4.28.2017

Deklarata si President,Ilir Meta: Kur erdha nga fshati i thellë malor, ëndrra ime maksimale ishte të …


Ilir Meta është zgjedhur presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, në raundin e katërt të votimit të mbajtur pasditen e kësaj të premteje në Parlament.

Ilir Meta ka marrë 87 vota pro dhe 2 kundër ( Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi).   Ilir Meta bëhet kështu presidenti i 7 i Republikës së Shqipërisë.

Kreu i Kuvendit, njëherësh kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjatë momentit të numërimit të votave, ishte ulur në anën e deputetëve të mazhorancës, pranë socialistit Taulant Balla.

Ndërkohë menjëherë pasi mori votat pro, deputetët dhe ministrat që morën pjesë në seancë janë ngritur në këmbë duke nderuar me duartrokitje zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. E para që e ka takuar Metën duke i uruar detyrën e re, është deputetja e Partisë Socialiste Arta Dade. Pas Metës ka qenë i ulur edhe kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi me të cilin ka pasur një shtrëngim duarsh. Ndërkohë kryeministri Edi Rama i ulur dy radhë para kryeparlamentarit Ilir Meta, ka duartrokitur nga vendi.

Meta do të marrë zyrtarisht detyrën e Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë më 24 korrik, kur mbaron mandati i kreut aktual të shtetit, Bujar Nishani.


Ilir Meta u zgjodh Presidenti i Republikës së Shqipërisë sot në Kuvend me 87 vota. Megjithatë ai rrëfeu sot nga foltorja e Kuvendit, se një gjë të tillë nuk e kishte imagjinuar kurrë.

Ilir Meta tregoi se kur ishte student pasi kishte ardhur nga fshati i thellë malor Çepan i Skraparit, ëndrra maksimale e tij ishte të bëhej pedagog.

“Çdo politikan është mes pushtetit dhe demokracisë. Unë kam zgjedhur dhe do zgjedh gjithmonë demokracinë në raport me pushtetin, se pushtet ka dhe në vendet demokratike, dhe kjo për arsye të thjeshtë, se unë kam lindur në Çepan të Skraparit, fshat i thellë malor, që mund të jetë ndër më të thellët në Shqipëri.

 Kur kam qenë student, ëndrra ime maksimale ishte të bëhesha pedagog, dhe profesor Angjeli që jepte mësim e di këtë shumë mirë. Dhe unë kam patur këtë mundësi falë demokracisë, dhe të gjithë atë çka na ka dhënë të gjithëve për të gëzuar liritë e për të ndryshuar vendin tonë,” tha  presidenti shqiptar Ilir Meta.

Është pritur me duartrokitje në sallën e Kuvendit, zgjedhja e Ilir Metës president i Republikës së Shqipërisë.


Ilir Meta



Ilir Meta lindi më 24 mars të vitit 1969 në Çorovodë, Shqipëri, është politikan shqiptar, ish Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe aktualisht kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, si dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.

Meta është që prej 15 viteve deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe një nga figurat kryesore politike shqiptare. Ai konsiderohet nga media dhe publiku si krijuesi dhe drejtuesi i Polit të Tretë ne Politikën Shqiptare. Ishte Kryeministër i Shqipërisë prej vitit 1999 deri në 2002.

U diplomua për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, Ilir Meta ka përfunduar Studimet Pasuniversitare në të njëjtën fushë.

Ilir Meta është president në Kuvendin e Shqipërisë, President i Bordit të Institutit për Paqe, Zhvillim dhe Integrim, si dhe anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin.

Ai ka një aktivitet intensiv politik, duke filluar nga viti 1990, si pjesëmarres aktiv në lëvizjen studentore që përmbysi regjimin komunist.

Nga viti 1992 në vazhdim, Ilir Meta është zgjedhur pa ndërpreje deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë, në të cilin ka qënë anëtar i disa komisioneve dhe gjatë periudhës 1996-1997 ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme.

Ilir Meta është njeri ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESH), duke dhënë kontributin e tij për anetarësimin e Forumit në Internacionalen e Rinisë Socialiste. Gjatë viteve të anetarësisë së tij në FRESH, Ilir Meta ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Nenkryetar (1992-1995) dhe Kryetar (1995-2001).

Aktiviteti politik i Ilir Metës në strukturat e Partisë Socialiste është i ngjeshur. Ai ka qënë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues nga Kongresi i qershorit 1992 dhe anëtar i Kryesisë së Partisë nga viti 1993, deri në periudhën kur dha dorëheqjen nga kryesia e PS-se (korrik 2003), pas debateve me Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste Fatos Nano. Gjatë periudhës 1997-1998, Ilir Meta ka qënë Kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës.

Në periudhën 1993 -1996, Meta ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Partisë Socialiste dhe nga 1994 - 1996 edhe atë të Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombeëtare, periudhë gjatë së cilës u vendosën marrëdhënie me shumë parti socialiste dhe socialdemokrate të Evropës, si dhe Partinë Socialiste Evropiane dhe Internacionalen Socialiste.

Aktiviteti politik i Ilir Metës përfshin edhe një periudhë të drejtimit të qeverisë, ku ka shërbyer si Kryeministër i vendit gjatë periudhës nëntor 1999 - shtator 2001 dhe pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të verës së vitit 2001 u rimandatua si Kryeministër, Shator 2001 - shkurt 2002.
Në shkurt 2002 dha dorëheqjen nga detyra.

Gjithashtu, Ilir Meta ka shërbyer edhe si Zv.kryeminister dhe Ministër i Punëve të Jashtme gjatë periudhës korrik 2002 - korrik 2003, Zv.kryeministër dhe Ministër i Integrimit gjatë periudhës tetor 1998 - tetor 1999, si dhe Sekretar Shteti për Integrimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme mars - tetor 1998.

Aktualisht, Ilir Meta është zgjedhur anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin që drejtohet nga ish kryeministri i Italisë, Xhuliano Amato, në përbërje të të cilit janë mjaft personalitete të njohur nga BE, rajoni dhe ShBA.



Përvec aktivitetit politik, Ilir Meta ka dhënë leksione në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, si dhe në disa akademi dhe universitete në Evrope dhe SHBA, si Akademia Evropiane e Berlinit apo Universiteti i Harvardit. Sot u zgjodh president i Republikës së Shqipërisë.

Flori Bruqi

No comments:

Post a Comment