2017-03-14

Të ndalohen apo jo, librat që censurojnë lirinë dhe propagandojnë urrejtjen

Në Kosovë shiten libra anti-semite, por deri më tani nuk ka pasur një debat nëse do të duhej të ndaloheshin.

Shqetësimi u shfaq në ditët e fundit kur presidenti Hashim Thaçi pranoi një kërkesë të një organizate hebraike me seli në Paris, për të ndaluar këto libra, shkruan lajmi.net.

Adolf Hitler ishte burgosur për “krime politike” në nëntor të vitit 1923, pas një puçi të dështuar në Munih. Fillimisht do të pranonte shumë vizita, por më pas do të hiqte dorë nga to për shkak se do t’i përkushtohej shkrimit të një libri, i cili më vonë do të ishte një nga platformat më famëkeqe politike.

Libri i botuar në vitin 1925, do të propagandonte kundër dy gjërave që Hitleri i urrente: komunizmi dhe judaizmi. Sipas tij, bota atë kohë ishte në rrezik nga hebrenjtë, të cilët planifikonin një konspiracion për ta udhëhequr botën.

Gjatë periudhës së Gjermanisë naziste në krye me Hitlerin, ishin ndaluar të gjitha mediat, literatura, muzika dhe ngjarjet publike. Kjo parashihej edhe në librin e tij.

Por tash a duhet të ndalohet pikërisht ky libër, i cili shitet edhe në vendin tonë?

Thaçi ka kërkuar nga organet kompetente që të fillojnë hulumtimet për shitjen e librave anti-semite që janë nëpër rrugët e kryeqytetit të Kosovës.

Madje librat e tillë mund të blihen edhe nëpër libraritë e Prishtinës, ndërkaq pak prej tyre e kanë hequr nga shitja për shkak të lajmeve të fundit.

Libri “Mein Kampf” i Adolf Hitler, shitet nga librashitësit ambulantë në sheshin e Prishtinës me çmim 15 euro, ku mund të gjenden tri vëllimet e tij, shkruan lajmi.net.

Shkrimtari shqiptar nga shtëpia botuese “Buzuku”, Abdullah Zeneli, tha për lajmi.net se një libër i tillë i cili nuk është as i botuar dhe as i përkthyer në Kosovë, nuk mund asesi të ndalohet.

“Libri është i përkthyer nga rusishtja, shtëpia botuese është në Tiranë”.

Madje sipas tij askush nuk mund të marr vendime kur e drejta autoriale nuk ekziston, pasi tash e 71 vjet autori ka vdekur.

“Vetëm shtetet totalitare e ndalojnë një libër”, tha ndër të tjera Zeneli.

Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit, ka konfirmuar për medie kërkesën e Thaçit për hetimin e menjëhershëm të këtij rasti, dhe marrjen e hapave të nevojshëm.

“Kosova, si shtet, është ndërtuar mbi dokumentet dhe konventat më të rëndësishme ndërkombëtare, që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut të të gjitha komuniteteve dhe dokumentet e shtetit të Kosovës e ndalojnë përhapjen e urrejtjes në Kosovë në çfarëdo forme. Shoqëria kosovare është shoqëri që promovon tolerancën, dialogun ndërmjet komuniteteve, feve dhe është e përcaktuar qartë që të luftojë çfarëdo radikalizmi dhe ekstremizmi”, ka thënë Arifaj.

Megjithatë, Zeneli thotë se Kosova ka çështje më me rëndësi se sa ajo e një kategorie të tillë të librave.

“Kosovës nuk i duhet një lajm i tillë’, tha ai.

Dhe jo vetëm kaq, edhe në rast se miratohet kërkesa për mos shitjen e librit “Mein Kampf” në Kosovë, Zeneli thotë se libra-dashësit dhe të gjithë ata që kërkojnë të lexojnë këtë libër dhe ata anti-semite, mund t’i gjejnë t’i blejnë përsëri edhe online.

“Tash është Amazona, aty mund ta blesh dhe ta sjellin librin në derë të shtëpisë”.

E ndërkaq Këshilli i Librit në Ministrinë e Kulturës nuk ka qenë fare në dijeni për këtë.

Shkrimtari Daut Demaku tha për lajmi.net se kjo duhet të pranohet në rast se Presidenti e merr vendim ndalimin e shitjes së tyre.

“Nuk kemi qenë në dijeni deri sot, nëse është vendim shtetëror atëherë duhet të mirëmbahet, por unë personalisht kam thënë gjithmonë se librat e Adolf Hitler duhet të lexohen”.

No comments:

Post a Comment