2017-03-17

Thani Naqo : VLONJATJA


Thani Naqo - Wikipedia

-Gruaja duhet të jetë më e shkurtër dhe pesë gjer në dhjetë vjet më e re se burri...- dhe teto Dabucka shtoi se ajo kishte qenë dhjetë vjet më e re e katër pëllëmbë më e shkurtër se i shoqi, kurbetliu
vulëhumbur. Bëri krahasime me të cifteve nga të Vërës së Ariut dhe fshatrave përqark, por unë e dija se shumica e tyre ishin shkurtuar nga punët e rënda dhe kërrusja që sjell pleqëria. -Femra,sido të jetë,e shkurtër apo e gjatë, e shëndoshë apo e thatë, nuk meret kaliqafë, - vazhdoi teto Dabucka. - Po qe se gruaja është e shkurtër, kur hyn në shtrat, burrit i duket e gjatë. Në është e dobët, si shkarpë ose cironkë, kur zhvishet, duket bojalleshë... Vullnetarkën nga Vlora e caktuan të flerë në shtëpinë tuaj sepse është e bukur dhe nga 24 beqarët e fshatit, ti je më i urti e më i ndershmi. Behari në Vërën ë Ariut është i shkurtër.Hyri Korriku,fillon korrja,thahen lulet dhe vlonjatja, sa të futë teserën e partisë në sytjena, do harrojë premtimin që i ka dhënë Partisë e do lëshohet e malluar për detin tatëpjetë malit ...Atëherë, ti do mbetesh beqar për tërë jetën dhe oxhaku i Shalëgjatëvë nuk do tymojë. Hajde, shko vish kostumin e tët'eti e dil. Vlonjatka është ulur në cakëllin e rrugës, atje ku ulet çdo mbrëmje. E përgjova që prapa gardhit dhe e dëgjova që psherëtinte e gjesh më pikoi zemra kur mendja më shkoi për ters se mund të ketë dashnor dhe ëndërron për të e jo për ty...Mirëpo, u qetova se femrat, kur u shkrepet të bëhen komuniste, pjellin 5-6 fëmijë, ama nuk ëndërrojnë aq shumë për dashuri, por për herroizma e si e si t'i shërbejnë sa më mirë Atdheut. Kam miell gruri të,argasur, enkas për pogaçe.Kam kanellë.Kam stafidhe greku,prej qëmoti. Kam oshafe kullumbrie e prej thane. Kam liko prej luleshtrydhe mali. Me to do t'i zbukuroj e lezetoj pogaçet në dasmën tëndë. Kam edhe një byzylyk të larë më flori. E kam taksur për nusen tënde. Edhe vëthët do t’i heq dhe t’i varë vlonjatka. Hajt, ngrihu! Mos e mer dashurinë me frikë se s'je dash i dredhur e as shytak. Sonte fshati erëmon, si kurrë ndonjëherë, zhumbricë dhe borzilok...

I shkova mjekrës dy herë briskun, vesha këmishë të bardhë e kostumin e tim eti. Lyeva sqetullat me sapun venus, edhe leshin e gjoksit e fërkova me venus dhe u ula pranë vlonjatkës. Ajo kishte veshur
triko të bardhë dhe flokët e saj të zeza m’u dukën më të kaltra se manushaqet.

Ja fillova:

-Sa natë e bukur .Yjet janë ndezur prush, duket sikur i kemi një pëllëmbë mbi kokë e presin që t'i përkëdhelim. Por edhe në dimër,kur rresht dëbora, këtu del një hënë,si në asnjë vend tjetër të
botës. Po të kesh dylbi të forta,-thotë mësues Marroku,- shikon gjurmët e kozmonautëve. Ja Kashta e Kumtrit, ja dhe ylli i mëngjezit, që ndryshe i thonë edhe Afërditë...

Vlonjatka u kthye befas nga unë dhe më vështroi drejt në sy; sytë e saj blu shkrepëtinë. Mora guximin dhe i qëndrova vështrimit të saj.

“Plasi dashuria," - i thashë vetes kur pashë vezullimin e lotëve, si pika vese, mbi qërpikë. Ah,moj teto Dabuckë, ti di të lexosh zemrat e njerëzve! Po shkava poshtë malit dhe zura bregdetin,me
prindërit e mi eja edhe ti. Një lugë më shumë do të shtohet. Edhe unë do ta kem të vështirë se do të lë malin, por edhe me detin do të mësohem...Ndërsa mendoja këto, vlonjatka më vuri dorën në sup dhe më pyeti:

-Kush t’i ka mësuar këto astronomira, Lejlek?

-Im kushëri, Paganini; ai që luan kitarën. Paganini ka mbaruar gjimnazin, bën këngë e shkruan poezi.

Gjer atë çast nuk kisha parë gjë më të bukur dhe më të magjishme se sytë e kaltër e të përlotur. Gjaku më vërshoi nëpër damarë dhe me erdhi të shkulja kurrorën e yjeve, të hapja krahët e ta përfshija
për beli vlonjatkën.Zemra m'u shkund e trokëllima e patkojnjve të një kali egërshan gjesh më shkallmoi krahërorin kur vlonjatka u afrua ngjitur me mua dhe bryli i saj preku brylin tim. Mirëpo, ajo ishte katër pëllëmbë me e shkurtër se unë dhe koka e saj nuk
u mbështet në supin tim,por në bryl. Kurrorën e flokëve të saj e preka me buzë dhe sa a u bëra gati ta mbërrtheja për beli, tha:

-Paganinit e ty u mbinë opingat në këmbë dhe ëndërroni si astronomë.

U cua rrëmbimthi, kaloi me vrap përmes llogjeve me përime, dy e nga dy i ngjiti shkallët e u mbyll në dhomën e saj. Dëgjova derën që u mbyll me forcë dhe atëherë m’u duk sikur zëmra më pushoi dhe
kisha vdekur. Nuk mund të lëvizja asnjë muskul,as këmbët, as krahët e as vetullat që më kishin mbetur ngrehur lart nga hutimi.

-Çfarë i bëre, o ditzi, - tha nëneja dhe pleksi pëllëmbët mbi gjoks. Im atë shpalosi kortinën e dritares e më pa sa me inat aq e me dhëmbshuri. Hoqi kapelen dhe filloi të kruajë kokën.Pikërisht
atëherë erdhi teto Dabucka. Mezi merte frymë nga nxitimi. U ul në shkallaren e parë dhe pyeti me sytë e mbërrthyera në kupë të qiellit:

-Ë puthe me zor?

-As më zorr dhë as pa zorr. Nuk i preka një fijë floku.

-Mos gjë ja plase dashurinë,o bir,sic e ka zakon fisi ynë i Shalëgjatëve, - pyeti im atë kokëulur.

-Jo.Nuk i fola për dashuri,as për aguliçe dhe as për manushaqe. I fola për yjet.

-Atëhërë, kjo vullnëtarkë,pikoftë si yjt. - tha teto Dabucka me iinat dhe u çua. Shkundi me pëllëmbë fustanin e leshtë xibun dhe iku në shtëpinë e saj.

Atë natë m'u arratis gjumi, njëlloj e dhe prindërve të mi, sepse qentë e fshatit lehnin me të madhe, sikur kishte rënë ujku ndër tufë e pastaj përgjonim me ankth çdo kërcitje të dyshemesë e lëvizjet
e vlonjatkës. Ende nuk ishte gdhirë kur dëgjova që plasi grindja në dhomën e gjumit të prindërve..

-Fajin e ka jot motër, - e ngriti zërin nëneja. -Nuk i ka dalë nami kot që është magjistarë.Tani m'u mbush mendja top se gratë shterpa bëhën magjistare e ngatërojnë botën e tërë.Ja bëri magjinë
tim biri dhe e futi në bela. Motër e ke, kunatë e kam, ama që sot e tutje, kapërxeu pragun,do t'ja thyej këmbët e kryqet më llostongarkën e portës. I është qepur tim biri, sikur është biri i saj e jo i imi,”o martohu,o rrashë e vdiqa!" dhe nëneja e holloi
zërin dhe imitoi teto Dabuckën: "Kam miell gruri të argasur.Kam byzylyk larë në flori.Kam një shami koke, më copë të mëndafshtë japonezi Kam një shall, prej leshdeveje. Është shall prej dyqaneve të Vjenës, e kam përdorur vetëm njëherë sepse nuk dua të kujtoj
tradhëtinë e vulëhumburiit në Rumani.Oi, ç'na gjeti, - klithi nëneja dhe dëgjova që përpiqte pëllëmbët e qante sikur unë të kisha vdekur. - Pa lindur dielli, në Vërën e Ariut do vijnë policët dhe të sigurimit...I tërë fshati është spiun...

Dielli lindi dhe vlonjatka nuk u cua e as u përgjigj kur nëneja thirri, njëlloj si ditët e tjera:

Zgjohu bijë e nënës se çaji zjeu dhe skuqa vezë me gjalpë e gjizë.

Vesha rrobat e punës e nuk e mora çantën ku nëneja kishte vënë dy vezë të ziera, çerek pllake bukë misri, një kokër domate, e një piperkë gogozhare, tre ose katër qepujka dhe një lugë kripë, mbështjellë me gazetë.

-Harrove çantën e bukës, - tha im atë.

-Më mirë të vdes nga uria e kosa, se sa nga dashuria, - u përgjigja dhe dola në rrugë me kosën në dorë.

Sa dola në sheshin e fshatit më kaploi paniku dhe e kuptova se 1200-shit më kishin përgjuar tërë natën e kishin lajmëruar në qendrën e kooperativës. Fillimisht pandeha se të mëdhenjtë e partisë
kishin erdhur në Vërën e Ariut se do fillonte fushata e korrjes së grurit, por kjo pandehmë optimisti u shemb kur pashë Strucin dhe shefin e policisë e dy operativat zonës. U ktheva nga rruga, u ula në sofatin e portës tonë, e ndërsa të tjerët hynë në dhomën
e vlonjatkës. Erdhi nëneja, dyllë e verdhë, duart e i dridheshin, u ul pranë meje e më tha:

-Po e pyesin e po e pyesin të gjorën cupë, - por pikërisht atëherë vlonjatka hapi kënatën e dritares e thirri me zë të lartë që të dëgjontë i gjithë fshati:

-Unë me të shkoj në qendër të tokës dhe ai s’ka për të më prekur një fije floku.

Pas një ore u përshëndet më prindërit e mi, e puthi nënenë në të dyja faqet e atë çast, si me magji, u shfaq edhe teto Dabucka. Vlonjatja e përqafoi dhe qau, sikur teto Dabucka të ishte gjyshja
e saj e nuk do ta shikonte më. Vlonjatka më lëshoi në dorë valixhen e saj prej druri dhe më tha që ta shoqëroja deri në qendër të kooperativës. Sa hipi në shkallaren e parë të autobusit, më përqafoi, më puthi në faqe e pëshpëriti sypërlotur:

-Oh i miri dhe i mjeri ti; mbeç me shëndet.


2005, motiv sipas romanit Përgjumje e iluzione.



No comments:

Post a Comment