4.02.2017

Intervista – Shoku i qelisë i Visar Zhitit: Ja kush ishin spiunët e Komandës në burg


Shkrimtari Visar Zhiti

(Flet ish i dënuar politik Lekë Frroku, bashkëvuajtës dhe bashkëjetues në një dhomë me Visar Zhitin: I del boja shpifjes mbi poetin, në vitet 1982 e në vazhdim, Visar Zhiti ka vuajtur dënimin jo në Spaç, por në Qafë-Bari)

Tek zyrat e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) u paraqit ish i dënuari politik, Lekë Frroku. Më parë kishim bërë një bisedë të gjatë e të filmuar me të, rreth kalvarit të tij e të familjes së tij nëpër burgjet e komunizmit.


Por sot Lekë Frroku kishte ardhur i shqetësuar rreth akuzave e shpifjeve të fundit që iu bënë bashkëvuajtësit të tij nga presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani. Lekë Frroku është shumë i brengosur për këtë padrejtësi dhe sulm të ulët ndaj bashkëvuajtësit të tij, poetit Visar Zhiti, me të cilin, për 6 vjet rresht kanë ndarë hapësirën e ngushtë të një dhome në burgun famëkeq të Qafë Barit. Ai kërkon të dëgjohet edhe e vërteta e tij, se si e ka njohur ai Visar Zhitin. Për më tepër, ai është i çmeritur nga shpifja ndaj Zhitit, pasi sipas tij, vitet për të cilat akuzohet se ka qenë spiun i administratës në Spa,ç nuk përkojnë (1982-1983), nga se gjatë këtyre viteve Visar Zhiti e ka kaluar dënimin bashkë më të në kamp-burgun e Qafë Barit. Ne bëmë bisedën e mëposhtme me z. Lekë Frroku

– Zotni Lekë, si e keni njohur bashkëvuajtësin tuaj, poetin Visar Zhiti?

Lekë Frroku: Visarin e njoh që nga shkurt viti 1982. Më ka gjetur aty, dy muaj pasi kisha ardhur në Qafë Bari. Kam fjetur me Visarin në një dhumë për 6 vjet pa ndërprerje. Visari ka punuar gjithnjë si vagonist, kurse unë kam punuar minator. Për gjithë këto vite, nuk ka ardhur asnjëherë tellalli për ta thirrur të dilte tek porta. Zakonisht kur thirreshin, që dikush të dilte te porta, thirreshin o për spiunime, o për shkak të ndonjë faji, pas të cilit i thirruri nuk kthehej sepse përfundonte në birucë. Nëse kthehej, atëherë kuptohej se ai ishte informator. Në i njihnim dhe në konfidencë ia tregonim njëri-tjetrit spiunat, me qëllim që të kishim kujdes prej tyre. Për shembull, dihej gjerësisht midis nesh se Vladimir Prifti (jo aktori), Ylli Molla, Xhemal Neza etj, thireshin rregullisht nga komanda dhe dihej se për çfarë. Por kurrësesi Visari! Asnjëherë! Gjatë këtyre viteve Visar Zhitin asnjëherë nuk e kanë thirrur te porta dhe për këtë jam shumë i bindur. Në ndonjë rast të vetmuar kur e kanë thirrur, nuk është kthyer, por ka përfunduar 1 muaj në birucë. Këto i them, pasi një ish-i burgosur nga Kukësi me iniciale, përpiqet me hedhë baltë mbi Visarin. Marr shkas nga një artikull i tij, se gjoja, në vitet 1982-1983, Visari ka qenë Spiun në Spaç. Gënjeshtra qëndron këtu, se shpifësi me iniciale bie në kundërthënie flagrante, pasi, siç e thashë, nga shkurti i vitit 1982 e në vazhdim, Visari nuk ka qenë jo në Spaç, por në Qafë Bari. Kështu që në këto vite kur pretendojnë se ka qenë spiun në Spaç, ndërsa ai ka qenë në Qafë Bari, tregojnë se sajesa e shpifjes bie poshte vetvetiu.

– Për ç’arsye përdoren këto shpifje ndaj Visarit sipas jush?

Lekë Frroku: Kjo mbase ka të bëjë më natyrën e polemikave që Visari e presidenti kanë shkëmbyer mes tyre, lidhur me mosdekretimin e Zhitit si ambasador në Vatikan. Me sa duket njeriu me iniciale, duhet ta ketë pasur traditë të hershme shpifjen dhe spiunllëkun, që nga kohët e burgut, sa ai tashmë, nuk arrin as të bejë as llogarinë e viteve.

– Po sikur shpifësi me iniciale ta ketë fjalën për vitet para 1982 kur Visar Zhiti ka qenë në Spaç?

Lekë Frroku: Nisur nga njohja ime e ngushtë me Visarin në rrethanat e burgut dhe sjellja e tij e pastër në vijimësi, nuk më japin shkas të mendoj ndryshe. Mjaton hedhja poshtë e periudhës kur akuzuesi me iniciale shpif për Visarin, që të dyshosh, se gjithçka tjetër kundër tij është e sajuar ose e porositur nga Nishani pa nishan.

– A e dëmton vallë imazhin e ish të dënuarve politikë kjo akuzë e presidentit ndaj Visarit?

Frroku: Akuza e Nishanit ndaj Visarit dëmton e diskretiton vetëm spiunët dhe aspak ish-të dënuarit e ndershëm, si Visari.

– Çfarë interesi mund të ketë z. Nishani kur përbalt figurën e vuajtur të Visar Zhitit?

Frroku: Në vitin 1991 unë e kam parë disa herë në televizor, jo vetëm Nishanin, por edhe Ridvan Boden, me fotografi të Enver Hoxhës. Është, ndoshta e kaluara e tyre si ish-enveristë, që nuk i lë të qetë dhe kanë një xhelozi ndaj figurav qëndrestare të burgjeve komuniste. Ata duan të përlyejnë gjithçka.

– Me që ra fjala, si jeni ndjerë ju më 11 prill, kur vdiq diktatori Enver Hoxha?

Frroku: 11 prilli i vitit 1985 ka qenë dita më e lumtur e jetës sime. Popullit shqiptar iu hoq qafe diktatori më gjakatar e më i urryer që ka parë njerëzimi. Nga gëzimi i madh e i papërmbajtshëm që kisha, nuk u kujdesa që ta fshihja, sa rashë në sy të policisë duke festuar. Policia më arrestoi dhe nga 11 prilli deri më 11 maj më mbajti të izoluar në birucë.

– Pse nuk e dekretoi presidenti Visarin si ambasador dhe pse nuk ngurroi të dekretonte Fatmir Xhafën, që thonë se ka qenë ish-hetues në Krujë e gjetkë?

Frroku: Vatikani nuk e ka refuzuar Visarin asnjëherë, por e ka refuzuar Nishani. Nishani nuk duhet ta refuzonte qoftë edhe si emër: “Visar”! Pse e dekretoi Xhafë? Këtu ndalemi pak. Si e njoh unë Fatmir Xhafën… Nuk përbën lajm fakti se fotografia e rinisë së Fatmir Xhafës përkrah Enver Hoxhës, tregon një lidhje të ngushtë shpirtërore të Xhafës me komunizmin dhe diktatorin. Është një foto romantike, që u shpjegon shqiptarëve zellin dhe origjinën nga vijnë këta politikanë. Dhe të dekretosh persekutorët e të mos dekretosh viktimat e tyre, tregon se në cilën anë je.

– Çfarë mbani mend nga sjellja e këtyre ish komunistëve me pushtet mbas daljes suaj nga burgu?

Lekë Frroku: Në vitin 1990 vajza ime, Florinda, mbaroi shkollën 8-vjeçare me të gjitha notat dhjeta. Na sugjeruan të kërkonim, sipas të drejtës, një bursë për vajzën, meqë nuk kishte asnjë notë tjetër përveç 10. Meqenëse këtë të drejtë nuk na e jepnin organet vendore të partisë, iu drejtova vetë ministrit të arsimit të asaj kohe, Skënder Gjinushit. Pas kembënguljes time të gjatë, më priti në zyrë. I tregova dëftesën dhe sa e pa, tha: “sipas notave i takon bursa pa diskutim”. Pastaj më pyeti se ku ke punar. Unë i thashë se kam punuar minator në Spaç. Pse në Spaç, më pyeti ai. Unë i thashë se kam qenë i burgosur politik. Atëherë ulëriti: “Dil jashtë! Jashtë! Përsëri në Spaç do t’ju dërgojmë!”. Buras vajzës time nuk iu dha. Ajo vazhdoi gjimnazin në Milotë për tre muaj, deri sa u krijua Shoqata e të Burgosurve Politikë, e cila, në bazë të dëftesës e dërgoi vajzën time me bursë në shkollën e gjuhëve të huaj “Asim Vokshi” në Tiranë.

– Kush kanë qenë hetuesit e tu në rrethin e Krujës? Ju kujtohen?

Frroku: Marenglen Rrapi, Kristo Vangjeli, Rrapo Dhimo, Mark Pllumi dhe Thoma Jano. Më kanë bërë totura nga më çnjerëzore, të cilat vetëm mosha e re mund t’i përballojë. Pas këtyre hetuesve, diku pas vitit 1983, nga largimi i Marenglen rrapit në një detyrë tjetër, ka ardhur hetues në Krujë Fatmir Xhafa. Nuk kam pasur vetë përvojë personale me të, por siç tregojnë të dënuarit pas meje, Xhafa ka qenë një ndër torturuesit më mizor.

– Flitet për pastërtinë e figurave dhe për vetingun, me qëllim që në pushtet të kemi drejtues të pa implikuar me veglat e dhunës së regjimit komunist. Pse nuk u kërkua kjo pastërti figure për Fatmir Xhafën?

Frroku: Kjo tregon, se “pastërtia e figurave” dhe “vetingu” janë pallavra boshe, që bëhen për shou, ose për t’u hyrë në qef emisarëve të Europës. Por në fakt, janë po ata pjella e vegla të diktaturës, që kanë lyer duart me gjakun e pafajshëm të qytetarëve shqiptar, në emër të fanatizmit enverist. Ndërsa shtresës sonë, që përbën rreth 30% të popullsisë, asnjëherë nuk i kërkoi kush të falur. Kjo është krejt e pamoralshme dhe përbën një provokim të rëndë për plagët tona.

Bisedoi: Agron Tufa

No comments:

Post a Comment