2017-04-12

Parathënia e vëllimit poetik “SA SHUMË ETHE PAT DIMRI SIVJET” i autorit Adem Zaplluzha.

NUANCA FIGURATIVE TË NJË VARGËZIMI POETIK

Parathënia e vëllimit poetik  “SA SHUMË ETHE  PAT DIMRI SIVJET” i autorit Adem Zaplluzha.


halil
Nga Halil Haxhosaj

Poeti Adem Zaplluzha del para lexuesit për të 136-tën herë me veprën poetike më të re “Sa shumë ethe pat dimri sivjet” që një njëfarë mënyre e stabilizon, por edhe e ngjesh formën krijuese artistike të poetikës së vet. Poezitë e përfshira në këtë vëllim janë sublime, të ndërtuara e të latuara artistikisht në formë e strukturim dhe e grishin lexuesin e çfarëdo moshe që t’u qaset ashtu siç duhet dhe siç i nevojitet. Poeti Adem Zaplluzha, mbase, tashmë e ka lexuesin, pse jo edhe zgjon interesimin me poetikën e vet, sepse ajo ka tipare që në një mënyrë e ka krijuar peizazhin e artistikes.
Duke vështruar në qasje paksa më të thellë me qëllim njohje të kësaj poetike, patjetër vështrimi përqendrohet në gamën kundruall strukturimit, figuracionit dhe nuancimit figurativ të gërshetimit të vargëzimi të poetit Adem Zaplluzha në përgjithësi dhe të këtij të kësaj vepre, në veçanti. Vetëm atëherë gjenden anët e kësaj qasje, e cila është paksa specifike, e pse jo edhe e veçantë e këtij poeti. Kjo veçanti nuk ka peshë vetëm në bagazhin dhe volumin e madh të veprave të botuara nga ky poet, por ajo shtrihet nëpër të gjitha format, strukturat, figuracionin dhe në gërshetimet e tjera. Andaj pa hezitim mund të konstatohet se ky poet është ndër krijuesit më interesant si për nga numri i veprave të botuara në letërsinë bashkëkohore shqipe dhe si për nga strukturimi dhe figuracioni i vargëzimit të tij poetik. Kjo konstatohet nga bibliografia e tij, sepse gjatë vitit 2014 botoi hiç më pak se 24 vepra, por ende nuk dihet sa do t’i botojë më 2015 dhe pse deri tash i ka botuar 13 vepra, ndërkaq për vitin 2016 e ka të hartuar e të shtruar planin e botimeve prej disa dhjetëra vëllimesh. Kjo mori kaq voluminoze e kësaj veprimtarie qëndron si një kala në vete, e cila mbetet ende unikate në letërsinë bashkëkohore shqiptare.
Vepra “Sa shumë ethe pat dimri sivjet” ngërthen në volumin e saj një strukturim, që në njëfarë mase e përmbush synimin, idenë artistike dhe inspiruese të poetit. Andaj vepra ka në strukturimin e vet tri njësi përbërëse, pra tre qerthuj poetikë që janë: 1. “Sa shumë ethe pat dimri sivjet”, 2. “Si një kor i shthurur këndon deti” dhe 3. “Zëri i shiut brenda meje”. Nga vet emërtimet e qerthujve dalin e depërtojnë figurat, madje tematika e të tjera forma të vargëzimit, që në tërësi krijojnë poetikën që del nga frymëzimi i krijuesit, pra nga poeti, në këtë rast me rolin e autorit të veprës.


adem
Adem Zaplluzha

Poeti Adem Zaplluzha në këtë vepër me poezi qëllimisht gërsheton çaste të jetës dhe të sferave të saj pa marrë parasysh kohën edhe pse hapësira dihet, por duke e veshur idenë e vet poetike me ngjyrime bashkëkohore të tri kohëve: të djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes. Ky gërshetim nuk është statik, nuk është i ngurtë, madje nuk është as deklarativ, por gërshetohet me stade të vargëzimit specifik bashkëkohor duke depërtuar nëpër atomet e një ngjyrimi artistik modern e figurativ. Dhe më në fund kjo formë e vargëzimit poetik e fiton të drejtën të quhet stil i poetit Adem Zaplluzha.

Strukturimi dhe gërshetimi tematik modern

Në këtë përmbledhje poetike lexuesi, por edhe kritika do të takohen në radhë të parë me strukturimin dhe tematikën e këtij vargëzimi. Që nga titulli “Sa shumë ethe pat dimri sivjet”shihet qëllimi i ndërtimit, pra strukturimit tematik e artistik të kësaj vepre nga pena e autorit Adem Zaplluzha.
Dallimet e hartimit tematik nuk ndahen në formë të prerë e as s’janë aq shumë të dukshme, por shtrihen kënaqshëm dhe harmonishëm nëpër të gjitha poret e këtij organizimi. Dhe atëherë të gjitha indet e tij, të gjitha gjymtyrët, organet e figuracionit metaforik e të tjera krijojnë një harmoni që tingëllon dhe gurgullon mirë artistikisht, duke u veshur me timbrin e figuracionit, që në një formë nuk mëton të jetë i ngathët, por as formalist. Kjo haset që në poezinë e parë të shkruar në Përmet, më 26 maj 2015, në manifestimin poetik kushtuar poetit të madh kombëtar, Naim Frashërit, ku thotë:

Atje lartë te mjegulla
Mbi një gur
Si perëndi rinte ulur Naimi
Dhe në mendjen e tij të ndritur- nur
Qëndiste një flamur

Në këto vargje shihen madhështia dhe qëndresa e shqiptarëve me shekuj, duke mos u gjunjëzuar kurrsesi e as duke mos e harruar historinë e vet, të atdheut dhe të gjuhës shqipe, të cilën e kishin ndaluar pushtuesit e të gjitha kohëve me ligje e dekrete okupuese të tyre. Andaj autori në këtë vepër përveç poezive lirike, e disave  edhe satirike ka edhe poezi përkushtuese siç është kjo, por edhe të tjera.


14054873_1199348733450907_1422916442_n
SA SHUMË ETHE  PAT DIMRI SIVJET

Poezia “Sa shumë ethe pat dimri sivjet” është nyje e cila lidh anët e komunikimit figurativ e artistik të këtij vargëzimi. Edhe titulli i kësaj poezie është titull i veprës, sepse përkon me realitetin e muzës së poetit me këtë rast. Kjo është poezi e cila sa mban pak pjesë të realitetit po aq edhe kombinohet me një mesazh dhe meditacion filozofik, që buron nga realiteti i bashkëkohësisë me nuancat e pranishme të të sotmes:

Disa njerëz me kapela prej letre
Po mbledhin nëpër shkurret e djegura
Parathëniet e pemëve

Për të vazhduar menjëherë:

Sa shumë ethe pat dimri sivjet
Sa që mezi arriti
T’i shërojë plagët e lisave

Shpërfaqja e situatave të tilla nuk rrjedh zorshëm, madje as njëtrajtshëm, por gurgullon poetikish mbi figurat që dalin nga frymëzimi i poetit dhe zbresin nëpër poret e përjetimit që ndihet më shumë në absorbimin që do ta bëjë lexuesi. Stina e dimrit kushtimisht është një stad i vështirësive të jetës së njeriut, sepse jeta në këtë stinë vetëm merr dhe asgjë nuk jep. Prandaj shpesh dimrat janë të sëmurë, kanë lëngime nga epidemi të ndryshme, por të pamëshirshëm janë edhe kur kanë ethe shumë.
Kështu, në këtë vëllim poetik ka edhe elemente, motive dhe tematikë të bollshme, madje aktuale që janë frymëzim i penës së këtij poeti, duke i përjetësuar në nuanca figurative të vargëzimit.

Nuancat figurative të vargëzimit

Nuancat e vargëzimit të figurave të bollshme e pasurojnë shumë edhe shprehjen poetike të këtij poeti. Nëpër këto nuanca rrjedh gjithçka që është aromë përjetësie, ëmbëlsi jete, dashuri për njeriun dhe jetën, e të tjera. Këto synime që kurorëzohen në vargjet poetike veshin rrobat e inspirimit dhe dalin krenare në kurorën e figuracionit metaforik, sepse këtë e synon poeti.
Kjo shihet qartë ne poezitë që ua kushton miqve, trimave të historisë, por edhe trevave të njohura të atdheut si dhe figurave të njohura nga historia, letërsia e të tjera. Kështu në poezi historia kombëtare bashkëdyzohet me krenarinë kombëtare dhe merr epitete që janë dëshmi të lavdisë dhe krenarisë sonë. Në poezinë me titull “Në Hasin e Gurit”, poeti shpalos artistikisht krenarinë, burrërinë dhe të mirat e Hasit, por këtë e bën duke e përmendur figurën e njohur të traditës sonë kombëtare Shtjefën Gjeçovin, i cili është shembull i qëndresës dhe pasqyrë e traditave autoktone kombëtare.

Kaloi një kohë e trishtë
Lumëbardhi me pamje të ngrysur
Përcjellë rrjedhën e Drinit të Bardhë
Kurse në Hasin e Gurit
Pas një shekulli zhvarroset ditari i Gjeçovit

Shumë trima e mendimtarë marshuan nëpër rrënjët e kombit që ato sa më shumë të forcohen, të shumohen dhe sa më shumë lisa të rrisin shtatin. Nga këto rrënjë u mësuan shumë gjera, madje edhe arti i përkryer i qëndresës.

Atdhedashuria koncept poetik

Nëpër këto nuanca depërtojnë edhe vargje që përjetësojnë vetminë si ves bashkëkohor i njerëzimit, madje lakminë, smirën, mëdyshjen e të tjera anë të kësaj jete që sot po na shoqëron. Duke parë normimin e këtyre aspekteve, poeti mëton t’i shtrijë në shtratin e përjetësimit, por kjo arrihet duke depërtuar nëpër hallkën filozofike të jetës si koncept bashkëkohor. Andaj shpesh vrazhdësitë dalin si figura dhe disi përfaqësohen me to. Këtë e arrin me sukses poeti Adem Zaplluzha me krijimin e poetikës së vet.
Konceptimi filozofik i jetëvdekjes pasqyrohet në figurat e vargjeve. Ka koncept nuk është i ngurtë, madje as i pakalueshëm, por kërkon shumë mund e sidomos sakrificë dhe mençuri. Gërshetimi i këtyre patjetër se ka edhe viktimat e veta që i ka të njohura historia për ne. Andaj kur nuk ka kohë për të mbjellë asnjë pemë, madje as manaferra, ndodh:

As nëpër fushat e gjëra të mëllenjave
S’qitem asnjë kokërr farë
Domosdo do t’i japim llogari dikujt
Ku ishim dje dhe çfarë bëmë sot për nesër

Me këto vargje të poezisë “Ku ishin dje dhe çfarë bëmë sot për nesër”, që është poezia e fundit me të cilën përmbyllet kjo vepër, poeti Adem Zaplluzha, me magjinë e fjalës dhe të shprehjes lirike, herë reale e herë imagjinatave, pikturon me penë kuptimin filozofik të jetës që është një proces dhe një konceptim i pazëvendësueshëm i njerëzimit.
Edhe tema e motive të tjera defilojnë në vargjet e këtij vëllimi poetik, që fatmirësisht pajtohen mirë dhe integrohen suksesshëm edhe në gurrën e figurave metofarike. Të gjitha përjetimet e muzës së poetit defilojnë nëpër vargjet plot me aromë të shijshme dhe me qëndrime triumfuese. Dhe kështu kjo poezi ka frymëmarrje të bollshme dhe kurorëzohet me piedestalin e krenarisë kombëtare dhe të flamurit, sepse:

Nga kjo pemë e shenjtë
Një njeri mësoi shijen e qeshjes
I mësoi edhe karakteristikat
E ngjyrës së gjakut
Dhe që atëherë mendoi për flamurin

Kundrimet e këtilla, por edhe të tjera e bëjnë të madhërishme, pse jo edhe të pakontestueshme sakrificën për liri e pavarësi nëpër të gjitha epokat e historisë me flamurin kombëtar kuq e zi në ballë, i cili ka ngjyrën e gjakut. Bashkëdyzimet artistike të këtyre figurave bëhen legura që krijojnë dashtë e pa dashtë elemente të rrjedhës artistike, të muzës poetike e të penës krijuese të poetit Adem Zaplluzha.
Poezia dhe vargjet poetike të vëllimit “Sa shumë ethe pat dimri sivjet” kanë edhe shumë nuanca, motive, tema, inspirime, muza dhe figura të tjera, por patjetër ato kështu mirë të organizuara, mirë të shtruara dhe mirë të shpërfaqura fitojnë indikacionet që shprehin anën e veçantë të penës së poetit Adem Zaplluzha. Duke i lexuar këto vargje, lexuesi do të hasë në një gjuhë metaforike e poetike të mbështetur me sukses në normat letrare e gramatikore të gjuhës së sotme letrare shqipe. Edhe kjo është një anë shkëlqyese e këtij vëllimi poetik.

Gjakovë,3 korrik 201
Halil Haxhosaj, poet

No comments:

Post a Comment