbol i popullit dhe kombit shqiptar, ky njeri që mbart mbi kurriz mëkate, madje edhe një vrasje, (që sipas shtypit nuk e ka mohuar), veç veseve të tilla, si pija, kumari, ligësia, (disa prej të cilave ia vë në dukje dhe Ramiz Alia në librin e tij “Jeta ime”,pikërisht ai që e ngriti lart këtë Fatos), atëherë më duket se do të kthehemi më 1991, kur i mësipërmi filloi ngritjen dhe pastaj rënien e lirë, që duhet të jetë e përgjithmonshme dhe të pasohet edhe nga politikanë të tjerë majtas, djathtas, të cilëve u ka ikur koha…

Rreth këtij problemi më 2005 dhe 2007 ju keni botuar dy romane groteske?

Po,i pari “Tirani ngrihet nga varri”, (Shtëpia Botuese “Eugen”, 2005), ku një personazh që i ngjan diktatorit të një vendi të vogël, krijon një lojë sikur diktatori pasi i kërkon falje perëndisë për krimet që ka bërë në dëm të popullit të këtij vendi, ringjallet prej tij dhe vihet të luftojë krerët e dy partive politike të zhytura në korrupsion. Besohet nga populli që kërkon që ai të jetë president i vendit, por ai shpjegon se presidentin duhet ta zgjedhë vetë populli. Romani i dytë “Politikanët mëkatarë fluturojnë në Mars”, (“Buzuku“,Prishtinë, 2007), është përsëri një lojë, sipas së cilës nga planeti Mars dy drejtuesve të partive kryesore politike u vinë mesazhe nga marsianët, të cilët u luten atyre të vinë përgjithnjë në planetin e tyre të kuq si ata,që t’i udhëheqin sipas parimeve marksiste që marsianët nuk i njohin. Arsyeja është se temperaturat në tokë do të rriten 6 gradë dhe jeta atje do të vdesë. Por më parë duhet t’i tregojnë popullit mëkatet korruptive që kanë kryer. Loja në fund të romanit zbulohet dhe politikanët mëkatarë demaskohen.

Arsyeja e largimit në Amerikë dhe a e keni gjetur vetveten atje?

Arsyeja është e thjeshtë:së bashku me gruan time, Natasha, ish-redaktore në shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, dhe ish-gazetare në Radio Tirana, u larguam për në Amerikë, që t’i siguronim një ardhme sa më të mirë djalit tonë të vetëm, Maldi, sot i lauruar në kolegjin e njohur muzikor “Berkli” në Boston, për biznes-muzikë, i cili po bën përpjekje për t’u futur në botën e madhe dhe shumë të vështirë të krijimtarisë në muzikën e lehtë amerikane. Veten time nuk e kam gjetur dhe vështirë ta gjej në Amerikë. Sidoqoftë, të paktën romani “Shtatori i gjëmës së madhe“, me temë shqiptaro-amerikane, kushtuar tragjedisë së 11 shtatorit, ku midis 3000 viktimave humbën jetën edhe tre shqiptarë, personazhe të tij, botuar më 2010, (i cili sipas kolegësh të mi vlen të përkthehet në anglisht, zanafilla e një bashkëpunimi me kineastë shqiptarë,ose amerikanë, për të shkruar skenarë me temë amerikane), janë një dritë e gjelbër që mund të hapet…Veç veprave të mësipërme, edhe rreth 600 faqe kompjuterike dosierësh, me temë letrare, historike, gjuhësore e, doemos, edhe sportive, të botuara në shtypin shqiptar dhe të diasporës, që nga viti 2001, dëshmojnë se vazhdoj të jetoj me këmbë në Amerikë, por me mendje, shpirt dhe zemër në Shqipëri.

No comments:

Post a Comment