2017-03-02

Tensionet në rritje e Maqedonia në udhëkryq, veprimet që duhet të marrin partitë shqiptare

.
Naile Ejupi


Naile Ejupi



Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka vendosur të mos i jepet mandati për kryeministër liderit të LSDM-së , Zoran Zaev, duke e llogaritur kështu platofrmën shqiptare si një arsye kryesore. Vendimi i Ivanov nuk ishte pritur mirë nga një pjesë e qytetarëve, por edhe nga ekspertë të kushtetutës, duke thënë se Ivanov është duke shkelur kushtetutën.


Ndërsa, sipas analistëve politikë, Maqedonia nuk është shtet presidencial, prandaj formimi i Qeverisë mund të fillojë me konstituimin e parlamentit.

“Meqë Maqedonia është demokraci parlamentare, formimi i Qeverise mund të nis me konstituimim e parlamentitin dhe 67 deputetë aq sa ka siguruar LSDM me partite shqiptare ta formojnë Qeverinë” thotë politologu shqiptar, Xhenis Sulimani.

Partitë shqiptare nuk duhet të lëshojnë pe

Sipas Sulimanit, nuk përjashtohen trazira dhe partitë politike shqiptare në këtë moment janë të pafuqishme.

“Por nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia për trazira. Funksionarë të VMRO-s tanimë kanë dalë në rrugë dhe janë kundër çdo koalicioni me Platformën e shqiptarëve, qëndrimin e tyre ata e përcjellin edhe me kërcënime, që krijon mundësi që tensionet më vend të bëhem përditshmëri. Partitë shqiptare në këtë moment kaotik janë te pafuqishme” pohon Sulimani.

Ai thotë se partitë shqiptare nuk duhet të lëshojnë pe rreth platformës së përbashkët.

“Sipas meje, për momentin veprimi i tyre më i mençur do të ishte të mos lëshojnë pe rreth platformës së përbashkët. Nëse edhe Zaev nuk arrinë të formon Qeverinë për shkak presioneve në rrugë nga protestuesit që kërcënohen edhebme dhunë, atëherë zgjedhjet janë të paevitueshme” shprehet Sulimani.

Formimi i qeverisë në udhëkryq

Ndërsa analisti politik, Blerim Hyseni thotë se formimi i qeverisë ka mbetur në udhëkryq.

Hyseni arsyetimet e Ivanovit i quan qesharake dhe të pambështetura në kushtetutë dhe ligje.

“Formimi i qeverisë gjendet në udhëkryq e në veçanti pas deklarimit të presidentit të shtetit Gjorgje Ivanov përndryshe i zgjedhur në këtë post nga VMRO e Gruevskit, që mos ta mandatojë liderin e opozitës Zoran Zaev për Kryeministër edhe pse i kishte mbledh 67 nënshkrime deputetesh për shumicë parlamentare. Arsyetimet e Ivanovit ishin jo vetëm qesharake, por edhe të pa mbështetura në kushtetute dhe në ligje” shprehet Hyseni.

Sipas Hysenit, veprimi i Ivanovit ka thelluar krizën në Maqedoni, prandaj e vetmja mundësi është që deputetët e nënshkruar të thërrasin seancë kuvendore në mënyrë që të zgjidhet kryetari i ri i parlamentit.

“Ky veprim edhe me tej ka thelluar hendekun dhe krizën në Maqedoni dhe e vetmja mundësi tanimë ka mbetur që deputetë e nënshkruar të thërrasin seancë kuvendore në mënyrë që të zgjidhet kryetari i ri i parlamentit. Por, pa dyshim se ditëve në vijim situatë po vjen edhe më tej duke u vështirësuar në këtë plan dhe se ngritjes së tensioneve po i kontribon në një masë të madhe ashtu si edhe në të kaluarën edhe kryetari i shtetit Ivanov” thekson Hyseni.

Hyseni pohon se shqiptarët duhet t’i bojkotojnë nëse vjen deri tek zgjedhjet e parakohshme.

“Sa i takon zgjedhjeve kam thënë që shqiptarët duhet t’i bojkotojnë nëse vjen deri të zgjedhjet e parakohshme edhe pse një vendim i tillë mund të merret vetëm edhe me pëlqimin e partive shqiptare” shprehet Hyseni.

Ai pohon se trazira dhe protesta do të përdoren si formë presioni.

“Trazira, protesta e provokime do të ketë si formë e presionit për qeveri të koalicionit të zgjeruar, por qëllimi është që kriza të shndërrohet në konflikt maqedono- shqiptar nga konflikt VMRO- LSDM” deklaron Hyseni.

Protestat në Maqedoni

Që Kuvendi i Maqedonisë duhet të mblidhet dhe të formohet kryetari, pastaj qeveria pasi që kanë shumicën e votave, është i mendimit edhe analisti politik, Mersim Maksuti.

Sipas Maksutit, nuk ka rrugë tjetër kushtetuese dhe situata është e qartë se çfarë duhet vepruar në këtë moment.

“Kuvendi i Maqedonisë duhet të mblidhet dhe pasi është siguruar shumica e parlamentit duhet të zgjedhin fillimisht kryetarin e Kuvendit dhe me pastaj menjëherë të zgjedhet Qeveria. Nuk ka rrugë tjetër kushtetuese situata është shumë e qartë se si duhej vepruar në këtë moment” deklarohet Maksuti.

Ndërsa, protesta në Maqedoni ka pasur para dhënies së mendimit të Presidentit Ivanov. Protestuesit ishin kundër platformës shqiptare dhe kundër përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

Kurse, analistët politikë thonë se ligji për gjuhën shqipe do të varej nga vullneti i institucioneve.

“Mendoj që nëse implementimi i një ligji për gjuhen shqipe i lihet ne duar vullnetit të institucioneve ose bartësve të tyre asnjëherë s’do të kemi plotësimin e kësaj të drejtë kushetuese për shqiptarët siç edhe ka ndodhur në të kaluarën. Prandaj, vlerësoj se është e domosdoshme të krijohen mekanizma ligjor me qëllim të zbatimit të dygjuhësisë në Maqedoni” thotë analisti, Blerim Hyseni.

Sipas Hysenit të shikohet sa do respektohej gjuha shqipe, mekanizmat ligjore do të duhej ta mbikëqyrnin atë.

“Mekanizmat ligjore do të nënkuptonte edhe krijimin e një institucioni ose inspektorati shtetëror i cili do të mbikëqyrte këtë të drejtë, edhe atë jo vetëm se sa implemtohet, por me të drejtë që qytetarët të kenë të drejtë ankese pranë këtij institucioni në momentin kur e drejta e tij ligjore nuk do të respektohej në ndonjë institucion shtetëor ose publik” pohon Hyseni.

Njëjtë mendon edhe politologu, Xhenis Sulimani. Sipas Sulimanit, se sa duhej respektuar gjuha shqipe do të varej nga vullneti politik.

“Gjuha shqipe për vendet ku shqiptarët janë mbi 20% është garantuar me Marrëveshjen e Ohrit që nga viti 2002, por e njëjta nuk është zbatuar si duhet e as që është sanksionuar nga institucionet kompetente për moszbatimin e saj. E tani sa do të zbatohet pas formimit të qeverisë prapë varet nga vullneti politik, por edhe gatishmëria që institucionalisht të mbrohet keqpërdorimi i gjuhës shqipe. Në një përbërje qeveritare me VMRO-në ky ligj vështirë se do të jetësohej” pohon Sulimani.

Kërcënimet e Gruevskit

Kurse, në anën tjetër kreu i VMRO-së, Nikolla Gruevski, vazhdimisht kërcënon duke penguar kështu formimin e qeverisë.

Sipas politologut Sulimani, me mosdhënien e mandatit nga ana e Presidentit Ivanov, dyshohet se ai është marionetë e Gruevskit. Sulimani shton se duhet të merren seriozisht këto kërcënime të Gruevskit.

“Presidenti Ivanov me veprimin e tij, me mosdhënien e mandatit për formimin e Qeverisë kreut të LSDM-së Zoran Zaev, edhe pse ky i fundit tashmë ka siguruar shumicën parlamentare, dëshmon se është marionetë e VMRO-DPMNE-së të Nikolla Gruevskit. Me veprimin e tij, ai sikur po pret që gjendja në rrugë- ku po protestojnë protestuesit për “Maqedoni unitare” dhe kundër gjuhës shqipe- të eskalojë dhe pastaj ta arsyetoj qëndrimin e tij dhe të partisë së tij amë se një qeveri e mundshme e LSDM-së me partitë shqiptare do të destabilizonte vendin. Kërcënimet e Gruevskit duhet të merren seriozisht, për faktin se ai gëzon përkrahje të madhe dhe ithtarët e tij dinë të jenë edhe të dhunshëm. Kjo u dëshmua edhe në protestën e djeshme ku u sulmuan fizikisht dy gazetarë. Prandaj, nëse vazhdohet me kësi retorike nuk përjashtohet mundësia e eskalimit të situatës” shprehet Sulimani.

Njëjtë pohon edhe analisti politikë, Blerim Hyseni, i cili thotë se kërcënimet e Gruevskit duhet të merren seriozisht sepse fjalori i tij ndaj shqiptarëve ka qenë kërcënues gjithmonë.

Mirëpo sipas Hysenit, situata nuk do të eskalojë edhe pse provokimet nuk mungojnë.

“Kërcnimet e kryetarit të VMRO Nikola Gruevski duhet mirren seriozisht nëse kemi parasysh veprimin e tij dhe subjektit që udhëheq, sepse që para fushatës zgjedhore, gjate saj dhe më pas fjalori i tij ka qenë kryekëput kërcnues ndaj marrëdhenieve nderetnike në Maqedoni. Nëse pak ndalemi dhe analizojmë në të kaluarën tablon do ta kemi të qartë, sepse çdo herë kur në pyetje kanë qenë të drejtat e shqiptarëve ka pas ngritje të tensioneve dhe obstruksione të ndryshme” thotë Hyseni.

Sipas Hyseni VMRO nëse mbetet në opozitë nënkupton futja prapa grilave.

“Nëse marrim zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës, ndarja territoriale, dezentralizimi e një mori çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve, atëherë Parlamenti i Maqedonisë ka qenë arenë e shfrenimit etnik i cili më pas është reflektuar në rrugët e kryeqyteti Shkupit të lashtë. I njëjti skenar po përsëritet sërish, e njëjta situatë do të përsëritet edhe në Parlament me një ndryshim, sepse tani mbetja e VMRO në opozitë do të thotë atak i drejtpërdrejtë dhe futja prapa grilave e disa funksionarëve të lartë të këtij subjekti politik. Mendoj që situata nuk do të eskalojë edhe pse provokimet nuk do të mungojnë” shprehet Hyseni.

No comments:

Post a Comment