2017-03-09

TESTAMENTIN E LOTIT NUK E TRESIN SHEKUJT



Nebih Bunjaku është nga Poliçka e dardanës. Ciklin e ulët të fillores e kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Malishevë të Gjilanit.

Në Gjilan kreu shkollën e mesme, ndersa studimet për Gjuhë dhe letërsi shqipe i mbaroi në Prishtinë.

Si student ka filluar karrierën e tij pedagogjike, duke punuar fillimisht në Shkollën fillore në Banjën e Sjarinës, pastaj në Gjimnazin e Dardanës, në Shkollën teknike të Gjilanit, në shkollën fillore në Banullë- Gllogofc, në Gjimnazin e Lypjanit, në Shkollën teknike të Kastriotit.

Që nga viti 1993 punon në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Prishtinës, ku ishte drejtor i kësaj shkolle.
Ka botuar këto vëllime me poezi: “Dalje nga balada” (1994),”Gramatikë zemre”(2004),
“Terapia e dashurisë” (2005), “Një samimt për një simit”(2007), “Prushimë buzësh (2008), Zemra nuk ka dimër (2009), “Testamenti i lotit” (2012) dhe “Kopshti i shpirtit” është në procesin e botimit.

Nebih Bunjaku bashkëpunon me shumë gazeta dhe revista shqiptare, ku ka botuar edhe poezi të ndryshme. Disa poezi i janë shpërblyer me vendin e parë, të dytë dhe te tretë nëpër konkurset letrare. Cikle poezish i janë botuar edhe në turqisht, anglisht, polonisht....

Ky autor është i prezantuar edhe në disa libra të ndryshëm. Përpos poezi, Nebih Bunjaku ka botuar edhe shkrime publicistike për personalitete te ndryshme të shquara shqiptare: për Mulla Idriz Gjilanin, Lot Vakun etj.

Për krijimtarinë poetike të Nebih Bunjakut kanë shkruar disa nga penat e shquara të letërsisë: Rushit Ramabaja, dr. Faik Shkodra, Abdullah Konushevci, Spiro Xhavara, Zef Pergega, Shefik Shkodra, Xheladin Mjeku, Shefqet Dibrani, Pëllumb Gorica, Naim Kelmendi,Spase Thanasi, Hasan Hasani, Shahbaze Vishaj, Vezir Ukaj, Reshat Sahitaj, Krishtaq Shabani, Selatin Novosella, Tefik Selimi, Flori Bruqi, Hya Haxhiu, mr. Kadri Mani, Rrustem Geci, Hysen Këqiku, Shaban Cakolli, Bilall Maliqi, Sinan Sadiku...

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Jeton në Prishtinë.

_Floripress:Flori Bruqi

_____________




PËLLUMB GORICA


(‘‘Testamenti i lotit’’, vëllim poetik nga Nebih Bunjaku)

Testamenti i lotit është i përjetshëm. Është një testament që buron nga dhimbja ndaj është i rëndë, sepse mbart me vete peshën e saj dhe gëzimin. Njeriu loton sepse është njeri, dhe këto lot burojnë nga ndjesi shpirtërore të lindura, nga gëzimet e mëdha, nga dhimbjet e mëdha. Njeriu, prandaj është në këtë botë që t’i përjetojë ato me dinjitet e me shpresë perëndie, të dyja, edhe fitoret, edhe humbjet.




Ndaj them që vëllimi poetik “Testamenti i lotit“ i poetit Nebih Bunjaku, është i ngjizur me qiej mjegullorë dhe gjemba hidhërimi si pasojë e ngjarjeve tragjike të Kosovës, sythe gëzimi të lumtur, fryt i zemrës dhe i mendjes, si bazë rrënjë plot pulsim i një të ardhmjeje plot hapësira. Poeti, duke dashur të depërtojë në çdo qelizë të jetës dhe të rrokë thelbin e gjëravë me të domosdoshme, e ndan vëllimin e tij “Testamenti i lotit”, në katër kapituj me tituj metaforikë, që të mbeten në mendje e nuk të shkulen lehtë, si “Testament i i lotit”; “Vula e shpirtit”; “Në ishullin e mallit” dhe “Stina e harrimit”.
Motiv kryesor i këtij libri, është qëndresa e një populli të lidhur ngushtë me tokën e tij dhe historinë, me diellin dhe shiun, me djersën dhe gjakun, përmes një dashurie të sinqertë e përherë të ndezur që përtërin brezat. Në këtë libër gjithçka është thënë përmes intensitetit të mendimit e ngjyrimit të vargut të qashtër poetik. Gjithmon sipas poetit, testament i lotit përshkruan breznitë, duke vulosur gjithçka me një shpirt që, herë përvëlon me zjarrin e dëshirave, herë vishet me pritje malli në ishullin e tij të lotit dhe pastaj ngjizet me ndjenjësi njerëzore, që të përjetohet pa e njohur kurrë stinën e harrimit. “Në ritualin e Pritjes/ Testament i lotit/ Lëbyrur nga dielli/ Lagur nga shiu”. (Poezia “Testamenti i lotit”) Kur shkruan me një sintezë të fuqishme poeti dhe ashtu thjesht e natyrshëm ke kuptuar se simboli dielli dhe shiu përfaqësojnë dy botë krejtësisht të kundërta, botën e gëzimit dhe botën e vuajtjeve. Poezia e Nebih Bunjakut shkruar me pathos e dashuri, përshkon etapa të rëndësishme të historisë, dhe nxjerr në pah atdhedashurinë shqiptare, dashurinë vëllazërore dhe gëzimin mbarëshqiptar. Ekzistenca e kombit dhe psikologjia e tij është e lidhur me gjuhën dhe traditën, me legjendën dhe luftën, me tërësinë tokësore, duke përfshirë edhe Kosovën martire, edhe Çamërinë, dhe gjithë shqiptarët e shpërndarë nëpër botë, të cilët i bashkon një ideal, ku rrjedh i njëjti gjak në damarë dhe u kumbon ndjenja e fuqishme e lirisë. Ndaj poeti shkruan: “Lot i shpirtit Çamëri/ Lumë i dëbuar nga shtrati/ Kush t’i ngatërroi ëndrrat/ Djalli a lugati”. (Poezia “Lot i shpirtit Çamëri”)
Është e qartë se autori ndërthur rrjedhat e dëshmive-kohë, për të kumtuar qëndresën e shqiptarit me rezistencën e tij ndaj rrebesheve të historisë, por edhe në ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe zakoneve, dhe këto ai i portretizon nëpërmjet ngjarjeve historike, që mbajnë themelet e kombit tonë, nëpërmjet përkushtimit qytetar të heronjve, idealistëve, poetëve e artistëve. Këtë qëndresë poeti e simbolizon me “lisat që puthin hapësirat dhe shtrijnë rrënjët gjer në det”. Kullon shpirtësia e poetit e mbështjellë nga furtuna e dhimbjes së kohërave, të cilat zezonin qiellin gri të Kosovës. Ndaj ai shkruan me vargje që burojnë nga zemra e rrezatojnë jo vetëm dhimbje, por edhe respekt e kulturë si për heronjtë e Lidhjes së Prizrenit, po ashtu për Bekim Fehmiun, Ali Podrimjen, etj. “Ura e shenjtë u përkul për Ty/ S’rrodhi ujë por Lot Ali”. (Poezia “Rrugës pa kthim”, Ali Podrimjes)
Më bukur se poeti nuk e thotë askush tjetër botën e vrarë të emigrantit, që kanë fatin e keq të zvarriten udhëve të huaja. Në poezinë “Emigrant”me katër vargje plot sintezë e metaforë, poeti përshkruan takimin e dy botëve në një zemër të përvëluar për liri, një mendje të etur për ëndrra, që të tjerët i ndrydhën pa mëshirë. Veçse kjo poezi e thurur nga shpirti duhet lexuar përtej rreshtave për kalvarin e gjatë e tepër të mundimshëm të emigrantëve tanë udhëve të botës, ku pasqyrohet me së miri se sa e vështirë është të ndihesh i huaj në dhe të huaj. A thua ky fat do të vazhdojë të ndjekë edhe për dekada të tjera shqiptarin?: “Valixhja e vjetër me ëndrra plot/ Dhëmbja e botës emigrant/ Në zemër gjak në sy lot/ Varrin bosh shpirtin vakant”. (Poezia “Emigrant”)
Për poetin Nebih Bunjaku, që njeriu të sfidojë udhët e vështira të jetës, e dallgët e viteve, nuk mjafton vetëm trupi e mendja, por duhet edhe një botë e pasur shpirtërore, një zemër e madhe që të lindë vetëm dashuri e mirëkuptim, duhet deti i ndjenjave që të lindë këngën e durojë dhimbjen me dinjitet. Dhe duke nënkuptuar se baza e të gjitha përtëritjeve dhe e qëndresës është dashuria, poeti një cikël të bukur poezish ia kushton kësaj ndjenje të thellë njerëzore. Duke e konsideruar dashurinë si ndjenjë fisnike që buron forcë e shpërthen romantikë, dhe si domosdoshmëri për ripërtëritjen e jetës, poeti shkruan: “Ç’të bëj unë pa ty/ Si toka pa qiell/ Si qielli pa yje/ Si dita pa diell”. (Poezia “Ç’të bëj unë pa ty”) Dashurinë poeti e ngre deri në lartësi qiellore dhe e konsideron nënën e çdo mësimi: “Nëna e çdo mësimi/ Është veç dashuria/ Akademia e jetës/ Dhe vetë Perëndia”. ( Poezia “Akademia e jetës”) Jeta i ka dhe i pranon të gjitha, por edhe për njeriun që ka marrë misionin ta ndërtojë dhe ta dojë jetën, duhet t'i pranojë ashtu siç janë të gjitha, edhe të qeshurën, edhe vajin, edhe dashurinë, edhe hidhërimin, edhe lumturinë, edhe dhëmbjen... Dhe, në ndërthurjen e tyre merr kuptim ajo: “U martova me dhëmbjen/ Më të trishtën në botë/ Lulen e rinisë/ Ma kalbi me lot”.( Poezia “Martesë me dhimbjen”)
Në fund të librit “Testamenti i lotit“, të duket vetja sikur ke dalë nga një udhëtim i bukur, dhe pastaj je ulur të pushosh nën hijen e një lisi të moçëm, që nuk plaket kurrë, dhe aty nis e mendon për peripecitë e jetës, por bën seleksionim të atyre që të duhen, dhe s’të duhen dhe bilanci të del gjithmonë pozitiv. Kjo jetë ia vlen të jetohet, sepse, siç shkruan poeti: “Ne nuk jemi të humbur/ Jemi në themelet e Lirisë”.


No comments:

Post a Comment