2017-04-30

...Kur del në dritë e vërteta


Akademik Prof.Dr.Naim Kelmendi ,Ph.D

Akademik Prof.Dr.Naim Kelmendi ,Ph.D u lind me 10 shtator 1959 në Ruhot të Pejës, nga nëna Xufe dhe babai Salihu. Studioi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Shkruan poezi e prozë, por merret edhe me gazetari e me publicistikë, duke u dëshmuar edhe në këto fusha të shkrimit, sidomos me publikimet e tij, si te gazeta “Bota sot”, “Pavarësia”, “Pavarësia Neës” etj.

Nga veprimtaria e tij poetike janë përkthyer poezi edhe në gjuhët evropiane, duke u prezantuar edhe në antologji të ndryshme, si dhe në shtypin e kohës.

Naim Kelmendi ishte themelues dhe kryetar i klubit letrar “Faik Konica” në Zvicër, i cili për vite me radhë ka lënë gjurmë në jetën letrare të mërgatës sonë atje. Drejtues dhe kryeredaktor i revistës “Top Kultura”, e cila botohej po ashtu në Zvicër. Naim Kelmendi ishte themelues dhe kryeredaktor i gazetës “Pavarësia”, pastaj ish editor i gazetës “Pavarësia News”si dhe tash editor i Shtëpisë Botuese "Rugova Art".

Nga kritika jonë letrare e kohës, konsiderohet si një ndër poetët tanë më të dalluar në poezinë tonë moderne. Edhe në fushën e publicistikës sonë Naim Kelmendi dallohet dhe çmohet si një ndër publicistët tanë më në zë,sidomos për angazhimin dhe guximin e tij intelektual në mision të fjalës së shkruar.

Ishte edhe reporter lufte i gazetës kombëtare “Bota sot” në luftën e Koshares me 1999.

Që nga viti 2002 (pas kthimit nga Zvicra, ku kishte jetuar dhe vepruar që nga fillimi i viteve nëntëdhjeta) jeton dhe vepron në Kosovë.

Akademik Prof.Dr. Naim Kelmendi,Ph.D  ka botuar deri tash këta libra:

Shtreza në fjalë, 1985
Nyja e Gordit, 1992
Albanoi, 1992
Pse ashtu Pandorë, 1993
Çka të bëj me dhembjen, 1993
Satanai me fytyrë tjetër, 1994
Eklipsi i diellit, 1997
Përballje me vdekjen, 1999
Shqiptari vdes duke kënduar, 2000
Kohë për të folur gurët, 2001
Sipërfaqja e padukshme, 2003
Vrasja e deputetit - monografi, 2003
Beteja e Koshares…, publicistikë, 2008
Pikëpamje dhe reagime, publicistikë, 2008
Në një jetë pas Krishtit, 2010
Esenca,2010
Shqiptari vdes duke kënduar (botim i dytë), 2010
Antologjia e dhembjes poetike, 2012
Është vetëm kujtesë, 2012
Po i flisja vetes, 2013




KOHË ME KOKË GORGONE

Po vjen koha me kokë gorgone
është egërsuar egër
në mish në kokë njeriu
mor a po vëreni atë që unë po e vërej
pamjaftueshëm
as shtetet s’po flenë
as njerëzit s’kanë gjumë të qetë
po shohin ëndrra të këqija plot ankth

vetëm miopët nuk shohin
as përtej hundës as përtej mjegullës

koha me kokë gorgone
po ecën me të shpejtë drejtë terrinës
e mendjes së ngjizur nga fara e keqe
e mbjellë mbi bime të egra mizore

po ecën shpejtë e më shpejtë
se sa e mendojnë mendjet fodull

mbi gjak të njerëzimit
po mbjellë mizori mesjetash barbare

mor, a po e vëreni atë që unë po e vërej
apo në mos është dhe një luftë e tretë botërore
dhe mbi hirin tonë as eshtrat s’do të zgjohen më
as Sodomat as Feniksi, ai zog i ripërtëritjes

as fija e pështjellimit njerëzor s’do të gjendet
për t’u zgjidhur njëherë mirë e njerëzisht

amen, na shpëtoftë dashuria...
ndryshe as detet s’do të na lajnë


PIKËLLIM LIRIE

Rrugët e hanë veten pa dalë në kryerrugë
mëkatnojnë natën në pikënatë dhe
ditën në pikëditë lindin kopila
rrugëve nga ndërgjegjet e vrara në njeri

as e kisha besuar kurrë
se liria është kaq lavire e madhe
harron dhe të harrojnë tmerrshëm
në vetminë pikëllyese

dhe merresh me vetveten t’humbur
në harresën e secilës ditë të heshtur
të jesh a të mos jesh vjen pikëpyetja

përditë e më shumë kuptoj
nga t’pakushtueshmet e djeshme
sa më afër i afrohem ta prek
ta dua të vërtetën aq më larg mbetem
për të arritur në Breg e zbres

në fund të zhgënjimit të madh
deri te rrënja të flas me atin tim t’lashtin
për t’i thënë pse më le aq herët fillikat vetëm
edhe rrugët e hanë veten pa dalë në kryerrugë


ZUZARËT

Nga kryevendi
Ndiqni
këta horra
këta zuzarë
këta të lënë edhe pa atdhe
fytyrat i kanë të ndritura
vetëm si zagarë...


IRIS ILLYRIKUM

Si mbijetove shekujt
Askush nuk e di ku qëndron esenca
E krejt asaj që je vetëm një lule e mbijetuar
Shenjë e Ilirisë sonë të lashtë se ishin ata që ishin

Dhe kush do që të mbijetojë
Do të hajë nga kërcylli vetveten
Por duhet mbetur patjetër
Vetvetja e vetes sonë

Po ti si mbijetove kohët deri n’kohën tonë
Për t’thënë se ishim t’bukur se kishim hapësirë
Se do na zhduknin po mundën me luftëra me masakra
Në katran do na zienin e do na ndjeknin në magrip

Por në mos pastë mbetur asgjë nga gjurma jonë
E lashtë ilire ti ke mbetur e të kemi shenjë
Se këtu ishte gjaku ynë ishte racë e bardhë e lashta
Racë që i suleshin nga lindja nga perëndimi

E kush do mbijetonte kaq bukur si ti
Kohët luftërat kryqëzatat për t’thënë se ne jemi
Këtu rrënja e lashta bimë dhe mendimi po i lashtë

Shqipëri dhe shqiptarë na ka ende rrënja e fisit
Të ndarë cepave e caqeve e tokave
E kujtimeve ku mbeten të djerra i populluan
Mbesin dhembjet tona e historitë e hartat e copat
Dhe tmerret e ndjekjet e gjenocidet n’shqiptarë

E degëve s’mund i bëjmë bashkë te trungu
Amen,mor Zoti ynë si t’i bindemi vetes
Për t’shikuar n’veten tonë ndarjet, kufnjtë

Po ti si mbijetove shekujt
Askush nuk e di ku qëndron esenca
E krejt asaj që je vetëm një lule e mbijetuar
Shenjë e Ilirisë sonë të lashtë se ishin ata që ishin


MJERIMI I TYRE

Ata e kanë trurin e tredhur
kur s’e njohin rrënjën e vet
dhe kërkojnë identitet tjetër
s’janë i gjenit as të kurmit tonë
duket janë diçka nga përzierja shekullore
e së keqes së mbetur në plagën e kombit
asaj fijes më të keqes që s’dihet nga ka pjellë
si farë në tonën arë kombëtare asgjëja e asgjësë
mor janë mjerimi i vetes dhe jetës së tyre aty
ku fillon të jehojë e zeza mbi atë cohë
kohë lëpjetre në gjeografinë tonë etnike
mor asnjë grimë gjak etnie nuk kanë se janë
farë e përzier që mbjelli në ta kush çka lënë
rrugëve të historisë përgjakshëm dhe përdhunë


MARSHI MIZOR

Janë nisur, po ecin, po presin koka, rendin
drejt qëllimit makabër, mallkim i tyre
qoftë fundi dhe fuqia e tyre e errët, çnjerëzore
po ecin drejt qëllimit, po presin koka fëmijësh
të pambrojtur, po vrasin pa asnjë faj njeriun
në jetën e vet në emrin e vet prej Zoti
kanë vënë katër shkronja kobzeza në krye
të qëllimit antinjerëzor dhe ecin duke prerë koka
toka i ka rëndë ku e shkelë këmba e tyre, mjerimin
mbjellin me qëllimin kryekreje bizar, shfarosës
amen, ndalini, a s’po i vëreni kokat e prera, plojën
e s’ju dhemb fatkeqësia e tjetrit, jo Jezus, o Zoti ynë
ata s’janë ata që s’dinë çka bëjnë, ia kanë qitur pikën
ata u nisën dhe po rendin, po presin koka njerëzish
po ecin po rendin po masakrojnë, a po e dëgjoni
marshin e tyre mizor, të egër, antinjerëzor po rendin
furi e së keqes shkretëtirës për të shkretëruar
njerëz, tokë dhe kohë, mizori e tyre po unguron
etshëm, përgjakshëm ngjizur në gjakun e mizorive
bjeruni, ndalini, do kutërbojnë kohën tonë dhe orën
po janë nisur bre drejt mizorive, bjeruni, ndalini
amen shporrini, bjeruni shpirtdjajve, kokëzinjve...
s’janë tjetër, janë shëmtia vet, n’tokën e Zotit


TUNGJATJETA MASHTRIM

Gjurmëve të frymëjetës
kush mundet më bukur ta stis rrjetën

anash e përanash e gjithë kohën andej e këndej
endet në fjalë në ecje kujdesshëm dhe ngrit kurtha mjegulle
vë gurthemel në murin e fjalëve dhe nis shtjellën


tungjatjeta mashtrim
i bukuri mashtrim i thekshmi
del në breg, ec e mos beso deri në theqafje, pastaj
dalin gjërat lakuriq t’vërtetat dhe s’di çka të bësh me veten
po kah kthejnë e kah të serviren me maska...
natën përgjatë terrinës e ditën përgjatë dritës
përbirohen duke t’u shitur me fytyrë engjëlli

tungjatjeta mashtrim
ditën për drekë
në dashuri në gjak njeriu
në mendësi kohe në secilën hapësirë

tungjatjeta mashtrim
edhe kur s’flejmë dot mbi një pikëllim
edhe mbi histori fjalësh
e në kufij hartash njerëzore

tungjatjeta mashtrim
edhe në seance hijerënda
e në mbledhje shtetesh ku jargon hipokrizia

jehut te thekshëm të thënieve të tyre
kur i theksojnë fjalëve ju besojmë
kur ikin nga prapa shpine të thermojne

tungjtjeta mashtrim
aktrim i rëndi aktrim
i pështirosur i pështymaftë...

kur del në dritë e vërteta
ti nuk je vetvetja, je tragjedia vet
por vazhdon sërish mjegullnajën e s’ia gjen askund fundin
as fjalës as thënies as të vërtetës kthinave të errëta të jetës...

dhe të përkulem para teje
si para të vërtetës pa shpjegim
tangjatjeta mashtrim...
sa i vërtetë që je sa kryetrim...

derisa del në shesh e vërteta ne paguajmë
haraçin tënd rëndë, shumë rëndë
e që nuk paguhet me asnjë çmim...

tungjatjeta mashtrim
i vetvetes i jetës i pjesës së njeriut
i secilës vragë në ecje në varasjen me paramendim

No comments:

Post a Comment