2017-04-03

Dështimi më i madh i diplomacisë shqiptare në këto më se 100 vite


Nga Genc Drini


Në gazetën “Sot” me dt.22 mars 2017 jepet shkrimi me titull: “Spartak Ngjela: Mbeturinat historike përpëliten nga frika e vetingut,i kanë varur shpresat te fqinjët”. Po paradoksalisht dhe S. Ngjela, sidoqë me synim tjetër, në rrugë tjetër,shpresat i ka varur po te fqinjët, me të cilët pret të krijohet“Tregu Ballkanik”. Së pari,përcaktimi është i pa vërtetë, një fryrje butaforikeqë po përdoret dhe nga të tjerë. NjëTreg Ballkanik është i pa mundur se disa shtete të Ballkanit janë tashmë anëtare të BE. Flitet për “Treg të Ballkanit Perëndimor” dhe diferenca është tejet e madhe historikisht, politikisht, gjeostrategjikisht dhe ekonomikisht. Nuk bëhet fjalë realisht as për Treg të Ballkanit Perëndimor sepse dhe dy shtete të kësaj hapësire gjeografike, Sllovenia dhe Kroacia, ish republika të ish Jugosllavisë tashmë janë në BE.

Minus këto shtete, bëhet fjalëveç për një ish Jugosllavi më të vogël, me Serbinë që do ishte kapo dominante mbi të tjerët, me Bosnjen ku gjysma është po me serbë, me Mal të Zi që poashtu ka 30% serbë ,Maqedoni, dhe me Kosovës. Aty do zhytej dhe Shqipëria që nuk ka pasë të bëjë kurrë me Jugosllavinë.

Me shumë të drejtë Spartak Ngjela mbështet Vetingun kur vlerëson se:“Reforma në drejtësi brenda 20 muajve do riinstitucionalizojë shtetin shqiptar mes drejtësisë e ligjit.” Sidoqë shqiptarëve u ka mbetur pak besim, një sukses i saj do ishte i mirepritur. Por habitemi kur pas këtij hapi riinstitucionalizues Ngjela sheh të hapet për shqiptarët “parajsa ballkanike”. Ai shprehet se:“menjëherë do fillojnë investimet për strukturimin e Tregut Ballkanik me qendër në Tiranë...”,dhe arrin në kreshendon:“Tregu i Përbashkët Ballkanik do të jetë risia e progresit modern shqiptar”. Pikë! Me këtë “risi” absolute,BE, ku shqiptarët ka vite që përpiqen të integrohen mjegullohet dhe ik diku larg, gati si “i pa nevojshëm” përderisa progresi modern shqiptar aq i kërkuar “na u arrika” veç me serbë e sllavë të tjerë. Çfarë “suksesi” për shqiptarët…!Në fakt do ishte arritja më e përsosur e politikës së jashtme të Serbisë që pas 18 vitesh të kthejë në fitore humbjen e luftës. Një fitore e pa imagjinueshme e diplomacisë serbe të 100 viteve nëse fut në kllapën ekonomike dhe politike dominante serbo sllave, jo vetëm Kosovën po dhe Shqipërinë, e të gjithë shqiptarët ashtu siç janë të copëzuar në gjashtë shtete, për ti mbajtur ashtu të copëzuar nën çatinë asfiksuese sllave.Nëse do ndodhte do ishte dështimi më i madh i diplomacisë shqiptare, dhe i shqiptarëve në më se njëqind vite histori. Jugosllavite e djeshme jane shëmbëlltyra e asaj çatie mbytëse për shqiptarët, dhe Maqedonia sot një shembull flagrant antishqiptar. Bën përshtypje sesi përkrahësit europianë te Serbisë nuk u ngopën nga dramat e thella ciklike që ajo pjell me jugosllavitë. Xhefri Kuhner shkruante i shastisur në v. 2007 në Washington Times: ''Prap bashkim ballkanik?''Për zhytjen e projektuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë “arritje” fenomenale ka kontributin e vet BE , qeveria e sotme e Shqipërisë, ndërkohë që komenti i Ngjelës vjen si mbështetje e plotë për të. Theksimi iluzivTirana si“qendër” për Tregun Ballkanik zhveshet plotësisht nga konstatimet e freskëta të Financial Times,dt. 24 mars që shkruan: “Serbia dhe Shqipëria janë gati për gjithçka.. Serbia do të luajë brënda këtij grupi atë rol që luan Gjermania në BE... Mali i Zi dhe Kosova megjithatë janë të alarmuara.”Po përse janë të alarmura, me kot? Brenda një tregu të tillë të përbashkët, gjithnjë ka një shtet dominant që ka organizimin, fuqinë ekonomike dhe etjen ekspansive më të madhe. Veçanërisht kjo e fundit nuk i ka munguar kurrë Serbisë që në yryshin e saj për në Durrës, per detin Adriatik është përpjekur me luftëra të kalërojë mbi shpinën e shqiptarëve dhe prap përpiqet. Tash e ka më të thjeshtë meqë rrugën po ia hapin qeveritarët tanë xhentëlmenë dhe europianët. Por është shumë e rëndësishmetë kujtohemi të gjithë sesi dominimi ekonomik është përdorur si instrument dhe thelb i dominimit politik, veçanërisht në këto hapsira të vogla me territore etnikisht të kontestuara për të cilat është luftuar dhe paralajmërohen luftëra të reja. Tradita agresive e pa tjetërsuar serbe, ka provuar se një treg dhe bashkësi te tillë ajo e kthen në instrument ekspansioni dhe përlarjeje territoresh. Dy ish Jugosllavitë, që megjithëse të përbëra kryesisht nga popuj sllavë u shëmbën nga zjarri i luftërave të tmerrëshme kriminale të nisura nga Serbia. Iluzione që shuhen në gjak ky është mesimi më rrënqethës paralajmërues për politikanë amatorë shqiptarë.

Po në një cikël të pandalur, koha e luftës alternon me kohën e paqës; ja ku pas luftës po flitet për “pajtim”,jo të kryeministrave se ata “janë të pajtuar”në trenin ku kanë hypur, por të shqiptarëve me serbët, pa e peshuar aspak se serbët nuk ndjejnë fare nevojën për “pajtim”. Është kundër mesazhit që filozofia e tyre agresive do të përcjell tek pasardhësit, prandaj nuk kanë shfaqur asnjë keqardhje për luftat që nisën, as nuk kanë shprehur vrarjen më të vogël të ndërgjegjes për krimet që kanë bërë mbi shqiptarët, as kanë kërkuar pajtim. Veç një dhimbje ndjejnë serbët:që humbën luftën. Jo më kot sot përpiqen të rrëshqasin trena me ngjyra e germa zjarrvënëse në Kosovë dhe jo më kot presidenti i Serbisë Nikoliç kërcënon se do të fusë ushtrinë.E në këto kushte, të shtyrë nga BE dhe SHBA na flitet për“pajtim” dhe për të na “edukuar”na japin si shëmbull pajtimin franko gjerman. Sidoqë mund të mashtrohen ca naivë, koncepti i pajtimit përfshirë dhe atë franko gjerman është tejet i gabuar dhe veç propagandistik. Shtetet, kombet nuk janë fëmijë që zihen dhe pajtohen, as janë si dy individë që ngatërrohen, vriten dhe te tjerë mundë të falin.Shtetet si struktura politike janë jo emocionalë, pra nuk shfaqin zëmrime e pajtime, veç krijojnë marëdhënie racionale ekonomike, politike, kulturore me njëri tjetrin, që mund të jenë normale, të mira, të shkëlqyera dhe të këqia, ose shumë të këqia, mund ti ndërpresin ato dhe të shkojnë deri në përplasje, në lufta. Popujt nuk kanë mekanizma “pajtimi”, kanë veç shtetin e tyre që i përfaqëson. Pas luftave, sërish vendoset paqë në mes shteteve dhe jo pajtim, dhe rifillojnë gradualisht marëdhëniet, një cikël që përsëritet pa fund. Kancelarja e Gjermanisë Anxhela Merkel, një mbështetëse shumë e fortë e BE,e davarit “idenë folklorike të pajtimeve” dhe deklaron që nëse prishet Bashkimi Europian, brenda dhjetë vitesh nisin luftat në mes shteteve të Europës.

Për fat të mirë qëndrimi i ekspertëve shqiptarë nuk është apriori mohues, por analizues dhe i saktë:“Tregu i hapur ballkanik favorizon Serbinë. Ne nuk kemi nevojë për një union të tillë siç e propozon Serbia, që si synim të vetin final ka të shesë si të dojë në trojet shqiptare", është shprehur eksperti i ekonomisë, Haki Shatri. Eksperti tjetër i ekonomisë. Prof. dr. Muhamet Sadiku shprehet se “po të përkrahej, do të ishin politika të gabuara...duhet pranuar se ideatorët e kësaj iniciative injorojnë diferencat demokratike, ekonomike dhe sociale në rajon. Së pari, kjo punë bëhet me shtete të pavarura dhe të pranuara nga njëra- tjetra dhe Kosova nuk njihet si shtet i pavarur nga Serbia. Kosova duhet të integrohet në mekanizmat evropianë e jo të mbështesë shakatë e Serbisëdhe djallëzitë serbe. Insistimi i kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që doli në Samitin e Sarajevës për të krijuar Tregun e Hapur Ballkanik, për njohësit e kësaj fushe do të ishte një favorizim i ringjalljes se ambicieve hegjemoniste të Serbisë në planin ekonomik”.Milazim Abazi thekson se “derisa Serbia të heqë dorë nga shantazhet, veprimet destruktive dhe përzierjet në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, Kosova dhe shqiptarët kudo që jetojnë, duhet të kundërshtojnë çdo iniciativë serbe...Serbia është e interesuar vetëm t'i mashtrojë shqiptarët dhe t'i shfrytëzojë për interesa të saj..(“Kosova Sot”mars 2017).Përplasemi vazhdimisht me fjalën“mashtrim”nga serbët që shfaqet si përvojë shqiptare, realitet dhe protestë dhe tregon që ne nuk kemi zënë mend. Po së pari e mbi të gjitha që të mos mashtrohemi nga të tjerët nuk duhet të lejojmë mashtrimin në mes tonë. Nuk duhet të lejojmë që drejtuesit e dy shteteve shqiptare, politikanët shqiptare kudo në trojet tona të mashtrojnë shqiptarët. Gjatë këtyre tre viteve Prizreni frymëzoi dy mbledhje të rëndësishme kombëtare të bujshme, shpresë dhënëse të qeverive të dy shteteve shqiptare, të Shqipërisë dhe Kosovës, por pa arritur realisht asnjë platformë të përbashkët ndërshqiptare legjislative, kulturore, ekonomike, askund një treg i përbashkët ndërshqiptar dhe nuk u bë asgjë për të zhvilluar bashkërisht të gjitha burimet shqiptare në sisteme komplementare. Projekte të shkelura me këmbë, deri përplasje për treg..“Sadiku thotë se koncepti i politikave të përbashkëta të bëhet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë meqenëse ekziston vullneti politik dhe komplementariteti ekonomik- një kulturë, gjuhë e shumë gjëra të tjera favorizuese”.(“Kosova Sot”mars 2017)Por,kryesisht Qeveria shqiptare, pa marrë përgjegjësitë kombëtare për këto mosarritje, e shtyrë nga BE, me lehtësi të pa besueshme po shkon drejt tregut të përbashkët, e jo me shqiptarët po me serbët etj.. Dhe qeveria e Kosovës ndjehet gjithashtu nën atë presion e shtyhet në atë rrugë. “Ish-ministri i Financave, Haki Shatri theksoi se idenë e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiqit për krijimin e një tregu të përbashkët ballkanik, Qeveria e Kosovës nuk duhet fare që ta përfillë."Në ish Jugosllavi ne si Kosovë kemi qenë në një union të përbashkët doganor me Serbinë, por edhe me të tjerët dhe nga ajo kohë kemi përvoja të hidhur me serbët", është shprehur ai.” Dhe përfundon:“Nëse Shqipërisë i ka ngelur merak që të jenë së bashku me ish-Jugosllavinë, atëherë ata le të bëhen pjesë e këtij tregu të përbashkët ballkanik, kurse ne si Kosovë kurrsesi nuk duhet që të jemi pjesë e këtij tregu ballkanik", ka theksuar Shatri. (“Kosova Sot” mars 2017)Pra po profilizohet një përçarje mes-shqiptare, me tendencë për tu thelluar. Në rast se Kushtetuta e Shqipërisë synon Bashkim Kombëtar, çfar na pengonte që të nisnim e të nisë organizimi i një tregu mbarëshqiptar?Askush veç vetja. Një treg i përbashkët me serbë e tjerë ku të gjithë shqiptarët do zhyteshin në rrjetën serbe, e ku Kosova e pa njohur nga Serbia si shtet do ishte si bisht, do të thotë shpërfillje e interesave kombëtare të shqiptarëve dhe nisje drejt një bashkësie si ish Jugosllavisa. “Kurrë më Jugosllavi” është një artikull i autorit të këtij shkrimi të sotëm dhe që është botuar në qershor 2007 në gazetën “The Albanian” e te tjera gazeta..në të cilin është shprehur kundër idesë së krijimit të tregu të përbashkët me Serbinë, dhe thellësisht kundër idesë së ngritjes së një Jugosllavie të re të për të cilën flitej hapur nga ndërkombëtarë;po dhe mbështetej disi nga qeveritarët tanë. Dhe përsëri shohim të rinisë me forcë e njëjta ide.“The Economist”shkruan:“më 12 korrik palët do takohen sërish në Trieste dhe Komisionari për Zgjerimin Johannes Hahn, ka kërkuar që në atë kohë plani për tregun e përbashkët të jetë gati…” Vijon: “Ndërkohë një treg i përbashkët i tyre mund të shërbejë si çmim ngushëllimi, për mos integrimin e tyre në BE..”Nënkuptohet që mund të jetë një ngushëllim pozitiv vetëm për Serbinë. Ndoshta dhe për një grusht shqiptarësh komunistë nostalgjikë të viteve 1945-1948, e të tjerë të mëvonshëm të bllokut sovjetik, dhe për ca nostalgjikë të kohës së ish Jugosllavisë në Kosovë. Po është devijim dhe mjerim për të gjithë shqiptarët për të cilët mbrojtja e interesave kombëtare është mbi çdo gjë,shqiptarët nuk janë turma pa histori dhe pa ndërgjegje kombëtare.BE sidoqë ka pasë dilema, e ka mbështetur integrimin e Shqipërisë dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, por tash për shkaqe të brendëshme është frenuar mjaft. Në këtë situatë mund ti linte a përkrahte shqiptarët që janë më pro perëndimorët të shkonin drejt vetëvetes, drejt ngjeshjes, në zhvillimin e tyre të natyrshëm. Por jo,se BE ka një hall, dhe prandaj dhunshëm i shtyn shqiptarët drejt këtij tregu të përbashkët me sllavët dhe e quan parapërgatitje për integrim në BE. Në vështirësitë e veta të mbijetesës, që dolën në pah frikshëm pas ikjes së Britanisë së Madhe,BE ka kuptuar se shtetet e Ballkanit Perëndimor që ende nuk janë në BE janë gjeostrategjikisht shumë të rëndësishme për të. Mbi të gjithë e rëndësishme është veçanërisht Serbia e cila nuk duhet lejuar që të orientohet drejt Rusisë, që kjo mos ti afrohet Ballkanit dhe Mesdheut.

''Ne jemi pengje të Serbisë, kushdo në Ballkan është peng i Serbisë'' shprehej në këtë kuptim në prill 2006 ministri i jashtëm i Malit të Zi, M.Vllahovic duke parë mbështetjen europiane për Serbinë.

Prandaj BE,dhe Gjermania qe per vete e ka realizuar bashkimin e vet kombëtar,pa përfillur interesat bashkuese të shqiptarëve të ndarë në gjashtë copa, për interesa e veta gjeostrategjike,i sakrifikon ato,dhe shtyn qeveritarët shqiptarë drejt një tregu të përbashkët me Serbinë etj.Si karrotë dhe kurth,BE ofron disa projekte të përbashkëta ekonomike ku disa prej tyre do lidhnin pa shkëputshëm, komplementarisht Shqipërinë me Serbinë dhe kjo do ishte fatalisht e rrezikëshme për shqiptarët. Një kompensim ky që i bëhet Serbisë në kurrizin e shqiptarëve që ajo të mos anojë nga Rusia. Po më kot rreket BE, se kryeministri serb nga ky pozicion komod në të njëjtën kohë që afrohet drejt BE ,deklaron dhe se Serbia lidhjet me Rusinë nuk do ti shkëpusë kurrë dhe se nuk do bëhet kurrë anëtare e NATOS. Ka vu në dispozicion të Rusisë një bazë të madhe ushtarake, forcuar edhe më ngusht lidhjet ushtarake me Rusinë dhe ka blerë armatime ruse. Kundër kujt? Veç kësaj po ai kryeministër vizitoi Moskën për të lidhur marëdhënie të fuqishme ekonomike me Rusinë. Sidoqë BE ta përkëdhelë,Serbia nuk do heqë dorë kurrë as së rrahuri në të dy krahët dhe as së qeni urë për Rusinë. Mediat gjermane shkruajnë: “Vakumin e BE në Ballkan, po e plotëson Turqia, Rusia dhe Kina”. Nga Washingtoni i cili kontribuoj shumë për pavarësinë e Kosovës, flitet shumë për rrezikun rus në Ballkan, shqiptarët dhe Europa janë të rrezikuarit dhe jo sllavët.“Senatori amerikan dhe kryesuesi i Komitetit të Senatit për Forcat e Armatosura, John McCain, ka deklaruar se është shumë i brengosur për shkak të tensioneve, rivalitetit dhe potencialit për konfrontime në Ballkan”.( Gazeta Tema dt. 27mars 2017). Serbia kërcënuese, Maqedonia, Bosnja në zgrip të luftës civile e shkatërrimit, Mali i Zi nën presion, Kosova e kërcënuar, Shqipëria e rrezikuar. “Rusia po e mund Evropën në Ballkan. Europa po i lë hapsira Rusisë në betejën për dominimin e Ballkanit paralajmëron gazeta gjermane “Die Zeit”. Gazeta “Mapo”, 29 Mars, 2017”. Të shpresojmë dhe punojmë që të mos ndodhë kështu.

Po edhe në këto rrethana, optimizmi i Ngjelës nuk shterr dhe deklaron se “Shqipëria do bëhet pa tjetër faktori kryesor i politikës amerikane dhe europerëndimore në Ballkanin Perëndimor”. Do donim dhe urojmë që të ndodhë kështu, po ky deklarim bëhet në kohën që politika aktuale amerikane sidoqë ka përsëritur mbështetjen për shqiptarët, ka shprehë haptas interesin për tu tërhequr nga Europa, dhe shqiptarët në Europë janë. Të gjitha këto kanë sjellë një pasiguri të madhe dhe frikë në Europë, për Europën, aq sa Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Evropian paralajmëron Trump-in: “I thashë zëvendëspresidentit: ‘Mos...i nxisni të tjerët ta lëshojnë BE-në, sepse po qe se Bashkimi Evropian shembet, do të keni luftë të re në Ballkanin Perëndimor”, “Nëse i lëmë vetëm – Bosnja Hercegovina, Republika Srpska, Maqedonia, Shqipëria, të gjitha ato vende – do të kemi luftë sërish”. (“Bota Sot”,25 mars 2017). BE ngaqë është në një situatë të paqartë bën politikë emergjencash, aspak krijuese dhe përpiqet të arnojë Ballkanin me stampat e vjetra të shqyera e djegura me Jugosllavi. Pavarësisht se nxiten nga qendra të BE, për shqiptarët nuk duhet të ketë kurr treg të përbashkët ballkanoperëndimor, dhe kuptohet si drita e diellit, kurrë më Jugosllavi. Poashtu nuk duhet pranuar në asnjë mënyrë asnjë projekt europian që ndërlidh ndërvartësisht dhe rrezikshëm në perspektivë strukturat dhe ekonominë e shqiptarëve në dy shtetet shqiptare me atë të serbëve. Vetëm projekte jasht këtyre përcaktimeve. Shëmbjet dramatike të bashkimeve të mëdha në histori deri në ditët tona na japin mësimin e madh absolut që para së gjithash, pa alternativë dhe deri në fund duhet të përpiqesh për të bashkuar kombin tënd dhe jo të hallakatesh e shpërthiqesh pas ideve së integrimeve si është berë deri me sot. Shqiptarët duhet të punojnë për forcimin e dy shteteve shqiptare, afrimin e tyre ngusht, forcimin e faktorit shqiptar në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, për të drejtat e çamëve për të arritur bashkimin kombëtar, të vetmin që siguron shpëtimin e shqiptarëve. Ky është misioni dhe detyra e shqiptarëve, janë burra shtetit vetëm ata që ndjekin këtë politikë ndryshe janë veç nëpunës mjeranë. Më pas, apo paralelisht të punohet për integrimin në BE duke shpresuar fort se do ta marrë veten nga kriza shpërbërëse që i vardiset.

Në këto kushte formulimi entuziast dhe kategorik i Ngjelës se: “Tregu i Përbashkët “Ballkanik” do jetë risia e progresit modern shqiptar”, është mendimi më i pa kontrolluar, më i pa sakti dhe për tepër më çorientuesi që u ofrohet shqiptarëve.

No comments:

Post a Comment