2017-03-14

Umberto Eco/studiues : Merrini seriozisht tigrat prej letre





Në fillim të viteve ’60, Marshall McLuhan paralajmëronte disa ndryshime të thella në mënyrën tonë të të menduarit dhe të komunikuarit. Njëra nga intuitimet e tij ishte ai se ne ishim duke hyrë në epokën e një fshati global dhe sigurisht, që në universin e Internetit, mjaft prej parashikimeve të tij janë përmbushur. Por, pasi analizonte përmes librit të tij “Galaktika Gutenberg”, ndikimin e shtypit në evolucionin kulturor dhe të vetë sensibilitetit individual, McLuhan do të paralajmëronte me veprën tjetër “Understandig Media” (Të kuptosh median), por edhe me vepra të tjera, perëndimin e linearitetit alfabetik dhe predominimin e imazhit në vend të tij-ide të cilën, duke e mbithjeshtuar, mjetet e komunikimit masiv e pëkthyen si “nuk do të lexohet, por do të shikohet televizioni(ose imazhet stroboskopike në diskotekë). McLuhan vdes në vitin 1980, pikërisht në kohën kur në botën e përditshmërisë po hynin kompjuterët personalë(qarkulluan disa modele që ishin diçka më shumë sesa eksperimentalë në vitet ’70, por tregu masiv do të fillojë në vitin 1981 me PC Ibm) dhe nëse do të kishte jetuar edhe disa vite më shumë, do të duhej të pranonte që në një botë të dominuar, në pamje të jashtme, nga imazhi, po afirmohej një qytetërim i ri alfabetik: me një personal computer, ose di të lexosh apo të shkruash, ose përndryshe nuk është se bën ndonjë gjë të madhe. Është e vërtetë që fëmijët e sotshëm dinë të përdorin një iPad edhe kur janë në moshën parashkollore, por i gjithë informacioni që marrim përmes internetit, e-mail dhe sms, bazohet mbi njohuri alfabetike. Me kompjuterin u perfeksionua situata e parashikuar nga kanoniku Frollo në librin “Katedralja e Parisit” të Hygoit, i cili duke treguar fillimisht një libër dhe mandej katedralen që shihte nga dritarja, të pasur me imazhe dhe simbole të dukshme, thoshte se: “Kjo do të vrasë Atë”. Është tashmë e qartë se kompjuteri u dëshmua si instrument i fshatit global përmes adresave komunikuese multimediale dhe ai është madje i aftë që të risjellë në jetë edhe “Atë” të katedrales gotike. Por ai ngrihet në mënyrë fondamentale mbi parime neo-gutenbergiane. Me rikthimin e alfabetit, me anë të shpikjes së e-book, u profilizua megjithatë mundësia e leximit të teksteve, jo më të shkruar mbi një copë letre, por mbi një ekran dhe që këtej mori fill një seri e re profecish mbi zhdukjen e librit dhe të gazetës(pjesërisht të bazuara në disa luhatje të hasura në shitje). Kështu, ka vite që një nga sportet e preferuara të çdo gazetari që vuan nga mungesa e fantazisë është që të pyesë njerëzit e penës sesi e shohin ata zhdukjen e letrës. Dhe nuk mjafton si përgjigje mbështetja e idesë që libri bart akoma edhe sot një rëndësi thelbësore për përcjelljen dhe konservimin e informacionit, as ajo se ne kemi provën shkencore që edhe librat e shtypur 500 vjet më parë kanë mbijetuar mrekullisht, teksa nuk kemi prova shkencore për të mbështetur idenë se njësitë magnetike që përdorim sot për të ruajtur informacionin(hard disk, usb etj.) mund të mbijetojnë më shumë sesa 10 vjet(mund ta verifikojmë këtë, duke marrë parasysh edhe se kompjuterët e sotshëm nuk lexojnë më disketat e viteve ’80).
Por ja që së fundmi ka disa zhvillime befasuese, të cilave u kanë bërë jehonë gazetat, por për të cilat ende nuk e dimë se cilat janë domethëniet dhe pasojat. Në gusht, Jeff Bezos, ai i Amazon, bleu “Washington Post” dhe ndërkohë që shpallet me të madhe perëndimi i të përditshmes së letrës, Warren Buffett ka marrë në pronësi plot 63 të përditshme lokale. Sikurse theksonte në “Repubblica” Federico Rampini, Buffett është në gjigant i Old Economy, pra nuk është një novator. Por ai ka një nuhatje të rrallë për mundësitë e investimit. Dhe siç po duket, drejt të përditshmeve po shkojnë edhe peshkaqenë të tjerë të Silicon Valley. Rampini pyeste nëse goditjen finale do ta bëjnë Bill Gates apo Mark Zuckenberg duke blerë “New York Times”. Edhe nëse kjo nuk do të ndodhë, është e qartë se bota hapësirës dixhitale po rizbulon letrën. Llogari tregtare, spekulim politik, dëshirë për të ruajtur shtypin si mburojë demokratike? Nuk jam akoma në gjendje që të provoj të bëj ndonjë interpretim të këtij fakti. Por më duket gjithsesi interesante që po asistohet në një tjetër rikthim të profecive. Ndoshta Mao e kishte gabim: merrini seriozisht tigrat prej letre!

No comments:

Post a Comment